Dosje dhe më shumë dosje. Advokuesit për transparencë thonë se ndryshimet e kohëve të fundit në ligjin e të drejtës së informimit në Malin e Zi po ndihmojnë institucionet publike të fshehin informacionin. Foto: Vladimir Vucinic

E Drejta për të Ditur: Një udhërrëfyes për fillestarët mbi sekretin shtetëror

Qeveritë në Ballkan po ndryshojnë ligjet mbi transparencën duke e bërë më të vështirë punën e gazetarëve dhe aktivistëve për të mbajtur pushtetin llogaridhënës.

 

Vuk Jankovic u mbërthye nga manitë rinore kur ishte student ligji në Universitetin e Malit të Zi në Podgoricë. Por në vend të duhanit, alkoolit apo drogës, varësia e tij përfshinte bezdisjen e institucioneve shtetërore në kërkim të informacionit.

Lajmi i mirë është se ata ligjërisht janë të detyruara t’i përgjigjen atij.

Sipas ligjit për të drejtë informimi të miratuar në Malin e Zi më 2005, institucionet publike kanë 15 ditë kohë për t’iu përgjigjur kërkesave për të dhëna apo dokumente mbi çdo gjë, nga shpenzimet buxhetore dhe tenderët e qeverisë te menaxhimi i pronave publike dhe makinacionet pas privatizimeve.

Çdokush mund ta bëjë atë, megjithëse të fiksuarit pas praktikës thonë se kërkesa efikase ka për nevojë të jetë precize. Nëse e bën të përgjithshme, institucionet do të shmangen në përgjigje apo do të mbushin emailin tuaj me dokumente të pavlera.

“Aksesi në informacion është shpesh një proces jashtëzakonisht i lodhshëm dhe që kërkon kohë, veçanërisht kur autoritetet qëndrojnë të heshtura dhe shmangin përgjigjet,” thotë Jankovic, një aktivist antikorrupsion, për Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative, BIRN.

Mirë se vini te fjala FOIA (Akronim në anglisht për Kërkesë për të Drejtë Informimi).

Mbrojtësit e të drejtës për të ditur përdorin këtë akronim për t’iu referuar Ligjit për të Drejtë në Informim, një armë e fuqishme në arsenalin e tyre të kërkimit të llogarisë ndaj njerëzve në pushtet. Ata madje e përdorin atë edhe si folje, “të FOIA” që do të thotë të dërgosh një kërkesë formale sipas kushteve të ligjit.

Kërkesat për të drejtë informimi i kanë vënë politikanët me shpatulla pas muri. Ato kanë çuar në gjyqet që po vijojnë ish kryebashkiakun e Podgoricës Miomir Mugosa dhe ish kryebashkiakun e Tivarit Zarko Pavicevic, të cilët janë deklaruar të pafajshëm para akuzave për abuzim me detyrën. Një kërkesë e tillë ndihmoi për ekspozimin dhe dënimin e Svetozar Marovic, ish-president i asaj që dikur ishte shtet i përbashkët i Serbisë dhe Malit të Zi si udhëheqës të një organizate kriminale.

Në shkollën e ligjit, Jankovic dërgoi kërkesa për të dhëna nëpër gjykata në funksion të temës së tij mbi ligjshmërinë e kredive konsumatore predatore, duke farkëtuar aftësi që do t’i shërbejnë më vonë mirë në punën e tij aktuale si kreu i programeve ligjore në Rrjetin e Afirmimit në sektorin jofitimprurës, një organizatë që më së shumti njihet si MANS.

Nëse Jankovic është i fiksuari pas kërkesave për të drejtë informimi, atëherë MANS është vendi i duhur për të punuar. Organizata ka reputacionin se përmbyt institucionet me kërkesa për informacion dhe që refuzon të pranojë Jo për përgjigje.

Jankovic vlerëson se ka dërguar më shumë se 50 mijë kërkesa për llogari MANS përgjatë katër viteve të fundit.

Por puna e tij po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Advokuesit për transparencë thonë se rishikime të kaluara pa bujë në ligjin për të drejtë informimi i japin institucioneve më shumë diskrecion për të refuzuar kërkesat mbi bazën magjepsëse të sekretit ndërsa kufizojnë rolin e autoriteteve mbikëqyrëse në sfidimin e pengesave.

“Nëse më lejohet të jem ironik, mund të them se sfidat e kohëve të fundit në ligjin për të drejtë informimi do të na mundësojnë ne të shohim se sa krijues do të tregohen zyrtarët në gjetjen e arsyeve për të deklaruar informacione të caktuara si sekret shtetëror,” thotë Radenko Lacmanovic, një anëtar i këshillit mbikëqyrës të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Aksesit në Informacion, AZLP, institucioni që detyron zbatimin e ligjit.

Gazetarët ankohen gjithashtu për ato që i shohin si barriera më të mëdha kundër llogaridhënies.

“Pas ndryshimeve të kryera, çdo gjë mund të bëhet informacion i klasifikuar,” tha Milka Tadic-Mijovic, kryeredaktor në Qendrën Malazeze për Gazetari Investigative.

Hapat pas në aksesin në informacion nuk janë unikë në Malin e Zi. Reporterët dhe aktivistët antikorrupsion thonë se institucionet në Serbi dhe Kroaci janë duke minuar angazhimin e marrë për të arritur standardet europiane.

Rezultati është një goditje tjetër për median e pavarur dhe shoqërinë civile në vendet ku aspiratat e BE-së përballen me prirjet shtypëse autoritariste, nepotizëm dhe kulturë sekretive, thonë ata.

“Disa kufizime serioze [në ligjet për transparencë] kanë ndikim veçanërisht negativ në aftësinë e aktorëve civilë në plotësimin e roleve të tyre si mbikëqyrës publikë,” thotë përmes një emaili për BIRN Helen Darbishire, drejtoreshë ekzekutive në grupin e të drejtave Access Info Europë, me bazë në Madrid.

“Këto kufizime bien drejtpërsëdrejti në kundërshti me standardet ndërkombëtare për të drejta të njeriut dhe jurispudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.”

Fanatiku i kërkesave për të drejtë informimi: Vuk Jankovic, kreu i programeve ligjore në Rrjetin e Afirmimit të Sektorit Jofitimprurës, vlerëson se ai ka dërguar më shumë se 50 mijë kërkesa për të drejtë informimi. Foto: Vladimir Vucinic

Sekrete jozyrtare

Më 27 prill të vitit të kaluar, ligjvënësit miratuan një ligj të ri për ta bërë Malin e Zi me legjislacion të përputhshëm me një Direktivë të BE-së për ripërdorimin e informacionit të sektorit publik. Si një vend kandidat për anëtarësim, Mali i Zi është i detyruar të përafrojë ligjet e tij me ato të bllokut.

Pothuajse pa u menduar dhe pa debat, ata votuan 42 me 0 në favor të katër amendimeve të ligjit për të drejtë informimi të cilat anëtarët e një komisioni parlamentar kishin vendosur t’i paraqisnin gjatë një takimi 10-minutësh më herët atë pasdreke, sipas procesverbalit të takimit.

Vendimi nga Komiteti i Sistemit Politik, Ligjit dhe Administratës erdhi tre ditë pas një ligjvënës nga partia në pushtet me emrin Marta Scepanovic i pati thënë komitetit se ndryshimet në ligj ishin të nevojshme për ta “bërë atë më efikas”, shkruhet në procesverbal.

Asnjë anëtar nga opozita nuk mori pjesë në votim. Në atë kohë ata ishin duke e bojkotuar parlamentin prej më shumë se një viti për shkak të aludimeve për abuzime zgjedhore nga partia në pushtet Demokratike Socialiste, sundimtarët e përhershëm në Malin e Zi që kur vendi krijoi politikë shumëpartiake më 1990.

Scepanovic refuzoi kërkesën për intervistë dhe nuk iu përgjigj pyetjeve me email mbi atë se pse ajo besonte se ligji duhej të ndryshohej. Zeljko Aprcovic, kryetar i komisionit, refuzoi gjithashtu që të intervistohej.

