Drenasi Asfaltohet nga Firma e Lidhur me Njerëz të PDK-së

Nexhat Demaku, kryetar i Drenasit, në janar të vitit 2014 ia besoi Betim Berishës udhëheqjen e Drejtorisë së Urbanizmit.

Emri i Berishës përmendet shpesh në Drenas. Por jo për punën e tij në urbanizëm. Përmendet për prokurimet publike.

Para se të ngjitej në këtë pozitë të rëndësishme komunale kishte punuar në firmën “Trasing Group”.

Kjo është një prej firmave më të njohura në këtë komunë.

Aty mbante pozitën e menaxherit të kompanisë. “Trasing Group” bazuar në të dhënat e regjistrimit të biznesit në Ministri të Tregtisë figuron në emër të Demir Berishës.

Ai është xhaxhai i Betim Berishës.

Ngjitja e nipit të tij në krye të komunës ka bërë që të rikthehen në diskutim publik tenderët e Drenasit të fituar nga “Trasing Group” që përfshijnë asfaltimin e rrugëve në këtë komunë.

Autoritetet komunale nënshkruan shtatë kontrata publike me këtë firmë prejse nipi i pronarit mori pozitë të rëndësishme komunale.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se gjashtë kontrata u nënshkruan gjatë vitit 2014. Kishin vlerë totale prej 150 mijë e 114 eurove.

Ndërsa një kontratë u nënshkrua gjatë vitit 2015 dhe peshon 27 mijë e 841 euro.

Fakti që drejtori i urbanizmit dhe pronari i firmës kanë lidhje familjare, shihet me dyshim nga opozitarët në Drenas që janë intervistuar nga Gazeta Jeta në Kosovë.

E shohin si konflikt interesi dhe kurdisje të tenderëve për të afërm të pushtetarëve.

Përveç opozitarëve, ka edhe ligjvënës lokalë që i përkasin PDK-së, por që kritikojnë fitimin e tenderëve komunalë nga “Trasing Group”.

Afërsia e kompanisë me njerëz të politikës

Kjo firmë që tash po nxit diskutime ka një histori të mëhershme me autoritetet komunale në Drenas.

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar para më shumë se tre vjetësh, në qershor të 2012-ës, për lidhjet e saj me politikën dhe tenderët e fituar nga Drenasi.

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar se kjo kompani pati lidhur pesëmbëdhjetë kontrata publike me Komunën e Drenasit përgjatë viteve 2009, 2010 e 2011.

Dy tenderët e fituar më 2009 kishin vlerë totale prej 215 mijë e 149 eurosh.

Nëntë tenderët e 2010-ës kishin vlerën e 462 mijë e 960 eurove. Ndërsa katër tenderët tjerë të fituar gjatë vitit 2011 kishin vlerë prej 286 mijë e 715 eurosh.

Kjo kompani ka vazhduar të fitojë edhe gjatë viteve 2012 e 2013.

Një tender në vlerë mbi 76 mijë euro e kishte fituar më 2012, ndërsa më 2013 kishte fituar pesë tenderë. Vlera totale e tyre ishte më e lartë se 618 mijë euro dhe kishin të bënin me asfaltim të rrugëve e rehabilitim.

Ndërkohë Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik pati gjetur se ka pasur shkelje së paku në dy tenderë të fituar nga “Trasing Group” gjatë viteve 2009-2011.

Kjo firmë atëkohë kishte për këshilltar Ferat Shalën që tash mban pozitën e zëvendësministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ai më herët kishte mbajtur pozitën e  drejtorit të Drejtorisë së Kundërzbulimit në Shërbimin Informativ të Kosovës që udhëhiqej nga Kadri Veseli.

Shala kur ishte intervistuar nga Gazeta Jeta në Kosovë pati mohuar se kishte luajtur rol në fitimin e kontratave publike nga kompania që e këshillonte.

Shala ka lidhje familjare me Demir Berishën, pronarin e “Trasing Group”.

Sala Berisha-Shala, bashkëshortja e tij, është motra e Demir Berishës.  Berisha-Shala është deputete e PDK-së në pushtet.

Ligjvënësit lokalë shohin me dyshime tenderët e fituar nga “Trasing Group”

Vehbi Berisha është asamblist i pavarur në Komunën e Drenasit. Ai vlerëson se firma “Trasing” nuk është dashur që të fitojë tenderë nga kjo komunë.

“Unë e vlerësoj konflikt interesi. Kur mixha merr tenderë prej djalit të vëllait që është drejtor i Urbanizmit, atëherë qysh mos me qenë konflikt interesi,” thotë Berisha për Gazetën Jeta në Kosovë.

Shton se nuk ka asgjë personale me Demir Berishën, pronarin e firmës dhe Betim Berishën, drejtorin e Urbanizmit.

Berisha thotë se kundërshtimi i tenderëve të fituar nga “Trasing” nuk është i efektshëm në Drenas.

“PDK-ja në asamblenë e Drenasit e kanë shumicën. Edhe nëse fol është pa asnjë peshë, bile-bile është humor i mire për ta (PDK-në)”, thotë Berisha.

