Eksperti Gjen Shkelje Ligjore në Tenderin e Autostradës për Gjilan

Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit gjatë rivlerësimit të ofertave në tenderin për autostradën për Gjilan. Eksperti shqyrtues, Hasim Krasniqi i ka rekomanduar Panelit Shqyrtues që të anuloje vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës për dhënien e kontratës për 8 llotet, dhe të njëjtat t’i kthejë në rivlerësim.

Ky konstatim i ekspertit shqyrtues është dhënë në fund të një raporti prej 106 faqesh, në të cilin janë dhënë mendime për secilin pretendim të operatorëve ekonomikë ankues.

Kjo është herë e dytë që ky tender do të shqyrtohet në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Herën e parë, “Gjykata e Tenderëve” kishte vendosur të anulojë vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës duke e kthyer këtë proces të prokurimit në rivlerësim. Gjatë rivlerësimit, Ministria e Infrastrukturës i kishte ndërruar të gjitha kompanitë fituese në 8 llotet e këtij tenderi. Edhe pas këtij rivlerësimi, kishte kompani të pakënaqura me vlerësimet që ishin bërë, përkatësish me kompanitë që ishin rekomanduar për nënshkrim të kontratës.

11 operatorë ekonomikë janë ankuar në OSHP. Të gjithë pretendojnë se Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje ligjore gjatë rivlerësimit të ofertave. Pretendimet e këtyre kompanive mund të ndahen në dy kategori: ato pretendojnë se padrejtësisht janë eliminuar nga gara, si dhe operatorët ekonomikë të rekomanduar për kontratë nuk janë të përgjegjshëm.

Eksperti shqyrtues ka rekomanduar që të gjitha ankesat e operatorëve të miratohen pjesërisht, si dhe të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës në 8 llotet e këtij tenderi. Eksperti i ka rekomanduar panelit shqyrtues që të kthejë në rivlerësim procesin e prokurimit “Ndërtimi i Autoudhës A7.1 – Kryqëzimi në Disnivel A6/A7.1 (Banullë) – Dheu i Bardhë – PJESA: Kryqëzimi në Disnivel A6/A7.1(Banullë) —Udhëkryqi ‘Bresallc'”- L=22.31km”, që njihet ndryshe si autoudha për Gjilan.

Seanca kryesore në të cilën do të shqyrtohen pretendimet ankimore të operatorëve ekonomikë nga paneli shqyrtues i “Gjykatës së Tenderëve” do të mbahet sot në OSHP.

Operatorët që janë ankuar në Gjykatën e Tenderëve janë: “RSM Company”, “Famis Co”, “Papenburg Adriani”, “Integral”, “Tali & Zuka”, “Bejta Comerce”, “R & Rukolli”, “DINO”, “Lika Trade”, “Conex Group”, “Sallahu”.

Ankesa e kompanive

Kompania “RSM” ka paraqitur ankesë me dy pretendime: se është eliminuar në mënyrë të kundërligjshëm nga gara dhe se Ministria e Infrastrukturës i ka shpërblyer me kontratë operatorët e papërgjegjshëm. RSM-ja pretendon se është eliminuar padrejtësisht nga gara për mos-dorëzim të dëshmive për projektet e realizuara që vlerën se nuk është e qëndrueshme.

“Eksperti konstaton se pretendimi i OE ankuese (RSM) është i qëndrueshëm, sepse OE ka prezantuar dëshmi të mjaftueshme lidhur me projektet/kontratat e realizuara konform kërkesave të parashtruar nga Ministria e Infrastrukturës në ‘njoftim për kontratë’ dhe ‘dosje të tenderëve’, për LOT-et në të cilat ka aplikuar”, thuhet në raportin e ekspertit të angazhuar nga OSHP-ja.

Konzorciumi “RSM COMPANY & COMPANY”, pretendon po ashtu që Ministria e Infrastrukturës i ka shpallur fitues operatorët e papërgjegjshëm në katër llote: 2, 3, 4 dhe 8. Pretendime të njëjta, se janë rekomanduar për kontratë operatorët e papërgjegjshëm, kanë pasur edhe kompanitë e tjera. Eksperti shqyrtues ka dhënë përgjigjen e njëjtë për të gjitha pretendimet e kompanive.

Sa i përket kompanisë së rekomanduar për kontratë për llotin 2, “Gjoka Construction”, eksperti shqyrtues ka konstatuar se të njëjtës i kanë munguar disa dëshmi të kërkuara në dosjen e tenderit.

“Eksperti konstaton se ‘Gjoka Construction’ nuk ka paraqitur dëshmitë- licencat e auditorit apo kompanitë audituese siç është parashtruar kërkesa/dëshmia në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë nga Ministria e Infrastrukturës, mirëpo lidhur me raportet e audituara ka bashkëngjitur  konfirmimet e bilancit të lëshuara nga Ministria e Financave të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në raportin e ekspertizës.

Ky është lëshimi i vetëm që ka gjetur eksperti në dosjen e këtij operatori. Eksperti ka gjetur shkelje edhe në llotin 3, sa i përket kompanisë së rekomanduar për kontratë.

“Eksperti konstaton se pretendimet e operatorit ankues janë pjesërisht të qëndrueshme, sepse OE ‘Ndërtimtari & Geci’ ka bashkëngjitur marrëveshjen për furnizim me asfalt, zhavorr dhe beton e cila gjendet në dosje, mirëpo nuk është e nënshkruar nga furnitori ‘Mineral L.L.C’, por vetëm është vulosur si dhe i ka të bashkangjitura certifikatat e biznesit te furnitori ‘Mineral L.L.C’ si dhe licencat përkatëse”, thuhet në konstatimet e ekspertit.

Për operatorin e rekomanduar për kontratë në llotin 4 nuk është gjetur ndonjë shkelje, ndërsa në llotin e 8 eksperti ka konstatuar se kishte shkelje.

“Nëse krahasohen oferta financiare e dorëzuara nga RSM me ofertën financiare të OE ‘Joos Krasniqi & Pevlaku’ për LOT 8, eksperti konstaton oferta e RSM-së përmban çmim më të lirë sesa oferta e OE të shpallur fitues për këtë LOT”, thuhet në raportin e ekspertit.

Në llotin 8 të këtij tenderi, eksperti konstaton se pretendimi i operatorit ekonomik ankues për OE “Joos Krasniqi & Pevlaku” është i qëndrueshëm.

“Eksperti konstaton pretendimi i OE ankues qëndron, sepse oferta e tij përmban çmim më të lirë sesa oferta e OE të shpallur fitues për këtë LOT.”

Kompania ankuese “Famis Co” pretendon se ministria ka shkelur ligjin e prokurimit në llotet 2, 3, 4 dhe 7. Eksperti shqyrtues për lotin 7 ku fitues ishte shpallur kompania  “Altrade sh.p.k & Salillari”  eksperti ka gjetur shkelje.

“Oferta e OE ankues për LOT 7, MI do të kursente buxhet në total të kontratave në vlerë prej 360 mijë e 187 euro, ky pretendim i OE është i qëndrueshëm sepse në këtë rast MI nuk ka vepruar konform nenit 19 te RRUOPP dhe kriterit çmimi më i lirë, sepse sikur MI do t’i rendiste operatorët ekonomikë të shpallur të përgjegjshëm administrativisht dhe të shpallte fitues në LOT-et, duke kombinuar ofertat e OE të shpallur te pasuksesshëm do të shpallte fitues ofertat të cilat në vlerën totale për të gjitha LOT-et do të ishin rreth një milion euro më lirë”, thuhet në raportin e ekspertit.

Konzorciumi “Gp & Papenburg & Adriani” pretendon se autoriteti kontraktues ka shkelur dispozitat e ligjit të prokurimit të Kosovës në llotet: 2, 4, 7 dhe 8. Në anën tjetër pretendimet tjera të këtij operatori se në llotet 4, 7 dhe 8 janë rekomanduar operatorët e papërgjegjshëm, eksperti shqyrtues i ka hedhur poshtë si të paqëndrueshme.

