Drenica Nuk Është 100 % e Asfaltuar

Rreth tetë mijë banorë të Polacit, një fshat në komunën e Skenderajt, ankohen se organet kompetente nuk ua kanë asfaltuar rrugën tash e shtatë vjet ndonëse Drenica ka përjetuar investime të mëdha në asfaltim gjatë qeverisjes së Kryeministrit Hashim Thaçi.

Përpos rrugës së paasfaltuar në këtë fshat mungon edhe  kanalizimi, ujësjellësi, zgjerimi i shkollës si dhe një vend i posaçëm për hedhjen e mbeturinave.

As protestat e organizuara në muajt e fundit nuk kanë kryer punë.

Poeti Halil Xani, banor i fshatit, thotë se asgjë nuk ka ndryshuar për sa i përket vështirësive infrastrukturore për këtë fshat prej 60 viteve më parë.

“Po çuditemi përse ndodhë kjo”, u shpreh Xani. “Që nga themelimi i saj, shumica prej nesh kemi votuar për PDK’në (partinë në pushtet).

Xani tregon se banorët as nuk kanë kërkuar kompensime të pronave skaj rrugës vetëm për t’u mos u bërë pengesë për shtrimin e rrugës.

“Prekazi i ultë, Krushevci edhe Morina nuk janë sa Polaci”, shpjegonte ai përderisa po shfletonte një dosje të cilën e kishte përgatitur për fshatin e tij duke e emëruar ‘Padrejtësia e pushtetit’. “Atje nuk ka asnjë rrugicë të pashtruar”.

“Sa i përket ujësjellësit, na thonë se kanë bërë diçka. Gypat janë të zbraztë në mal, kurse ne e bartim ujin me traktor”, tregoi ai.

Xani tregon se për këso arsye shumë banorë po largohen nga fshati. “Nga lagja ime prej 25 familjeve, 88 anëtarë nuk janë më këtu… diku 70 familje janë shpërngulë nga fshati”.

Banorët thonë se për shtatë vite nuk është rregulluar as një kilometër rruge. Atëherë rruga ishte shtruar me gurë dhe shpronësimi nuk ishte bërë.

“Unë nuk e di qysh nënkryetarit (Fadil Nura) nuk i vjen marre me thanë se kjo është rrugë e renit të katërt, kur e ka dërguar rrugën në katundin e vet, në Prellavc, kur nëpër këtë rrugë më së paku kalojnë 2000 – 3000 kerre”, thotë Qazim Xani.

“Kemi shkuar të ankohemi dhe s’na kanë thënë asgjë, as që e kryejmë as që s’e kryejmë, bilës na kanë thanë se edhe për ministri gati se veten ata”, vazhdoi Qazim Xani.

Institucionet kompetente për këtë rrugë thonë se janë duku punuar në finalizimin e saj.

Hajriz Koci, deputet i asamblesë komunale po ashtu vendas nga Polaci, shprehet se rruga “do të përfundojë shumë shpejt ngase kemi është folur me kryetarin (Sami Lushtaku)”.

Fadil Nura, nënkryetar i komunës, thotë se nuk ka fonde për këtë projekt. “Procesi i shpronësimit kërkon fonde dhe elaborim të cilat komuna nuk i ka. Kjo rrugë nuk është në prioritet për shkak të buxhetit”, ka thënë ai.

Ai i quan banorët e Poalcit, të cilët thonë se Nura ka shtruar rrugën në fshatin e tij ndonëse ka shumë pak qarkullim, ‘të dezinformuar’.

Deputeti Hajriz Koci thotë se “procesi i shpronësimit është neglizhuar nga ministria e transportit për gjashtë vjet me radhë”.

Ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota insiston se problemi i shpronësimit ka ndodhur pasi që në kohën kur është bërë ky projekt nuk ka pasur ligj të shpronësimit.

“Ministria e Infrastrukturës ka marrë të gjitha vendimet e nevojshme që projekti i Polacit të jetë i përfunduar në vitin 2012, në gjashtëmujorin e parë. Unë i siguroj organet lokale se projekti do të përfundojë ashtu siç është paraparë”, ka thënë Mujota.

Me 24 tetor, pikërisht për këtë rrugë, bashkëvendësit e Hasan Prishtinës dolën për të protestuar pasi ka shtatë vjet që rruga nuk kryhet, dhe ajo përfundoi me dhunë dhe me nëntë arrestime.

Valdet Xani, Hilmi Xani dhe Basri Xani, tre kushërinj të cilët kishin dalë atë ditë në protestë dhe ishin arrestuar, habiten me mënyrën se si policia kishte vepruar që t’i shpërndaj ata.

“Unë kam qenë kalimtar i rastit, më kanë arrestuar pa ditë asgjë dhe plus më kanë hedhur sprej në sy. Deri kur kam shkuar në stacionin policor, nuk kam parë asgjë”, thotë Valdet Xani.

“Nuk e di pse ka pasur nevojë të vijë njësia speciale e policisë, madje mua më kanë arrestuar duke shku në shtëpi”, thotë ndërkaq Basri Xani.

Komandanti i policisë në Skenderaj, Basri Durmishi, thotë se është e drejtë e qytetarëve të protestojnë, por se këtë ata duhet ta bëjnë në mënyrë të qetë dhe paqësore.

“Rendin dhe qetësinë publike e kanë prishur një grup i protestuesve, rreth 25 veta. Fillimisht ata e kanë fyer policinë, e kane kërcënuar edhe e kanë sulmuar”, ka thënë Durmishi, duke shtuar se një dëshmitar ka pranuar se ka përdorur dhunë ndaj policisë.

“Nuk është përdorë dhunë ndaj popullit, është përdorë forcë proporcionale ndaj personave që kanë ushtruar forcë ndaj personave zyrtarë”, thotë Durmishi.

Durmishi arsyeton numrin e madh të policëve dhe njësiteve speciale për të mos lejuar që situata të eskalojë.

Nënkryetari Fadil Nura thotë se “masat që i ka marrë policia kanë qenë të drejta pasi që asnjë qytetar nuk ka të drejtë t’ia ndalojë dikujt qarkullimin”.

Por deputetja e Kuvendit të Kosovës nga PDK, Ganimete Musliu, dhe Ministri Mujota thonë se “nuk ka pasur nevojë për të protestuar që ky problem të zgjidhet”.

Zyrtarët komunalë si edhe ata të nivelit qendror premtuan se rruga do të përfundojë shumë shpejt, por banorët e Polacit mbeten skeptikë pasi ata kanë dëgjuar premtime të këtilla në vazhdimësi ndërsa rruga ka mbetur e paasfaltuar.