Punësimi - Foto: Rtv21

Efektet e stresit në vend të punës

Kërkesat në vendet e punës çdo herë e më shumë arrijnë të ndikojnë në shtëpitë dhe jetën personale të punëtorëve.

Orari i gjatë duke punuar larg shtëpisë, duke marrë punë në shtëpi, nivele të larta të përgjegjësisë, pasiguri në punë dhe zhvendosje pune, mund të ndikojnë negativisht në përgjegjësitë familjare dhe aktivitetet e kohës së lirë.

Kjo mund të dëmtojë një cilësi të mirë dhe relaksuese të jetës jashtë punës, e cila është një pjesë shumë e rëndësishme e stresit të shkaktuar nga puna.

Përveç kësaj, presionet e brendshme si përgjegjësitë për kujdesin ndaj fëmijëve, shqetësimet financiare, dhe problemet e strehimit mund të ndikojnë në qëndrueshmërinë e një personi në punë.

Gratë në veçanti kanë gjasa të përjetojnë këto burime të stresit, pasi që ende mbajnë më shumë barrë të kujdesit ndaj fëmijëve dhe punëve të shtëpisë sesa burrat.

Përveç kësaj, gratë janë të punësuara kryesisht në vende pune me status të ulët me pagë më të ulët, shpesh mund të bëjnë ndërrime në mënyrë që të akomodojnë përgjegjësitë e brendshme dhe mund të pësojnë diskriminim dhe ngacmim.

Sipas Michac (1997) arsyet për uljen e produktivitetit janë: mungesa e planifikimit dhe motivimit, ndryshimi, atmosfera e dobët dhe mjedisi, komunikimi i papërshtatshëm në shumë nivele, mosidentifikimi me qëllimet e kompanisë.

Hulumtimet treguan shkencërisht se kënaqësia në punë ndikon në performancën dhe produktivitetin e punëtorëve, që do të thotë se një rritje në kënaqësinë e punës rrit performancën e punës.

Në punë grupore mund të ketë shenja të stresit që shkaktohen nga:

  • argumente
  • ndrrim i shpeshtë i stafit
  • raporte tjera të stresit
  • mungesa për shkak të sëmundjes
  • përformancë e dobët
  • ankesat dhe ofendimet

Shenjat e stresit tek punëtorët, një ndryshim se si një individ sillet e vepron mund të jetë një shenjë e stresit, për shembull ata mund të:

  • marrin ditë të lira
  • të mbërrijnë në punë më vonë
  • të jenë më nervoz

Një ndryshim në mënyrën se si dikush mendon apo ndjen mund të jetë gjithashtu një shenjë e stresit, për shembull:

  • jo në humor të mirë
  • më e tërhequr
  • humbje të motivimit, angazhimit dhe besimit
  • reagime emocionale-më të ndjeshme dhe më agresive.

Shumica e studimeve të bëra në këtë temë treguan se stresi mund të jetë kryesisht përgjegjës për rezultatet organizative si rënia e performancës, pakënaqësia, mungesa e motivimit dhe angazhimit dhe rritja e mungesës dhe qarkullimit.

Performanca e një punëtori në vendin e tij të punës është një pikë shqetësuese për të gjitha organizatat, pa marrë parasysh të gjithë faktorët dhe kushtet.

Rrjedhimisht, punëtorët konsiderohen si shumë të rëndësishëm për organizatat e tyre.

Një performancë e mirë e punëtorëve të një organizate rezulton me një ecuri të mirë organizative duke bërë kështu një organizatë më të suksesshme dhe më efektive .

Performanca e punëtorëve ndikohet negativisht nga stresi në vendin e punës. Ky stres zvogëlon efektivitetin e punëtorëve dhe organizimit në një organizatë është reduktimi i produktivitetit.

Produktiviteti i reduktuar gjithashtu mund të rezultojë kur një punonjës po përjeton stres negativ të nxitur nga puna. Punonjësit nën stres janë shumë më pak të prirur për të kanalizuar energjinë në iniciativa të përmirësimit të vazhdueshëm ose në ndjekjen e zgjidhjeve kreative të problemeve.

Ndërsa në mënyrën e vetë-ruajtjes kur merren me stres, individët kanë tendencë të kalojnë kohën dhe energjinë duke bërë minimumin e nevojshëm për të mbajtur lart.

Po ashtu, një ekip tepër i stresuar do të ketë më pak energji për të filluar, pasi studimet kanë treguar se stresi ndikon shumë në energjinë, aftësitë fizike dhe mendore të një personi. Shpesh kërkesa më të mëdha janë vendosur te punëtorët (sidomos në sektorin bankar) në tregun e sotëm konkurrues dhe në klimën e sotme ekonomike. Kompanitë pritet të përpiqen të bëjnë më shumë me më pak punëtorë.

Duke vënë shumë presion dhe stres në stafin për të kryer sa më shumë punë do të ketë në fund të fundit efekt të kundërt – reduktimin e produktivitetit të punonjësve.

Autori është kandidat në doktoraturë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, drejtimi: Menaxhment dhe Informatikë.

Tema e disertacionit: “Metodologjia e matjes së stresit, efektet në motivim dhe performancë në organizatat publike dhe private në Kosovë”