Arkiva | Foto: KALLXO.com

Emergjencat të Trajtohen me Urgjencë

Gjatë verës ishim dëshmitarë të dy rasteve të zjarrit: njëra në një objekt hotelier në Vushtrri, e tjetra në një shtëpi private dhe në një shkollë në Mitrovicë. Çka ndodhi? Edhe pse zjarrfikësit shpëtues arritën në kohë optimale në vendin e ngjarjes, u pa qartë që ajo për të cilën edhe ata në shumë raste janë ankuar (mjetet e punës) ishin në gjendje të mjerueshme.

Dikush, do të pyeste se sa është koha optimale? Koha optimale me standarde europiane për njësitë emergjente është nga 8 deri 10 minuta.

Gjithmonë këtu duhet pasur parasysh se në vendin tonë nuk ka korsi të veçantë për njësitë emergjente që do ta mundësonte qasjen më të shpejtë në vendngjarje, andaj gjithmonë mund të ketë vonesa për këtë shkak si dhe shkaku i trafikut që në të shumtën e rasteve është shumë i ngarkuar,

Gjithashtu koha varet edhe nga pozita ku gjendet stacioni i zjarrfikësve dhe ku ka ndodhur “zjarri”, sepse  në qytetet e Kosovës gjendet vetëm nga një stacion i zjarrfikësve për tërë qytetin me rrethinë (përjashtuar Prishtinën). Në rastin në Vushtrri, sipas të dhënave të Njësisë së Zjarrfikësve, telefonata për zjarr është marrë në orën 05:11, nisja e zjarrfikësve në 05:12, ndërsa arritja në vendngjarje në 05:17.

Në rastin në Vushtrri, nga lajmet dhe disa video amatore të publikuara në rrjetet sociale, vërehej qartë mungesa e ujit të mjaftueshëm, shtypjes së ujit, stafit të zjarrfikësve dhe pajisjeve personale mbrojtëse.

Derisa flakët e kishin kapluar kulmin e objektit dhe vazhdonin me të madhe të përhapeshin, ajo që bënin ata zjarrfikës ishte shumë e pakët, jo që ata nuk donin dhe nuk angazhoheshin që ta kryenin punën me përkushtim, por me vete kishin mjete të punës që janë pothuajse demode.

Te rasti në Mitrovicë ishte vërtet për keqardhje të shihej duke u djegur kulmi i një shkolle. Edhe atje zjarrfikësit intervenuan me kohë. Në rastin në Mitrovicë, në bazë të të dhënave nga njësia e zjarrfikësve, del që telefonata për zjarr është marrë në orën 14:45, ndërsa nisja e zjarrfikësve në ora 14:46, arritja në vend-ngajrje në 14:49.

Edhe në rastin e Mitrovicës, nga disa xhirime amatore, shihen flakë të mëdha dhe tym i madh vazhdonin të dilnin nga kulmi i shkollës, ndërsa zjarrfikësit po mundoheshin që të bënin të pamundurën me ato mjete që realisht edhe nuk pritej të bënin më shumë.

Vërehej qartë edhe aty mungesa e ujit. Mungesa e ujit në kuptimin e kapaciteteve të vogla të ujit që kanë kamionët e stërvjetruar të zjarrfikësve në cisternat e tyre dhe duke parë zjarret e mëdha që kishin kapluar  ato godina.

Është shumë e qartë që duhet sasi shume më e madhe e ujit për futjen nën kontroll të zjarrit e që mund të arrihet qoftë përmes furnizimit të kamionëve që kanë qenë në aksion duke shuar zjarrin (pa i lëvizur) me ndonjë kamion (cisternë) tjetër, apo përmes hidranteve publike që duhet të jenë në gjitha pjesët e qyteteve, e që te ne në pjesën më të madhe mungojnë.

Përveç mungesës së sasisë së ujit, është evidente edhe presioni shumë i ulët i ujit nga gypat që vijnë nga mjetet(kamionët) e zjarrfikësve ku mezi arrihej të hidhej uji në pjesën e kapluar nga zjarri.

Mungesa e makinës me shkallë për luftimin e zjarreve në objekte të larta, numër shumë i vogël i zjarrfikësve e çka ishte shumë e dhimbshme se shihej qartë ishte mungesa e pajisjeve mbrojtëse personale. Një zjarrfikës luftonte me zjarrin në tym të dendur e që nuk kishte fare maskë me ajër të oksigjenit që është masë elementare mbrojtëse për një zjarrfikës kur i ekspozohet tymit. E tmerrshme, rrezikohej edhe jeta e tij nga flakët e mëdha dhe nga thithja e sasive të mëdha të tymit që vazhdonin të dilnin nga aty. Siguria personale e zjarrfikësve duhet të jetë në rend të parë, e ajo ishte zero në atë intervenim.

