(DOKUMENT) Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i jep të drejtë pesë drejtorëve të larguar nga MAShT

Pesë drejtorë të departamenteve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që ishin larguar nga pozitat e tyre në këtë ministri, kanë fituar të drejtën e rishqyrtimit të këtij vendimi. Pesë drejtorët që janë ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ndaj vendimit të MAShT për risistemim të vendeve të punës në ministri, ishin: Murteza Osdautaj, drejtor i Departamentit të Shkencës dhe Teknologjisë; Drita Kadriu, drejtore e Departamentit të Arsimit të Lartë; Isni Kryeziu, drejtor i Departamentit të Çështjeve Ligjore; Ferit Idrizi, drejtor i Departamentit për Koordinim të Politikave; Alush Istogu, drejtor i Departamentit për Arsim dhe Aftësim Profesional. Ankesat e tyre u pranuan si të bazuara nga KPMSHCK-ja.

E riformatimi i kësaj ministrie është nisur në bashkëpunim me Bashkimit Europian dhe GIZ-in. Pjesë e kësaj reforme ishte edhe zëvendësimi me U.D i rreth 30 drejtorëve të departamenteve dhe udhëheqësve të divizioneve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) në fillim të tetorit, duke e hapur garën për pozita të reja.

Këtë vendim e ka marrë sekretari i MAShT-it, Ekrem Kastrati, i cili për KALLXO.com tha se kjo është bërë në kuadër të reformave brenda kësaj ministrie.

“Ky vendim është në bazë të një rregullore për standarizimin dhe rregullimin e ministrisë së Arsimit Shkencës dhe  Teknologjisë që është miratuar nga Qeveria e Kosovës. Jemi në fazën fillestare të implementimit të kësaj rregullore dhe ky është bashkëpunim mes ministrisë sonë, Bashkimit Europian dhe GIZ-it”, tha ai.

Në dokumentin e KPMSHCK, që e ka siguruar KALLXO.com, thuhet duhet të shfuqizohen vendimet e Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave të Ministrisë së Arsimit, që nuk i kishte marrë parasysh ankesat e këtyre punëtoreve.

Po ashtu, KPMSHCK vendosi që ta anulojë konkursin e brendshëm për departamentet e lartpërmendura dhe ky vendim duhet të zbatohet brenda 15 ditëve.

Historiku i problemit

Në bazë të rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MAShT kishin qenë të parapara tetë departamente.

Ndërsa me hyrjen në fuqi të Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MAShT, janë paraparë vetëm pesë departamente.

Sipas arsyetimit të vendimit të KPMSHCK-së, Udhëheqja e Burimeve Njerëzore të MAShT kishte njoftuar Sekretarin e Përgjithshëm se ‘nuk kemi të drejtë të shpallim vendet të cilat janë krijuar në bazë të rregullores… por duhet të shkojmë në ricaktimin e Nënpunësve Civil të cilëve iu është shuar vendi i punës, bazuar në rregulloren për Nënpunësit Civilë Tepricë”,

Megjithë këtë shkresë, MAShT kishte hapur konkursin e brendshëm.

Lidhur vendimin për largim nga puna, drejtorët e këtyre departamenteve kanë protestuar për t’i shprehur pakënaqësitë për degradimin nga pozitat që mbanin.

Por ishte, Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë që reagoi menjëherë pas kësaj duke thënë se e mirëpret vendimin e këtij organizimit të ri të MASHT-it.

“BE mirëpret miratimin e organizimit të ri të MASHT-it dhe përgëzon ministrin, Shyqyri Bytyqi për vendimin e tij të shpejtë për ta zbatuar atë. Shpresojmë që reforma të vazhdojë dhe të sjellë rezultate pozitive duke parandaluar vonesa të mëtejshme në përpjekjet e Kosovës për të përmirësuar cilësinë e arsimit”, është thënë në shkrimin e tyre në profilin zyrtar në Twitter.

https://kallxo.com/masht-nderron-30-drejtore-e-udheheqes-ne-ministri/

Në anën tjetër, largimi i këtyre punëtorëve ishte parë si hap tejet pozitiv nga ministri Shyqyri Bytyqi.

Bytyqi tha se në procesin e riformatizimit të kësaj ministrie duhet të jepet shembull për institucionet tjera pasi sipas tij kanë parë pozita menaxhuese të panevojshme.

“Në kuadër të gjërave pozitive duhet ta konsiderojmë edhe reformën në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Administratat në Kosovë në përgjithësi kanë nevojë për një reformë. Neve na ka ra hise të jemi të parët, gjithmonë të parët kanë probleme më të mëdha mirëpo kanë edhe përgjegjësi më të mëdha, varësisht si të lëvizim ne do të shërbejë si shembull për institucionet tjera”, tha Bytyqi.

https://kallxo.com/ministri-i-arsimit-tregon-per-hallkat-e-dobeta-te-ministrise/