Dyshime për ‘avullim’ të parave publike, Auditori gjen se nuk u zbatuan kontratat

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur më së shumti probleme në fushën e prokurimit në Komunën e Dragashit për vitin 2018.

Auditori ka evidentuar parregullsi në tri kontrata që nënshkruara mes Komunës së Dragashit dhe kompanive fituese.

Në kontratën për ndërtimin e shkollës në fshatin Loposhnik është gjetur se kompania nuk e ka vendosur kaldanë për të cilën ishte paguar 5,700 euro nga Komuna e Dragashit. Në kontratën tjetër, Auditori ka potencuar se kompania fituese për asfaltimin e rrugës Krushevë – Zlipotok ka marrë nga Komuna 36 mijë euro për punët të cilat nuk i kishte kryer. Ndërsa në kontratën e tretë, atë për ndërtimin e stadiumit në Dragash, në raportin e auditimit thuhet se kompania fituese nuk u ka përfunduar të gjitha punët për të cilat është kontraktuar.

Përveç problemeve të përmendura sa i përket tenderëve, në raportin e auditimit potencohet gjithashtu edhe shmangia e procedurave të hapura të prokurimit nga Komuna e Dragashit.

Komuna paguan 5,700 euro për kaldanë që nuk u vendos në shkollë

Në raporti e auditimit për vitin 2018, Auditori ka evidentuar se se në shkollën fillore në fshatin Loposhnik të Komunës së Dragashit nuk ishte vendosur kaldaja siç ishte parashikuar me kontratë.

Bazuar në raportin e pranimit të punimeve të datës 19 dhjetor 2018, i vërtetuar nga menaxheri i kontratës, brenda kësaj paramase dhe parallogaritje ishin të përfshira edhe pozicioni i sistemit të kaldajës në vlerë prej 5,700 euro.

Gjatë ekzaminimit fizik me prezencën edhe të zyrtarit komunal, Auditori ka konstatuar se kaldaja nuk ishte e vendosur në shkollë për shkak të mungesës së kaldatores që duhet të ishte një aneks i veçantë i shkollës për qëllim të vendosjes së kaldajës.

Në raport thuhet se kaldaja ende qëndron në ambientet e kontraktorit në një lokacion tjetër dhe ne bashkë me zyrtarin komunal e kanë bërë verifikimin fizik të saj.

Projekti “Ndërtimi i Shkollës Fillore në Loposhnik”, është realizuar në vlerë totale prej 305 mijë euro.

Prej tyre 16,419 euro kanë qenë aneks kontratë, kurse kontrata bazë ka qenë 288,581 euro.

“Planifikimi i dobët në realizimin e projektit mund të shkaktojë vështirësi në shfrytëzimin e projektit”, theksohet në raportin e auditimit.

Aneks-kontrata është bërë me procedurë të negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë. Njoftimi për dhënie të kontratës është publikuar më 5 korrik 2018. Kurse njoftimi për nënshkrimin e kontratës është bërë më 9 korrik 2018.

Kompania e përzgjedhur për realizimin e këtij projekti është N.N.P “EBK”. Vlera e kësaj aneks kontrate është 16,419 mijë euro.

Edhe pronari i kësaj kompanie, Flamur Shefiku ka thënë se kaldaja nuk është vendosur në shkollë për shkak të mungesës së kaldatores. Por ai ka shtuar se tashmë tenderi për ndërtimin e kaldatores për këtë shkollë është hapur dhe se shumë shpejtë kaldatë do të vendosen në vendin e tyre.

“Dy kaldaja kanë pas me u vendos në shkollë, shkolla nuk ka pas kaldatore, nuk ka parapa kaldatore ndërkohë që kaldajat për shkak të buxhetit i kanë parapa me i ble, ne i kemi marrë kaldajat edhe i kemi dërgu në shkollë por shkolla është e parrethuar e kaldaja është material shumë i shtrenjtë, dy kaldaja bëjnë diku 7 mijë euro. Ne me propozimin e organit mbikëqyrës i kemi vendos kaldajat me një objekt tjetër edhe kur ka ardhë Auditori nuk i ka gjet në oborrin e shkollës, e ato kanë qenë në një vend ku janë edhe sot. Kur doni me ardhë me i pa mundeni, ato janë aty. Sa për informacion, para disa ditëve ka dalë tenderi për ndërtimin e kaldatores së asaj shkolle kur të ndërtohet ajo, kajdajat vendosen brenda”, ka shpjeguar Shefiku për Kallxo.com.

