Emër i vjetër, përgjegjësi të reja

Kuvendi i Republikës së Kosovës me 14 dhjetor bëri historinë duke e transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ushtri të vendit.

Një vend në hapësirën e Kuvendit ishte rezervuar posaçërisht për dhjetëra pjesëtarë të FSK-së, të cilët prisnin që me vendimin e delegatëve ta merrnin titullin ushtarë të vendit.

Me 107 deputetë prezentë në sallën e Kuvendit, seanca e shumëpritur, nisi me një minutë heshtje në nderim të gjithë të të gjithë qytetarëve që sakrifikuan për Kosovën.

Në sallën plenare nuk mund të mungonin Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, të cilët në krah e kishin edhe komandantin e FSK-së, Rrahman Rama.

Tutje, në Kuvend nisi shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala (Nisma Socialdemokrate), kërkoi nga deputetët t’i mbështesin të tri projektligjet.

Ministria e FSK-s me 106 vota për të deputetëve u shndërrua në Ministri të Mbrojtjes, pas miratimit veç e veç edhe të 11 amandamenteve të këtij projektligji.

Radha i  erdhi shqyrtimit të dytë të Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Me miratimin e 45 amandamenteve dhe më pas me 107 vota për, deputetët e miratuan edhe këtë ligj.

Vetëm një hap larg bërjes së ushtrisë ishte koha kur në Kuvend u procedua pika 3 e rendit të ditës e që ishte shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Po ashtu edhe ky ligj me votën pozitive të  107 deputetëve u miratua shërbimi në FSK.

Me miratimin e këtyre ligjeve, Kuvendi i Kosovës e shndërroi FSK-në në Ushtri, edhe pse së njëjtës nuk do t’i ndryshohet emri, por kompetencat e saj dhe misioni që tash e tutje do ta ketë për mbrojtje të vendit.

Çka pas votimit të ligjeve të FSK-së?

Formimi i mirëfilltë i Forcës së Sigurisë së Kosovë në Ushtri pritet të përmbyllet pas një procesi që do të zgjasë deri në 10 vjet.

Megjithëse, votimi i ligjeve të saj në Kuvend po vlerësohet si një hap tejet i rëndësishëm për procesin transformues.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala tha për KALLXO.com se Kosova me  përmbylljen e procesit mbi FSK-në ka kompletuar arikitekturën e saj të sigurisë dhe se sipas tij, ky është një hap dhe veprim i domosdoshëm për të krijuar stabilitet në aspektin e sigurisë brenda Republikës së Kosovës.

“Procesi mbi emrin ‘ushtri’ në aspektin ligjor do të përmbyllet me hapjen e Kushtetutës e cila mund të ndodh pasi të konsilidohet struktura e re politike në Kosovë, e cila pritet të  ndodhë në vjeshtën e 2019-ës”, tha Shala.

Ndërsa, sipas tij, në aspektin operacional emërtimi nuk do ta pengojë FSK-në në ushtrimin e funksionit ushtarak.

“Forcës së Sigurisë së Kosovës, i është ndryshuar mandati edhe funksioni përmes ndryshimeve të ligjeve mbi FSK-në”, shprehet Shala.

Ndërkaq, për Avni Islamin njohës i zhvillimeve të sigurisë, 14 dhjetori 2018 është data më e rëndësishme pa shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas Islamit, duhen edhe 10 vjet që FSK-ja të ketë  karakter të plotë ushtarak për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vendit, të prodhojë siguri për Kosovën, Ballkanin e Evropën dhe të marr pjesë në misione paqeruajtëse.

“Që nga sot është paraparë që Ushtria e Kosovës të plotësohet në një forcë mbrojtëse multietnike dhe ti mbroj të gjithë pa marr parasysh se cili nacionalitet qytetarët i takojnë dhe kjo do të zgjatë 10 vjet”, tha ai.

Me votimin e tri projektligjeve, FSK-së nuk i ndryshon emri, por sipas Islamit Ushtria e Kosovës, pa marr parasysh se si do të quhet, e rëndësishme është se në përmbajtje ka karakter ushtarak.

“Përmbajtja e ka karakterin e ushtrisë. Tash e tutje FSK ka mandat ushtarak dhe është e obliguar me ligj që ta mbroj sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, përundoi ai.

Reagimet ndërkombëtare pas votimit të ligjeve të Ushtrisë

Përkrahja e Shteteve të Bashkuara ta Amerikës për transformimin e FSK-së, u ri-konfirmua edhe pas votimit të tri projektligjeve që ia zgjerojnë mandatin kësaj force.

Ambasada e SHBA-ve, përmes një deklarate ka thënë se SHBA-të ripohojnë mbështetjen e tyre për tranzicionin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një forcë me mandat mbrojtës territorial, siç është e drejta sovrane e Kosovës.