Te ne për të kryer punën siç duhet, zjarrfikësve në shumë raste u mungojnë edhe pajisjet elementare, ndërsa plotësimi i standardeve ndërkombëtare të pajisjeve të punës ngec shumë. Në rastin konkret është parë mungesa e pajisjeve personale që përfshin rrobat për qëndrueshmëri ndaj zjarrit, të cilat periodikisht duhet të jenë të kontrolluara sipas deklaratës së prodhuesit (që shumicës prej tyre u ka kaluar afati i përdorimit), pastaj helmeta me mbajtëse të fytyrës, maska e cila duhet të jetë e lidhur me aparate për frymëmarrje, dorëzat rezistente ndaj zjarrit, këto janë pajisje elementare për një zjarrfikës në asolloj situatash.

Në një periudhë treditëshe u dogjën dy-tre objekte dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale, por a duhet të presim që të ndodhë ndonjë rast më tragjik dhe dikush të humbë jetën në mënyrë që të kuptohet me seriozitet gjendja e mjerueshme në këtë sektor të rëndësishëm të sigurisë në Kosovë.

Kushtet dhe përgjegjësia individuale

Kemi dëgjuar edhe shumë ankesa për vonesat e zjarrfikësve. Në disa raste janë objektive, por edhe mund të jenë edhe për shkak të gabimeve, pra faktori njeri. Mirëpo në qoftë se kemi gjithë ato mungesa në kushte dhe në pajisje të punës, atëherë vërtet është e pamundur që gjithmonë të bëhet punë e suksesshme. Në të kundërtën, sikur këto njësi t’i kishin mjetet dhe pajisjet e punës sipas standardeve ndërkombëtare, atëherë në raste të këtyre problemeve që lidhet me vonesa të panevojshme të zjarrfikësve, gjithsesi që përgjegjësia do të binte mbi këto njësi dhe do të duhej të merreshin masat e duhura disiplinore për moskryerje efikase të punës së përshkruar.

Qeveria e ardhshme duhet që me urgjencë ta trajtojë këtë kategori. Duhet të bëhet një vlerësim i gjendjes së tashme juridike të njësive të zjarrfikësve, e cila është shumë e mjegulluar ku pagat jepen nga komunat, ndërsa shërbimet tjera kryhen nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent(AME) e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Duhet që të bëhet urgjentisht një komision vlerësues dhe të dilet në terren që të shihen kapacitetet e të gjitha njësive të zjarrfikësve në Kosovë dhe në mënyrë të menjëhershme të fillohet me investime.

Pesë masa urgjente 

Së pari, të rregullohet statusi juridik. Sigurisht se qartësia juridike e këtij institucioni është jo vetëm e hnevojshme, por nuk ka asnjë kuptim që të mos rregullohet çështja e zjarrfikësve. Të paktën dy herë është ndryshuar korniza ligjore, porse nuk është bërë zgjidhje adekuate për këtë.

Së dyti, të definohen kompetencat menaxhuese. Shërbimi i Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në praktikë, ka mbetur as në nivelin qendror dhe as në nivelin lokal. Pavarësisht se cila ka qenë ideja, ky shërbim nuk ka realisht adresë të saktë menaxhuese dhe një situatë e tillë është konfuze jo vetëm për shërbimin, por edhe për institucionet dhe publikun.

Së treti, të përmirësohen kushtet e punës dhe të sigurohen pajisje për punë. Se kushtet e zjarrfikësve shpëtues janë në nivel krejtësisht të keq, këtu nuk ka dilema për askënd që profesionalisht apo praktikisht merret me këtë fushë. Nuk duhet të rrezikohet jeta dhe shëndeti i zjarrfikësve, duke mos i përmirësuar kushtet dhe pajisjet elementare për punën e tyre. Është urgjente gjetja e modelit buxhetor për këtë. Madje, është një vonesë e pakuptueshme.

Së katërti, të kompensohen ndërrimet e natës, orët jashtë orarit, fesat shtetërore dhe fetare. Këtu duhet të ekzistojë parimi i njëjtë me institucionet tjera publike në Kosovë. Edhe me institucionet tjera të sigurisë, edhe me ato të sektorëve tjerë. Ashtu sikurse e përcakton Ligji i Punës dhe ligjet tjera, në këtë çështje nuk duhet të ndodhë diskriminim dhe padrejtësi.

Së pesti, duhet të harmonizohen koeficientët në nivel komunash. Saktësisht. Zjarrfikësit shpëtues nuk duhet të dallohen nga komuna në komunë, sikurse po ndodh vazhdimisht. Kanë të njëjtat përgjegjësi, të njëjtat detyra dhe të njëjtat rreziqe. Nuk është as e drejtë dhe as praktike që komunat të kenë qasje të ndryshme në aspektin e koeficientëve të tyre.

Tek e fundit ky është investim, i cili duhet të bëhet për të mbrojtur pronat dhe jetët e vetë qytetarëve të Kosovës, të cilët janë taksapagues të këtij shteti.

(Autori është njohës i fushës së emergjencave dhe bashkë-themelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC)