Dy Të Akuzuar Për Një Lopë (TV)

U mbajt seancë gjyqësore për veprat penale vjedhje dhe pranim i mallrave të vjedhur ndaj të akuzuarve Neshat Zeqiri dhe Tefik Lutfiu.

Të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë, edhe pse në deklaratën e dhënë në polici Tefik Lutfiu e kishte pranuar se lopa ishte e vjedhur nga Neshat Zeqiri.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Neshat Zeqirit, me pretendimin se ky më 6 korrik 2010 ka hyrë në stallën e Ekrem Budakovës në fshatin Rubofc dhe i ka vjedhur atij një lopë, ndërsa Tefik Lutfiun e akuzon se pas një jave kishte blerë lopën nga Zeqiri, edhe pse sipas prokurorisë, e kishte ditur se është e vjedhur.

I dëmtuari Ekrem Budakova në seancën e të premtes dëshmoi se pas 5 – 6 ditësh policia ia ka gjetur lopën.

“Së bashku me policinë kemi shku në fshatin Radivojc dhe kur kemi hyrë në ahër të të akuzuarit e kemi parë lopën aty”, tha Budakova.

Megjithatë, i akuzuari Neshat Zeqiri tha se është i pafajshëm dhe se në fshatin Rubofc nuk ka qenë asnjëherë dhe as që e di se kah i bie ky fshat.

“Unë jam tregtar i bagëtive, blej dhe shes bagëti në tregje të ndryshme të Kosovës. Këtë lopë e kam blerë në tregun e Shtimes, nuk e di se nga kush e kam blerë, por e siguroj gjykatën që këtë person do ta gjej“, tha Zeqiri.

I akuzuari për pranim të mallrave të vjedhur, Tefik Lutfiu tha se me Neshat Zeqirin njihet edhe më herët, meqë ai motrën e ka të martuar në fshatin e Lutfiut.

“E kam ditë se Neshati merret me tregti të bagëtive, mua më është dashtë një lopë për nevoja familjare dhe për këtë lopë kam paguar 600 euro. Nuk kam dyshuar se kjo lopë është e vjedhur për këtë edhe e kam blerë”, tha Lutfiu.

Gjyqtari ia kujtoi Lutfiut deklaratën që ky e kishte dhënë më herët në polici, ku kishte thënë se lopa ishte e vjedhur nga Neshati, por Lutfiu mohoi të kishte thënë një gjë të tillë.

Shpallja e aktgjykimit bëhet pas shqyrtimit të provave nga ana e gjyqtarit.