Erveheja

Sivjet bëhen 47 vjet nga vënia në skenë e dramës “Erveheja”, e autorit Ahmet Qirezi, në regji të Muharrem Qenës. Qirezi e ka shkruar dramën i frymëzuar nga poema romantike, me të njëjtin titull, e Muhamet Çami-Kyçykut. “Erveheja” mbetet padyshim ndër shfaqjet më emblematike të teatrit kosovar. E vënë në skenë në vitin 1966 në, asokohe, Teatrin Popullor Krahinor, tash Teatri Kombëtar i Kosovës, lavdia e saj ka vazhduar të rezonojë deri në ditët e sotme. Në të kanë luajtur një kastë e aktorëve të mirënjohur kosovarë të asaj kohe: Melihate Ajeti, Xhevdet Lila, Shani Pallaska, Istref Begolli, Ragip Logja, Ahmet Spahiu, Xhevat Qena, Matej Sereçi, Adem Mikullovci, Shaban Gashi, Malo Gami e Naxhije Deva.

“Temën të cilën e përcaktova unë ishte ajo mbi dashurinë dhe besnikërinë të personifikuar në personin, luftën jetësore dhe fatin e një gruaje: Ervehesë”, thotë Ahmet Qirezi, në parathënien e botimit të dramës në vitin 2007. “Erveheja” u botua për herë të parë në revistën “Jehona” të Shkupit në vitin 1978 dhe mandej si botim i veçantë në vitin 2007. Thuhej që, asokohe, shfaqja mbas premierës në Prishtinë, është pritur ftohtë nga kritika dhe publiku, por gjithçka ka ndryshuar për të mirë, mbasi shfaqja është kthyer me 5 shpërblimet kryesore të Festivalit të Steries në Novi Sad (1967).

Ashtu si edhe secila shfaqje tjetër, “Erveheja”, mbas një kohe, natyrshëm, është hequr nga repertori. Por bëhen tash mbi dyzetë vjet që ajo vazhdon të tundojë imagjinatën tonë, sidomos të brezit më të ri, që s’ka pasur rastin ta shoh në skenë. Janë thurur historira të qena e të paqena rreth kësaj shfaqjeje. Kur flitet për teatrin në Kosovë, ajo merret si pikë referimi, sidomos për të distancuar periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, atë të teatrit të frymës partizane e folklorike, me një periudhë tjetër, post-Ervehe, të transformimit tematik e estetik të teatrit në Kosovë. Historia mbi 60 vjeçare e teatrit në Kosovë ndalet posaçërisht dhe shpesh vetëm tek kjo shfaqje. Kush e di, ndoshta gjeneratat e ardhshme do të drejtojnë vëmendjen edhe tek ndonjë shfaqje e tanishme e teatrit të Kosovës, por zor.

Që t’mos i bëj më shumë lajka lexuesit, po i kthehem qëllimit të këtij shkrimi. Para disa vjetësh kisha shkruar një shkrim për teatrin në Kosovë, e ku “Ervehenë” e kisha prezantuar si “dramë të Muharrem Qenës e cila ka sjellë një frymë të re estetike në teatrin provincial të asaj kohe”. Para disa javësh ndërkaq mora nga dikush një vërejtje miqësore, që m’bënte me dije se kisha bërë një gafë në atë shkrim, duke ia atribuuar autorësinë e dramës regjisorit Muharrem Qena. Natyrisht, ishte gafë. Nga ajo kohë, kam menduar shpesh për “Ervehenë”. Më herët, në vitet e shkuara, kam përcjell edhe disa polemika në shtyp, pikërisht për këtë çështje të “autorësisë” së “Ervehesë”.

Në valën që ka shoqëruar “mitizimin” e “Ervehesë”, kanë kontribuar shumë edhe opinionet kundërthënëse për “dramën e dobët” e për “shfaqjen e shkëlqyer”… Nga ajo sa flitet, më duhet ta them se ka pasur tendencë (jo ndoshta të qëllimshme), të mohohet vlera e dramës së Qirezit, ose i tërë suksesi i shfaqjes të reduktohet në regjinë e Muharrem Qenës, e besa, shpesh, krejt autorësia t’i atribuohet Muharrem Qenës (në disa raste edhe si “rishkrues i dramës në skenë”). Padyshim, regjia e Muharrem Qenës duhet të ketë qenë e shkëlqyeshme, por në anën tjetër, besoj, nuk është për t’u nënvleftësuar roli i dramës së Ahmet Qirezit. Ajo nuk mund të quhet dramë e dobët, qoftë edhe për faktin e vetëm: se ka shërbyer mirë për të krijuar një shfaqje të shkëlqyeshme. 

Unë besoj që është debat i kotë nëse ne tash, mbas gati 50 vitesh, përpiqemi të glorifikojmë, ta zëmë, regjinë, e ta margjinalizojmë rolin e dramës, ose ta margjinalizojmë rolin e aktorëve të mrekullueshëm të shfaqjes, apo çkadoqoftë tjetër. Madje, s’kemi sesi e gjykojmë drejtë edhe vlerën e dramës. Ajo është ribotuar tash së voni, por unë besoj që vlera e saj nuk mund të analizohet vetëm nga perspektiva e një leximi të tanishëm, komod, pa pasur parasysh kohën kur është shkruar dhe traditën e varfër të deriatëhershme të dramaturgjisë shqipe në Kosovë.

Dhe në fund të fundit, krediti i secilit krijues që ka kontribuar në këtë shfaqje, duhet të njihet e, fakti që kemi pasur të bëjmë me një regji të shkëlqyeshme, kjo besoj, nuk vihet në dyshim nga askush.

Mirëpo kjo është një polemikë më e përgjithshme në teatrin kosovar, e cila nuk lidhet vetëm me këtë shfaqje. Regjisorët tanë (të cilët e kanë pasur dhe e kanë pushtetin në teatrin kosovar), kanë tendencë të mohojnë vlerën e dramës, edhe kur duan të mbrohen kur krijojnë një shfaqje të dobët – sipas logjikës –  “jam regjisor i mirë, por nuk mund të krijohet një shfaqje e mirë mbi një dramë të dobët”. Ata e mohojnë vlerën e dramës edhe në rastet kur krijojnë një shfaqje të mirë, sepse në këtë mënyrë dëshirojnë të nënvizojnë “gjenialitetin” e tyre – prapë sipas logjikës – “jam regjisor i mirë, sepse nga një dramë e dobët realizova një shfaqje të mirë”. 

Një gjë është e qartë: përderisa tash e sa vite sillemi rreth “mullarit” duke prodhuar shumë “pordha skenike” e pak shfaqje kualitative, një “Ervehe” e dytë zor se do të mund të krijohet. Edhe po të krijohet, zor se do t’ketë mundësinë të dalë jashtë Kosove në ndonjë festival ndërkombëtar, e si rrjedhojë, do të ngelet “njëra prej shfaqjeve”… Për më keq, nuk do të ketë as kritikë që “ta pres ftohtë”.