Energjia Solare-Synimi i Devollit Që Nxit Reagime

Birra Peja ka siguruar toka private në fshatrat Madanaj dhe Rrypaj, në Zonën Kadastrale “Kusari” të Komunës së Gjakovës për të instaluar panelet solare për prodhim të energjisë nga dielli.

Kjo kompani ka aplikuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) më 4 nëntor 2014 dhe kjo zyrë është duke e shqyrtuar kërkesën e tyre për krijimin e një parku solar me kapacitet total deri në 3 megawat (MW).

Drejtori menaxhues i Birra Peja, Ernest Jusufi shpjegon se kompania është e interesuar të investojë në këtë biznes pasi që është teknologjia e së ardhmes dhe do të ndihmojë në zhvillimin e sektorit privat.

Ai tha se impianti do të kyçet në rrjetin elektrik të Kosovës pas përfundimit të projektit.

“Birra Peja, si një ndër prodhuesit më të mëdhenj dhe si tatimpaguesi më i madh në Kosovë për vitin 2013 është e interesuar në teknologjitë e së ardhmes dhe ka konsideruar se energjia solare është një gjë e tillë”, tha ai.

Ai shtoi se kompania planifikon të investojë në të ardhmen edhe më shumë në energji të ripërtërishme.

Jusufi shtoi se pas marrjes së licencave nga ZRRE do të angazhojnë disa kompani me përvojë ndërkombëtare në ndërtimin e impianteve fotovoltaike.

“Sa i përket profitit, në krahasim me elementet e rrezikshmërisë jashtë kontrollit tonë dhe me energjinë njerëzore që duhet të investohet në këtë projekt nuk e konsiderojmë edhe aq fitimprurës”, Jusufi thotë për investimet e reja në industrinë energjetike.

Birra Peja është në pronësi të kompanive – “Globosos LLC” dhe “Devolli Group Sh.P.K”.

“Globosos” është kompani e regjistruar në Malta në vendin që njihet si parajsë e krijimit të kompanive off-shore që nuk obligohen të paguajnë taksa shtetërore.

Drejtorët e Globosos janë “Henley Corporate Services (Malta) LTD” dhe Virtyt Ibrahimaga, avokatit  të Blerim Devollit në rastin më të madh gjyqësor që përfshinte biznesin dhe shtetin në të cilin prokuroria pretendonte se Postë-Telekomi i Kosovë u dëmtua nga marrëveshja për krijimin e kompanisë “Z-Mobile”.

Gjyqi në mungesë të provave shpalli të pafajshëm Blerim Devollin dhe të akuzuarit tjerë. http://gazetajnk.com/?cid=1,979,5935

Kompania “Devolli Group” është në pronësi të biznesmenit pejan Blerim Devolli.

Kjo kompani ka shtrirje në industrinë e qumështit, pijeve dhe në tregun e telekomunikimit nëpërmjet kompanisë “Z-Mobile” që operon si operator virtual i Postë-Telekomit të Kosovës. Tash “Devolli” po synon shtrirjen e tij edhe në biznesin e energjisë solare.

Parqet solare mbulojnë hapësira të mëdha të tokës dhe zakonisht ndërtohen nëpër pjesët rurale.

Sipas “Solar Trade Association” çdo park solar prej 5 megavatësh të instaluar mund të furnizojë 1,515 shtëpi për një vit dhe të kursehen 2,150 tonë të dyoksid karbonit.

Deri më tash në Kosovë është licencuar vetëm një kompani private për të prodhuar energji nga dielli.
Kompania e parë që është autorizuar nga autoritetet kosovare për prodhim të energjisë nga dielli është “Led Light Technology Kosova”, pronë e kompanisë “Rudis” nga Sllovenia.

Kjo kompani ka në plan të ndërtoj park solar prej 102 kilovatësh në fshatin Gjurgjevik të Klinës dhe Malishevë.

Bordi i ZRrE-së ka marrë vendim më 3 tetor 2014 duke thënë se kompania në fjalë ka përmbushur kushtet e mjedisit, ka të drejtën e shfrytëzimit të tokës dhe lejen e ndërtimit. Vendimi i autorizuar për “Led Light” vlen për dy vjet dhe kjo kompani duhet të ndërtojë parkun solar brenda kësaj periudhe.

ZRrE-ja po ashtu njofton se “Led Light Technology Kosova” ka pranuar të vazhdojë punimet, edhe pse ato i kryen në mungesë të tarifës nxitëse për energjinë diellore.

Tarifa nxitëse aplikohet për të nxitur kompanitë që të prodhojnë energji nga burimet e ripërtërishme, për të cilat janë caktuar edhe obligime ndërkombëtare.

ZRrE-ja është duke punuar në drejtimin që një megavat orë e energjisë së krijuar nga dielli e prodhuar nga kompanitë e licencuara të shitet për një shumë prej 136.4 eurosh.

Ky çmim i përcaktuar, sipas ZRrE-së, do të ndikojë që të ketë investitorë të interesuar për të prodhuar energji të ripërtërishme.

Kompania zvicerane ndihet e diskriminuar

Por shqyrtimi i kërkesës së “Birra Peja” nga ana e ZRrE-së, kompanisë së dytë që po synon të licencohet, ka nxitur reagimin e kompanisë zvicerane “Sunergic”.

Feim Islami nga “Solar Green Energy”, partneri kosovar i zviceranëve të “Sunergic”, ka kritikuar ZRrE-në për shkak se nuk ka lejuar që kjo kompani të parakualifikohet kur ka aplikuar që nga muaji maj i këtij viti.

Ai thotë se ZRrE-ja ende pa dalë me tarifa nxitëse për energjinë diellore ka parakualifikuar kompaninë “Birra Peja”.

“Përgjigja e ZRrE-së ka qenë pasi që nuk kemi tarifë nuk mundemi me u parakualifiku, e tash e gjetën formën për ‘Birrën e Pejës’”, thotë Islami.

Islami po ashtu thotë se “Birra Peja” ka arritur të bllokojë për vete numrin e megavatëve të prodhuar nga dielli duke pasur parasysh se Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) kishte caktuar vetëm 3 megavatë për vitin 2014.

“3 megavatë janë të vetmet për këtë vit dhe asgjë tjetër nuk kanë parashikuar për këtë vit MZhE-ja. Ja pse e kanë vonuar tarifën nxitëse, që ta menaxhojnë vetë”, thotë Islami.

Kjo parashihet në Planin Kombëtar të Veprimit për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë 2011-2020, të hartuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Ernest Jusufi mohoi se Birra Peja ka bllokuar megavatët e vetëm të caktuar nga MZhE-ja.

“Ne nuk mund të bllokojmë asgjë, as diellin dhe as gjenerimin e energjisë solare. Nuk jemi në dijeni nëse Ministria e Zhvillimit Ekonomik ndanë energji”, tha ai.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) thotë se kompania zvicerane “Sunergic” ka aplikuar në korrik 2014, por thekson se nuk e ka pasur aplikacionin e kompletuar.

“Ky subjekt juridik nuk është i regjistruar në Kosovë, andaj me datë 25.07.2014 kemi ftuar përfaqësuesin e kësaj kompanie dhe e kemi udhëzuar që ky subjekt juridik duhet së pari të regjistrohet në ARBK-MTI dhe pastaj të gjitha dëshmitë tjera duhet të sillen në emër të kësaj kompanie të regjistruar në Kosovë”, thotë Adelina Murtezaj, zëdhënëse e ZRrE-së.

Ajo shtoi se përfaqësuesi i “Sunergic” nuk u është përgjigjur udhëzimeve të dhëna nga ZRrE-ja dhe ka njoftuar kompaninë se Zyra e Rregullatorit nuk do të vazhdojë më tutje me vlerësimin e aplikacionit të tyre.

“Procesi i ZRrE-së nuk parakualifikon ndonjë kompani, por i gjithë procesi udhëhiqet nga dhënia e Autorizimit preliminar dhe Autorizimit për ndërtim (Final) për ndërtim të kapaciteteve të reja, dhe normalisht gjatë këtij procesi me kërkese të aplikuesit, vlerësohet nëse këto kapacitete të reja do të mbështetën nga skema mbështetëse”, tha Murtezaj.

ZRrE-ja po ashtu shpjegon se aplikacioni i “Birra Peja” ende nuk konsiderohet i kompletuar apo i parakualifikuar siç pretendohet nga Islami, pasi që ende është në shqyrtim e sipër.

ZRrE-ja thotë se “Birra Peja” nuk e ka bllokuar cakun indikativ prej 3 megavatësh siç është caktuar nga MZhE-ja dhe se ka vend për aplikacione të reja.

“Me Udhëzimin Administrativ 01/2013, për vitin 2014 janë 3 MW të energjisë së prodhuar që do përkrahen me ‘feed in’-tarifë (tarifë nxitëse për investitorë). Në vitin 2015 janë paraparë 4 MW, në 2016 janë paraparë 6 MW etj. Deri në vitin 2020 me ‘feed in’ tarifën do mbulohen 10 MW”, tha Murtezaj.

Kosova është nënshkruese e Traktatit të Athinës dhe duhet të përmbushë zotimet e saja prej 25 për qind të prodhimit të energjisë së përgjithshme nga burimet alternative dhe duhet të arrijë këtë deri më 2020. Nga kjo, 10 megavatë duhen të prodhohen nga energjia diellore.