Ministria e Financave

Dyshime për Shkelje në Tenderin 2.5 Milionësh të Ministrisë së Financave

Tenderi i Ministrisë së Financave për “integrimin e sistemeve, krijimin e deponisë së shënimeve dhe implementimin e inteligjencës së biznesit’ ka shkuar në Gjykatën e Tenderëve ende pa u dorëzu ofertat. Kompania “Botek” është ankuar në OSHP duke pretenduar që Ministria e Financave e ka kufizuar konkurrencën duke vendosur kritere teknike dhe profesionale të pa-arritshme për ta.

Në kërkesën e Ministrisë është specifikuar që menaxheri i projektit duhet të jetë i certifikuar  nga IASA, PMI dhe nga CISSP.

E për këto kërkesa, ‘Botek’ pretendon se janë të paarsyeshme dhe se ato nuk përputhen me njëra tjetrën. Sipas ‘Botek’ nuk ka nevojë të kërkohet nga menaxheri i projektit që është i certifikuar me PMI të ketë edhe certifikimet e IASA apo CISSP, për shkak që sipas tyre këto nuk përkojnë me detyrat e menaxherit të projektit.

Në kërkesat e Ministrisë ishte kërkuar që edhe arkitekti i sistemit të jetë  i certifikuar nga BizTalk dhe BI, që përsëri ‘Botek’ pretendon se janë të panevojshme.

Ata gjithashtu pretendojnë se Udhëheqësi i Grupit nuk ka nevojë të jetë i certifikuar nga IASA dhe BI, nëse është i certifikuar nga BizTalk.

Mirëpo, të gjitha këto pretendime u janë hedhur poshtë nga mendimi i ekspertit shqyrtues të OSHP-së.

Sipas mendimit të ekspertit, Autoriteti Kontraktues, në këtë rast, Ministria e Financave në bazë të nenit 69 të Ligjit të Prokurimi Publik ka të drejtë të kërkojë nga operatorët ekonomikë të sigurojnë dëshmi se ata i posedojnë kualifikimet minimale të kërkuara dhe specifikuara në dosjen e tenderit.

“Gjatë vendosjes së kësaj kërkese, autoriteti kontraktues ka parasysh që është projekt shumë kompleks dhe i ndjeshëm sepse i prek të gjitha sistemet financiare që merren me menaxhimin e Financave Publike, andaj AK ka vendosur kritere relevante dhe proporcionale në raport me lëndën dhe dëshiron të sigurohet që personeli kyç të jetë i certifikuar me certifikata siç janë kërkuar në njoftimin për kontratë dhe në dosjen e tenderit. Duke u bazuar në këto fakte, eksperti shqyrtues konstaton se ky pretendim i operatorit ekonomik ankues është i pa bazuar”, thuhet në mendimin e ekspertit shqyrtues.

Gjithashtu në mendimin e ekspertit thuhet se operatori ekonomik nuk ka qenë i detyruar që t’i ketë të punësuar në biznesin e tij këto lloje ekspertize specifike, por ka mundur që operatori ekonomik, në këtë rast ‘Botek’ të ofrojë marrëveshje me ekspertë.

“Eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues “Botek” të hedhet si e pa bazuar, për arsyes se ministria e Financave ka respektuar dispozitat e nenit 7 dhe 69 të KPP-së dhe të vazhdojë me aktivitetin e prokurimit”, thuhet në mendimin e ekspertit shqyrtues.

Kompania ‘Botek’ pretendon se Ministria e Financave, kërkesat për certifikim i ka vënë për të favorizuar ndonjë operator.

Mirëpo nga Ministria e Financave thonë se kompania ‘Botek’ nuk ka bazë për këto pretendime.

“Në një situatë të tillë, nuk ka bazë të thuhet që kriteret profesionale janë selektive dhe restriktive (përkufizuese). Për më tepër, është e lejuar që persona të ndryshëm të kenë kualifikime të tilla, por të paktën një prej tyre duhet të ketë kualifikimet e kërkuara për secilin prej funksioneve në Dosjen e Tenderit, përveç për zhvilluesit e softuerit që nuk duhet të jenë më pak se 4 (katër)”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave për Gazetën Jeta në Kosovë.

