Daniela Tarau qëndroi në një qeli policie për 21 muaj në pritje të gjyqit për një krim që ajo nuk e kishte kryer. Foto: Robert Kallos

E vërteta dhe Drejtësia: Rumunët e akuzuar gabimisht

Rumania ka historinë më të keqe për gjyqe të padrejta në Bashkimin Europian. Me një sistem drejtësie të zhytur në kontroversialitet, viktimat e zakonshme të gabimeve gjyqësore përballen me një betejë të vështirë.

Kur policia rrethoi shtëpinë e tij në një mëngjes të ftohtë janari, Petrica Manolachi e dinte se gjithçka ishte e mbyllur.

Njëzet e nëntë vjeçar që punon si ndihmës kishte jetuar i fshehur përgjatë gjashtë viteve të fundit pasi nuk dëshironte të kthehej në burg për një grabitje që ai nuk e kishte bërë. Por tani oficerët po hynin në shtëpinë e tij në qytetin verilindor të Jasit në Rumani, duke shtyrë mënjanë të dashurën e tij dhe një foshnjë që po qante dhe duke tundur prangat.

“Unë thjesht nuk mund ta besoja se mund të të arrestonin për diçka që nuk e ke bërë,” rikujtoi Manolachi, tashmë 39 vjeç. “Ishte njësoj si në filma kur dikush po lufton për drejtësi.”

Atë ditë në dimrin e vitit 2010 ky ishte kulmi i një beteje për të cilën Manolachi thotë se i vodhi vitet e tij më të mira – dhe që vijon ta konsumojë atë ndërsa beteja për kompensim vijon në një vend që ka historinë më negative për gjyqe të padrejta në të gjithë Bashkimin Europian.

Rumania ia kalon të 27 vendeve të tjera anëtare kur vjen puna te dhunimi i të drejtës për gjykim të drejtë apo gabimeve të tjera në procesin e rregullt gjyqësor, të cilat përcaktohen nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, ECHR.

Jashtë Bashkimit Europian, vetëm Rusia, Turqia dhe Ukraina kanë histori më të keqe, sipas  shifrave më të fundit nga gjykata në Strasburg, e cila ka juridiksion mbi 48 vende që janë anëtare të Këshillit të Europës.

Ndershmëria juridike është një temë delikate në Rumani, ku partia në pushtet, SocialDemokratët (PSD), ka promovuar reforma të mëdha ligjore që nga viti 2016, për të cilat thotë se janë të domosdoshme për t’i bërë gjyqtarët dhe prokurorët më llogaridhënës për keqpërdorimin e drejtësisë.

Reformat përfshijnë krijimin e një njësie hetimore speciale për të hetuar krimet e trupës gjyqësore si dhe fuqi të reja për ministrin e drejtësisë për të emëruar kryeprokurorët.

Por shumica e anëtarëve të sistemit të drejtësisë dhe shumë vëzhgues ndërkombëtarë thonë se ndryshimet synojnë më shumë të dobësojnë pavarësinë e gjykatave se sa për të mbrojtur të drejtat e rumunëve të zakonshëm. Reformat vijnë pas shumë vitesh hetimesh dhe gjykimesh të zyrtarëve të lartë publikë për korrupsion.

Ndërsa reformat ndajnë vendin, advokuesit për drejtësi të ndershme thonë se debati po tërheq vëmendjen nga defektet reale të sistemit të drejtësisë, nga abuzimi i gjithëpërhapur mes oficerëve të policisë gjyqësore te financimi i pamjaftueshëm i ndihmës ligjore shtetërore për të varfrit apo te një kulturë gjyqësore në të cilën të akuzuarit tepër shpesh prezumohen fajtorë deri sa të shpallen të pafajshëm.

Padrejtësitë janë në disa raste të shoqëruara me periudha të gjata paraburgosjeje në pritje të gjykimit, madje edhe për vepra penale të dobëta si dhe nga gabimet e kryera nga gjyqtarë të mbingarkuar me punë që kanë pak kohë në dispozicion për të peshuar provat, thonë kritikët. Rumania gjithashtu nuk ka gjyqe me juri kështu që gjyqtarët mbajnë përgjegjësi të plotë për dhënien e vendimeve.

Remus Budai, një prokuror në Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme në Bukuresht, përdori një analogji nga bota e sportit për të përshkruar se si ndjehet herë pas here në punën e tij në një sistem drejtësie që është larg të qenit perfekt.

“Kur ti shikon futboll në televizor, ti e sheh kur arbitri bën gabim,” i tha ai Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative, BIRN. “Por nëse dikush i bie bilbilit për ty, ti nuk e di gjithmonë se çfarë duhet të bësh.”

Petrica Manolachi i ulur në një stol në Jasi. Manolachi po lufton për kompensim për atë që e quan një jetë të tronditur nga një dënim i padrejtë. Foto: Lorelei Mihala

‘Asnjë shans’

Duke i dhënë makinës nëpër rrugët e Jasit në Roverin e tij klasik shumë të bukur ndërsa kthen me kujdes timonin e veshur me lëkurë të zezë, Manolachi rikujtoi se si të gjitha problemet e sistemit ligjor dukej sikur filluan të komplotonin kundër tij.

Makthi i tij filloi në vitin 2002 kur ai ishte 22 vjeç dhe sapo kishte përfunduar shërbimin e detyruar ushtarak.

Një ditë, policia e thirri atë në komisariat për t’u përgjigjur për një krim të ndodhur në zonë. Tre burra dyshohej se kishin shkuar në derën e një gruaje 80 vjeçare, duke pretenduar se po mblidhin para për kishën. Dy hynë në shtëpinë e saj dhe i vodhën paratë dhe bizhuteritë.

Manolachi kaloi tre ditë në qeli pasi refuzoi të japë deklaratë pa praninë e një avokati.

Ai thotë se katër oficerë policie e rrahën. Prindërit e tij ngritën akuzë për dhunë te Zyra e Prokurorit Ushtarak, i cili mbikëqyr ankesat kundër policisë, por prokurorët thanë se nuk kishte prova të mjaftueshme për të verifikuar pretendimin.

I akuzuar se ishte pjesëmarrës në grabitje, Manolachi kaloi tetë muaj e tri javë në arrest në një burg të sigurisë së lartë në Jasi, ku ai ndau qelinë me gati 50 burra të tjerë që ndanin 30 krevatë marinarësh.

Manolachi u akuzua se po qëndronte roje jashtë shtëpisë së viktimës ndërsa dy burra të tjerë rrëmbyen paratë dhe bizhuteritë. Ai kishte një alibi – tha se ishte me të dashurën e tij në atë kohë. Por ai nuk kishte shumë shpresa se do të besohej, besimi i tij në sistemin e drejtësisë ishte i dobët.

“Unë isha i gatshëm të vuaja dënimin,” tha Manolachi në një intervistë në shtëpinë e tij në Jasi. “Kjo është Rumania dhe ti nuk ke shans të shpëtosh.”

Për kënaqësinë e tij, gjykata e shpalli të pafajshëm për mungesë provash. (Dy burra të tjerë u dënuan. Ghiciuc Bogdan Dumitru mori gjashtë vite e gjashtë muaj burg ndërsa Damian Costantin mori pesë vjet e katër muaj.)

“Te dera e burgut, oficeri tha: ‘Më duhet ta kontrolloj edhe një herë – ka shumë vite që unë nuk kam parë asnjë të shpallur të pafajshëm,'” rikujtoi Manolachi.

Por lirimi i tij shpejt u ndje si një shaka e pamëshirshme. Prokurorët apeluan dhe pafajësia u rrëzua.

Përballur me pesë vjet burg, ai vijoi betejën në Gjykatën e Lartë të Kasacionit dhe Drejtësisë, gjykata më e lartë e Rumanisë. Ai humbi.

Kjo ishte pika kur vendosa të qëndroj i fshehur.

“Ti nuk mund ta kontrollosh veten – nuk e di se cilën rrugë të ndjekësh kur e di se je shpallur i pafajshëm por më pas je dënuar,” tha ai. “Pesë vjet të rrëmbyera nga jeta jote kur nuk ke bërë asgjë të gabuar.”

Manolachi i shpëtoi kapjes duke lëvizur nga shtëpia në shtëpi dhe duke bërë gjithfarë punësh për para.

Ndërsa ende në arrati, ai u ankua në EHCR. Kaluan shumë vite dhe ai nuk mori vesh asgjë më shumë.

Policia e kapi atë më në fund në janar 2010, pak pasi djali i tij kishte lindur, duke e gjurmuar nga informacioni i marrë nga certifikata e lindjes.

Manolachi u dërgua menjëherë në gjyq, por atij nuk iu dha dënim shtesë për arratisjen.

Ai kaloi pothuajse tre vjet burg në dy burgje para se të lirohej me gusht në gushtt 2012. Ndërsa ishte në burg, ai u martua me të dashurën e tij.

Tre vjet pas lirimit, tërësisht papritur, një vendim erdhi nga EHCR ku shkruhej se të drejtat e tij ishin dhunuar.

EHCR tha se Manolachi nuk duhej të ishte dënuar pasi mori fillimisht pafajësinë, në mungesë të provave të reja. Ajo tha gjithashtu se gjykata kishte dështuar të dëgjonte Manolachin apo dëshmitarët, duke e marrë vendimin vetëm në bazë të deklaratave të dhëna nga policia dhe dëshmia nga gjyqi i mëparshëm.

Çështja e tij u rihap. Në prill 2017, gjykata e apelit në Jasi e rrëzoi dënimin dhe e shpalli të pafajshëm. Manolachi tashmë po hedh në gjyq shtetin për pothuajse 1 milionë euro kompensim.

‘Gabime në gjykim’

Sipas Fair Trials, një organizatë mbikëqyrëse e drejtësisë penale me bazë në Bruksel, gjikimet mund të konsiderohen të drejta vetëm në rast se mbrojtëse u garantohen disa të drejta të panegociueshme. Këto të drejta përfshijnë aksesin te avokatët dhe informacionin si dhe prezumimin e pafajësisë.

“Është shteti që ka nevojë të provojë se ti je fajtor, jo ti që ke nevojë të provosh se je i pafajshëm,” tha zëdhënësi Gianluca Cesaro.

Mes viteve 2011 dhe 2018, më shumë se 27,000 njerëz të dënuar për krime në Rumani kërkuan rigjykime në bazë të një mekanizmi ligjor të njohur si “rishikim” dhe “apel për anulim”, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë.

Gjykatat miratuan 242 rigjykime ndërsa 17 njerëz u shpallën të pafajshëm në këtë mënyrë.

Rigjykimet u lejuan nëse shfaqeshin prova të reja ose nëse ECHR gjykon se të drejtat e të akuzuarit nuk ishin respektuar.

Gjithashtu mes viteve 2011 dhe 2018, 688 njerëz shkuan në gjykatë për të kërkuar kompensim për “riparim të keqpërdorimit të drejtësisë”, dhe 80 prej tyre fituan dëmshpërblim, tha ministria. Nuk kishte të dhëna mbi sasinë e kompensimit.

Në të njëjtin vit, statistikat e ECHR treguan se gjykata e Strazburgut konsideroi të drejta 49 ankesa për dhunim të të drejtave të lidhura me proces të rregullt gjyqësor në Rumani.

ECHR nuk gjykon nëse njerëzit janë të fajshëm apo të pafajshëm, por vetëm nëse të drejtat e tyre janë dhunuar apo jo.

Përveç 11 dhunimeve të të drejtës themelore për gjykim të drejtë, ankesat e miratuara nga ECHR përfshinin 20 raste trajtimi çnjerëzor apo degradues, 12 raste për hetime jo të rregullta dhe gjashtë raste për proces të stërgjatur.

Gjykata trajtoi 3,981 aplikime nga Rumania më 2017. Shumë nga vendimet u zbatuan për çështje të vjetra për shkak se mund të nevojiten disa vite deri sa ECHR të arrijë një vendim.

Vetëm tre vende të Këshillit të Europës kanë histori më të keqe se sa Rumania për procese gjyqësore të padrejta të shqyrtuara nga ECHR më 2017.

Rusia shënoi 217 dhunime të të drejtave të ndryshme të lidhura me procesin e rregullt ligjor ndërsa Ukrania kishte 78 e Turqia kishte 62.

Në anën tjetër të renditjes, 10 vende nuk kishin dhunime të lidhura me procesin gjyqësor, sipas vendimeve të ECHR: Shqipëria, Andorra, Danimarka, Irlanda, Lihtenshteini, Luksemburgu, Malta, Norvegjia, San Marino dhe Suedia.

Pyetur për të komentuar mbi historinë e keqe të Rumanisë në lidhje me vendimet e ECHR-së, zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë Ana Mihaila, tha se vendi ka “kuadrin kushtetues dhe infra-institucional e ligjor” të nevojshëm për njerëzit që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre për gjykim të drejtë.

Cristi Danilet, një gjyqtar në Gjykatën Kluj në Rumaninë perëndimore dhe ish anëtar i Këshillit të Lartë të Magjistratëve, CSM, organi që garanton pavarësinë e sistemit të drejtësisë, tha se të dhënat e ECHR paraqesnin një panoramë keqinformuese për shkak se shumë nga çështjet e lidhura me Rumaninë datonin nga gjashtë apo tetë vjet më herët.

Që nga ajo kohë, tha ai, reformat e CSM-së kanë ulur gjatësinë e gjykimeve dhe kanë përmirësuar efikasitetin e hetimeve mbi brutalitetin policor apo shkelje të tjera.

Por ai tha se gjykatat ishin ende të dyshuara për “gabime më gjykime” të shkaktuara nga deklarata false të mbledhura nga oficerë policie pa skrupuj.

“Unë kam pasur një rast ku polici nuk gjente dot një dëshmitar dhe për këtë arsye kërkoi për ‘shërbim dëshmitari’, duke sjellë një nga informatorët e shumtë të polivisë,” tha ai. “Polici shkroi deklaratën, e thirri atë, i dha atij një pije. Ai as nuk e dinte se çfarë kishte firmosur.”

Ai vijoi: “për gabimet në gjykim ne, [gjyqtarët] nuk mbahemi përgjegjës. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës.”

Pasi u shpall e pafajshme për një krim që ajo nuk e kishte kryer, Daniela Tarau krijoi një shoqatë për të ndihmuar viktimat e gabimeve gjyqësore. Foto: Robert Kallos

‘Më çuan në ferr’

Në verën e vitit 2000, një nënë 29 vjeçare e quajtur Daniale Tarau punoi për disa javë si sekretare në një kompani në Bukuresht e cila rekrutonte punëtorë për vende pune në Izrael. Ajo përgatiste kafenë dhe i përgjigjej telefonatave para se të detyrohej të largohej nga firma për t’iu nënshtruar një operacioni për kancer në mëlçi.

Një vit më vonë, ajo u thirr në një stacion policor për të shërbyer si dëshmitare në një rast mashtrimi të lidhur me kompaninë. Por ajo shpejt e pa veten të akuzuar.

“Mbërrita në mëngjes dhe ika gati dy vjet më vonë,” tha Tarau, tashmë 47 vjeç.

Bashkë me pesë të tjerë nga stafi i kompanisë së rekrutimit, ajo u akuzua për mashtrimin e 44 njerëzve që kishin paguar para për të gjetur vende pune jashtë vendit. Tarau pretendoi se ajo kishte ndërprerë marrëdhëniet e punës me kompaninë kur pagesat ishin bërë.

Ajo u mbajt për 24 orë në një qeli policie pak më e madhe se një banjo me katër krevate marinari të ngjeshura në mure.

“Mendova se më kishin çuar në ferr,” tha Tarau. “Ishte aq vapë dhe të merrej fryma nga tymi i duhanit.”

Pastaj filloi cikli i masës së sigurisë me arrest në burg në pritje të gjykimit.

Fillimisht, prokurori, Cristian Panait, kërkoi që Tarau të mbahej në polici për pesë ditë, pastaj për një muaj. Procesi u përsërit 21 herë, a thua se kishte një pilot automatik.

Tarau tha se 28-vjeçari Panait dukej i paqëndrueshëm. Ai i bërtiti asaj dhe në një rast e kërcënoi se do ta hidhte nga dritarja, thotë ajo.

“Nga pikëpamja ime… prokurori ishte një lloj zoti që përcaktonte nëse vendi im ishte aty apo jo. Dhe ai vendosi që vendi im ishte pikërisht aty… pavarësisht mungesës së provave në dosje.”

Shumë muaj më vonë, Panait kreu vetëvrasje. Disa gazeta e lidhën vdekjen e tij me atë që e përshkruan si presion politik për të hetuar një koleg prokuror në një çështje tjetër. Në vitin 2015, regjisori rumun Tudor Giurgiu publikoi një film pak të bazuar në muajt e fundit të jetës së tij.

Pavarësisht kontekstit të sjelljes së Panait, Tarau beson se prokurori shkeli të drejtat e saj. Kur një gjykatë në fund i dha asaj një dënim me kusht prej tri vitesh e tre muajsh për mashtrim, në nëntor 2002, ajo kishte qëndruar në paraburgim për më shumë se 21 muaj.

“Ajo që është shqetësuese nga këndvështrimi ynë është kohëzgjatja e mbajtjes së një personi në paraburgim,” thotë Nicoleta Andreescu, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Rumani – Komiteti i Helsinkit, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Bukuresht.

“Ky paraburgim është shpesh një formalitet për shkak se prokurorët kërkojnë 30 ditë dhe gjyqtarët e lejojnë atë dhe pastaj ata thjeshtë e rishikojnë vendimin automatikisht. Ligjërisht, ti nuk mund të qëndrosh në paraburgim pa dalë në gjyq për më shumë se 180 ditë.”

Të pesë të tjerë të akuzuar për mashtrimin e klientëve – përfshirë edhe pastruesen e firmës dhe bashkëshortin e saj, një shofer – u shpallën gjithashtu fajtorë.

Pas lirimit të saj, Tarau dërgoi dhjetëra ankesa në parlament, në zyrën e presidentit dhe në gjykata duke argumentuar pafajësinë e saj dhe duke kërkuar rigjykim. Ajo gjeti një mënyrë për të parë nëse ndokush i kishte lexuar letrat e saj: ajo lidhi me njëra-tjetrën faqet në mes.

‘Unë shkova në arkivin e gjykatës… dhe i gjeta ato ende të lidhura,” thotë ajo.

Tarau dorëzoi një ankesë te ECHR, e cila vendosi më 2009 se e drejta e saj për gjykim të drejtë ishte shkelur. Vendimi thotë se asaj i ishte mohuar ndihma e duhur ligjore dhe ishte ndaluar të pyeste viktimat e krimit apo të thërriste dëshmitarë. Ajo shtoi se paraburgimi ishte tepër i gjatë.

Gjashtë vjet më vonë, një gjykatë në Bukuresht e rigjykoi dhe ajo u shpall e pafajshme. Ajo kërkoi 900 mijë euro dëmshpërblim por iu dhanë 100 mijë.

‘Kompensim i drejtë’

Tarau mori gjithashtu 4 mijë euro për :kompensim të drejtë,” një formë kompensimi dhënë nga ECHR por që paguhet nga vendi i paditur. Kjo është një shumë më e vogël se sa dëmshpërblimet tipike që jepen nga gjykatat vendëse.

Sipas Këshillit të Europës, organit të të drejtave të njeriut që monitoron pagesat e kompensimit të drejtë, Rumania dorëzoi 53.7 milionë euro në raste të tilla kompensimi përgjatë dhjetë viteve të fundit.

Më 2017, Rumania pagoi 2.6 milionë euro pas vendimeve të dhëna nga ECHR. Ndryshe nga Rumania, Danimarka dhe Norvegjia nuk paguan asgjë ndërsa Suedia pagoi 5 mijë euro vitin e kaluar. Në anën tjetër të listës, Rusia dhe Turqia paguan respektivisht 15 milionë dhe 12 milionë.

Në Rumani, të gjitha dëmet paguhen nga ministria e financave. Gjyqtari Danilet tha se në teori, ministria mund të hedhë në gjyq gjyqtarët dhe prokurorët përgjegjës për keqmenaxhimin e drejtësitë për të rikuperuar paratë por në praktikë kjo nuk ndodh kurrë.

“Një kepërdorim i drejtësisë është një vendim që merret nga një prokuror apo një gjykatës me vetëdije kundër ligjit apo provave në dosje, qoftë e bërë qëllimisht… qoftë e bërë me paaftësi serioze,” tha ai.

Gjyqtarët dhe prokurorët mund të mbahen përgjegjës përmes veprimeve disiplinore apo procedimeve penale, shtoi Danilet. Sanksionet disiplinare variojnë nga paralajmërimet dhe mbajtjet në pagë te pezullimi dhe përjashtimi nga pozicioni. Dënimi për shkeljet penale është burgu.

CMS raportoi se më 2017 ajo dha 22 sanksione disiplinare për gjyqtarët dhe 10 për prokurorët. Ajo nuk sqaroi se sa dënime lidheshin me keqpërdorimin e drejtësisë apo shkelje të tjera.

Ligjvënësit kanë cituar raste të tilla si ai i Manolachi dhe Tarau si justifikime për reformën në sistemin e drejtësisë që ata nisën të shqyrtojnë në procedura parlamentare më 2016.

Kritikët e konsiderojnë reformën një përgjigje e hapur politike ndaj një serie rastesh për korrupsion që kanë rrëzuar peshqit e mëdhenj – përfshirë udhëheqësin e PSD-së Liviu Dragnea, i cili në qershor u dënua me kusht për tri vite e gjysmë për abuzim me detyrën. Çështja është në apel.

Zërat ndërkombëtarë kundër përfshijnë Komisioni Europian dhe Departamentin e Shtetit të SHBA-së bashkë me shumë të tjerë.

“Ato [reformat] mbartin një numër masash që dobësojnë garancitë ligjore për pavarësi të gjyqësorit dhe që ka gjasa do të minojnë pavarësinë efektive të gjyqtarëve dhe prokurorëve, rrjedhimisht besimin e publikut te sistemi i drejtësisë,” tha Komisioni Europian në një raport në mes të nëntorit.

Mes shqetësimeve, ajo shënjestroi veçmas njësinë e re speciale të prokurorisë për hetimin e shkeljeve të kryera nga gjyqtarët dhe prokurorët dhe “zgjerimin e bazës për shkarkim të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Magjistratëve”.

Në shtator, rreth 3 mijë gjyqtarë zhvilluan një protestë të heshtur para Gjykatës së Apelit të Bukureshtit, duke mbajtur pankarta “Për Drejtësi të Pavarur”.

Pas në Jasi, Petrica Manolachi bën gjithçka që mundet në sektorin e ndërtimit ndërsa lufton për të marrë kompensimin. Në kohën e tij të lirë, ai bredh me makinën e tij dhe merr pjesë në takimet e klubit të automobilëve Rover.

ECHR i dha atij 3 mijë euro kompensim por ai po kërkon zhdëmtime të tjera në gjykatat e Rumanisë.

Në mars, gjykata në Suceava vendosi kundër tij, duke argumentuar se nuk kishte asgjë të paligjshme në lidhje me arrestimin apo kohën e kaluar në paraburgim, edhe pse më pas ai u shpall i pafajshëm. Apeli pritet të zhvillohet në Gjykatën e Apelit të Suceavas.

Në Bukuresht, Daniela Tarau ka krijuar një shoqatë për të ndihmuar viktimat e abuzimeve gjyqësore në përpjekjet e tyre për të kërkuar shpagim.

Ajo u martua me një polic, mori një diplomë si juriste dhe plotësoi studimet master në Akademinë e Policisë. Ajo bëri doktoraturën mbi kushtet në burgjet e Rumanisë dhe dëshiron të shkruajë një libër mbi këtë temë.

Duke rikujtuar telashin e saj, ajo thotë se çështja e saj ishte thjeshtë tepër e vogël aq sa kaloi me lehtësi në të çarat e një sistemi të rrënuar – me pasoja shkatërrimtare për të personalisht.

“Nuk ishte një çështje e rëndësishme,” tha ajo. “Ishte një nga ato çështje që procedoi automatikisht… ‘Kush është kjo? Askushi.'”

Suedia bën ndryshime për keqpërdorim të drejtësisë

Pesëmijë kilometra nga Rumania në El Hierro, ishulli më i vogël mes ishujve Kanaries të Spanjës, Kaj Lina po qetësohej pasi kaloi 13 vjet në një burg në Suedi, i akuzuar gabimisht për vrasje.

“Unë qëndrova në izolim për shumë muaj dhe vite,” thotë suedezi 56-vjeçar. “Ti mund të më marrësh për të çmendur apo për njeri të trishtuar, ti mund të më bësh mua të qaj por ti nuk mund të më thyesh.”

Duke qëndruar pranë një muri guri gjysmë të ndërtuar në një kodër me pamje nga oqeani, Linna shpjegoi se si ai po ndërton një hotel me paratë nga kompensimi më i madh i dhënë në historinë e Suedisë për keqpërdorim të drejtësisë: 1.8 milionë euro (18 milionë korona suedeze).

Kancelari i Drejtësisë së Suedisë i tha BIRN se pagesa ishte një “zgjidhje me mirëkuptim” për të kompensuar Linna për kohën që ai kaloi në burg pasi u shpall i pafajshëm më 2017.

Dënimi i tij u rrëzua dhe ai u lirua nga dënimi me burg për jetë pasi Anton Berg, një producent në një stacion radiofonik publik në Stokholm, filloi të hetojë çështjen e tij.

“Unë zbulova se nuk kishte prova të forta, nuk kishte gjurmë të ADN-së apo gjurmë gishtash,” tha Berg përmes Skype. “Aktualisht, askush nuk e kishte parë Linna-n në skenën e krimit.”

Berg kapi një dëshmitar duke e regjistruar ndërsa pranonte se kishte implikuar me dëshmi të rreme Linna-n në një grabitje të kthyer në vrasje në një fshat të thellë në veri të Suedisë, Kalamark. Kjo ishte e mjaftueshme për të sjellë rigjykim të çështjes në Gjykatën Supreme.

“E dija gjatë të gjithë kohës se një ditë do të lirohesha, por nuk e dija se do të duheshin 13 vjet,” tha Linna.

Ndërsa ishte në burg, Linna aplikoi në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, por kjo e fundit vendosi se ankesa e tij ishte e papranueshme.

Vitin e kaluar, Linna u martua me Petra Wullrich, mësuesen e tij spanjolle në burg. Të dy ranë në dashuri ndërsa ai ishte i burgosur. Kur gjërat u bënë serioze, ajo dha dorëheqjen si mësuese dhe vijoi ta vizitojë atë si e fejuar.

Pas lirimit, ata lëvizën bashkë në El Hierro për të nisur një jetë të re.

Linna tha ai shpresonte që Suedia të krijonte një ditë një organ të ngjashëm me Komisionin e Rishikimit të Çështjeve Penale në Britani, i cili është përgjegjës për hetimin e rasteve të dyshuara për keqpërdorim të drejtësisë.

Një organ i tillë nuk ekziston as në Rumani.

Kaj Linna qëndron pranë murit të një shtëpie që ai po rindërton në El Hierro në ishujt Kanarie të Spanjës, ku ai po ndërton një hotel me paratë që mori nga kompensimi më i madh i dhënë ndonjëherë në Suedi për keqpërdorim të drejtësisë. Foto: Lorelei Mihala

Provat e fshehura

Rasti më i famshëm i keqpërdorimit të drejtësisë në Rumani lidhej me Marcel Tundrea, i cili u dënua me 25 vjet burg për përdhunimin dhe vrasjen e një vajze 14 vjeçare më 1992 në fshatin jugor Pojogeni.

Tundrea ishte 42 vjeç kur ai u dënua. Dymbëdhjetë vite më vonë, provat e DNA të cilat nuk ishin të disponueshme në kohën e gjyqit të tij të parë, provuan se ai nuk ishte vrasësi. Ai u lirua më 2004.

Remus Budai, një prokuror në Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme u emërua për të punuar për rastin e pazgjidhur pasi Tundrea la burgun.

“Fillova me një paragjykim të madh sepse mendoja se sistemi ynë i drejtësisë nuk mund të bënte një gabim të tillë të madh,” tha ai. “Kishte disa gjëra që nuk dukeshin të drejta.”

Gjatë hetimit të tij, Budai zbuloi parregullsi të cilat ai ia atribuoi Ion Diaconescut, prokurorit në gjyqin e Tundreas, përfshirë fshehjen e provave kyçe dhe dështimin për të thirrur Gheorghe Avram, i cili njihej nga policia si personi i fundit që kishte parë vajzën gjallë.

Sipas një padie të dorëzuar nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe parë nga BIRN, Budai doli në konkluzionin se Diaconescu kishte kryer abuzim me detyrën, një vepër penale e dënueshme me deri tre vjet burg në atë kohë. Gjithsesi, ndaj Daconescut nuk mund të ndërmerren veprime për shkak të parashkrimit të dënimit, pesë vjet në rastin e shkeljeve të tilla.

Dan Antonescu, një ish shef i departamentit të vrasjeve në policinë e Bukureshtit, tha: “ne po flasim për një prokuror i cili qëllimisht fshehu provat. Ai nuk deshi të kontrollonte alibinë e Tundreas, një gabim i bërë së paku dy apo tre herë.”

Më 2010, Budai urdhëroi një test ADN-je për Avram. Kjo provoi se ai ishte vrasësi.

Tundrea nuk mësoi kurrë për dënimin e Avram. Ai vdiq më 2007 nga një sëmundje mushkërish që kishte marrë gjatë kohës që qëndroi në burg. Ai u shpall i pafajshëm pas vdekjes.

Të lënë pa ndihmë ligjore falas

Përfaqësimi joefikas nga një pjesë e avokatëve të ndihmës ligjore falas në Rumani është një kontribuues i madh në dënimet e gabuara, thonë aktivistët për drejtësi.

“Ata janë jashtëzakonisht të keqpërgatitur,” thotë Cristi Danilet, një gjyqtar në Gjykatën Kluj në Rumaninë perëndimore.

“Ata nuk bëjnë asnjë përpjekje, nuk janë të interesuar për çështjen, ata nuk e lexojnë dosjen, nuk flasin me klientin ose thjeshtë vijnë në gjykatë dhe thonë, ‘e lëmë në çmim të gjykatës.'”

Nicoleta Andreescu, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Rumani – Komiteti i Helsinkit, citoi një shembull të kohëve të fundit nga një gjykatë në kryeqytet.

“Kolegët e mi ishin në gjykatë kur një avokat kërkoi që një nga klientët e tij të lirohej sepse ai kishte një fëmijë në shtëpi: Gjyqtari pyeti avokatin: ‘Zotëri, a e dini ju se për çfarë është arrestuar klienti juaj?’ Klienti ishte akuzuar për ngacmim seksual ndaj të bijës.”

Në vitin 2017, Rumania shpenzoi pothuajse tetë milionë euro në ndihmë ligjore, sipas shifrave të Ministrisë së Drejtësisë të kërkuara nga BIRN.

Sipas një studimi të vitit 2010 mbi shpenzimet për ndihmë ligjore në vende të ndryshme të Europës nga Asambleja e Irlandës së Veriut, Rumania shpenzoi mesatarisht 23 euro për çështje penale, në krahasim me 1,024 euro të shpenzuara në Holandë dhe 1,003 euro në Irlandë.

Në bazë të një marrëveshjeje mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Shoqatës Kombëtare të Avokatëve të Rumanisë, avokatët e ndihmës ligjore që punojnë në çështje penale marrin mes 30 dhe 112 euro për çdo person që ata përfaqësojnë, në varësi të llojit të punës. Paga mesatare neto në Rumani është 510 euro në muaj.

Të mbingarkuar me punë

Gjyqtarët në Rumani kanë detyrë ligjore t’i kushtojnë sasi të caktuara kohe çdo javë detyrave specifike: dy ditë për leximin e dosjeve, dy ditë për shkrimin e vendimeve dhe një ditë për dëgjesa publike.

Në praktikë, shumë janë aq të mbingarkuar me punë sa detyrohen të injorojnë detajet specifike, thonë aktivistët për drejtësi.

Sipas të dhënave të Këshillit Të Lartë të Magjistratëve, i cili mbikëqyr sistemin e drejtësisë, gjyqtarët te Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe Drejtësisë trajtojnë mesatarisht 1 mijë çështje në vit.

Sa për krahasim, kolegët e tyre në Gjykatën Supreme të Suedisë merren me më pak se 500 çështje në vit, sipas Administratës Kombëtare të Gjykatave të Suedisë.

 

Lorelei Mihala është gazetare në Televizionin Kombëtar të Rumanisë. Redaktimi u bë nga Timothy Large. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative.