Ilustrim

Dosja e shkeljeve nëpër tenderë në vitin 2018

Gjatë vitit 2018, Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar vazhdimisht për tenderë në të cilët ka pasur shkelje ligjore, tenderë të cilët kanë zgjatur me vite të tëra për shkak të zvarritjeve në procedurat e prokurimit, të tjerë të cilët janë nënshkruar me operatorë të papërgjegjshëm e po ashtu edhe për vendime të dyshimta nga “Gjykata e tenderëve”.

Disa nga tenderët që kanë lënë gjurmë në vitin 2018, janë ‘Autostrada për Gjilan’, ‘Ujësjellësi në Dragash’, ‘Teleferiku në Prizren’ e ‘Pastrimi i rrugëve gjatë dimrit në Ferizaj’.

Disa prej tenderëve iu është ‘lidhur’ koka në vitin 2018 e disa të tjerë do të vazhdojnë me procedura edhe gjatë vitit 2019.

Më poshtë mund të lexoni 10 tenderët kryesorë, të cilët kanë zënë ballinën e Gazetës Jeta në Kosovë gjatë vitit 2018.

Shkeljet ligjore që rrezikuan jetën e qytetarëve

“Gjykata e Tenderëve” ka shpërfaqur një ‘lëshim’ në dosjen e tenderit prej të cilit ka përfituar vetëm kompania e rekomanduar për kontratë, ashtu që ka dalë më e lira prej konkurrentëve.

Komuna e Ferizajt ka qenë fatlume gjatë dimrit të kaluar, për shkak të reshjeve të pakta të borës. Ajo e ka kaluar dimrin pa pasur kompani të angazhuar për pastrimin e rrugëve. Kjo komunë nuk kishte kontaktuar asnjë kompani për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve, për shkak të shkeljeve ligjore në tenderin për këtë çështje.

Komuna e Ferizajt me shumë vonesë e kishte iniciuar këtë tender, duke marrë parasysh kohën e nevojshme ligjore deri në kontraktimin e një kompanie për mirëmbajtje.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, Komuna e Ferizajt publikoi thirrjen për kontratë për tenderin për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve gjatë sezonit veror dhe dimëror në Komunën e Ferizajt, llot I dhe llot II. Komuna e Ferizajt arriti që me datën 18 dhjetor të publikojë njoftimin për dhënie të kontratës, duke e rekomanduar për kontratë operatorin ekonomik N.T. Rahovica Comerce; Damastion Project Sh.P.K me vlerë të kontratës prej 226 mijë e 138 euro e 40 centë për llotin e parë dhe 189 mijë e 48 euro e 95 centë për llotin e dytë në muajin dhjetor.

Shkeljet Ligjore që Rrezikuan Jetën e Qytetarëve

Kjo Komunë, sipas OShP-së, e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë “Rahovica” në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit. “Gazeta JnK” ka gjetur se kompania e rekomanduar për kontratë i ka dalë në ndihmë Komunës së Ferizajt për të parandaluar bllokimin e qytetarëve nga bora.

Në postimet publike, kryetari i Komunës, Agim Aliu, përmes faqes së tij publike në “Facebook”, ka falënderuar “kompanitë private që po angazhohen me gjithë kapacitetet e tyre në mënyrë vullnetare për tejkalimin e kësaj situate duke mundësuar qarkullimin pa pengesë të qytetarëve dhe automjeteve në rrugët e territorit të Ferizajt”.

Komuna e Ferizajt thoshte se do të mbulojë shpenzimet e derivateve të kompanive që vullnetarisht e kanë pastruar borën.

“Meqenëse këto kompani operojnë vullnetarisht është e arsyeshme që së paku derivatet e shpenzuara t’u paguhen këtyre operatorëve”, thuhej në përgjigjen e Komunës.

Komuna nuk ka treguar nëse ajo do t’i paguajë edhe punëtorët e kompanive private si dhe nëse kripa ka qenë e kompanive apo e Komunës.

Tenderi 100 milionësh i autostradës për Gjilan 

Procedura e këtij tenderi kishte nisur me datën me 12 qershor 2017, një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme që janë mbajtur në Kosovë. Ofertat ishin dorëzuar me datën 21 korrik të vitit 20017, në kohën kur Kosova ishte në krizë institucionale për formimin e qeverisë. Komisioni Vlerësues prej pesë anëtarësh e kishte përfunduar punën e tij me datën 8 shtator 2017. Mbarimi i vlerësimit të ofertave që kishte rezultuar me eliminimin e 173 oferatave ishte bërë vetëm një ditë para se të votohej Qeveria Haradinaj në Kuvendin e Kosovës.

Tenderi për Autostradën për Gjilan për herë të dytë u shqyrtua në muajin janar të vitit 2018 në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pasi 11 operatorë pretendonin se Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje ligjore gjatë rivlerësimit të ofertave. Herën e parë, Gjykata e Tenderëve kishte vendosur të anulojë vendimin e ministrisë së Infrastrukturës duke e kthyer këtë proces të prokurimit në rivlerësim. Gjatë rivlerësimit, Ministria e Infrastrukturës i kishte ndërruar të gjitha kompanitë fituese në 8 llotet e këtij tenderi.

Në fillim të vitit 2018, eksperti shqyrtues kishte gjetur shkelje ligjore në tenderin e autostradës për Gjilan. 

Sipas ekspertit, Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit gjatë rivlerësimit të ofertave në tenderin për autostradën për Gjilan. Eksperti shqyrtues, Hasim Krasniqi i ka rekomanduar Panelit Shqyrtues që të anuloje vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës për dhënien e kontratës për 8 llotet, dhe të njëjtat t’i kthejë në rivlerësim.

Ky konstatim i ekspertit shqyrtues është dhënë në fund të një raporti prej 106 faqesh, në të cilin janë dhënë mendime për secilin pretendim të operatorëve ekonomikë ankues.

Gazeta JnK ka ndjekur edhe seancën e zhvilluar në “Gjykatën e tenderëve” ku edhe u shqyrtuan ankesat e 11 operatorëve ekonomik.

Salla e OShP-së ishte e vogël për t’i nxënë përfaqësuesit e 11 operatorëve ankues për tenderin e autostradës së Gjilanit.

Më shumë se 20 personave prezentë në këtë seancë kishin nxënë ulëset që ishin brenda sallës kurse gjysma tjetër ishin jashtë në këmbë, me sy e veshë te dera e hapur e sallës.

Mbajtja e derës së sallës së hapur ishte kompromisi që kishin bërë për të dëgjuar se çka po flitej brenda. Kryetari i panelit shqyrtues, Blerim Dina filloi të lexonte shkurtimisht se çfarë kishte ndodhur me këtë aktivitet të prokurimit që nga fillimi.

Mbi 10 përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë ankues që ishin jashtë në korridorin e vogël pranë sallës me dosje në dorë me dokumente, po ankoheshin se nuk po arrinin të dëgjonin se çfarë ishte duke lexuar kryetari i panelit shqyrtues.

Ditë më vonë OShP i kishte hapur rrugë Ministrisë së Infrastrukturës për të nënshkruar 8 kontratat për ndërtimin e autostradës për Gjilan. Paneli Shqyrtues i OSHP-së në përbërje nga Blerim Dina, Nuhi Paçarizi dhe Goran Milenkoviq ka vendosur se ankesat e 11 operatorëve ekonomikë ishin të palejuara.

Paneli në 16 raste është thirrur në sqarimet që ka dhënë eksperti shqyrtues për konstatimet që kishte bërë për pretendimet e operatorëve ekonomikë, mirëpo në fund nuk e kishte përfillur rekomandimin kryesor të ekspertit, që lënda të kthehet në rivlerësim.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se ky arsyetim i OSHP-së nuk përkon me shumën e mjeteve që shteti ka vendosur të investojë në këtë Autostradë në vitin 2018. Në buxhetin e vitit 2018 për Autostradën për Gjilan janë ndarë vetëm 16 milionë euro, edhe ato janë bartur nga viti paraprak. Për vitin 2019 janë paraparë 59 milionë euro, kurse në vitin 2020 edhe 50 milionë euro.

Gjykata e Tenderëve nuk është marrë me disa pretendime të operatorëve ekonomik se disa nga operatorët e rekomanduar për kontratë kanë paraqitur dokumente të falsifikuara.

Vendimi i Dyshimtë i OSHP-së për Autostradën për Gjilan

Shkeljet në tender që çuan në humbjen e donacionit 

Procesi i prokurimit “Rregullimi i shtratit të lumit te Bifurkacioni dhe trotuaret pranë lumit Nerodime” ka filluar në tetor të vitit 2016 me një vlerë të parashikuar prej 306 mijë e 315 euro për tri vite.

Ky tender ka një histori 14 mujore, aq sa ka zgjatur procesi i prokurimit nga momenti i inicimit të tenderit deri në ditën e anulimit  të tij, më 8 dhjetor të vitit 2017.

Zvarritjet e shumta në tenderin për rregullimin e shtratit të lumit te bifurkacioni dhe trotuaret pranë lumit Nerodime i kanë shkaktuar Komunës së Ferizajt humbjen e donacionit.

Ky projekt ishte pjesë e donacioneve nga Komisionit Europian. Për vitin 2016 për këtë projekt ishin të zotuara 65 mijë euro, 100 mijë euro ishin planifikuar për vitin 2017, dhe për vitin 2018 ishte planifikuar edhe pjesa tjetër prej 141 mijë e 315 euro.

Donacioni i cili ka qenë i dedikuar për projektin në fjalë sipas zyrtarëve komunalë  të Ferizajt është tërhequr për shkak vonesave në procedura të prokurimit dhe Komuna nuk ka zotuar mjete tjera për të vazhduar me procedura të prokurimit.

Shkeljet në Tender që Çuan në Humbjen e Donacionit

‘Loja’ e komunës së Dragashit me tenderin për ujësjellësin  

Shkeljet recidiviste për tenderin e ujësjellësit në komunën e Dragashit kanë vazhduar edhe gjatë gjithë vitit 2018.

Kanë kaluar më shumë se dy vite nga qershori i vitit 2016 kur është bërë njoftimi për kontratë, por ende nuk ka përfunduar telenovela për tenderin e ujësjellësit në Dragash.

Vetëm gjatë vitit 2018, Gazeta JnK ka shkruar gjashtë herë në lidhje me shkeljet e vazhdueshme ligjore në këtë tender.

Në muajin shkurt të vitit 2018 tenderi për shtrimin e ujësjellësit në komunën e Dragashit u kthye sërish në rivlerësim.

Gjatë gjithë vitit kishte vendime të OSHP-së për këtë tender, por i njëjti ende nuk është finalizuar.

Tashmë edhe viti 2018 po kalon dhe ende banorët e 15 fshatrave po mbesin pa ujë, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme në tender dhe zvarritjes së procedurave të prokurimit.

‘Loja’ e komunës së Dragashit me tenderin për ujësjellësin

Dyshimet për shkelje në tenderin 2.5 milionësh të Ministrisë së Financave

Tenderi i Ministrisë së Financave për “integrimin e sistemeve, krijimin e deponisë së shënimeve dhe implementimin e inteligjencës së biznesit’ ka shkuar në Gjykatën e Tenderëve ende pa u dorëzu ofertat. Kompania “Botek” është ankuar në OSHP duke pretenduar që Ministria e Financave e ka kufizuar konkurrencën duke vendosur kritere teknike dhe profesionale të pa arritshme për ta.

Në kërkesën e Ministrisë është specifikuar që menaxheri i projektit duhet të jetë i certifikuar  nga IASA, PMI dhe nga CISSP.

E për këto kërkesa, ‘Botek’ pretendonte se janë të paarsyeshme dhe se ato nuk përputheshin me njëra tjetrën. Sipas ‘Botek’ nuk kishte nevojë të kërkohej nga menaxheri i projektit që është i certifikuar me PMI të ketë edhe certifikimet e IASA apo CISSP, për shkak që sipas tyre këto nuk përkojnë me detyrat e menaxherit të projektit.

Në kërkesat e Ministrisë ishte kërkuar që edhe arkitekti i sistemit të jetë  i certifikuar nga BizTalk dhe BI, që përsëri ‘Botek’ pretendon se janë të panevojshme.

Ata gjithashtu pretendojnë se Udhëheqësi i Grupit nuk ka nevojë të jetë i certifikuar nga IASA dhe BI, nëse është i certifikuar nga BizTalk.

Mirëpo, të gjitha këto pretendime u janë hedhur poshtë nga mendimi i ekspertit shqyrtues të OSHP-së.

Sipas mendimit të ekspertit, Autoriteti Kontraktues, në këtë rast, Ministria e Financave në bazë të nenit 69 të Ligjit të Prokurimi Publik ka të drejtë të kërkojë nga operatorët ekonomikë të sigurojnë dëshmi se ata i posedojnë kualifikimet minimale të kërkuara dhe specifikuara në dosjen e tenderit.

Dyshime për Shkelje në Tenderin 2.5 Milionësh të Ministrisë së Financave

Komuna e Gjilanit ia ‘huq’ procedurës në tenderin për derivate 

Paneli shqyrtues i OShP-së e ka anuluar aktivitetin e prokurimit “Furnizim me derivate për auto-vetura dhe gjeneratorë” për shkak se autoriteti kontraktues – Komuna e Gjilanit – ka shkelur nenin 36 të Ligjit për Prokurim Publik për Procedurat për Kuotimin e Çmimit.

Paneli shqyrtues ka konstatuar se ky aktivitet i prokurimit duhet të anulohet për faktin se Komuna e Gjilanit nuk ka parashikuar njësitë e sakta dhe se çmimet nuk kuotohen për njësi, por duhet të jenë për tërë sasinë e parashikuar, çka do të thotë se vlera e kontratës duhet të jetë me çmim fiks, e jo me çmime variabël.

Gjykata e Tenderëve ka gjetur edhe shkelje të tjera.

“Komuna e Gjilanit në këtë rast ka vepruar në kundërshtim me nenin 36 të Ligjit të Prokurimit. Po ashtu Autoriteti Kontraktues ka kërkuar çmim për Premium, por në dosje të tenderit nuk ka parashikuar mënyrën e kalkulimit, kurse në këto raste është e domosdoshme të përcaktohet metodologjia e përllogaritjes së çmimeve”, theksohet në vendimin e OShP-së.

Edhe eksperti shqyrtues ka konstatuar se autoriteti kontraktues nuk i ka përfillur kërkesat bazike të LPP-së, konkretisht Procedurën e Kuotimit të Çmimeve.

“Procedura e Kuotimit të Çmimeve dallon nga procedurat e tjera për arsye se çmimi i kuotuar duhet të jetë për tërë sasinë e artikujve apo shërbimeve të kërkuara, çka do të thotë se kontrata e lidhur përmes kësaj procedure duhet të jetë fikse dhe këtë e sqaron neni 36 paragrafi 2 i LPP-së”, thuhej në mendimin e ekspertit.

Komuna e Gjilanit ia ‘Huq’ Procedurës në Tenderin për Derivate

Qytetarët i ‘paguajnë’ dështimet e tenderit për mirëmbajtje dhe servisim të rëntgenit 

Qytetarët e komunës së Ferizajt i kanë pasur dy zgjidhje në rast se u rekomandohej nga mjeku një rëntgen i eshtrave: të shkojnë në ndonjë ordinancë private apo t’ia mësyjnë Prishtinës.

Kjo pasi, në këtë qytet dy rëntgen nuk kanë qenë funksionalë.

I pari ka dalë jashtë funksionit në muajin tetor të vitit 2017, kurse tjetri kishte probleme që nga muaji janar i vitit 2018, e është bërë tërësisht jofunksional që nga muaji mars.

Tërë këtë çmim qytetarët e kanë paguar për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme të kësaj Komune për të përmbyllur një proces të prokurimit që ka nisur verën e kaluar. Përkundër që gjatë tri dështimeve ka dhënë arsye të ndryshme për anulimin e tenderëve, kjo Komunë i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se tenderi është anuluar disa herë për shkak të ‘gabimeve në paramasë’.

Komuna e Ferizajt kishte shpallur njoftimin për tender për servisimin dhe mirëmbajtjen e rëntgenëve, aparaturën e mamografit dhe pajisjet laboratorike në korrik të vitit 2017. Ky tender ishte ndarë në tre lote, ndërsa vlera e parashikuar ishte 47 mijë euro.

Qytetarët i ‘paguajnë’ dështimet e tenderit për mirëmbajtje dhe servisim të rëntgenit

Dyshimet për korrupsion në projektin për ndërrimin e gypave në Rahovec

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte transmetuar hulumtimin që tregoi se si kanë shkuar huq mijëra euro të investuara nga Komuna e Rahovecit në rrjetin e ujësjellësit për pesë fshatra: Çifllak, Kramovik, Dobidol, Polluzhë dhe Guri i Kuq.

Ky projekt i kishte kushtuar buxhetit të Komunës mbi 412 mijë euro. Gypi i vendosur kishte plasaritje të vazhdueshme, gjë që shkaktonte ndërprerje të vazhdueshme të ujit. Gypi i gjatë 3 kilometra është ndërruar.

Kryetari aktual i komunës, Smajl Latifi, ka qenë kryetar në vitin 2012 në kohën kur ishte instaluar rrjeti. Por, i ka rastisur të jetë prapë kryetar, pas një pauze, në kohën kur po ndërrohet një pjesë e gypit të instaluar në vitin 2012.

Siç transmetoi emisioni, kryetari Latifi e mohon se gypi është ndërruar për shkak të cilësisë së dobët. Thotë se gypi është ndërruar pasi është dashur të zgjerohet rrjeti nga pesë në shtatë fshatra.

“Arsyet e ndërrimit të gypit janë për t’i zgjeruar kapacitetet e furnizimit me ujë edhe në dy vendbanime të tjera. Fjala është për ndryshim të projektit. Gypi ka pëlcitur për shkak se është rritur kapaciteti furnizimit, ndërkohë që gypi nuk i ka përmbushur kërkesat e zgjerimit të rrjetit, sepse po flasim është futur edhe Rakovina, njëkohësisht s’ka pasur ujë Polluzha, e deri vonë s’ka pasur ujë as në Guri të Kuq”, ka deklaruar Latifi.

Arsyet e ndërrimit të gypit, fillimisht në vitin 2015 dy kilometra dhe në fillim të këtij viti 900 metra tjera, sipas zyrtarëve të K.R.U. “Gjakova”, ish “Radoniqi”, janë te gypi jocilësor i instaluar në vitin 2012 nga Komuna e Rahovecit.

Ndërrimi i gypit është bërë në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit.

Telashet e Komunës së Prishtinës me tenderin për sigurimin fizik 

Komuna e Prishtinës ka arritur të përmbyll procesin e prokurimit për sigurimit fizik të objekteve pas disa tentimeve për të cilat kishte disa vendime të OSHP-së dhe vetë Autoritetit Kontraktues.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) në vendimin e datës 24 korrik ka vërtetuar ‘njoftimin për dhënie të kontratës’ nga AK – Komuna e Prishtinës në lidhje me aktivitetin e prokurimit “Sigurimi fizik i objekteve të Komunës së Prishtinës”.

‘Njoftimin për dhënie të kontratës’ për operatorin “Rojet e Nderit”, Komuna e Prishtinës e ka bërë me 4 korrik.

‘Njoftimi për kontratë’ nga Komuna e Prishtinës për herë të parë është bërë me 22 dhjetor të vitit 2017. Kurse ‘njoftimi për dhënie të kontratës’ i parë është publikuar më 2 mars të vitit 2018, ku Komuna e Prishtinës e kishte rekomanduar për kontratë konzorciumin “K.S.AS – Security” & “Komtel Project Engineering”.

Kundër vendimit të Komunës së Prishtinës për OE të rekomanduar për kontratë ishin ankuar me 6 mars operatori ekonomik “Rojet e Nderit” dhe grupi i operatorëve ekonomikë “Alpha Private Security & “SAS”.

Komuna e Prishtinës me 20 mars ka dalë me njoftimin për anulimin e dhënies së kontratës për operatorin e rekomanduar.

Pas rivlerësimit të bërë, Komuna e Prishtinës sërish e ka rekomanduar për kontratë kompaninë e njëjtë, pasi i ka kërkuar dokumente shtesë kompanisë së rekomanduar për kontratë.

Përsëri me 29 mars është marrë vendim për pezullimin e këtij aktiviteti të prokurimit. Përsëri pas ankesave nga operatori ekonomik “Rojet e Nderit” dhe grupi i operatorëve ekonomikë “Alpha Private Security & “SAS”.

Me 30 mars zyrtari përgjegjës i Prokurimit të Komunës së Prishtinës ka vendosur që të refuzohet si e pabazuar kërkesa e dy operatorëve ekonomikë ankues për rivlerësim.

Të pakënaqur me këtë vendim të Komunës së Prishtinës, “Rojet e Nderit” janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke e detyruar komunën që sërish të pezullojë aktivitetin e prokurimit më 10 prill.

Me 21 maj është bërë njoftimi për dhënien e kontratës. Me 23 maj, operatori ekonomik “Alpha Private Security” ka bërë kërkesë për rishqyrtim te Komuna e Prishtinës por kjo ankesë është refuzuar si e pa bazuar me 28 maj.

Me 27 qershor 2018, Komuna e Prishtinës ka njoftuar për anulimin e dhënies së kontratës. Kjo me arsyetimin që vendimi i OShP-së ka kërkuar anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës dhe rivlerësimin e aktivitetit të prokurimit.

Telashet e Komunës së Prishtinës me tenderin për sigurimin fizik

Teleferiku për Kalanë e Prizrenit mbetet në letër 

Qytetarët dhe vizitorët të cilët ia mësyjnë Kalasë së Prizrenit edhe më tutje duhet ngjiten në këmbë në një lartësi mbi detare prej 525 metra. Kalaja mund të jetë pikë e paarritshme për ata që nuk mund të ecin këtë rrugë gjarpërore, pasi projekti për teleferikun ende nuk është afër të realizohet.

Tenderi për ndërtimin e teleferikut për qasje në Kalanë e Prizrenit, i cili ishte hapur në muajin prill të vitit 2017 është anuluar në muajin qershor të vitit 2018. Tenderi ishte anuluar me ndërhyrjen e kryetarit Mytaher Haskuka për shkak se sipas tij ky projekt ishte në kundërshtim me tri ligje.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka kishte thënë se projekti i teleferikut për qasje në Kala është problematik për shkak se nuk është në përputhje me tri ligje: Ligjin për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjin për Ujërat.

“Projekti është anuluar në tërësi për shkak se është në kundërshtim me ligjet e përmendura dhe si i tillë ky projekt nuk mund të realizohet”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit për Kallxo.com.

Komuna e Prizrenit ka thënë për Kallxo.com se ende nuk ka ndonjë projekt të dytë. Sipas tyre gjatë vitit 2019 do të kryhet studimi i fizibilitetit për të hartuar një projekt që do të jetë në përputhje me të gjitha ligjet.

Teleferiku për Kalanë e Prizrenit mbetet në letër

.