Fabrika 'Kivo' në Kaçanik

Fabrika e Kaçanikut që Eksporton në Europë

Në moshën 19 vjeç, kishte marrë iniciativën për të hap biznesin e parë të tij në Kosovë. Që nga ajo kohë, Visar Ramajli kishte “rrugëtuar” në shumë biznese të tij me shumë sfida e sakrifica.

Viti 2015 ishte viti vendimtar për Ramajlin. Ai pas shumë insistimesh arriti të bind investitorët Holandezë të bëhen partnerë me biznesin e tij “VM3 Sh.P.K”, që kishe për qëllim prodhimin e materialit fleskibil. Ata se bashku hapen fabrikën “KIVO” në Komunën e Kaçanikut, në vendlindjen e Ramajlit. Sot në këtë fabrikë punojnë 110 punëtorë. Ata, çdo ditë, për 24 orë, prodhojnë në fabrikën materiale fleksibile e të cilat më pas eksportohen në gjashtë vende të botës: Holandë, Belgjikë, Gjermani, Suedi, Danimarkë dhe Itali.

Për ndërtimin e këtij biznesi, Ramajli ka treguar se janë investuar 11 milion euro. Ai për KALLXO.com ka rrëfyer vështirësitë sfidat për të bindur investitorët e huaj holandez për të qenë partnerë në biznesin e tij.

“Duke qenë të vetëdijshëm mbi atë që të huajt e shohin Kosovën, takimin e parë e ftuam që të mbahet në Kosovë pra në zyrat e VM3. Megjithatë ai takim u refuzua prej palës holandeze prej faktit se nuk ndjeheshin të sigurt të udhëtonin dhe kërkonin që takimi të bëhej në Holandë. Kjo normal që ishte sfida e parë që ne duhej të merremi së pari me imazhin e Kosovës dhe më pas të futemi në detajet e biznesit”, tregoi Ramajli.

Edhe takimi i dytë me investitorët nga Holanda, sipas tij, nuk ishte i lehtë, por frytdhënës.

“Takimi i radhës u bë në Kosovë. Prej momentit që ata vizituan Kosovën dhe panë për së afërmi qytetet e Kosovës, njerëzit e saj dhe kompaninë tonë, atëherë dilema e tyre u zbeh dhe m

Visar Ramajli, bashkëpronar i ndërmarrjes KIVO ||Foto: Kallxo.com

endoj që kjo ishte thyemja e imazhit të keq të Kosovës”, tha ai.

Kur morri dritën e “gjelbër” nga investitorët holandez, Visar Ramajli vendosi që biznesin e tij ta ndërtojë në vendlindjen e tij në Kaçanik, aty ku kontribuoi edhe babai i tij, Ilaz Ramajli. Ky i fundit ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe i cili pati miratuar Kushtetutën me të cilën e shpalli Kosovën Republikë në vitet 90’.

“Pozicionimi i Fabrikës në Kaçanik ka qenë i qëllimshëm. Qëllimi i saj ka qenë që të zbusim sado pak papunësinë e kësaj Komune për shkak se dihet se kjo komunë ka një numër shumë të lartë të papunësisë dhe sidomos numri i papunësisë është i lartë tek moshat e reja. Shumica e të punësuarve këtu, diku 95 për qind prej tyre janë nga kjo komunë”, tregoi Ramajli

Biznesin e tij, Ramajli e nisi me 55 punonjës, ndërsa aktualisht numëron 110 punëtorë të cilët vijnë nga Komuna e Kaçanikut.

Ramajli ka treguar se ide për të prodhuar materiale fleksibile erdhi pasi që Kosova në atë kohë nuk e kishte të zhvilluar këtë industri. Për KALLXO.com ai tregoi se çfarë është prodhimi fleksibil.

“Produktet që ne i prodhojmë këtu është një gamë e produkteve duke filluar nga qeset e bukës që është një ndër produktet tona kryesore. Ne mbulojmë rreth 60 për qind diku të tregut holandez me qese të bukës. Imagjinoni diku 6 bukë nga 10 që prodhohen në Holandë futen në qeset e prodhuara këtu në fabrikën tonë në Kaçanik”, deklaroi Ramajli.

Produktet tjera që prodhohen në këtë fabrikë janë edhe mbështjellësit e revistave, paketim për mbështjelljen e peshkut dhe produkte të makinerisë automobilistike.

“Këto që po shihni sot janë pas shumë vitesh punë edhe dështime, mësime për të qenë pastaj i gatshëm që të bësh diçka më të mirë ose më të madhe”, tha Ramajli.

Ramajli ka thënë se të qenit biznesmen në Kosovë nuk është punë e lehtë. Ai thotë se në rrugëtimin e tij biznesor nuk ka pasur shantazhe për shkak se ka respektuar çdo procedurë dhe ligj të Kosovës për të bërë biznes.

“Sa i përket pjesës tjetër të shantazheve apo ndoshta ta quaj të korrupsionit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në rastin tonë qoftë të kemi ndonjë shantazh apo të paguajmë diçka e cila do të quhej korrupsion”, tregoi Ramajli.

Drejtuesi i kompanisë “KIVO” tha se Kosovën e mbulon një mjegull e cila reflekton edhe të investitorët e huaj, e cila mund të largohet përmes kontakteve dhe ofrimit të shembujve të suksesit që janë në vendin tonë.

Ramajli thotë se ndihet mirë për hapjen e kësaj kompanie në Kosovë.

“Ne jemi fokusuar që punën të cilën e bëjmë në këtë fabrikë ta eksportojmë jashtë dhe në Kosovë të mbetet vlera e shtuar. Dhe mendoj që kjo është më e mira që mund të bëjmë përderisa ne eksportojmë, vlera e shtuar është e vetmja vlerë e mirë që mbetet në Kosovë”, deklaroi Ramajli.

Ramajli synon që të sjell edhe investitor të tjerë të huaj, ndërsa tha se shqiptarët e kanë në gjen ndërmarrësin.

“Po me u pensionu me 38 vite mendoj që është herët, kështu që definitivisht do të rritemi dhe definitivisht do të ketë edhe projekte të reja”, pohoi Ramajli.

Fabrika e prodhimit të materialit fleksibil “Kivo” në Kaçanik ka rreth 6 mijë e 900 m2. Kjo Fabrikë ka departamentin e konvertimit (ku prodhohen qeset e bukës dhe të mbeturinave), departamentin e shtypit, depon për shkarkim të produktit të kryer dhe deponimin e materialit bazë, departamentin e riciklimit, laboratorin për testim të plastikës, si dhe departamentin e ekstrudimit (ku shkrihet granulati).

Procesi i prodhimit në fabrikën ‘KIVO” ||Foto: Kallxo.com