E Gjeti me Bakllavë dhe Çaj

Djali i të pandehurit Lutfi Dervishi, Rinor Dervishi, dëshmoi të martën së seancën e mbajtur para kolegjit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë për rastin Medicus.

Dervishi para kolegjit tregoi se si kishte marrë një thirrje nga dr. Somnez dhe i ishte kërkuar që të takohej me të. “Pas 40 minutave që u largova nga klinika dola për kafe me djalin e hallës, kur më bëri telefoni, me thërriste dikush pa numër, hapa telefonin dhe ishte dr. Yosufi i cili më kërkoi që të takohemi tek Hotel Baci ku edhe tha se po qëndronte”.

“Fillimisht në telefon më tha se duhet t’i ndihmoi që t’a kthejë një makinë që e kishte marrë me qira pasi që nuk kishte mundësi që ai vet ta bënte me që  më tha se po shkonte për Pejë”, deklaroi Rinori.

“Kur u futa në Hotel Baci, dr.Yosuf qëndronte i ulur në hollin e hotelit dhe përpara kishte llaptopin e tij, aty ai po hante bakllavë dhe po pinte çaj”, shtoi dëshmitari. “M’i dha çelësat e veturës dhe më tha se i duhet të shkojë urgjentisht për Pejë për një punë, ndërsa makinën e kishte paguar deri të nesërmen”.

“Kur shkova të nesërmen që ta dorëzojë makinën, pronari më tha se doktorin e kanë kërkuar polica dhe se i kanë thënë atij që kur ta sjell makinën ta lajmëroi policinë. Aty unë lash lejen time”, tregoi Dervishi, duke folur për ditën e parë pas bastisjes në klinikë.

Rinori i tregoi kolegjit se si kishte pasur edhe raste të tjera që në klinikën Medicus e kishte takuar dr. Yosuf Somnezin, por që nuk e kishte ditur punën që ai bënte aty. Po ashtu tregoi se në klinikë ka shkuar vetëm kur është prishur ndonjë kompjuter për ta rregulluar.

Dëshmitari Rinor Dervishi e përshkroi dr. Somnezin, nga ajo që e kishte parë në klinikë si një njëri të hollë, pa flokë dhe me syze.

Ai foli edhe për bastisjen dhe për mënyrën e arrestimit të dr.Tunë Përvorfit dhe të tjerëve në prani të mediave të vendit, të ftuara nga polica.

“E mbaj në mend mirë se si Veton Elshani tha ‘ju q… nonën mediave që çdo herë vonohen’. Këto fjalë i tha me zë të ngritur”, u shpreh ai.

Gjatë seancës së sotme si dëshmitar para kolegjit u paraqit Imer Asllani, i cili kishte punuar si infermier në Medikus. Më saktë i njëjti tha se kishte punuar në mjekimin intensiv dhe i kishte rënë rasti të shihte pacientë të huaj me vraga në pjesën abdominale si dhe nën përkujdesjen e dr. Yosuf Somnez.
“Ka pasur disa pacientë në mjekim intensiv që nuk flisnin shqip dhe komunikimi me ta është bërë me gjuhen e trupit”, tha Asllani.

I njëjti tregoi se punonte vetëm në katin e parë dhe vetëm në pjesën intensive ku trajtimi për pacientët është intensiv. Si detyra kishte pas që të shkonte dhe shikonte pulsin, të maste tensionin dhe t’i jepte të gjitha barnat pacientit.

“Gjatë punës si infermier aty kam parë vragat e pacientëve të cilat kanë qenë në pjesën abdominale (pjesën e poshtme të barkut) por që punët rreth pastrimit i kryente vetëm dr. Yosuf Somnezi pasi që nuk lejonte askënd që të afrohet aty”, tregon Imer Asllani duke shtuar se “Barnat dhe terapinë e pacientëve e përshkruante dr. Somnez”.

Gjatë kësaj seance dëshmuan edhe dëshmitaret Ajmone Ahmeti, e cila kishte punuar si infermiere në klinikën Medicus dhe deklaroi se ka punuar vetëm në katin përdhesë duke mos pasur as njohuri e as qasje në katin e parë.

Në lidhje me atë se a kishte pasur pacientë të huaj në katin përdhes ajo shtoi “Unë i kam regjistruar pacientët, por nuk më kujtohet të ketë pasur ndonjë të huaj”.

Dëshmitarja Sanije Xhemajli, police me gradën e rreshterit në polici, dëshmoi para kolegjit se si policia e kishte marrë viktimën dhe e kishte dërguar në stacion e pastaj në vend të sigurt, po ashtu tregoi edhe për marrjen në pyetje të dr. Tunë Përvorfit.

Në fund dëshmoi dr. Tefik Bekteshi, i cili kishte punuar në klinikën Medicus si kardiokirurg. I njëjti tregoi se asnjëherë nuk kishte parë Somnezin në atë klinikë dhe se të vetmit mjekë të huaj që kishte parë ishin disa gjermanë që kishin investuar në kardiokirurgji.

Pas përfundimit të dhënies së dëshmisë së këtij dëshmitari, av. Florim Vërtopi propozoi që shqyrtimi të shtyhet deri në datën kur kolegji merr aktvendimin në lidhje me provat, pasi që dëgjimi i dëshmitarëve në lidhje me çështjen e provave do të jetë paragjykim i vendimit të gjykatës.

Prokurori e kundërshtoi në tërësi këtë propozim të mbrojtjes, pasi që sipas tij nuk do të ketë pyetje në lidhje me bastisjen dhe gjerat që lidhen me të.

Kolegji deklaroi se për këtë çështje do të vendoset të nesërmen në mëngjes, ndërsa dëshmitarët e ftuar të cilët do të paraqiten në gjykatë janë Alush Gashi dhe Zef Komoni.

Të pandehurit në këtë çështje janë Lutfi Dervishi me profesion mjek dhe profesor urologjie, Arban Dervishi ekonomist i diplomuar, Driton Jilta mjek nga komuniteti turk në Kosovë e po i njëjti ka qenë edhe punëtor shëndetësor i OSCE në Kosovë, Ilir Recaj mjek njëkohësisht edhe Sekretar Permanent në Ministrin e Shëndetësisë në kohën e Alush Gashit, Sokol Hajdini mjek anesteziolog, Islam Bytyqi mjek anesteziolog dhe Sylejman Dula mjek anesteziolog.

Të gjithë këta akuzohen për Krim të organizuar, Trafikim me njerëz, Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe Shpërdorimi i detyrës zyrtare ose i autorizimit të gjitha në bashkëkryerje”.