Drenasi Nuk Ka Zgjidhje Për Qentë Endacakë (TV)

Gjashtëdhjetë e shtatë vjeçari nga Drenasi, Azem Cakiqi, i cili gjatë muajit janar ishte sulmuar nga një qen në qendër të qytetit , thotë se kjo është një gjendje e rëndë në rast se komuna nuk do të ndërmarrë diçka.

”Edhe pse plaga ime nuk ishte shumë e rëndë, prapëseprapë ka mbetur  një traumë tek unë”, thotë Cakiqi.

Hatip Hulaj, epidemiolog në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas thotë se në këtë qendër janë evidentuar dhjetë raste të kafshimit nga qentë, por sipas tij ka edhe raste tjera që janë paraqitur gjatë natës dhe që janë drejtuar në Qendrën Infektive në Prishtinë.

“Plagët e kafshimit të qenit përpos që janë të rrezikshme, janë edhe të kushtueshme, pasi që duhet të merret një injeksion kundër tetanosit që e posedon qendra jonë, por serumin (glamoglobulinën) nuk e kemi edhe ky serum në barnatoret tona kushton 12 euro”, thotë Hulaj.

Sipas tij, ka shumë pacientë që për shkak të kostos, e kundërshtojnë marrjen e atij serumi, edhe pse është i domosdoshëm.

Hulaj thotë se është fatbardhësi që rreth njëzet vjet nuk kemi pasur raste të tërbimit të qenve, edhe pse sipas tij ka pasur raste me plagë të rënda që janë dërguar në Qendrën Infektive.

Në raste të tilla sipas Hulajt, pyetet pacienti nëse ka qenë i sulmuar nga qentë endacakë, ose nga ndonjë qen shtëpie, për të kuptuar nëse qeni ka qenë i vaksinuar ose jo .

“Nëse dyshohet se qeni ka qenë i tërbuar, e që vërtetohet vetëm nëse qeni ngordh dhjetë ditë pas kafshimit, pacientit duhet t’i jepet një trajtim më special me një vaksinë kundër tërbimit që tash e posedon vetëm Instituti i Shëndetit Publik”, shpjegon Hulaj.

Bekim Dobra, zëdhënës i komunës së Drenasit thotë se komuna është në dijeni për rastet e kafshimit të qenve, sidomos në muajin janar .

Sipas tij me hyrjen në fuqi të ligjit që komunës ia ndalon të bëjë eliminimin e qenve, komuna është duke e bërë rishikimin e buxhetit në mënyrë që të caktohet një vend për trajtimin e tyre.

“Ne i jemi drejtuar Agjensionit të Veterinës dhe Ushqimit në Kosovë (AVUK ) me një kërkesë që ta bëjë një projekt unifikues për tërë Kosovën për trajtimin e qenve që janë të rrezikshëm për qytetarët”, thotë Dobra.

Por, Lamir Thaçi nga AVUK-u, thotë se me këtë problematikë kryesisht merren komunat.

“Ata ndajnë buxhet për financimin  e eliminimit të qenve endacakë dhe gjithmonë ne jemi mbështetës të tyre brenda mundësive që kemi. Deri me tani jemi marrë me  vetëdijesimin e popullatës dhe informimin e organeve komunale, të cilat janë marrë me këtë problem”, thotë Thaçi.

Hapi tjetër, sipas tij ka qenë identifikimi i problemeve dhe zgjidhja parciale me mundësitë e AUVK-ut që ky problem të zbutet.

“Janë bërë trajnime  fushore me ndihmën e KFOR-it amerikan për sterilizim, kastrim dhe eutanazi të qenve endacakë. Kemi trajnuar edhe veterinarët e terrenit për masat që duhen ndërmarrë”, thotë Thaçi.

Facedog Kosova, është një iniciativë vullnetare që ka për qëllim të avokojë për trajtim etik të kafshëve endacake në Kosovë.

Fitim Sylejmani nga kjo iniciativë, thotë se duke e marrë për bazë gjendjen më të rënduar të qenve endacakë, ata kryesisht janë fokusuar që të punojnë në përmirësimin e trajtimit të kësaj kafshe.

“Tani nga 1 marsi ne do të fillojmë që t’i takojmë kryetarët e komunave për zgjidhjen e këtij problemi. Gjithashtu ne jemi në kontakt me donatorë të jashtëm, të cilët janë të interesuar të përkrahin projekte për vaksinim të qenve dhe sterilizimin e tyre, ashtu sikur se kemi edhe qëllim të ndërtojmë strehimore për këto kafshë”, thotë Sylejmani.

Sipas tij, kjo nuk mund të bëhet pa përkrahjen e komunave përkatëse, pasi që secili donator është i interesuar që projektet e tyre të kenë vazhdimësi dhe qëndrueshmëri.

“Ka pasur raste kur qentë së pari janë vaksinuar dhe sterilizuar, e më pas në aksione për eliminimin e tyre, të njëjtit janë vrarë”, thotë Sylejmani.

Sipas Sylejmanit, Facedog Kosova angazhohet që të krijohet një zgjidhje institucionale për këto kafshë.

“Ta ndryshojmë dhe plotësojmë ligjin përkatës, për të afirmuar më tutje mbrojtjen e tyre dhe që çështja e kafshëve endacake të zgjidhet një herë e mirë në Kosovë, ashtu siç edhe është e rregulluar në shumicën e shteteve evropiane”,  shprehet Fitim Sylejmani.

Neni 4 i udhëzimit administrativ kundër tërbimit  i nxjerrë në vitin 2005, ua ndalon autoriteteve komunale eliminimin e kafshëve endacake me armë zjarri.