Përmbyllja e fushatës në Drenas | Foto: Facebook

Drenasi, ‘Jerusalemi’ i Kadri Veselit

Drenasi, një ndër bastionet më të fuqishme të PDK-së, është sfida e parë për Kadri Veselin qëkur mori drejtimin e partisë më të madhe të vendit në maj të këtij viti.

Për ta kaluar këtë sfidë sukseshëm Veseli ka mobilizuar gjithë strukturat e PDK-së, duke përfshirë edhe deputetët dhe ministrat e këtij subjekti.

10 ditë para nisjes zyrtare të fushatës për kryetar të Komunës së Drenasit, i pari i PDK-së, bashkë me ministra e deputetë nisi takimet me qytetarë të kësaj komune,duke shoqëruar kudo kandidatin e kësaj partie Raniz LLadrovcin.

Veseli gjatë këtyre vizitave fshat më fshat dha mes tjerash edhe premtime për investime milionëshe në Drenas.

Herë në oda, e herë në sallone shtëpish, qytetarët e komunës ku do të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme u vizituan edhe pothuajse nga gjithë ministrat dhe shumë deputetë të PDK-së, kryesisht të kësaj ane.

Imer Mushkolaj për Gazetën Jeta në Kosovë shpjegon pse është kaq i rëndësishëm Drenasi për Veselin.

“Për shkak se është testi i parë i tij pasi e ka marrë drejtimin e PDK-së, ai [Kadri Veseli] do të bëjë çmos që t’i fitojë zgjedhjet, ngase e ka shumë të rëndësishme të dëshmohet,” thotë Mushkolaj.

Edhe pse po votohet për të parin e kësaj komune në zgjedhje të jashtëzakonshme, këtë e sheh më shumë garë mes partish, sesa garë mes kandidatësh, Albert Krasniqi i KDI-së.

“.. Për këtë arsye angazhimi i PDK-së është që t’a ruajë votën ekzistuese, por edhe ta rrisë atë në Drenas. Lidershipit të ri i duhet rikonfirmimi i mbështetjes,” shpjegon Krasniqi.

Rëndësinë e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas e ka shprehur hapur edhe vetë Veseli me vizitat gati të përditshme në këtë komunë e me postimet në faqen e tij në Facebook.

“Ramiz Lladrovci është zgjedhja më e mirë e mundshme, për vizionin tonë për Drenasin me perspektivë, për Drenasin e zhvilluar ekonomikisht, për Drenasin e unitetit të Drenicës dhe PDK-së,” kishte shkruar Veseli në Facebook më 16 nëntor.

Veseli gjatë tubimeve në Drenas | Foto: Facebook
Veseli gjatë tubimeve në Drenas | Foto: Facebook

Garën për Drenasin e nisën tetë kandidatë por dy prej tyre u tërhoqën “gjatë rrugës”, edhe pse Komisioni Qendror Zgjedhor nuk i largoi nga lista.

Tërherqjen nga gara të Naim Bazajt dhe Rrahim Elshanit që kandiduan si të pavarur edhe pse u takonin strukturave të PDK-së, e bëri të ditur Veseli më 17 e 18 nëntor.

Imer Mushkolaj dyshon se ata e bënë tërheqjen në mënyrë vullnetare.

“Kandidimi i pavarur tregon shumë për pakënaqësinë e përçarjen në degën e PDK-së në Drenas. Ndërsa tërheqja e tyre nga gara është e pabesueshme të jetë bërë vullnetarisht,” thotë Mushkolaj.

Përveç Lladrovcit, aktivë në garën për të parin e Drenasit vazhdojnë të mbeten Isa Xhemajlaj i Nismës, Elmi Thaçi i AKR-së, Bedri Nikaj i AAK-së, Vehbi Berisha i “Fjalës” dhe Xhavit Drenori si kandidat i pavarur.

Analizë: Drenasi në Numra  

Të pestët para disa ditësh në një deklaratë të përbashkët u ankuan “për keqpërdorimin e resurseve shtetërore nga zyrtarët e lartë publikë në parafushatën zgjedhore në Drenas”.