Por ndërsa direktiva e BE-së nxit vendet që të bëjnë publik sa më shumë informacion të jetë e nevojshme, ekspertët e transparencës thonë se ndryshimet e fundit ndihmojnë për ta mbajtur informacionin të mbyllur.

Analiza e ndryshimeve  nga Açess Info Europe dhe MANS vunë në dukje një “seri përjashtimesh të përgjithshme, të gjera dhe të paqarta” të cilat i japin autoriteteve diskrecion të stërmadh për të klasifikuar informacionin dhe për të refuzuar kërkesat për të drejtë informimi.

Këto përfshijnë përjashtime të lidhura me sekretet e biznesit dhe të taksave, pronës intelektuale dhe informacionit mbi partitë në procedura ligjore. Më e paqarta është një rast përjashtimor që i referohet thjeshtë “informacionit që duhet të mbahet sekret”, pa ndonjë përkufizim të qartë se çfarë do të thotë kjo.

“Koncepti mbresëlënës i ‘informacionit që duhet të mbahet sekret’ rrezikon të minojë të gjithë Ligjin për të Drejtë Informimi dhe e kthen pjesën tjetër të ligjit në një tallje bashkë me klauzolat e kushtetutës së Malit të Zi që japin të drejtë për akses në informacion dhe standardet ndërkombëtare që Mali i Zi duhet të respektojë,” thotë analiza.

Në një studim të shkruar në nëntor, Këshilli i Bashkimit Europian bëri thirrje për “rishikim tërësor të kuadrit ligjor në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

“Zbatimi i Ligjit për të Drejtën e Informimit nuk ka kontribuuar në sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies më të lartë të shërbimit publik, për shkak se autoritetet vijojnë të deklarojnë informacionin e kërkuar si të klasifikuar, përfshirë çështje që janë të ndjeshme ndaj korrupsionit, duke përjashtuar në këtë mënyrë korrupsionin nga hapësira e zbatimit të këtij ligji,” thuhet në studim.

Një formular kërkese për të drejtë informimi. Foto: Vladimir VucinicQë nga koha e ndryshimeve, rastet e institucioneve që përdorin sektetin për të mohuar aksesin në informacion janë shtuar ndjeshëm. Sipas raportit të fundit të Komisionit Europian mbi Malin e Zi, sekreti u citua në 68 kërkesa të mohuara më 2017, në krahasim me 30 një vit më parë. Kjo është më shumë se dyfishim.

“Është një arsye për t’u shqetësuar që gjithnjë e më shumë dokumente të kërkuara janë deklaruar sekret në mënyrë që të kufizohet aksesi në informacion,” thuhet në raport.

Delegacioni i BE-së në Podgoricë dënoi gjithashtu këtë tendencë.

“Ne i bëjmë thirrje institucioneve publike të përmirësojnë në mënyrë urgjente zbatimin e ligjit dhe t’i përgjigjen me shpejtësi kërkesave për të drejtë informimi në përputhje me parimet e transparencës dhe qeverisjes së mirë, veçanërisht në fushat ku ka rrezik korrupsioni,” tha Delegacioni në një përgjigje me shkrim për BIRN.

Ndërkohë, numri i përgjithshëm i kërkesave për informacion të refuzuara nga autoritetet publike po rritet me shpejtësi. Vitin e kaluar, institucionet hodhën poshtë 33% të të gjitha kërkesave, në krahasim me 24% më 2016 dhe 13% vitin e mëparshëm, sipas të dhënave nga Komisioneri për të Drejtë Informimi.

Këto numra janë shumë herë më të larta se sa në vende të tjera. Përtej kufirit në Kroaci, një vend anëtar i Bashkimit Europian me legjislacion për të drejtë informimi që nga viti 2003, autoritetet refuzuan rreth 5% të kërkesave më 2017 dhe 3% një vit më parë, tregojnë të dhënat e Komisionerit për Informim.