Sipas Auditorit, mangësitë e identifikuara kanë rezultuar me mos respektim të procedurave të prokurimit sipas Udhëzimit Operativ të LPP-së.

Në raport thuhet se Komuna nuk ka arritur të përmbush objektivat e planifikuara të infrastrukturës në shërbim të taksapaguesve apo kthimin e kundërvlerës për taksen e paguar të qytetarit të Dragashit. Më tej theksohet se zhvillimi i procedurave të prokurimit pa një projekt të hartuar paraprakisht mund të ndikoj që punimet e zbatuara në këto projekte të devijojnë nga kërkesat standarde të ndërtimit dhe të mos arrijnë cilësinë e duhur.

“Kryetari duhet të sigurojë se të gjitha zotimet e kontraktuara janë duke u realizuar në përpikëri dhe komfor kushteve të parashtruara, duke eliminuar pengesën para hyrjes në marrëveshje kontraktuese. Nëse përjashtimisht paraqitet nevoja për ndërprerje të kontratës duhet të ndiqen procedurat e nevojshme sikurse është paraparë me Ligjet dhe Udhëzimet në fuqi. Gjithashtu duhet të siguroj se hartimi i projekteve ekzekutive i paraprinë inicimit të aktiviteteve të prokurimit te kontratat për punë sipas kërkesave të UA nr. 1/2014”, thuhet në rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin e auditimit për vitin 2018.

Komuna paguan 36 mijë euro për punët e pakryera

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Dragashit ia ka paguar 36 mijë euro kompanisë “Renelual Tahiri”, për kontratën “Asfaltimi i rrugës Krushevë – Zlipotok – projekt 3 vjeçar” edhe pse kjo kompani nuk i ka kryer punët e kontraktuara.

Tek projekti i rrugës “Asfaltimi i rrugës Krushevë – Zlipotok – projekt 3 vjeçar”, Komuna e Dragashit ia ka paguar kompanisë 70 mijë euro duke u bazuar në raportin e pranimit të punimeve të datës 20 dhjetor 2018.

Brenda kësaj pagese ishin të përfshira edhe pozicionet me nr. 11 – beton i thjesht nën themele ne vlerë prej 1,008 euro, 12 – beton për themelet në vlerë prej 11,228 euro, 13 – beton për muret në vlerë 9,856 euro, 14 – armimi i mureve mbajtëse në vlerë 13,910 euro.

Gjatë ekzaminimit fizik me prezencën edhe të zyrtarëve komunal, Auditori ka konstatuar se punimet për këto pozicione nuk ishin realizuar.

Vlera totale e këtyre pozicioneve ishte 36,002 euro apo 51% e vlerës totale prej 70 mijë euro që i janë paguar kompanisë “Renelual Tahiri”.

Njoftimi për kontratë për projektin “Asfaltimi i rrugës Krushevë – Zlipotok – projekt 3 vjeçar” është publikuar më 28 shtator 2018.

Kontrata është nënshkruar më 31 tetor 2018 mes Komunës së Dragashit dhe kompanisë fituese “Renelual Tahiri”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 198.049 mijë euro.

Sipas kontratës së nënshkruar, për vitin 2018 do të paguhet deri në realizimin e punëve në vlerë prej 70 mijë euro (financuar nga Komuna e Dragashit). Për vitin 2019 do të paguhet deri në realizimin e punëve në vlerë prej 50 mijë euro (financuar nga Komuna e Dragashit). Dhe për vitin 2020 do të paguhet pjesa tjetër e mbetur sipas kontratës deri në realizim të punimeve prej 78,049 mijë euro.

Drejtori i kësaj kompanie, Refki Hoxha, ka thënë për Kallxo.com se “Renelual Tahiri” i ka kryer punimet e parapara për shumën e parave për të cilat Auditori ka thënë se i janë dhënë kompanisë.

“Po qysh nuk janë kry punimet, janë kry, por ka pas shembje të dërrasave. Sot shkoni këqyreni, është duke u ndërtu, se ai është projekt tre vjeçar. Një pjesë një vjet, një pjesë një vjet tjetër. Për shumën që ka qenë e parapame është punu. Për ato pare puna është kry. Është duke u punu, se ka pas shi. Se Krusheva është afër Restelicës, kushtet janë të jashtëzakonshme. Tash janë kry gati krejt punimet, e për vitin e tretë nuk kemi gati kurgjo vetëm duhet me i pritë paret për tri vjet qysh i kanë të programuar. Ne sivjet e kryejmë, ajo është punë e vogël për firmën tonë”, ka deklaruar Hoxha.

Stadiumi i mangët, Dragashi paguan për punët që nuk janë kryer

Auditori ka gjetur se kompania e kontraktuar për të ndërtimin e stadiumit në komunën e Dragashit nuk i ka përfunduar të gjitha punët për të cilat ishte kontraktuar edhe pse ishte paguar nga komuna.

Tek projekti “Ndërtimi i Stadiumit të Qytetit në Dragash”, komuna ka paguar faturën për Paramasa dhe Parallogaria për projektin në vlerë 45,125 euro si dhe punimet e paparashikuara në vlerë prej 2,750 euro. Vlera totale e këtij projekti është 47,877 euro.

Bazuar në raportin e pranimit të punimeve të datës 24 dhjetor 2018 i vërtetuar nga menaxheri i kontratës dhe nga komisioni për pranim teknik të projektit i cili është caktuar nga kryetari i komunës më datë 18 dhjetor 2018, brenda kësaj paramase dhe parallogarie ishin të përfshira edhe pozicionet prej 22 deri më 28, ‘Material dhe punë që ndërlidhen me vendosjen e kubëzave’ në vlerë prej 5,217 euro.

Gjatë ekzaminimit fizik me prezencën edhe të zyrtarit komunal, Auditori ka konstatuar se punimet për këto pozicione nuk ishin realizuar nga kompania e kontraktuar. Edhe pse materialet (kubëzat, zhavori etj) që ndërlidhen me këto punime ishin në vendpunishte.

Njoftimi për kontratë për projektin “Ndërtimi i Stadiumit të Qytetit në Dragash” është publikuar më 8 nëntor 2018, kurse kontrata është nënshkruar më 4 dhjetor 2018.

Kompania fituese për realizimin e këtij projekti është përzgjedhur “N.T.P Altech”. Vlera e kësaj kontrate është 47,877 mijë euro.

Shmangia e procedurave të hapura të prokurimit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Dragashit ka shmangur procedurat e hapura të prokurimit në disa tenderë.

Sipas raportit të kontratave të nënshkruara për vitin 2018, Komuna e Dragashit kishte nënshkruar 94 kontrata përmes procedurës me vlerë minimale.

Gjatë auditimit është vërejtur se ka ndarje të tenderëve, ku për furnizime dhe shërbime të natyrës së njëjtë janë zhvilluar një numër i procedurave. Auditori ka përshkruar pesë raste të tilla që janë evidentuar në raportin e auditimit për vitin 2018.

Për tenderin “Furnizim me kompjuter” janë zhvilluar dy procedura në vlerë totale 1,604 euro, për tenderin “Furnizim me laptop”, janë zhvilluar dy procedura në vlerë totale 1,495 euro, për “Furnizimi dhe montimi i kamerave të sigurisë”, janë zhvilluar dy procedura në vlerë 1,518 euro, për “Furnizim me material higjienik”, janë zhvilluar katër procedura në vlerë 3,321 euro dhe për “Furnizim me material didaktik” janë zhvilluar dy procedura në vlerë 1,988 euro.

Sipas Auditorit, praktika e tillë shton rrezikun e mos arritjes së vlerës për para dhe dëmtojnë transparencën, eliminojnë konkurrencën dhe vënë në pikëpyetje cilësinë e shërbimeve dhe produkteve të pranuara.

“Kryetari duhet të siguroj që bëhet një planifikim i hollësishëm dhe njësitë kërkuese duhet të vlerësojnë në mënyrë të drejtë kërkesat për prokurim”, thuhet në rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.