“Votimi i sotshëm në Kuvend është hapi i parë në zhvillimin e këtij kapaciteti.  Këto ligje nuk sjellin asnjë ndryshim të menjëhershëm në strukturën, misionin apo operacionet e forcës, por ato përfaqësojnë fillimin e punës praktike e të vazhdueshme për ndërtimin e një force transparente, shumetnike dhe të ndër veprueshme me NATO-n që iu shërben të gjitha komuniteteve të Kosovës, në pajtim me planin dhjetëvjeçar për tranzicion të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Por në linjë të ndryshme me SHBA-të, ka reaguar Aleanca Veri-Atlantike (NATO), e cila ka ri-konfirmuar se  e kundërshton formimin e Ushtrisë së Kosovë në rrethanat aktuale.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur keqardhje që ky vendim u bë pavarësisht shqetësimeve të NATO.

“Sot, institucionet në Kosovë kanë njoftuar miratimin e tre ligjeve që iniciojnë procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Më vjen keq që ky vendim është marrë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO”, ka thënë Stoltenberg.

Pas miratimit të projektligjeve për FSK-në, i ashpër ka qenë edhe reagimi i Bashkimit Evropian.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini,  ka thënë për KALLXO.com se BE-ja do të mbajë qëndrimin e njëjtë sikurse NATO karshi kësaj ushtrie.

Reagimet e politikanëve vendor për bërjen e ushtrisë

Bërjes së Ushtrisë së Kosovës i janë gëzuar krerët e institucioneve të vendit, deputetët shqiptarë, ata të komuniteteve jo-serbe dhe personalitete të ndryshme.

Ndërsa kundërshtues të votimit të projektligjeve për transformimin e FSK-së ishin deputeteët e Listës Serbe, të cilët e bojkotuan seancën e Kuvendit.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se ushtria është dhurata më e mirë e fundvitit.

“Ushtria e Kosovës është nderi, siguria dhe mirëqenia e Republikës së Kosovës. Pas dy dekadash shumë të mundimshme, më në fund po e përmbyllim procesin e shtetndërtimit. Në Kuvendin e Kosovës, me shumicë absolute, përtej dallimeve politike, si rrallëherë të zgjedhurit e popullit miratuan pakon ligjore për themelimin e Ushtrisë së Kosovës”, ka shkruar presidenti Thaçi në Facebook.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj vlerësoi se mandatimi i ushtrisë  është një lajm i jashtëzakonshëm për konsolidimin e shtetit të Kosovës.

“Forca e Kosovës do të jetë gjithmonë multietnike, dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj, në funksion të paqes me të gjitha ushtritë e rajonit, përfshi edhe Ushtrinë e Serbisë, që të kemi partneritet për paqe”, është shprehur kryeministri Haradinaj në Facebook.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, pas miratimit të ligjeve të FSK-në, pati një porosi për pjesëtarët e FSK-së.

“Urime ushtarë! Prej sot, gatitu!”, u tha Veseli atyre.

Përkundër krerëve shtetëror, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, përveç urimeve tha se FSK-ja duhet të përkrahet me buxhet në mënyrë që të rriten kapacitetet e mbrojtjes së shtetit të Kosovës.

“Me këto tri ligje në Republikën e Kosovës janë bërë dy hapa të mëdhenj. Së pari Kosova ka themeluar Ministria e Mbrojtjes dhe së dyti është avancuar progresivisht Forca e Sigurisë së Kosovës drejt Ushtrisë së Shtetit drejt Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Ndërsa, LDK-ja pas votimit për ushtrinë, ka bërë homazhe te varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“Pas votimit për ushtrinë, me Grupin Parlamentar të LDK-së bëmë nderime para vendit ku prehet Presidenti Rugova, Komandanti i parë i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, dhe Ministri i parë i Mbrojtjes të Republikës të Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi”, ka shkruar Avdullah Hoti në Facebook.

Kurse për Ish-Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka qenë nder të jetë Komandat Suprem i FSK-së.

“Ecja e suksesshme transformuese e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe sot në Ushtrinë e Kosovës u bë me një bashkëpunim dhe partneritet të thellë me NATO- në dhe vendet më të rëndësishme mbështetëse të Kosovës”, është shprehur ndër të tjerash Sejdiu.

Në anën tjetër, kundërshtuesit e mëdhenjë të procesit të transformimit të FSK-së, Lista Serbe kanë mbajtur konferencë në veri të Kosovës.

“Në emër të të gjithë serbëve por edhe në emër të zëvendësit të Listës Serbe, nuk kemi marr pjesë sot në seancë duke shfaqur kështu kundërshtimin tonë për thyerje të të gjitha akteve të cilat i kanë marr vetë shqiptarët. Andaj nuk kemi dashur që me prezencën tonë t`i japim legjitimitet këtij akti”, ka thënë Sllavko Simiq, deputet dhe nënkryetar i Listës Serbe.

Ndërkaq, gjatë së premtes do të zhvillohet një ceremoni shtetërore në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, me fillim nga ora 17:00.