Madje në përgjigjen për Gazetën Jeta në Kosovë, Ministria e Financave, e-mailet e dërguara nga kompania ‘Botek’ i ka cilësuar si kërcënues e shtantazhues.

“Si autoritet kontraktues besojmë se kërkesat tona janë minimale karshi rëndësisë së projektit, kurse operatorët ekonomikë të gjitha ankesat mund t’i parashtrojnë në OSHP si organ i vetëm i cili merr vendime obliguese për të gjitha palët, konformë LPP (Ligjit Prokurimit Publik). Çdo formë tjetër e operatorëve ekonomikë përmes e-mailave kërcënues dhe shantazhues është përpjekje për shantazh ndaj autoritetit kontraktues dhe komisioneve përkatëse që të marrin vendime nën presion dhe shantazh”, thuhet në përgjigjen e MF-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

Një nga këto emaila për Ministrinë e Financave, kompania “Botek” ia ka dërguar një kopje edhe mediave. Bëhet fjalë për një e-mail të cilin kompania ‘Botek’ ia ka dërguar drejt ministrit të Financave, Bedri Hamza, ku tregohen pretendimet e kompanisë ‘Botek’ për shkeljet ligjore në këtë procedurë të prokurimit.

Tutje në fund të e-mailit, ‘Botek’ e njofton ministrin Hamza se për pretendimet e tyre ata i kanë njoftuar institucionet e ndryshme e media si dhe kërkon që ky e-mail të mos keqkuptohet.

“Duke mos dëshiruar që kjo shkresë të keqkuptohet dhe keqinterpretohet në asnjë moment si presion ndaj jush, por me qëllimin më të mirë që të korrigjohen shkeljet dhe tendencat e degradimit të këtij procesi deri në keqpërdorim të Ligjit me qëllim të përfitimeve individuale të dikujt brenda MF. Ne kemi informuar edhe institucionet tona vendore të cilat janë të autorizuara të ndërhyjnë në raste të shkeljeve të tilla ligjore në ketë fazë të prokurimit si dhe kemi informuar dhe ftuar media lokale rreth këtyre shkeljeve”, thuhet në fund të e-mailit që ‘Botek’ ia kishte dërguar ministrit Hamza në fillim të shkurtit të këtij viti.

Kompania ‘BOTEK’ në shkresat e tyre pretendon se projekti është i njëjtë me atë të vitit 2014, kur ofertat e kompanive nuk shkonin më shumë se 1,3 milionë euro.

“Katër (4)  vjet ma vonë, tani në vitin 2018, i njëjti projekt është i buxhetuar me 2.5 milionë euro (pa asnjë arsye teknike dhe ndryshim të projektit) dhe tani MF që përmes Kritereve të jashtëligjshme,  po tentohet të eliminohet çdo konkurrencë e mundshme në treg”, thuhet në shkresën e kompanisë BOTEK dërguar tek ministria dhe mediat.

Kompania ‘BOTEK’ ka marrë përgjigje nga këshilltari i ministrit të financave, Lulzim Rafuna. Ai ka thënë se kabineti i ministrit nuk është marrë me këtë projekt, meqë është një projekt nga teknologjia informative. Rafuna, në përgjigjen e tij të cilën ia ka dërguar edhe mediave, thotë se projekti është draftuar më herët dhe tani po vazhdohet.

“Të lutem prapë, po e përsëris, çdo pretendim ankimor ta adresoni në rrugë ligjore në adresa ligjore. Përgjegjësia është personale dhe çdo zyrtar është përgjegjës për punën e vete, në rast se dëshmohet se ndonjë zyrtar nuk e ka kryer punën në përputhje me dispozitat ligjore do të merren masa dhe do të përballet me dënimin më të rëndë… Nuk dua të paragjykoj për pretendimet e juaja, unë po dua të besoj se çdo gjë është ligjore, i kam vënë në dijeni zyrtarët kompetentë me shqetësimin e juaj”, thuhet në shkresën e Rafunës.