‘Epidemia’ e mungesës së kuorumit në Kuvend

Mungesa e kuorumit dhe vonesat në nisjen e seancave, ishin karakteristikë edhe këtë javë në Kuvendin e Kosovës.

Grupet parlamentare, nga pozita e opozita edhe pse vetë kanë bërë kërkesë për seanca, të njëjtit nuk janë  paraqitur në kohë në sallën plenare.

Seanca e jashtëzakonshme e 5 marsit, e thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe dy deputetë të Alternativës, e që kishte në rend të ditës debatin parlamentar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara, dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.

Kërkesa për seancë ishte bërë nga 40 deputetë, ndërkaq në sallë nuk ishin më shumë se 20 deputetë.

https://kallxo.com/kuvendi-i-hap-punimet-me-20-deputete-seanca-shtyhet-per-date-te-pacaktuar/?fbclid=IwAR1XDHuMHW8DqmHT0U067igmNh2NMU_r6j_ze9Db8pli_7lswWDHjY_ajec

Ndërkaq, të enjten me 7 mars, Kuvendi kishte paraparë të  mbante seancën e rregullt në orën 10:00, por një ditë më herët, kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e Kryesisë, kishte bërë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme e cila u caktua në orën 09:00 dhe për shkak të mungesës së deputetëve filloi me një orë e gjysmë vonesë.

https://kallxo.com/nje-ore-e-gjysme-vonese-seanca-e-jashtezakonshme-nuk-nis-ende/

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, për Gazetën Jeta në Kosovë, ka arsyetuar mungesën e opozitës në seancës e së martës.

“Arsyeja pse as deputetët nënshkrues nuk morën pjesë ishte se pothuajse të gjithë ishin njoftuar nga kolegët e tyre në komisione se kjo seancë nuk do të mbahet pasi që do të bojkotohet nga pozita”, tha ajo.

Sipas deputetes Bajramit, mos mbajtja e seancës së 5 marsit çoi deri të vonesat dhe bojkoti i seancës me 7 mars nga ana e tyre.

LDK-ja vazhdon të kërkojë zgjedhje të parakohshme, si dhe sipas tyre arsye është mosfunksionimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Qytetarët duhet ta dinë se kush po manipulon me votën, taksat dhe me patriotizmimin. Derisa me 5 Mars nuk mund të diskutohej për paratë e qytetarëve, si ka mundësi që me 7 Mars mund të bisedohet për marrëdhënien tonë me Serbinë. LDK kërkon që kjo Qeveri të shkoj, Kuvendi të shpërbehet dhe sa më parë të kemi institucione legjitime”, theksoi deputetja opozitare.

Kurse, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, tha për Gazetën JnK se, ka dhënë versionin e saj për vonesat e pozitës.

“Për shkak se ka qenë seancë e jashtëzakonshme dhe derisa deputetët kanë mbërri në sallë ka pasur vonesa, por e mira është që një numër i madh i ligjeve të rëndësishme, duke përfshirë edhe Ligjin për Dialogun dhe Platformën kanë kaluar në Kuvend”, tha ajo.

Kadaj-Bujupi shtoi se opozita ka të drejtë që të përdorë metoda të cilat i mendon si të duhura.

“Edhe ne kur kemi qenë në opozitë i kemi bojkotuar, nganjëherë edhe jo pasi kemi qenë pjesëmarrës”, përfundoi deputetja e AAK-së.

Në anën tjetër, hulumtuesja nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që monitoron punën e Kuvendit, Agnesa Haxhiu, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se mungesa e kuorumit që e ka përcjellë punën e Kuvendit përgjatë gjithë vitit 2018, po vazhdon të jetë problematikë edhe në këtë fillim vit.

“Në pamundësi të vendimmarrjes, tash e disa muaj pothuajse secila seancë e inicuar ka mbetur e hapur. Si rrjedhojë, shumë pika të papërfunduara të rendit të ditës nga seanca të ndryshme të inicuara qysh nga shtatori i vitit të kaluar janë ende në procedurë për shqyrtim”, tha ajo.

Në anën tjetër, sipas Haxhiut Kryesia e Kuvendit, po vazhdon praktikën e inicimit të seancave të reja ende pa u dhënë epilog atyre që kanë nisur tash e gjashtë muaj dhe atë me agjendë të stërngarkuar.

“Kryesia e Kuvendit në koordinim me shefat e grupeve parlamentare duhet të përgatisin një plan të aktiviteteve, duke intensifikuar mbajtjen e punimeve plenare për t’i përfunduar të gjitha pikat që janë në shqyrtim nga viti i kaluar në mënyrë që t’i hapet rrugë pastaj seancave të reja për shqyrtim të pikave të reja”, theksoi Haxhiu për Gazetën JnK.

Megjithatë, mes shumë akuzave dhe mos pajtimeve, në Kuvend të premten ka arritur të miratohet Projektligji dhe Platforma e Delegacionit Shtetëror të Kosovës për bisedimet me Serbinë, pa përkrahjen e LDK-së dhe LVV-së.

Legjislativi gjatë seancës së rregullt ka miratuar në shqyrtim të dytë edhe pesë projektligje: Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Sportin, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, si dhe  Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Tutje, Kuvendi emëroi Fortuna Shaqiri-Haxhikadrijan, Alban Elshanin, Mehmet Krasniqin, Bashkim Mustafën dhe Asdren Osajn, anëtarë të Komisionit për Ndihmë Shtetërore, me mandat trevjeçar.

Ndërkaq, Bajram Zejnullahu mori votat nevojshme për kryesues të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ndërsa Hajzer Salihu, për anëtar të këtij Bordi.

U formua gjithashtu, Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, ndërsa, sipas kërkesës së GP të PSD-së, kryesues i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, u emërua deputeti Faton Topalli.

As kjo seancë nuk arriti dot t’i shqyrtojë të gjitha pikat e rendit të ditës.

https://kallxo.com/mungojne-deputetet-nderpritet-seanca-e-kuvendit/