“Kjo çështje po e bën garën për kryetar të Drenasit të pabarabartë, sepse gara si e tillë  nuk është ndërmjet neve si kandidatë dhe shtetit, por ndërmjet kandidatëve të subjekteve të ndryshme politike në Drenas,” shkruhet në këtë deklaratë.

Edhe Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) nuk i përjashton tensionet e mundshme gjatë zgjedhjeve, pasi sipas tij kandidatët e tjerë për kryetar komune këtë garë e shohin më shumë si garë me qeverinë [PDK-ja është pjesë e koalicionit qeveritar] sesa garë mes tyre.

Garën të pabarabartë e vlerësoi edhe Imer Mushkolaj.

“Ata [PDK] do të bëjë çmos për fitore, edhe në përdorim të mjeteve tjera në vjedhje industriale e votave. Testi i Drenasit duhet kalohet me sukses, nuk do tua lëshojnë kandidatëve tjerë,” tha ai.

Ndërsa kandidati i Nismës Isa Xhemajlaj i tha Gazetës Jeta në Kosovë se “Unë jam në garë me krejt qeverinë [PDK-në]”.

http://kallxo.com/kandidati-nisma-s-po-u-vjen-fundi-premtimeve-te-rrejshme/

Edhe vetë Ramiz Lladrovci nuk filloi karrierën e tij politike në PDK, pavarësisht që lindi në bastionin e saj në Drenas.

Ramiz Lladrovci dikur ishte përkrahës i AAK-së dhe liderit të saj Ramush Haradinaj, duke u renditur në partinë tjetër të dalë nga lufta e UÇK-së, e jo në PDK.

Ai në kohën e Agim Çekut kryeministër (2006-2008) ka qenë shef i kabinetit të tij. Dy vjet më pas, ai kandidoi për deputet të Kuvendit të Kosovës, duke u zgjedhur deputet i PDK-së në periudhën e katërt legjislative (2010-2014).

Kadri Veseli e Ramiz Lladrovci | Foto: Facebook
Kadri Veseli e Ramiz Lladrovci | Foto: Facebook

Pas përfundimit të mandatit si deputet, ai u emërua ambasador i Kosovës në Shqipëri, atje ku në vitet 98-99’ ishte drejtues i Zyrës Ndërlidhëse të UÇK-së.

Por, hoqi dorë nga pozita e diplomatit dhe iu rikthye vendlindjes për t’u kërkuar votën bashkëqytetarëve të tij në kandidaturën “e jashtëzakonshme” për të parin e Drenasit.

E zgjedhjen e PDK-së që Lladrovci të jetë kandidat i saj për Drenasin, e sheh logjikë jo të mirë, mbi bazat e participimit të meritave familjare, analisti Mushkolaj.

“Lladrovci është njëri prej kandidatëve më të dobët”, thotë Mushkolaj.

Ndërsa Krasniqi nuk do ta komentojë figurën e tij. Thotë se të dielën atë duhet ta vlerësojnë qytetarët e Drenasit.

Fushata zgjedhore për Drenasin zyrtarisht nisi më 28 nëntor, ndërsa mbyllet sonte.

Në zgjedhjet e kaluara komunale të 2013-ës, PDK-ja në Drenas kishte 64 për qind të votave, ose 13,550 votues.

Iniciativa Qytetare për Drenasin 15 për qind,ose 3,236 votues. Ndërsa partitë tjera pjesëmarrëse më pak se 5 për qind secila.

Nexhat Demaku më 25 tetor dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të Drenasit pas vërtetimit të dënimit prej 3 vjetësh për krime lufte nga apeli, të cilin e mori shkalla e parë.

http://kallxo.com/jep-doreheqje-kryetari-drenasit-reagon-pdk/

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit mbahen të dielën më 4 nëntor. Të drejtë vote kanë 53 mijë qytetarë, të cilët do të përcaktojnë se kush do të jetë kryetari i komunës së tyre.

http://kallxo.com/drenasi-i-supervezhguar/

Në emisionin “Jeta në Komunë” në RTV 21 është duke u zhvilluar debati i kandidatëve për kryetar të Drenasit në të cilin nuk po marrin pjesë Ramiz Lladrovci e Elmi Thaçi.

http://kallxo.com/kandidatet-tregojne-pse-nderruan-partite-nder-vite/