Ekspertët thonë se autoritetet dhe kompanitë publike rrallë herë marrin mundimin të shpjegojnë kriteret që ata përdorin për të klasifikuar të dhëna, duke e bërë procesin e kërkesave për të drejtë informimi në disa raste të duket si Kafkesk.

Në qershor, BIRN dërgoi një kërkesë te Fondi i Zhvillimit të Investimeve, një institucion publik, duke kërkuar një kopje të rregulloreve të brendshme të përdorura për deklarimin e dokumenteve si konfidenciale: Përgjigjja e Fondit: vetë rregulloret janë konfidenciale (shiko kutinë).

Kushtetuta e Malit të Zi garanton të drejtën për informim publik. Foto: Vladimir Vucinic

 

Thjesht thuaj jo

Për më shumë se një vit, departamenti investigativ në transmetuesin publik RTCG ka qenë duke hetuar përdorimin e miliona eurove kredi për projekte bujqësore në Malin e Zi nga Fondi i Abu Dhabit për Zhvillim. Për shkak se taksapaguesit do të marrin përsipër detyrimet në rast se kreditë nuk ripaguhen, gazetarët e shohin historinë si një çështje të interesit publik.

“Ne kemi dërguar dhjetëra kërkesa [në institucione të ndryshme]… duke i kërkuar të njëjtën gjë,” thotë Mirko Boskovic, redaktor i departamentit investigativ RTCG. “Para amendimit të ligjit, ne mund të merrnim informacion, por pasi ligji u ndryshua ata gjetën çdo arsye të mundshme dhe të pamundshme për të refuzuar.”

Ndërsa amendamentet në ligj e kanë bërë jetën më të vështirë për gazetarët, ato ka gjasa do të kenë ndikim më të madh për organizatat – qoftë edhe për shkak të faktit se organizatat janë përdoruesit kryesorë të ligjit.

Vitin e kaluar, 71 % e të gjitha kërkesave për të drejtë informimi në Malin e Zi erdhën nga organizatat, në krahasim me 20% nga individët dhe vetëm 1% nga media, sipas statistikave të agjencisë.

Shanset janë që, një pjesë e madhe e të gjitha kërkesave ka mbërritur nga organizata MANS. Disa thonë se MANS e ekzagjeron, duke përmbytur punonjësit e sektorit publik me punë të pakuptimta në kryqëzatën e saj për llogaridhënie.

Por edhe kritikët pranojnë se ajo e ka ngritur artin e shkrimit të kërkesave për të drejtë informimi në nivel shkencor.

MANS ka kujdes që të kontestojë çdo kërkesë të refuzuar apo injoruar duke apeluar fillimisht vendimet te AZLP.

Këto ankesa mbërrijnë në një tryezë në selinë qendrore të AZLP-së në qendër të Podgoricës, ku Muhamed Gjokaj, kryetar i këshillit mbikëqyrës të agjencisë, ankohet për ngarkesën e madhe të punë që ka skuadra e tij me rreth dymbëdhjetë punonjës.

“Të gjitha këto janë nga MANS,” thotë Gjokaj duke bërë me shenjë nga një pirg dokumentesh të trashë sa një numërator telefonik.

Pirgu është rritur vazhdimisht që nga amendimet ligjore të vitit të kaluar.

Jankovic, kreu i programeve ligjore të MANS, dha shembullin e Sipërmarrjes Elektrike të Malit të Zi, një kompani nën pronësi maxhoritare publike që ai tha se refuzoi një kërkesë për informacion mbi atë se si ajo e blen dhe e shet energjinë elektrike, duke cituar interesat e biznesit të partnerëve të huaj.

Sekretet e biznesit janë ato që pengojnë edhe hetimet e MANS mbi rindërtimin e Termocentralit Pljevlja, i vetmi termocentral në Malin e Zi.

“Ata injoruan faktin se interesi kyç që mbrohet nga kompania ku shumica e aksioneve është nën pronësi publike është vetë interesi i publikut,” tha Jankovic.

Kërkuesit e informacionit mund të sfidojnë refuzimet në Gjykatën Administrative.

Pyetur se si mundet të vendosë gjykata në çështje të tilla të paqarta të sekretit të papërcaktuar, një zëdhënëse në gjykatë tha se vendimet merreshin rast pas rasti.

“Sa i përket pyetjes nëse amendimet lënë një hapësirë të madhe interpretimi të lirë, kjo i takon atyre që kanë propozuar ndryshimet,” tha ajo për BIRN përmes një emaili.

Një ndryshim tjetër që shqetëson aktivistët e transparencës është heqja e kërkesave ligjore është heqja e detyrimit ligjor për AZLP që të gjykojë apelimet kundër kërkesave të refuzuara – pra punës që bën Gjokaj dhe skuadra e tij.

Në të shkuarën, AZLP mund të rrëzonte përgjigjen refuzuese dhe të detyronte institucionet të jepnin informacionin e kërkuar. Sipas ligjit të rishikuar, agjencia mundet sërish të ndërhyjë, por mbetet në zgjedhje të saj.

“Nëse dikush mundet të bëjë diçka por nuk ka detyrimin për ta bërë, kjo do të thotë se në shumicën e rasteve nuk do të veprojë,” tha Lacmanovic nga agjencia.

Por Gjokaj e mikpriti ndryshimin, duke thënë se AZLP ka qenë përmbytur nga apelimet, të cilat duhej të trajtoheshin brenda 15 ditëve.

Ai shtoi se disa nga njerëzit ishin përpjekur të abuzonin me sistemin përmes dorëzimit të një numri të stërmadh kërkesash me shpresë se do të fusnin në xhep pagesat për shpenzimet gjyqësore në rastet kur zyrtarët dështonin t’i procesonin në kohë.

“Për shembull, dikush kërkoi një vendim [shkolle] mbi përdorimin e një palestër, në ditën e parë, në ditën e pestë, në ditën e 15 të muajit dhe eventualisht ti ke 150 kërkesa për një çështje të vetme,” tha ai. “Pastaj një koleg e përsërit të gjithë procesin nga e para. Kështu bëhen 300 kërkesa. A është ky informacion me rëndësi për publikun?”

AZLP Agency for free açess.jpg

Fasada e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Aksesit në Informacion në Podgoricë. Foto: Vladimir Vucinic

 

Kulturë sekreti

Së paku në letra, Serbia dhe Kroacia mund të bëjnë me turp Malin e Zi kur vjen puna te ligji për të drejtë informimi.

Në fakt, Ligji për të Drejtë Informimi mbi Dokumentet me Rëndësi Publike i Serbisë shpesh citohet si standardi i artë. Sipas një renditjeje botërore të ligjeve të tilla të bëra nga Access Info Europe dhe Qendra e SHBA-së për Ligj dhe Demokraci, ai është i treti më i miri në botë pas Afganistanit dhe Meksikës.

Ligji kroat renditet i teti. Ai i Malit të Zi është në vend të 59.

Më 2015, reporterët në Serbi që punojnë për Projektin e Raportimit mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, një rrjet jofirimprurës i gazetarisë investigative, përdori këtë ligj për të zbuluar se kryebashkiaku i atëhershëm i Beogradit Sinisa Mali ishte drejtor i një perandorie pronash me vlerë 6 milionë dollarë në një resort në Detin e Zi në Bullgari.

Vitin e kaluar, ligji ndihmoi Rrjetin e Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit, një grup tjetër gazetarësh investigativë, që të shihnin në marrëveshjet e dyshimta të pronave të Ministrit të Mbrojtjes së Serbisë Aleksandar Vulin.

Por aktivistët pro transparencës thonë se edhe legjislacionet më të mira janë po aq të vlefshme sa edhe zbatimi i ligjit.

Në Serbi, institucionet shtetërore dhe kompanitë publike thjeshtë injorojnë shumë nga mbi 30 mijë kërkesat që dorëzohen çdo vit nga Komisioneri për Informimin me Rëndësi Publike dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, thonë gazetarët.

“Gjithnjë e më shumë institucione janë të mbyllura ndaj publiku, duke refuzuar të komunikojnë me gazetarët apo t’i përgjigjen kërkesave tona,” thotë Dino Jahic, ish redaktor i Qendrës për Gazetari Investigative në Serbi.

“Mua më duket se e gjitha kjo është pasojë e mjedisit publik në të cilin gazetarët shihen si e keqja, si armiq që punojnë për të dëmtuar shtetin dhe shoqërinë e Serbisë.”

Dhe gjërat duket se po bëhen më keq në këtë vend kandidat për anëtarësim në BE.

Vitin e kaluar, Ministria e Administratës Publike shpalli plane për të amenduar ligjin për të drejtë informimi të Serbisë, gjë që alarmoi aktivistët në këtë vend kandidat për anëtarësim në BE.

Ndihmësministrja Ivana Antiv i tha BIRN se ndryshimet synonin “të përmirësonin ligjin” dhe për të përfshirë më shumë institucione publike nën detyrimet e ligjit.

Por kritikët thonë se amendimet mundet që në praktikë të legalizojnë kulturën aktuale të sekretit duke lënë shumë organizata jashtë fushës së mbulimit – në veçanti, kompanitë publike që ndërtojnë rrugë, menaxhojnë hekurudhat dhe furnizojnë energjinë elektrike, telekomunikimin dhe shërbime të tjera.

“Këto janë kompani nën pronësi publike që bëjnë biznes me burimet publike dhe ato mund të përjashtohen nga ligji,” thotë Mirjana Jevtovic, redaktore në median investigative Insajder.net. “Kjo do të thotë se shtetasit nuk do të jenë në gjendje të zbulojnë se si shpenzohen paratë e tyre.”

Nemanja Nenadic, drejtoreshë programi në Transparency Serbia, përshkroi përjashtimin e propozuar të kompanive publike nga ligji si “një çështje presioni publik dhe synimi për të fshehur informacionin”.

Ndërkohë, kritikët kanë frikë se ligji i ri mund të lejojë institucionet shtetërore të lidhin sistemin përmes veprimeve ligjore.

Kur institucionet publike refuzojnë apo injorojnë kërkesa për të drejtë informimi, njerëzit kanë të drejtë të apelojnë te komisioneri, i cili mund të detyrojë institucionet të publikojnë të dhënat. Amendimi mund të lejojë institucionet publike të sfidojnë vendime të tilla në Gjykatën Administrative.

“Disa kishin idenë gjeniale që institucionet, të cilat më së shumti nuk i përgjigjen kërkesave, duhet të lejohen të hedhin në gjyq komisionerin për vendimet miratuara,” tha për BIRN Komisioneri i Informimit Rodoljub Sabic pak para se mandati i tij në këtë detyrë të mbaronte në dhjetor.

“Ky amendim mund të sjellë mijëra procese gjyqësore kundër komisionerit. Ushtrimi i kësaj të drejte, e cila është sakaq shumë e komplikuar dhe që zgjat, mund të zgjatet në pafundësi dhe në rastet e gazetarëve, të bëhet e pakuptimtë.”

Në atë që aktivistët e quajtën fitore, Ministria e Informaciont Publik publikoi një draft të rishikuar të ligjit në dhjetor ku nuk përfshihet klauzola që lejonte institucionet publike të hidhnin në gjyq Komisionerin për Informim.

Por advokuesit për transparencë thonë se ata nuk do të flenë deri sa të shohin versionin final të ligjit. Mes shqetësimeve të tyre është një klauzolë e re në draftin e dhjetorit që përcakton se Banka Qendrore e Serbisë është “pa justifikim e përjashtuar nga kompetenca e Komisionerit”.

Sipas një analize të publikuar nga Transparency Serbia, drafti i dhjetorit ishte gjithashtu një mundësi e humbur për të ruajtur pavarësinë e Komisionerit për të Drejtë Informimi. Sipas ligjit aktual, komisionerët zgjidhen nga deputetët në parlament, një proces që kritikët thonë se është i rrezikuar nga ndërhyrjet politike.

Serbia ka mbetur pa komisioner që nga koha kur Sabic – i cili kishte reputacion për pavarësi – mbaroi mandatin në dhjetor.

Aleksandar Martinovic, kreu i grupit parlamentar të Partisë Progresiste të Serbisë në pushtet, tha në fund të janarit se partia kishte disa kandidatë për këtë detyrë – dhe kushdo që të zgjidhej prej tyre do të ishte “ekzaktësisht e kundërta” e Sabic.

Ndërkohë, gazetarët dhe aktivistët e transparencës po luftojnë. Një fushatë e quajtur Serbia për Informacion (link në serbisht) organizuar në ditët para Kritshlindjeve nga organizata me bazë në Beograd Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie, (CRTA), u përpoq të rrisë vetëdijen e ndryshimeve duke lejuar njerëzit t’i “kërkojnë Babagjyshit” informacion publik.

“Ne të gjithë e dimë se puna e Babagjyshit është të na sjellë dhurata,” thotë organizata në faqen e saj në internet. “Gjithsesi, nëse një propozim i tillë miratohet, mund të dalë nevoja që në vend të dhuratave, të na sjellë ne përgjigje për pyetjet se si përdoren paratë tona.”

CRTA nisi gjithashtu një fushatë të quajtur “Unë dua një komisioner, jo një sahanlëpirës!” ku bëhet thirrje për zgjedhje transparente për Komisionerin e ardhshëm për Informim. Një formular në faqen e internetit të këtij grupimi i mundëson publikut të propozojë kritere për kandidatin e ardhshëm për komisioner.

Në Kroaci, kërkesa për të dhëna në vendin më të ri anëtar të BE-së shpesh përballet me murin e informacionit të klasifikuar dhe sekreteve tregtare.

Numri i kërkesave për të drejtë informimi të mohuara nga institucionet publike pothuajse u dyfishua më 2017 në krahasim me një vit më parë, duke qenë rreth 5 për qind të pothuajse 22 mijë kërkesave të dorëzuara, tregojnë të dhënat e Komisionerit për të Drejtë Informimi.

“Sekretet e biznesit janë arsyeja më e zakonshme për kufizimin e aksesit të publikut në informacion,” tha komisioneri Ana Marija Musa përmes një emaili për BIRN.

Ilko Cimic, një gazetar investigativ te Index.hr, tha se shumë institucione kroate kishin një aftësi të veçantë për rrëzimin e kërkesave për të drejtë informimi.

“Në disa raste ata e refuzojnë kërkesën pa dhënë asnjë shpjegim, duke thënë se po abuzon me të drejtën për akses duke kërkuar informacion tepër shpesh,” tha ai.

Pas në Malin e Zi që është i famshëm për kulturë sekreti, ankesa të tilla kanë përfundime të ngjashme.

Jankovic nga MANS that se shpërblimi për të gjitha orët që ka kaluar duke vrarë mendjen si të thyejë sistemin ishte që pa zyrtarë batakçinj të dërguar në gjyq – siç ishte rasti i çështjesh të quajtur Zavala, në të cilën ish-presidenti i Bashkimit Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi Svetozar Marovic u dënua me burg për korrupsion.

“Procesi është në vetvete kompleks për një organizatë si MANS, e cila ka punuar në këtë fushë prej shumë vitesh. Imagjino se si mund të ecë procesi për qytetarin e zakonshëm të Malit të Zi,” tha ai.

Testimi i Ligjit për të Drejtë Informimi

Dosje të ngjeshura në një dollap. Foto: Vladimir Vucinic

Për të vënë në test ligjin e rishikuar për të drejtë informimi në Malin e Zi, BIRN dërgoi kërkesa formale për informacion te institucionet publike mes qershorit dhe gushtit 2018. Për krahasim, ne dërguam kërkesa të ngjashme te institucionet përkatëse në Serbi dhe/ose Kroaci.

Kjo është një përmbledhje e shkurtër e rezultateve.

