Ekspertët ndërkombëtarë: Universiteti i Prizrenit nuk e di numrin e studentëve

Ekspertët ndërkombëtar të angazhuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim(AKA), për vlerësimin e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, rekomanduan që ky universitet publik të mos marrë akreditim institucional, për shkak të mos përmbushjes së standardeve.

Ekipi i Ekspertëve(EE) gjetën se UPZ nuk e kishte të qartë numrin e studentëve të regjistruar në këtë universitet dhe kjo pasi që u janë ofruar të dhëna të ndryshme sa i përket numrit të përgjithshëm.

“Në takimin e parë ishte përmendur se universiteti ka afërsisht 6 mijë studentë, në Raportin e Vetë-Vlerësimit thuhet se UPZ ka 17 mijë studentë dhe në të dhënat e ofruara nga sistemi elektronik, janë më shumë se 29 mijë studentë”, thuhet në raportin e ekspertëve.

Raporti i cili u miratua dhe u votua nga bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë(KSHC), ishte shkruar nga ekspertët Stephen Adam dhe Adrian Mihai Vileca.

Vlerësimi institucional nga ana e ekspertëve, është i rregulluar me Ligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë dhe me Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Pas votimit të këtij raporti, Universiteti i Prizrenit nuk do të mund të regjistrojë studentë të rinj, në vitin e ardhshëm akademik 2019/2020.

Ekspertët deklaruan se shumica e dokumenteve në këtë universitet, nuk ishin të qasshme në gjuhën angleze dhe kjo sipas tyre, bëri që një numër i gjykimeve për përputhjen apo mospërputhjen e standardeve të jetë i pamundur.

“Të gjitha dokumentet kyçe duhet të jenë të qasshme para vlerësimit të ekspertëve, si dhe duhet të jenë edhe në gjuhën angleze”, thuhet në raport.

Në anën tjetër, ekspertët ndërkombëtarë kanë vlerësuar se Universiteti i Prizrenit gjendet mes forcave kundërshtuese dhe garuese, duke e përfshirë Ministrinë e Arsimit, Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe kërkesat e Bolonjës.

Ata gjithashtu rekomanduan modernizimin e programeve studimore dhe furnizimin e bibliotekës së universitetit, me tituj akademikë të cilët janë të nevojshëm për studentët.

“Universiteti i Prizrenit qartësisht gjendet në një situatë të vështirë sa i përket çështjes së financimit. Sidoqoftë, duhet që sa më shpejtë të zhvillojë sistemet dhe politikat e tij, në mënyrë që të modernizohet dhe të adaptohet në përputhje me Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe me standardet evropiane”, thuhet në raport.

Andaj si përfundim, ekipi i ekspertëve ka rekomanduar që të mos akreditohet ky institucion, duke thënë se Universiteti i Prizrenit, nuk përkon me standardet e përfshira në manualin e akreditimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim(AKA).

Baza ligjore që ia mundëson ekspertëve ndërkombëtar vlerësimin e universiteteve dhe kolegjeve

Në Nenin 15 ‘Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë’, pikën 3 thuhet se “Riakreditimi i bartësve kryhet nga AKA-ja në intervale kohe prej jo më shumë se 5 vjetësh. Riakreditimi nuk bëhet pa një shqyrtim të raportit të vetëvlerësimit të bartësit, nga ana e ekspertëve, përveç në rrethana të veçanta. Ky rishikim nga ana e ekspertëve do të përfshijë një inspektim të drejtpërdrejtë të ofrimit të shërbimeve. Riakreditimin e një institucioni apo të një ose më shumë programeve të tij mund ta kërkojnë bordi i AKA-së ose Ministria brenda një periudhe më të shkurtër se pesë vjet.”

Në Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë, Neni 10 i cili flet për ‘Procedurat e akreditimit/riakreditimit’, pika 1.5.1. thotë se “AKA organizon procesin e vlerësimit të jashtëm me një ekip të pavarur të vlerësuesve ndërkombëtarë. Ky ekip harton një raport të jashtëm të vlerësimit, i cili ofron një vlerësim të cilësisë së institucionit aplikues apo programeve të tij të studimit bazuar në standardet dhe udhëzuesit për akreditim. Ky raport i cili i dorëzohet AKA-së, ofron rekomandime për përmirësimin e cilësisë për IAL-në nën vlerësim si dhe përfshin rekomandimin final për riakreditim apo mosakreditim.

Tutje udhëzimi thotë se KSHC pastaj duhet të vlerësojë raportin e vlerësimit të jashtëm dhe ta votojë atë.

Gjetjet e ekipit të eksperteve

Ekspertët në raportin e vlerësimit për Universitetin e Prizrenit, kanë thënë se i gjithë procesi i vlerësimit është ngadalësuar, si pasojë e nevojës për përkthim nga gjuha angleze në atë shqipe dhe anasjelltas.

Në Raportin e Vetë-Vlerësimit, ky universitet kishte listuar një numër dokumentesh të cilat ekspertëve gjatë vizitës, nuk iu ofruan nga ky universitet.

Sipas tyre, përgjigja e UPZ-së rreth deklaratës së misionit ishte zhgënjyese sepse kjo deklaratë është tepër gjithëpërfshirëse dhe nuk fokusohet në nevojat lokale dhe rajonale.

“Raporti i ekspertëve të jashtëm të vitit 2015 kishte rekomanduar ‘Si në vitin 2012 ekspertët rekomandojnë një deklaratë specifike të misionit dhe një strategji të universitetit’. Përgjigjja e UPZ-së ishte që ‘Ne besojmë se misioni dhe vizioni ynë na përshtatet shumë mirë me nevojat dhe kapacitete tona”, thuhet në raport.

Andaj edhe u rekomandua përsëri që deklarata e misionit të rishikohet, në mënyrë që të reflektojë në mënyrë të duhur nevojat lokale dhe ato rajonale.

Kur jemi tek standardi i planifikimit strategjik, qeverisjes dhe administratës, ekspertët thanë se ky universitet kishte krijuar një ‘plan strategjik’, dy muaj para këtij vlerësimi dhe se periudha e shënuar në dokument, thoshte se kjo strategji mbulon periudhën 2018-2022.

“Gjithashtu është e dukshme se UPZ vuan nga kufizime të mëdha në financim dhe se shumë prej synimeve dhe zhvillimeve kanë implikime të mëdha të burimeve”, është sqaruar më tej.

Ekspertët gjetën se Statuti i këtij universiteti, nuk përfshin përfaqësim të studentëve me të drejta votuese në Këshillin Drejtues.

Ndërsa sa i përket planit financiar dhe menaxhmentit, ekspertët gjetën se në raportin e brendshëm të UPZ-së, aspektet financiare janë trajtuar me pak fjalë, ndërkaq buxheti i përkohshëm për vitet e ardhshme është identik me atë të këtij viti.

“Ky aspekt na dha neve një pamje të qartë se veprime konkrete dhe reale nuk janë planifikuar ende”, konstatojnë ekspertët në raportin e tyre.

Kodi i Etikës në këtë universitet, sipas ekspertëve, ka disa rregulla të cilat e kufizojnë lirinë e shprehjes, veçanërisht për studentë, andaj edhe rekomanduan rishikimin e tij.

Sipas tyre, liria e shprehjes nuk është e garantuar nga UPZ-ja dhe se studentët e kanë të ndaluar të ftojnë mediat në universitet, si dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për protestë, pa miratimin e menaxhmentit.

“Rishikimi i Kodit të Etikës që garanton lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të protestuar, veçanërisht për studentët. Vendosja e një procesi më demokratik për Këshillin Etik, Senati duhet të votojë për njerëzit të cilët emërohen”, rekomandohet në raport.

Mes rekomandimeve, ishte edhe rritja e ndikimit të Zyrës për Sigurim të Cilësisë dhe udhëheqësit të saj, duke theksuar se një zyrë e tillë duhet të kalojë nga roli i saj këshillues, në atë me fuqi ekzekutive.

Ata gjithashtu thanë se ky universitet duhet të monitorojë numrin e studentëve të cilët e braktisin fakultetin apo programin në të cilin po studiojnë dhe më pas të zbatojnë politika të tilla që e zvogëlojnë atë përqindje.

“Vlerësimi i stafit akademik nga ana e studentëve duket se po funksionon. Fatkeqësisht, gjatë vizitës vetëm vlerësimi i viti të kaluar ishte i qasshëm sepse ato të viteve të mëparshme kishin humbur”, thonë ekspertët.

Duhet të sqarohet ndikimi i profesorëve të cilët dështojnë të publikojnë të paktën një punim shkencor në çdo tri vite, shtojnë më tej ata.

Njëra ndër sfidat e Ekipit të Ekspertëve gjatë vlerësimit, duket të ketë qenë edhe numri i studentëve të regjistruar në këtë universitet, pasi që është shkruar në raport se u janë ofruar të dhëna të ndryshme sa i përket numrit të përgjithshëm.

“Në takimin e parë ishte përmendur se universiteti ka afërsisht 6 mijë studentë, në Raportin e Vetë-Vlerësimit thuhet se UPZ ka 17 mijë studentë dhe në të dhënat e ofruara nga sistemi elektronik, janë më shumë se 29 mijë studentë”, thonë ekspertët.

UPZ regjistron studentë edhe në muajin dhjetor, pavarësisht se viti akademik fillon në tetor, tregojnë ekspertët.

Gjithashtu deklaruan se profesorët e konsiderojnë sfidë, faktin se studentë të ri regjistrohen pas fillimit të semestrit të parë.

“Studentët thonë se e vetmja mbështetje nga UPZ, për aktivitete jashtë kurrikulare apo për organizime studentore, është leja për ekzistencë”, thonë Ekipi i Ekspertëve në raport.

Nga këto të gjetura rezultoi edhe rekomandimi që të mos regjistrohen studentë pas fillimit të vitit akademik, si dhe të sigurohet liria e shprehjes dhe e protestës për studentë.

Mes rekomandimesh ishte edhe nevoja e UPZ-së për një bibliotekë sepse sipas EE, niveli aktual po e kufizon miratimin e programeve të reja studimore, njëkohësisht edhe të ardhmen e institucionit.

Bashkëpunimi institucional është i kufizuar, thonë Ekipi i Ekspertëve dhe kjo për faktin se aktualisht UPZ ka një numër të vogël të marrëveshjeve për bashkëpunim me universitete të tjera.

“Politikat e ndërkombëtarizimit të UPZ-së duhet të përmirësohen dhe detajet e saj të zgjerohen. Vëmendje e veçantë duhet t’u jepet financimit, koordinimit qendror dhe monitorimit. UPZ duhet të zhvillojë një strategji të detajuar, të financuar dhe të monitoruar, për të zhvilluar më shumë lidhje me universitete adekuate të huaja”, rekomandohet në raport.

Pas publikimit të lajmit për tërheqje akreditimi, KALLXO.com kishte kontaktuar me rektorin e Universitetit të Prizrenit, Ismet Temaj, i cili kishte thënë se nuk ka njohuri për këtë vendim të KShC-së.

“Nuk më ka ardhur mua asnjë vendim, nuk kam çka të them”, kishte deklaruar ai duke insistuar të mos flasë.

Ndërkohë kishte reaguar edhe Universiteti i Prizrenit duke e cilësuar këtë vendim si të papranueshëm.

Reagimi i Universitetit të Prizrenit

Kujtojmë se Universiteti i Prizrenit ishte themeluar me 9 tetor të vitit 2009, përmes vendimit të Qeverisë së Kosovës, mirëpo zyrtarisht kishte filluar punën në vitin 2010.

Dosja e ekspertëve ndërkombëtar që rekomandon mosakreditimin e Universitetit të Pejës

Dosja e ekspertëve ndërkombëtar: Kopjimi njëra nga arsyet për mosakreditimin e Universitetit të Mitrovicës