Eksperti i Shkarkuar për Parregullsi, në Krye të Agjencisë për Akreditim

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka emëruar si ekspert të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Herbert Amato-n, të cilin pak muaj më parë e kishin shkarkuar nga bordi.

Amato së bashku me anëtarët e tjerë të bordit të AKA-s ishin shkarkuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj me arsyetim se ishte vërejtur që në procesin e akreditimit ishte zhvilluar parregullsi serioze. Pas shkarkimit, Haradinaj i kishte emëruar disa anëtarë të ri në Bordin e AKA-s.

Tek tre muaj më pas, Ministri i Arsimit, i ka emëruar edhe tre ekspertët ndërkombëtarë në kuadër të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, duke e kompletuar kështu bordin prej nëntë anëtarësh.

I kontaktuar nga KALLXO.com, ministri Shyqiri Bytyqi e pranoi se e ka riemëruar serish Herbert Amaton si ekspert ndërkombëtar. Tash thotë se te Amato nuk ka gjetur shkelje të procedurave, për të cilat në fillim ishte shkarkuar.

“Është emëruar, sepse nuk është parë që ai (Herbert Amato), ka pasur ndonjë shkelje të procedurës gjatë punës dhe për këtë arsye është emëruar prapë. Ka shprehur interesimin për të qenë prapë anëtar i bordit dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë me atë universitet dhe kështu është emëruar prapë”, tha ministri Bytyqi.

Emërimi i Amatos në bordin e AKA-s duhet të bëhet me vendim të qeverisë.

“Javën e kaluar është marrë vendimi dhe është proceduar në qeveri.  Besoj që  qeveria do ta procedojë në Kuvend në mbledhjen e ardhshme”, tha Bytyqi.

Gazeta Jeta në Kosovë e ka pyetur Amaton për riemërimin e tij në bordin prej të cilit ishte shkarkuar, por ai nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Së bashku me profesor Herbert Amato-n, Ministria e Arsimit ka emëruar edhe dy ekspertë të tjerë ndërkombëtarë: Jeffery Butel-in dhe Magdalena Ziolo-n.

Përveç tre ekspertëve të huaj, MASHT-i më 25 shtator 2017 pati emëruar anëtarë të bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Në krye të këtij bordi është emëruar profesori i Fakultetit Ekonomik, Gazmend Luboteni.

Luboteni ka qenë kryetar i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës ku asokohe ishte njëri ndër personat më të paguar në vend.

Gazeta Jeta në Kosovë në hulumtimin e realizuar pati vënë në pah se Luboteni derisa ishte kryetar i bordit të BQK-së është paguar 2,000 euro për çdo takim të bordit, që do të thotë sa tetë herë paga mujore mesatare e vendit – 250 euro.

Këtë e kishte bërë të ditur edhe vetë Luboteni në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit me ç’rast kishte thënë se nga puna në BQK për vitin 2011 ai kishte deklaruar se si kompensim kishte marrë 29 mijë e 610 euro.  Këto pagesa i kishin vazhduar edhe për vitin 2012.

Luboteni ka qenë po ashtu prorektor për çështje financiare në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.

E dyta me “pushtet” në këtë bord është Rozafa Koliqi- Lila e cila me vendim të MASHT-it është përzgjedhur si nënkryetare.

Koliqi- Lila është doktore shkence dhe specialiste e Farmacisë Klinike. Punën e saj si mësimdhënëse e nisi në shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli” për të vazhduar më pas në Kolegjin Privat “Universum”.

Ndërsa nga viti 2007 Koliqi- Lila ishte përzgjedhur asistente në Fakultetin e Mjekësisë në UP deri në vitin 2017, kur ajo u refuzua nga senati për t’u zgjedhur asistente, edhe pse kishte vendim nga Komisioni Recensues dhe Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë për t’u zgjedhur.

Emisioni Jeta në Kosovë pati hulumtuar rreth avancimeve që ishin bërë në Fakultetin e Mjekësisë pas së cilit Policia e Kosovës kishte ngritur kallëzim penal.

Po ashtu Koliqi- Lila ka qenë edhe profesoreshë vizitore në Universitetin “Camerino” në Itali, ndërsa aktualisht është  e kyçur në Fakultetin e Infermierisë në Kolegjin Privat AAB.

Në këtë bord i përzgjedhuri  tjetër është Berim Ramosaj, profesor- doktor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në Fakultetin Ekonomik.

Ramosaj ka qenë kryetari i parë i Këshillit Ekzekutiv në Komunën e Prishtinës gjatë vitit 2000- 2003 menjëherë pas luftës në Kosovë, në kohën kur kryeqyteti është udhëhequr nga LDK-ja.

Me të kryer këtë mandat ai ishte angazhuar si këshilltar për çështje ekonomike i Presidentit Ibrahim Rugova. Këtë detyrë Ramosaj e ka kryer për shtatë vjet.

Gjatë viteve 2007- 2010, Ramosaj ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, fillimisht si deputet i LDD-së dhe më vonë si i pavarur.

Ramosaj ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ku në vitin 2012, me të ardhur në krye të kësaj partie Isa Mustafa, Ramosaj ka hequr dorë nga strukturat e partisë.

Në vitin 2009, derisa ishte deputet i Kuvendit, ai udhëhoqi Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së.

Aktualisht Ramosaj, nga viti 2011 është profesor  i rregullt i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Fakultetin Ekonomik.

Përveç universiteteve publike, Ramosaj ka dhënë mësim edhe në kolegjet private si “Iliria”, “Dardania” dhe “Globus”. Po ashtu ai ka qenë edhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) gjatë viteve 2009- 2012.

I emëruari tjetër në bordin e akreditimit është edhe Arben Qirezi. Ai është ligjërues në Kolegjin Privat “AAB” në Drejtimin Administrate Publike dhe Shkenca Politike si dhe Administratë Publike dhe Diplomaci.

Qirezi si mësimdhënës ka filluar nga viti 2008 në kolegjet “AAB dhe Riinvest” duke vazhduar më pas edhe në AUK dhe “Universum”.

Magjistraturën e ka përfunduar në “Instituto Universitario Oretga Y Gasset” në Madrit të Spanjës për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ndërsa doktoratën e ka përfunduar në Universitetin Ndërkombëtar të Irlandës në Galway gjatë vitit 2009- 2014 për Shkenca Politike.

Si këshilltar për çështje politike, Qirezi e kishte filluar karrierën në Zyrën e Qeverisë Kanadeze gjatë vitit 2000-2004.

E karrierën e tij politike, Qirezi e kishte nisur në vitet 1993- 1996 ku asokohe ishte zyrtar për marrëdhënie me jashtë i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gjatë vitit 2005- 2006, Qirezi kishte qene sekretar i përgjithshëm në Ekipin e Unitetit për të vazhduar më pas edhe si anëtar i grupit kushtetues brenda këtij ekipi.

Pas kësaj, Qirezi ishte kyçur në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, si anëtar i kryesisë, derisa kishte dhënë dorëheqje në vitin 2009.

Në periudhë janar- mars 2005, Qerezi ishte zëdhënës i Qeverisë së Kosovës që asokohe e udhëhiqte Ramush Haradinaj.

Po ashtu Qirezi kishte kandiduar edhe për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së.

E në vitin 2006- 2007, Qirezi ka qenë këshilltar i lartë i Kryeministrit Agim Çeku.

Anëtari tjetër i këtij bordi është Ilir Doçi, profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Doçi, aktualisht është prodekan për çështje mësimore në këtë fakultet.

Fakultetin e Makinerisë, Doçi e ka përfunduar në vitin 1994 për të vazhduar më pas me magjistraturë dhe doktoratë, të cilat i ka përfunduar gjatë viteve 2000-2006 në Universitetin e Prishtinës.

Në vitet 1994-1995 ishte kyçur në Universitetin e Prishtinës si asistent-praktikant, ku më pas në vitin 2017 është bërë profesor i rregullt.

I emëruari i këtij bordi është edhe Dukagjin Zeka, aktualisht profesor në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Mësimdhënien Zeka e filloi në Drenas si profesor në shkollën e mesme për të vazhduar më pas si asistent në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” gjatë vitit 2012 – 2017.

Po ashtu Zeka ka qenë i kyçur edhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural gjatë vitit 2003- 2008. Gjatë vitit 2010 ai regjistroi doktoratën për ta përfunduar në vitin 2014 në Universitetin e Shkencave Sociale në Pragë në Fakultetin e Agrobiologjisë, Ushqimit dhe Resurseve Natyrore.