ELECTRICITETI

Ne i kërkuam kompanive publike në Malin e Zi dhe në Serbi kontratat me kompanitë e huaja që po rindërtojnë centralet elektrike.

Mali i Zi

Çfarë kërkuam: Kontratat me një konsorcium kompanish nga Italia dhe Slovenia për të rindërtuar dhe modernizuar Hidrocentralin Piva.

Si u përgjigj Kompania Malazeze e Energjisë Elektrike: Nuk u përgjigj

Serbi

Çfarë kërkuam: Kontratat me kompaninë ruse Silovije Masini, e cila po rindërton Hidrocentralin Porta e Hekurt I.

Si u përgjigj kompania e Energjisë Elektrike të Serbisë: Kërkesa refuzohet. Dokumentet janë të klasifikuara për shkak të sigurisë kombëtare dhe sekretit tregtar.

FONDET E ZHVILLIMIT

Ne i kërkuam fondeve publike të zhvillimit në Malin e Zi, Kroaci dhe Serbi rregulloret e brendshme mbi kriteret e përdorura për klasifikimin e informacionit si sekret.

Mali i Zi:

Çfarë kërkuam: Fondi i Zhvillimit të Investimeve të Malit të Zi, rregulloret e brendshme të klasifikimit të informacionit.

Si u përgjigjën: Rregulloret janë të klasifikuara.  

Kroaci:

Çfarë kërkuam: Banka për Rindërtim dhe Zhvillim e Kroacisë, rregulloret e brendshme mbi klasifikimin e informacionit

Si u Përgjigjën: Kërkesa u refuzua. Ne u ankuam te Komisioneri për Informacionin, i cili na dha të drejtë dhe detyroi bankën të na dërgojë informacionin dhe të publikojë rregulloren e brendshme në faqen e saj të internetit.

Serbi

Çfarë kërkuam: Rregulloret e brendshme për klasifikimin e informacionit të Fondit për Zhvillimin e Serbisë.

Si u përgjigjën: Nuk u përgjigjën

Hekurudhat

Ne i kërkuam kompanive kombëtare të hekurudhave në Malin e Zi dhe Serbi një seri dokumentesh të lidhura me blerjen e trenave të rinj.

Mali i Zi

Çfarë kërkuam: Dokumentet e tenderit për blerjen e trenave të rinj nga Transporti Hekurudhor i Malit të Zi.

Si u përgjigjën: Nuk ka përgjigje

 

Serbi

Çfarë kërkuam: Dokumentet e tenderit dhe kontratat për blerjet e trenave të rinj nga Hekurudhat e Serbisë.

Si u përgjigjën: Nuk i Kemi. Pyet Kompaninë Aksionere për Transportin Hekurudhor të Pasagjerëve, Srbija Voz. Ne e bëmë dhe ata thanë, pyet Hekurudhat e Serbisë.

Rrugët

Ne i kërkuam ministrisë së transportit në Malin e Zi dhe kompanisë publike Koridori Srbije në Serbi për kontratat me kompanitë kineze të ndërtimit të hekurudhave në të dyja vendet.

Mali i Zi

Çfarë kërkuam: Kontratat me Kompaninë e Kinës për Rrugë dhe Ura, CRBC, dhe nënkontraktorët.

Si u përgjigj ministria e transportit: Dy muaj pas kërkesës sonë, ministria na lejoi të shohim kontratën me CRBC por refuzoi të ofrojë dokumentet e lidhura me nënkontraktorët me argumentin se CRBC është kontraktori kryesor.

Serbi

Çfarë kërkuam: Kontratat me dy kompani kineze, China Communications Construction Company dhe Shandong Hi-Speed Group

Si u përgjigj Koridori Srbije: Pyesni Autoritetin Publik Rrugor të Serbisë, një kompani tjetër publike. Ne e bëmë dhe ata nuk u përgjigjën.

 

Dusica Pavlovic është një gazetare malazeze në transmetuesin publik RTCG. Redaktimi u bë nga Timothy Large. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative.