Drejtori i Inspektoratit në Prizren Shfrytëzon Kundërligjshëm Pronën Publike

Lokali “Fellas” gjendet në zonën e parë të Qendrës Historike të Prizrenit, e cila është e mbrojtur me ligj të veçantë për këtë qendër. Para këtij lokalit, në vitin 2015, është ndërtuar një konstruksion metalik dhe është mbuluar sipërfaqja publike.

Vendosja e këtij konstruksioni metalik është në kundërshtim me ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.

“Vendosja e kiosqeve, tezgave, tavolinave dhe elementeve tjera montazhe, parkingjeve ose të ngjashme që do të pengonte vizurat dhe qasje të lirshme në monument si dhe vendosja e kontejnerëve dhe shportave tjera për mbeturina para dhe në afërsi të monumentit”, thuhet në nenin 6 paragraf 1 pika 1.2 e ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit.

Lokali “Fellas” është në pronësi të Gurash Hasani, djalë i Bujar Hasanit, drejtor i Inspektoratit në Prizren.

Bujar Hasani është emëruar vitin e kaluar në krye të Inspektoratit komunal, por deri më tani nuk ka vepruar ndaj lokalit të tij, e as ndaj lokaleve tjera që ndodhen në këtë zonë të mbrojtur me ligj.

“Lokalin, nëse është në pyetje për këto anash që po i shifni këto mbuloja, sene, është e vërtetë që nuk ka leje, por si gjithë lokalet tjera, tuj fillu prej pjesës së Shatërvanit që nga pas lufta, edhe ky lokal është njëjtë”, tha Hasani për KALLXO.com.

Hasani thotë se pjesën e shtuar të lokalit e ka bërë para se ai të vijë në pozitën e drejtorit dhe tani nuk e sheh të arsyeshme të ndërhyjë në të. Premton se do të reagojë për shkeljet që janë bërë pas emërimit të tij.

“Tash nuk mund të bëj përjashtim dhe të them se në lokalin tim nuk bën e te të tjerët bën… Shiko, me gjithë vullnet po si t’ua ndaloj… Po është problem pak, është problem”, thotë ai kur pyetet pse nuk ka vepruar ndaj lokaleve të vendosura pa leje në këtë pjesë.

Hasani më pas flet si biznesmen dhe fillon ta kritikojë ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, e të cilin e ka obligim ta zbatojë.

Drejtori Hasani thotë se shfrytëzimi i hapësirës publike për tavolina lejohet me pagesë. Por, ai këtë pjesë të pronës publike e shfrytëzon gjatë tërë vitit.

“Kjo është koha për të cilën jemi të obliguar ta bëjmë pagesën… Është shfrytëzu (edhe gjatë dimrit), po është e paraparë me ligj për gjashtë muaj… Por nuk është shfrytëzuar ku me ditë sa, se është ftohtë, po është e vërtetë që kanë dalë nga brenda për të pirë kafe dhe cigare në atë pjesë”, thotë ai.

Asamblistja komunale nga radhët e LDK-së, në Prizren, Mybera Mustafa, e cila njëkohësisht është edhe banore në lagjen ku drejtori Hasani ka lokalin, thotë se disa herë e ka ngritur në Kuvendin Komunal uzurpimin e pronës publike nga lokali ku pronar është Hasani.

“Ka tri vite që e kemi ngritë si çështje, kemi kërku dokumentacion dhe raport se a ka leje ai njeri dhe a është në bazë të standardit për zonën historike të Prizrenit, kryetarin e komunës së Prizrenit ish dashtë me e brengosë fakti që po kërkojnë qytetarët”, thotë Mustafa.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, thotë për Gazetën JnK se në rastin e Bujar Hasanit nuk konsiderojnë se ka shkelje ligjore.

“Ne në lidershipin e komunës i trajtojmë të gjitha kërkesat njëjtë, pavarësisht përkatësisë partiake e racore. Ne nuk kemi intervenu te rasti i zotëri Hasanit sepse lëvizja e lirë e qytetarëve është në rregull, nëse është në kundërshtim me ligjin për qendrën historike do të duhej që komisioni dhe Qendra Rajonale të bëjë shkresa, që ku atakohet, në cilën pikë të ligjit atakohet me këtë veprimtari dhe jo vetëm në këtë rast por edhe në ratste tjera”, thotë Berisha.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka siguruar Njoftimi i QRTK-se për Komunën e Prizrenit, të cilat e demantojnë qëndrimin e komunës.

Zyra e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore i është drejtuar me shkresa zyrtare komunës së Prizrenit për disa raste, në mesin e tyre edhe për lokalin e drejtorit Hasani.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Samir Hoxha, thotë se drejtori Hasani do të duhej të ishte shembull i zbatimit të ligjit.

“Unë mendoj që secili person publik i cili merr përsipër detyra zyrtare duhet të jetë fillimisht i gatshëm që vet ta respektojë legjislacionin në fuqi dhe pastaj në përputhje me detyrat zyrtare të ndërmarrë të gjitha veprimet për të parandaluar shkelësit e ligjit në Qendrën Historike dhe në rastin konkret edhe z. Hasani do të duhej të ishte më i vëmendshëm dhe më i kujdesshëm për të ndërmarrë të gjitha veprimet për të cilat e obligon ligji për Qendrën Historike të Prizrenit”, thotë samir Hoxha.

Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit, në nenin që ka të bëjë me mbikëqyrjen inspektuese në zbatimin e këtij ligji e obligon inspektoratin komunal të Prizrenit.

Edhe përkundër këtij obligimi ligjor, Drejtoria e Inspektorateve në Prizren nuk e ka parë të arsyeshme të reagojë.

I pyetur nga Gazeta “Jeta në Kosovë” i pari i kësaj drejtorie, Bujar Hasani, nuk premtoi se do të ndërmarrë masa as ndaj lokalit të tij e as për lokalet tjera, ai tha se do të pres ndryshimet ligjore.

Qendra Historike në Prizren, edhe pse e mbrojtur me ligj dita ditës po degradohet.

Gazeta “Jeta në Kosovë”, edhe më herët pati raportuar për Zonën e Parë të Qendrës Historike të Prizrenit, e cila u shndërrua në zonë të parë biznesore me mbindërtime nga njerëz që shpërfillin ligjin, për veprimtari të kundërligjshme të rrënimit të trashëgimisë, e deri te rasti i tragjedisë së së vajzës katër vjeçare nga mos kujdesi ndaj trashëgimisë në këtë zonë.