Foto: FFK

Dy vjet nga nisja e ëndrrës kosovare në futboll

Saktësisht 2 vjet më parë, ish futbollisti i KF Prishtinës, Partizanit të Beogradit, Fenerbahçes e disa ekipeve tjera po bënte udhëtimin e tij më të rëndësishëm jetësor.

Si futbollist profesionist të bie medoemos të udhëtosh në vende të ndryshme, ku të duhet të luash futboll.

Mirëpo udhëtimi i 3 majit të 2016 për Fadil Vokrrin është i veçantë.

Në çantën e tij të rrugës, Vokrri nuk mbante fanelën e atletet që i duhen një futbollisti, por letra, dokumente e histori.

Si President i Federatës së futbollit të Kosovës, Vokrri me vartës të tij udhëtuan në Budapest të Hungarisë për të marrë frytin e pritjes shumë vjeçare, anëtarësimin në institucionin më të rëndësishëm europian të futbollit, UEFA.

Kjo ndodhi. Nga 54 shtete anëtare të UEFA-së, atë ditë u bënë 55. Në një votim të fshehtë, Kosovës iu dhanë 28 vota pro, 24 kundërshtuan dhe dy prej shteteve abstenuan.

Fadil Vokrri në konferencë për media pas pranimit në UEFA – Foto:FFK

Serbia kishte bërë fushatë të madhe për mos-pranimin e Kosovës në këtë institucion, nuk e arriti dhe dëshpërimi për politikën serbe u pa menjëherë.

Kishin ngritur edhe padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv në Llozanë të Zvicrës.

Madje Marko Gjuriq, shef i zyrës për Kosovë në Beograd dhe ministri i sportit në Serbi, Vanja Udoviçiq, qysh më 3 maj, përmes një konference të jashtëzakonshme për media lajmëruan nisjen e procedurave të padisë.

“Kjo e hap kutinë e Pandorës”, u kishte thënë Gjuriq gazetarëve në Beograd atë ditë.

10 ditë më vonë, më 13 maj, Kosova u anëtarësua gjithashtu edhe në institucionin e futbollit botëror, në FIFA.

Përkundër padisë, përfaqësuesja e Kosovës në Futboll e drejtuar nga Albert Bunjaki e kishte bërë debutimin historik.

Më 5 shtator të 2016 djemtë e përfaqësues së Kosovës, që shumica prej tyre po takohesh për herë të parë ndërmjet vete udhëtojnë për në qytetin Turku të Finlandës për të nisur ëndrrën kosovare. Ata do të ndesheshin në garat kualifikuese për botërorin Rusia 2018 kundër kombëtares finlandeze.

Në këtë ndeshje historike, u shkelmua topi për herë të parë zyrtarisht nga futbollistë të përfaqësues më të re në botë, u shënua gol për herë të parë e u morë pika e parë për përfaqësuesen më të re.

Ekipi startues ndaj Finalndes – Foto: FFK

Rreth 8 muaj më vonë, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e tha atë që e prisnim. Nuk ishtë bërë asnjë shkelje ligjore e procedurale kur Kosova u anëtarësua në UEFA.

Siç kishte thënë edhe Presidenti i FIFA-së, Gianni Infantino, “Të gjithë kanë të drejtë të luajnë futboll”.

Kështu edhe po ndodh. Kosovarët po luajnë e po garojnë të barabartë.

Vitin e kaluar, për herë të parë edhe klubet e futbollit morën pjesë në garat europiane.

Trepça 89 dhe KF Prishtina e shkelën Europën, ato luajtën në garat kualifikuese për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Europës, ani pse nuk mundën të kalonin më tutje.

Për shumë futbollistë, ka mjaftuar dëgjimi i himnit të Ligës së Kampionëve për të jetuar ëndrrën e fëmijërisë, pjesëmarrjen në këto gara.

Përfaqësuesja e Kosovës ka ndërruar selektorin. Në krye të saj ka ardhur zvicerani Bernard Challandes, i cili dy ndeshjet e tij të para miqësore i fitoi dhe e ngriti përfaqësuesen e Kosovës për 24 pozita në ranglistën botërore të kombëtareve.

Megjithatë Kosovës i mungon diçka shumë e rëndësishme. Ende nuk e ekziston një stadium që i plotëson kriteret e UEFA-s.

Institucionet vendore janë munduar t’i bëjnë të gatshëm stadiumet në Mitrovicë e Prishtinë, por ende përfaqësuesja e Kosovës nuk mund t’i luajë ndeshjet në këto stadiume.

Stadiumi i Prishtinës është gati duke i finalizuar. Zyrtarë të FIFA-së para rreth 1 muaji inspektuan punët në këtë stadium ku kanë mbetur edhe pak gjëra për t’u bërë gati.

Në anën tjetër, vitin e kaluar kanë nisur procedurat edhe për ndërtimin e stadiumit nacional në Bërnicë të Poshtme të Drenasit.

http://kallxo.com/per-sportdashesit-pranimi-ne-uefa-ngjarje-historike/