Ilustrim. Foto: BIRN

A Është ish-Jugosllavia Feudale e Paaftë për t’u Reformuar?

Politika, ka thënë shkencëtari politik amerikan Harold Lasswell, është procesi përmes të cilit shoqëritë vendosin se kush merr çfarë, kur dhe si. Pra, kush merr çfarë, kur dhe si në Ballkanin Perëndimor? Dhe çfarë na thonë ne këto përgjigje mbi të tashmen dhe të ardhmen e rajonit?

Është e vlefshme për shoqëritë që ende përkufizohen nga një rend shoqëror paramodern dhe në thelb, primitiv, siç është Ballkani Perëndimor, që shpjegimin e Lasswell ta kapim nga krahu i kundërt. Vendimet politike në Ballkanin Perëndimor merren brenda rretheve të vogla dhe të mbyllura të pushtetit të përqendruara rreth një grushti “burrash të fortë.” Këto vendime nuk merren në parlament apo në institucionet zyrtare; ato janë më së shumti produkt i bisedimeve nëpër dhoma të mbyllura apo në restorante dhe ndodhin me iniciativë të ndërmjetësve rajonalë të pushtetit.

Vendimet merren në përputhje me nevojat dhe pëlqimet e këtyre elitave. As ciklet elektorale dhe as realitetet e vështira socio-ekonomike me të cilat përballet publiku nuk janë faktorë që merren parasysh në këto vendime. Në lojë janë dy seksione të shtetit: një numër i vogël ministrish me përfitime të mëdha financiare si dhe kompani publike nga njëra anë si dhe aparatet përkatëse të sigurisë.

Me fjalë të tjera, politika ekonomike në Ballkanin Perëndimor është në thelb feudale; pushteti ekonomik dhe politik rrjedh nga kontrolli i monopolit të dhunës, pra, kontrollit të shtetit. Gjithçka që duhej të qe treg i lirë dhe sipërmarrje e lirë në rajon është në thelb e kontrolluar nga elita në pushtet. Dhe ndërsa këto elita janë, në një farë niveli, të fragmentarizuara në kuptim të etnisë dhe rajonit, ato aktualisht nuk konkurrojnë me njëra-tjetrën. Ato me raste grinden për fusha të caktuara por janë të bashkuar dhe të fortë në mbrojtjen e arkitekturës ekzistuese të qeverisjes.

Kjo është një dinamikë thelbësore të cilën vëzhguesit dhe qytetarët duhet ta kuptojnë para se të shprehin ankesat e tyre mbi politikën e rajonit. Ajo që ne kemi është një regjim patrimonial dhe autoritar, i cili është i paaftë për të prodhuar reformë apo reformues. Ky rrjet kompleks patronazhi dhe varësie është kaq i gjithëpërhapur sa përfshin jo vetëm të gjithë estabilishtemin politik por edhe segmente të ndryshme të publikut. Ky i fundit mund të marrë vetëm përfitime të vogla nga ky regjim, të tilla si vende pune në administratën publike të fryrë dhe servile, por në kushtet kur nuk ka alternativë tjetër ndaj varfërisë ekstreme, ky përfitim i vockël rezulton i mjaftueshëm.

Në këtë drejtim, gjenialiteti pervers i këtij sistemi është se çdokush, pak a shumë është bashkëpunëtor në vijimin e funksionimit të regjimit aktual. Nga kleptokratët në pushtet te punëtorët e keqpaguar në zyrat e pushtetit vendor, të gjithë kanë një rol në damarin që i mban bashkë.

Kjo është arsyeja se pse pakënaqësia më e hapur e këtyre shoqërive drejtohet kundër atyre që promovojnë ndryshimin. Ndërsa brezi i bumit të fëmijëve në ish-Jugosllavi këmbëngul me zell pothuajse fetar se “të rinjtë dhe të mençurit” (mladi i pametni) duhet të drejtojnë vendin përpara, ata në praktikë po sabotojnë në mënyrë aktive përpjekjet e fëmijëve të tyre për të sfiduar sistemin, duke nga rikujtuar ne të gjithëve se sistemi autoritar fillon në fakt që në shtëpi.

Në përgjithësi, prindërit në Ballkan i diskurajojnë fëmijët e tyre nga udhëtimet, nga puna, nga puna vullnetare apo nga zgjerimi i horizontit të tyre. Ata fetishizojnë sigurinë, pra, bindja – veçanërisht ndaj familjes – merr rëndësi të madhe në kurriz të mundësisë dhe rritjes personale. Mbi të gjitha, ata këmbëngulin që fëmijët e tyre të kopjojnë bindjet, perspektivat dhe paragjykimet e tyre, qofshin të mëdha apo të vogla. Ksenofobia e gjithëpërhapur e rajonit është simptomë e konservatorizmit të thellë që e ka origjinën para së gjithash te familjet e Ballkanit.

Rasti i çuditshëm ndodh kur një i ri në rajon i anashkalon apo i shpëton ciklit më të gjerë të varësisë – fillimisht duke sfiduar normat patriarkale dhe autoritare me të cilat përballen në mjedisin e tyre – dhe në këtë rast ata përjashtohen nga rendi shoqëror. Ata tallen, fyhen dhe kërcënohen vetëm për shkak se ekzistenca e tyre është një rikujtesë e dhimbshme për shoqërinë se një alternativë ekziston por alternativa është e mundshme vetëm përmes një cilësie që në përgjithësi mungon në të gjithë Ballkanin Perëndimor: kurajo.

Ish-Jugosllavia nuk është rajoni më i korruptuar i botës. Luftërat tona nuk qenë më të dhunshmet në histori. As armiqësitë tona sektare nuk janë unike në skemën e madhe të gjërave në botë. Në të vërtetë, tragjeditë dhe tmerret tona janë tërësisht të tilla që ne ia shkaktuam vetes; Jugosllavia nuk u shpërbë në Uashington, Bruksel, Moskë apo Vatikan. Ne nuk jemi të varfër për shkak të Bankës Botërore apo FMN-së, ne nuk kemi qenë kurrë një gjemb gjeopolitik në syrin e ndokujt dhe ne nuk jemi prioritet në agjendën e ndokujt, me përjashtim të ndonjë lobisti të kategorisë së tretë në ndonjë kryeqytet të Perëndimit.

Ne gjejmë veten sërish të mbytur në varfëri dhe pakënaqësi për shkak se ne nuk kemi kurajën të pranojmë problemin apo të kërkojmë që gjërat të ndryshojnë. Ne nuk përballemi me elitat tona, siç bënë rumunët dhe ne nuk i rrëzojmë ato, siç bënë ukrainasit. Në fakt, ne harrojmë dhe nënvlerësojmë kryengritjet tona, nga protestat e shkurtit 2013 në Bosnjë dhe Hercegovinë te Revolucioni Shumëngjyrësh në Maqedoni. Dhe kur të rinjtë e Ballkanit i shtojnë teorisë së Lasswell “kush merr çfarë, kur dhe si” pyetjen kritike “pse?”, prindërit e tyre i thonë se nuk duhet ta vrasin  mendjen.

Pyetja e vetme që i lejohet shoqërive të tilla – një pyetje që media e riciklon pothuajse çdo ditë – është e një lloji thellësisht të falimentuar, cinike dhe provinciale. Në ish-Jugosllavi kjo pyetje përsëritet vazhdimisht: a jemi ne në prag të luftës? Përgjigja është jo, por vetëm për shkak se lufta nuk rezulton më e nevojshme për elitat e post-Jugosllavisë që të mbajnë pushtetin. Në fund të fundit, të ngresh pyetje dhe të kërkosh llogari nuk është më një çështje me rëndësi në këtë shoqëri.