Pazari i ri në Tiranë. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

Ekuilibri Shqiptar Midis Jetës dhe Punës Tërheq të Huajt

Inxhinieri 25-vjeçar francez Antoine Avignon shkeli për herë të parë në Shqipëri në vitin 2000. Në atë kohë, ai ishte i emocionuar të merrte pjesë në një mision humanitar afatshkurtër.

“Para se të vija në Shqipëri, i thashë vetes se duhej të mbaroja shpejt projektin, të largohesha nga vendi për një mision të ri dhe, sigurisht, të mos martohesha,” tha ai duke buzëqeshur.

Shqipëria ishte një mister për shumicën e europianëve në vitin 2000. Vetëm tre vjet më parë, vendi ishte përfshirë në trazira civile dhe Avignon, tani një menaxher programi për Mjedisin, Energjinë dhe Mbrojtjen Civile me Delegacionin e BE-së në Shqipëri, nuk dinte asnjë fjalë në shqip.

Për t’i komplikuar edhe më shumë gjërat, atë e caktuan me detyrë në Peshkopi, një qytet i largët në veri të vendit.

Avignon së shpejti kuptoi se misioni i tij, që përfshinte sigurimin e furnizimit me ujë, do të ishte vetëm një pjesë e vogël e punës së përgjithshme të tij.

Ai dhe disa miq të tjerë ndërkombëtarë, së bashku me një mision humanitar në Peshkopi, vendosën të kujdesen për probleme të tjera që ekzistonin në qytet. Ata ndihmuan në hapjen e rrugëve të bllokuara nga dëbora dhe bën përmirësime në infrastrukturën e përgjithshme të tij.

Avignon është thjesht një nga mijëra të huajt, të cilët gjatë viteve të fundit vendosën ta zëvendësonin jetën e tyre për një rutinë më të thjeshtë në Shqipëri. Ai është ndër një përzierje të pasur kombësish.

Italianët përbëjnë komunitetin më të madh të të huajve në vend, me rreth 2,700 biznese italiane dhe mijëra të tjerë që studiojnë dhe punojnë. Numri i dytë më i madh i bizneseve të huaja janë greke, ndërsa bizneset kosovare janë të tretët, sipas të dhënave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit të Shqipërisë nga 2015.

Të njëjtat të dhëna treguan se më shumë se 2,500 të huaj kanë leje të përhershme për të punuar në vend, ku fusha më e zakonshme e punësimit është ndërtimi (30 për qind). Rreth 52 për qind e të gjithë punëtorëve të huaj janë turq dhe 12 për qind kinezë. Rreth 8 për qind e të huajve që punojnë në Shqipëri janë kanadezë.

Foto kortezi e Rachel Berryman.

Megjithatë, Avignon nuk është i vetmi “perëndimor”. Rachel Berryman, 32 vjeçe, e cila ka studiuar administrim arti, u largua nga Virxhinia në SHBA në vitin 2009 për të eksploruar kultura të reja si vullnetare të Korpusit të Paqes. Ajo pranoi ofertën për t’u vendosur në Shqipëri – një vend për të cilin më parë s’dinte asgjë, përveçse që ndodhej në Ballkan –  një rajon interesant që ia vlente ta eksploroje,

Gjatë dy viteve e gjysmë në fillim, ajo e gjeti veten duke punuar me gra në administratën komunale të Burrelit, një qytet i vogël verior. Ajo mësoi gjuhën dhe kulturën, por drejt fundit të programit u nis për në Indi, për të ndjekur pasionin e saj për jogën dhe për t’u certifikuar si mësuese.

“Pas tre muajsh në Indi, gjëja normale ishte të kthehesha në SHBA,” tha ajo për BIRN. Sidoqoftë, kjo nuk funksionoi. “Ndjeva se nuk kam mbaruar me Shqipërinë dhe doja ta eksploroja më shumë atë, kështu që vendosa të kthehesha,” tha ajo.

Berryman u shpërngul në Tiranë, një qytet ku joga ishte diçka e re dhe së bashku me disa bashkatdhetarë të vend, vendosi ta vinte në praktikë.

“Në atë kohë vetëm dy njerëz jepnin mësime joge në të gjithë vendin. Nga pasioni, disa unë dhe disa ndërkombëtarë të tjerë filluam të kontribuonim në përhapjen e saj ndërsa edhe trajnonim ata që ishin të interesuar,” tha ajo.

Tani, disa vjet më vonë, Berryman drejton dhe ka në pronësi “Tirana yoga” – një nga studiot më të respektuara në vend. “Jam e lumtur që tani mësues shqiptarë dhe të huaj të jogës e praktikojnë atë dhe baza e të interesuarve është rritur shumë,” tha ajo.

Tani Berryman e ndan jetën e saj midis Shqipërisë dhe Indisë. Ajo e konsideron të parin një vend social, spontan, ku njerëzit janë mikpritës dhe i trajtojnë shumë mirë të huajt.

“Mundësia për të pasur një jetë të mirë shoqërore është më e madhe këtu sesa në SHBA, ku njerëzit janë kryesisht të fokusuar te puna. Në Shqipëri, njerëzve u pëlqen të kalojnë kohë me njëri-tjetrin dhe mund të krijoni një ekuilibër të shëndetshëm midis jetës dhe punës,” tha ajo.

Kufijtë e Shqipërisë qenë të mbyllur për pothuajse 45 vjet gjatë diktaturës komuniste. Pak shtetas lejoheshin të largoheshin nga vendi dhe po ashtu një numër shumë i vogël të huajsh mund të hynin në vend duke marrë parasysh kontrollet e rrepta të shërbimit sekret.

Që prej vitit 1991 vendi ka kaluar një tranzicion të vështirë politik. Ndërkohë që janë bërë disa ndryshime pozitive, me arritjen e marrjes së statusit të anëtarit të NATO-s në vitin 2009, vendi mbetet një nga më të varfrit në Europë (edhe pse pret ende të hapë bisedimet për t’u pranuar në BE).

Me një normë zyrtare papunësie prej më shumë se 14 për qind, brezat e rinj kanë pak mundësi. Dhe ndërsa disa të huaj, si Berryman, vlerësojnë ekuilibrin midis jetës dhe punës, të tjerët mund ta kenë shumë të vështirë ta gjejnë këtë.

Kailey Rocker dhe Jonathan Eaton in Albania. Foto kortezi e Jonathan Eaton.

Megjithatë, kjo kulturë i bëri shumë përshtypje antropologes kulturore Kailey Rocker nga Luiziana. Ajo e ka ndarë jetën e saj midis Shqipërisë dhe SHBA-së që nga viti 2010.

Ajo fillimisht erdhi në end për të kaluar verat duke punuar në projekte shkollore në qytetin verior të Shkodrës. Ajo më pas vendosi të shpërngulej në vitin 2013 dhe tani po kryen kërkime shkencore mbi perceptimet e të rinjve për komunizmin.

Në Shqipëri Rocker tani e ndan jetën e saj me Jonathan Eaton – një bashkatdhetar amerikan që ajo thotë se s’do ta kishte pasur kurrë shansin ta takonte në SHBA.

“Ne u takuam këtu, në Shkodër, për herë të parë. Na prezantuan profesorët e mi. Në Shtetet e Bashkuara kjo s’do të kishte qenë e mundur pasi ai është nga Uashingtoni në bregun perëndimor dhe unë jam nga jugu,” tha ajo.

Për të, Shqipëria është një vend ku ajo mund të ndjekë gjithashtu synimet e saj profesionale, të shijojë miqësi të mirë me vendasit, të udhëtojë lehtë në destinacione të tjera në Europë dhe të bëjë që familja e saj të ndiejë që ajo është e sigurt.

“Familja ime ndjen se këtu jam totalisht e sigurt. Ata fillojnë të shqetësohen paksa kur unë udhëtoj në vende të tjera përreth,” tha ajo.

Partneri i saj, Jonathan Eaton, flet mirë shqip edhe pse ai shkeli për herë të parë në vend në vitin 2009 si studiues i Fulbright.

Atij i bëri shumë përshtypje trashëgimia kulturore e vendit dhe tani punon si oficer programi me Trashëgimi Kulturore pa Kufij – duke kontribuar kështu në ruajtjen e saj.

Pas studimit në Fulbright, ai vendosi të largohej për në Toronto, duke ndjekur studimet e tij master në antropologji. Megjithatë, më vonë ai vendosi të rikthehej në Shqipëri dhe të gjente një punë.

“Nuk po them që Kanadaja është një vend i keq, por se Shqipëria është një vend i mirë,” tha ai, duke buzëqeshur. “Këtu pata mundësinë të punoja vërtet në fushën time dhe më pëlqejnë sfidat me të cilat përballem. Shqipëria më duket vërtet mikpritëse dhe jam i lumtur që po jap një kontribut pozitiv në kulturën e saj,” vazhdoi ai.

Ai tashmë e di se marrëdhënia e tij me Shqipërinë do të jetë për gjithë jetën.

Antoine Avignon dhe gruaja e tij Raimonda. Foto kortezi e Antoine Avignon.

Përsa i takon Avignonit, ai e ndryshoi gjithashtu vendimin e tij të parakohshëm për të mos u martuar. Në Shqipëri ai gjeti gruan e tij Raimondën. Ajo ishte në një mision bashkëpunimi me Agjencinë Daneze për Zhvillim Ndërkombëtar, me bazë në Tiranë, or përfundoi në Dibër për të ndihmuar në zhvillimin e rajonit. Kur u martuan ata të dy, rreth 200 njerëz erdhën nga jashtë shtetit.

Familja e sapo krijuar franko-shqiptare u largua nga vendi në vitin 2002 dhe vazhdoi të punonte për misione zhvillimore në Rumani, Francë dhe Afrikë.

Pas më shumë se gjashtë vjetësh me BE-në në Kinshasa, Republika Demokratike e Kongos dhe Baguit, Republika e Afrikës Qendrore, Avignon u caktua të punonte për mjedisin në vitin 2009 në Tiranë.

‘Pas disa vitesh kushte të vështira në Afrikë (luftëra civile, malarie, etj.) ne ishim gati për një sfidë të re në Shqipëri, në kuadër të pranimit në BE,” tha ai.

Marrëdhënia e Avignon me vendin është bërë tepër speciale. Ai admiron malet e tij, detin, kulturën, jetën spontane dhe mbi të gjitha njerëzit e tij.

“Kam mësuar shumë për njerëzimin në të gjitha udhëtimet e mia dhe kam filluar ta njoh më mirë Shqipërinë dhe njerëzit  e saj. Shqiptarët kanë vërtet zemër të madhe,” tha ai.