Edhe një asamblist tjetër ngre kritika ndaj tenderëve të fituar nga “Trasing”.

Është Sokol Bylykbashi nga “Vetëvendosje”. Ai bën me gisht kah Zyra e Prokurimit.

“ Kjo zyrë po vazhdon më i kurdisë tenderët, me qëllim që të afërmit e zyrtarëve të marrin punë nga Komuna dhe kjo është arsyeja që investimet kapitale kanë cilësi të ulët,” thotë Bylykbashi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Një prej asamblistëve megjithatë e kishte ngritur këtë çështje në kuvendin komunal.

Është Xhavit Drenori që e ka bërë këtë, edhe përkundër që i përket PDK-së në pushtet.

“Këtë çështje e kam ngritur në fillim të këtij viti në Kuvendin Komunal gjatë shqyrtimit të raportit financiar për vitin e kaluar,” thotë Drenori.

Ai shton se fitimi i tenderëve nga kjo firmë përveç që përbën konflikt interesi “…është shumë e pamoralshme dhe besoj që është edhe shkelje ligjore,” shton Drenori.

Demir e Betim Berisha u përgjigjen akuzave

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar një koment nga Komuna e Drenasit për akuzat për konflikt interesi që ngrihen nga opozitarët.

Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës, bën një kalkulim të tenderëve të fituar para dhe pas ardhjes së

Betim Berishës në pozitën e drejtorit të Urbanizmit.

Konkludon se firma ka fituar më pak prej se Berisha morri këtë post komunal.

“Përkundrazi, për t’u ikur të gjitha këtyre aludimeve mediatike, mund të vlerësohet se numri i marrjes se tenderëve nga kompania ‘Trasing Group’, gjatë ushtrimit të detyrës si drejtori i Urbanizmit nga Bekim Berisha (17.01.2014) është i vogël në krahasim me vitet tjera paraprake,” thotë Dobra.

Ndërkohë Betim Berisha, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë vlerëson se kompania e xhaxhait së tij është meritore për të lidhur kontrata publike.

“Trasing”, sipas tij, është kompani lidere në Drenas. Thotë se ka argumente për këtë pohim.

“… sepse e ka bazën e asfaltit, e ka gurthyesin dhe ka mbi 60 punëtorë,” thotë Betim Berisha.

Thotë se problem përbën fakti që Drenasi nuk është qytet i madh dhe lidhjet familjare janë të pranishme.

Betim Berisha thotë se i ka të ndara rrugët me xhaxhanë e tij. Për vetë thotë se ndjek rrugën e politikanit, ndërsa xhaxhai të biznesmenit.

“Raportet i kam si nip e mixhë”, thotë Betimi përkundër se për disa vite kishte mbajtur pozitë menaxheriale në biznesin e xhaxhait edhe pse thotë se është përcaktuar vetëm për politikë.

Ai ka një angazhim shumëvjeçar në degën e PDK-së në Drenas. Ka 11 vjet i angazhuar si aktivist. Tash mban pozitën e zëdhënësit të degës së PDK-së.

“Unë me politikë do të merrna gjithmonë. A do të jem deputet, a ministër a zëvendësministër, a ambasador në ndonjë vend, nuk e di, por me politikë do të merrna,” pohon Berisha.

Ai ka qenë ligjvënës lokal i PDK-së në Drenas para se të merrte pozitë ekzekutive si drejtor i Urbanizmit.

Edhe Demir Berisha, pronar i “Trasing”, u është përgjigjur akuzave të opozitarëve lokalë.

Tregon se këtë firmë e ka hapur para dhjetë vjetësh që, sipas tij, i bie shumë më herët sesa nipi i tij të merrte pozitë drejtuese në komunë.

Ai thotë se më herët e kishte pasur pjesë të firmës nipin e tij. Kishte mbajtur pozitën e menaxherit.

“Ka punu më herët. Por djali ka dashtë me u marrë me politikë, edhe u shku. Aty e ka gjet veten më shumë,” thotë Demir Berisha.

Ai thotë se e vërteta është ndryshe nga akuzat që i bëhen nga të tjerët. Sipas tij, angazhimi i nipit në udhëheqësi të komunës e dëmtoi Firmën “Trasing”.

“Mua nuk me intereson a është apo jo Betimi aty.  Përkundrazi, që dy vite që është Betimi aty, unë më se pakti kam konkurruar dhe kam marrë punë,” thotë Demir Berisha për Gazetën Jeta në Kosovë.

Thotë se ka konkurruar në tenderët e komunave tjera vetëm për t’i ikur përmendjes së konfliktit të interesit.

Por kur i përmendet nga Gazeta Jeta në Kosovë se kompania e tij fitoi një numër të madh tenderësh, prej se Betim Berisha u emërua në krye të urbanizmit, ai thotë se firma i plotësoi kriteret.

Ai tha se as kur të tjerët i kanë marrë punët, asnjëherë nuk është ankuar.

“Për këtë temë s’ka nevojë të diskutohet. Nëse dikush i ka plotësuar kushtet, atëherë e ka marrë tenderin. Nëse ne i kemi plotësuar kushtet, atëherë ne e kemi marrë tenderin,” thotë Demir Berisha.