Presidenti Hashim Thaçi - Foto: Atdhe Mulla

Dy Vjet në 'Fron'

Dy vjet më parë, në Prishtinë po protestohej.

Opozita e atëhershme, gjysma e e të cilës sot është në Qeveri, kishin organizuar protestë për të kundërshtuar një epilog që megjithatë do të përfundonte atë ditë.

Brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, deputetë e qytetarë po protestonin kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit president.

Gjithë kjo protestë jashtë Kuvendit të Kosovës, por edhe brenda tij, me gazin lotsjellës e zyrtarë të shumtë policorë, opozita e atëhershme nuk arriti ta ndalte Thaçin të bëhej i pari i shtetit.

Kushtetuta e Republikës e thotë që Presidenti zgjidhet me 2/3 e deputetëve të Kuvendit, e që Thaçi nuk kishte arritur t’i marrë.

Mirëpo, Kushtetuta po ashtu e thotë që nëse në 2 runde nuk zgjidhet me 2/3, atëherë në rundin e tretë nevojitet shumica e thjeshtë prej 61 votave, të cilën Thaçi nuk e kishte të vështirë ta siguronte.

Ai asnjëherë nuk e tha publikisht se kush ia dha votën për t’u bërë president, disa deputetë të LDK-së apo disa tjerë të Listës Serbe.

Në fund të vitit të kaluar, Thaçi ishte protagonist i aktualizimit të njërës prej temave më të rëndësishme në Kosovë që nga paslufta.

Në fillimi të gushtit të 2015, Thaçi tentonte t’i bindte deputetët e partisë së tij e të opozitës për krijimin e Gjykatës Speciale, ndërsa në fund të vitit të kaluar Thaçi u akuzua se ishte personi kryesor mbrapa idesë për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Edhe pse kishte bërë fushatë të madhe për të bindur deputetët dhe qytetarët se krijimi i Speciales nuk është i dëmshëm, ai kështu nuk tha edhe kur u bë president.

Nga pozita e të parit të shtetit, ai e shihte krijimin e Speciales si diçka të keqe për Kosovën. Mirëpo “gozhda e tij” ra në hekur.

Ndërkombëtarët “kërcënuan” Kosovën se nëse kjo nismë do të përfundonte me shfuqizim, gjërat për Kosovën do të përkeqësoheshin.

Ambasadori amerikan e kishte quajtur këtë nismë ‘si thikë pas shpine’ për ShBA-në. Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar kishte deklaruar se nëse shfuqizohej ky Ligj, ajo natë do të ishte dita më e rrezikshme për Kosovën që nga paslufta.

E kjo bëri që presidenti të zmbrapsej dhe shfuqizimi i Speciales të harrohej.

Hashim Thaçi, që ka pasur poste të ndryshme e mjaft të rëndësishme që prej luftës e këndej, ka deklaruar shpeshherë se nuk do t’i kthehet më ekzekutivit apo legjislativit.

Madje në një konferencë për gazetarë në fund të vitit të kaluar, Thaçi kishte thënë se do të qëndrojë në politikë, veç nëse rizgjidhet president, ndryshe, kishte thënë ai, “do të mbeteni pa mua”.

“E vetmja rrugë e angazhimit tim politik është këtu ku jam, në Presidencë, apo edhe mundësia e garës që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët. Nëse jo atëherë mbeteni pa mua në skenën politike”, kishte thënë Thaçi në dhjetor të vitit të kaluar.

‘Rrenat e Presidentit’

Krypometri disa herë e ka kapur në rrenë presidentin Thaçi.

Mbi 11 herë, presidenti ka qenë protagonist i shkrimeve të KALLXO.com për mosmbajtje të fjalës apo qëndrim të ndërruar.

Presidenti Thaçi në mars të vitit të kaluar ia kishte dërguar kryetarit të Kuvendit projektligjin për FSK-në, që këtë të fundit do ta bënte ushtri, duke thënë se ka ardhur koha që FSK-ja ta ndërrojë misionin e saj. Edhe në këtë rast, presidenti u zmbraps.

‘Tërheqja Taktike’ e Presidentit

Thaçi së fundi u kap nga Krypometri duke gënjyer edhe për dekoratat e 10 vjetorit të pavarësisë.

Pasi që disa prej atyre që presidenti i kishte dekoruar, refuzuan ta merrnin, Thaçi doli në publik duke thënë se kanë qenë vetëm propozime, mirëpo kështu nuk kishte thënë ditën kur kishte njoftuar opinionin.

Ai madje kishte gënjyer edhe për numrin e votave të marra në Kuvend të Kosovës, sot dy vite më parë, duke thënë se ‘jam zgjedhur president nga 2/3 e votave të deputetëve të Kosovës”. Në fakt, Thaçi kishte marrë 71 në vota në raundin e tretë.

I pari i shtetit disa herë kishte premtuar se do ta padisë Serbinë për gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës, mirëpo deri sot ai nuk e ka bërë këtë.

Rrena për Padi për Gjenocid Ndaj Serbisë

‘Dashuria e Çuditshme’ e Thaçit me Haradinajn

Kryeministrit Haradinaj dhe presidenti Thaçi asnjëherë s’kanë qenë më të afërt se sa prej shtatorit e këndej, kur në krye të Qeverisë erdhi opozitari Haradinaj.

“Dashuria” e këtyre dy politikanëve kishte filluar pas kthimit të Haradinajt nga Haga, kur Thaçi në atë kohë nga pozita e kryeministrit e kishte pritur në Aeroport të Prishtinës me tepih të kuq.

Mirëpo, kjo ‘dashuri” e tyre kishte përfunduar shpejt dhe të dytë iu kishin kthyer kundërshtimeve politike.

Madje Haradinaj dhe Thaçi kishin pasur një debat të ashpër në 2015, gjatë kohës kur në Kuvend të Kosovës po diskutohej për Gjykatën Speciale, ku Haradinaj ia kishte përmendur tepihun e kuq pas kthimit nga Haga, ndërsa Thaçi ia kishte kthyer se pas tepihut të kuq, Haradinaj kishte menduar edhe të vinte në zyre të kryeministrit, e që sipas tiji, ‘ajo pozitë ishte e blinduar’.

Më 26 shkurt të vitit 2015, vëllai i kryeministrit, deputeti Daut Haradinaj kishte deklaruar se Hashim Thaçi mund të zgjidhet president, por sipas tij, kurrë ai nuk do të jetë president i unitetit.

“Mbane në mend, kurrë nuk ka me kanë president i unitetit kombëtar, kurrë nuk ka me kanë president i popullit, ka me kanë president i këtij koalicioni”, kishte thënë sot 2 vite më parë, vëllai i kryeministrit, Daut Haradinaj.

Mirëpo, është pikërisht Hashim Thaçi nga roli i tij si president që përmes një deklarate me homologun e tij malazez, po ia “gjen” zgjidhjen kauzës së Haradinajt.

Ramush Haradinaj që dikur e cilësonte Hashim Thaçin si “person me dy ditë shkollë”, sot ia ka pranuar propozimin që po ndihmon në ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.

Si asnjë kryeministër tjetër, Haradinaj pa qenë i detyruar, ia kishte dorëzuar presidentit Thaçi raportin 100 ditësh të Qeverisë. Mirëpo për obligim, Haradinaj e ka vetëm dorëzimin në Kuvend të Kosovës, sepse si Qeveri ata i përgjigjen Kuvendit.

“Gazeta Jeta në Kosovë” kishte shkruar edhe për vitin e parë si president të Hashim Thaçit.

Viti i Parë i Hashim Thaçit, Sytë nga e Kaluara