Operatori ekonomik “Intergral & Milenium Konstruction & Delia Group” pretendojnë se ministria ka vepruar në kundërshtim me ligjin e prokurimit në llotet: 1, 4, 5, 6, 8. Eksperti ka vlerësuar se operatori në fjalë është eliminuar padrejtësisht nga gara.

“Pretendimet ankimore të OE ‘Intergral’ janë pjesërisht të qëndrueshme, sepse OE ankues ka dorëzuar dëshmi të mjaftueshme se ka realizuar projekte vlera e të cilave do t’i plotësonte kërkesat/dëshmitë e parashtruar nga MI në DT dhe NJK”, thuhet në ekspertizë. Pretendimet për lotet 1, 5 dhe 6  eksperti ka konstatuar se nuk qëndrojnë.

Për këtë tender është ankuar edhe konzorciumi “Tali & Zuka & Ad Ilinden”, duke pretenduar se Ministria e Infrastrukturës e ka eliminuar pa të drejtë nga gara, pasi thotë se i ka plotësuar kërkesat që dalin nga dosja e tenderit. Këtë pretendim, eksperti shqyrtues e ka vlerësua si pjesërisht të qëndrueshëm.

Eksperti thotë se autoriteti vendosi shpalljen e ofertave fituese përkundër se ofertave u kishte skaduar validiteti. Ndërsa, kompania ankuese nuk kishte plotësuar validitetin e ofertës dhe sigurinë e ekzekutimit.

“Pretendimet ankimore të OE ankuese janë pjesërisht të qëndrueshme, sepse Ministria e Infrastrukturës i ka rivlerësuar ofertat dhe ka marrë vendim për shpalljen e ofertave fituese të tenderit përkundër që të gjitha ofertave të tenderit ju ka skaduar validiteti i ofertave me datën 18.11.2017, ndërsa pretendimet tjera rreth eliminimit të OE ankuese janë të paqëndrueshme, sepse MI ka vepruar konform LPP dhe rregullave dytësore të prokurimit me rastin e eliminimit të OE ankuese, sepse OE ankuese nuk e ka të plotësuar validitetin e ofertës si dhe pjesën e sigurisë se ekzekutimit në formularin e tenderit për lotet 7 dhe 8”, thotë eksperti në raportin e tij.

Operatori ekonomik në ankesën e parashtruar pretendon se autoriteti kontraktues ka bërë shkelje të dispozitave të ligjit të LPP-së në të gjitha llotet e këtij tenderi. Pretendimet për skadimin e validitetit të ofertave siç kishte pretenduar edhe kompania “Tali” eksperti i ka konstatuar si të qëndrueshme.

Për llotin e parë të këtij tenderi eksperti konstaton se pretendimi i operatorit ekonomik ankues është pjesërisht i qëndrueshëm, pasi i mungojnë dëshmitë për vlerën e realizuar të punëve. Pretendimet tjera për kompaninë e shpallur fituese për këtë llot i ka konstatuar si të paqëndrueshme.

Eksperti ka gjetur se te operatori ekonomik fitues i llotit 5 mungon dëshmia për vlerën e projekteve të realizuara gjatë viteve 2012-2016.

Shkeljet e Ministrisë së Infrastrukturës

“Eksperti konstaton se pretendimet e OE ankuese janë pjesërisht të qëndrueshme, sepse OE ‘Abad (Abisc)’ ka bashkangjitur dëshmi një kontratë të ndërtimit të rrugëve, në të cilën ka qenë në konzorcium me OE ‘Gd Toplika’ e ku në bazë të kontratës shihet qartë se kontrata është e nënshkruar nga OE ‘Gd Toplika’ në emër të konzorciumit, ndërsa mungon dëshmia se cila ka qenë vlera e punëve të realizuara më këtë kontratë nga OE ‘ABAD (ABISC)’ konform kërkesave/dëshmive te parashtruara nga AK MI, për vlerën e projekteve te realizuar gjate vitit 2012-2016″,” thuhet në ekspertizë

Pretendimet e operatorit ekonomik ankues se autoriteti i ka shpallur fitues kompanitë e papërgjegjshme për llotet 6, 7 dhe 8, eksperti konstatoi se nuk qëndrojnë.

Edhe konzorciumi i udhëhequr nga kompania “R & Rrukolli” pretendon se janë eliminuar pa të drejtë nga gara, gjë që është konstatuar nga eksperti si pretendim i qendrushëm. Edhe kjo kompani është ankuar për skadim të validitetit të ofertave, për të cilën eksperti ka dhënë konstatim edhe me parë. Në pretendimet e kompanisë ankuese se autoriteti ka shpallur fitues operatorët ekonomikë jopërgjegjës, eksperti ka dhënë konstatimin e tij në secilin llot.

Operatorit ekonomik fitues të llotit të parë i mungon dëshmia për vlerën e realizuar të kontratave. Këtë konstatim e ka dhënë eksperti edhe në pretendimet e operatorëve ekonomik ankues të tjerë për këtë llot.

Për llotin 5, eksperti ka dhënë të njëjtin konstatim se operatorit ekonomik fitues i mungon dëshmia për vlerën e projekteve të realizuara. Përderisa pretendimet ankimore për llotet 6, 7 dhe 8 janë konstatuar si të paqëndrueshme.

Eksperti i ka dhënë përgjigje edhe ankesës së kompanisë “Dino”. Eksperti ka konstatuar se e njëjta është eliminuar me të drejtë nga gara pasi marrëveshja e konzorciumit nuk është e nënshkruar dhe nuk është plotësuar me deklaratën nën betim.

Janë ankuar edhe konzorciumi i udhëhequr nga kompania “Bejta Commerce” kryesisht për kompanitë e rekomanduara për kontratë, për të cilat eksperti ka dhënë përgjigjie uniforme. Ndërsa, OE “Lika Trade” është ankuar se janë eliminuar pa të drejtë nga Ministria e Infrastrukturës.

“Eksperti konstaton se pretendimi i OE ankuese është i qëndrueshëm, sepse OE ankuese ka ofruar dëshmi kontratë që ka qenë e lidhur me vetë MI dhe se vlera e kontratës/ projektit të ofruar si dëshmi nga OE ‘Lika Trade’ është 8,144,185.00 E, e qe bazuar ne këtë vlerë të ketij projekti/ kontratë, konstatoj se OE ankuese ka ofruar dëshmi të mjaftueshme konform kërkesës së parashtruar nga MI në NJK dhe DT, lidhur me projektet e realizuara për LOT 2, 3, 4 dhe 7”, thotë eksperti.

Pretendimet e operatorit ekonomik “Conex Group” se janë eliminuar pa të drejtë, eksperti i ka konstatuar si pjesërisht të bazuar.

“Pretendimi i OE ankuese është pjesërisht i qëndrueshëm sepse ka ofruar dëshmi kontratë që ka qenë e lidhur me vete AK MI ku vlera e kontratës / projektit te ofruar si dëshmi nga OE konzorciumi ‘Conex Group’ është 6,177,008.16 euro, e që bazuar në këtë vlerë të këtij projekti/kontrate, konstatoj se OE ankuese ka ofruar dëshmi të mjaftushme konform kërkesës së parashtruar nga MI në NJK dhe DT, lidhur me projektet e realizuara për LOT 2,3,4,7 dhe 8, ndërsa eksperti konstaton se OE ankuese nuk ka ofruar dëshmi të mjaftueshme për LOT 6, konform kërkesës së parashtruar nga MI në NJK dhe DT lidhur me vlerën e projekteve të realizuar”, thuhet në raportin e ekspertit.

Është ankuar edhe kompania “Sallahu”, duke pretenduar se është eliminuar pa të drejtë nga gara. Eksperti konsideron se ky pretendim është i qëndrueshëm, pasi “Sallahu” ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm.

“Eksperti konstaton se pretendimi i OE ankuese është i qëndrueshëm, sepse OE ankuese së bashku me dosjen e tenderit ka dorëzuar dokumentacionin dhe librezat për mjetet stabilimentet dhe pajisjet që do t’i përdorë për realizimin e projektit si dhe listën e mjeteve, stabilimenteve dhe pajisjeve të vërtetuar nga noteri”, thotë eksperti në raportin e tij.

Aksham Pazari për Autostradën 100 Milionëshe