DOKUMENT: Gjykata vendos për fatin e filialeve të Postës në institucionet publike

Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë padinë e Postës së Kosovës kundër vendimit të Autoritetit të Konkurrencës që urdhëron largimin e filialeve të postës nga objektet e institucioneve publike.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës më datën 6 dhjetor 2016 kishte marrë vendim që marrëveshjet e institucioneve publike me Postën e Kosovës për të vendosur filialet brenda objekteve publike ishin në kundërshtim me ligjin e konkurrencës.

“Të gjitha marrëveshjet/kontratat e lartpërmendura në Pikën i bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, neni 4 ‘Marrëveshjet e Ndaluara’, paragrafi 1.4- ‘zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Vendimi i Gjykatës i siguruar nga KALLXO.com e refuzon si të pabazuar padinë e Postës së Kosovës që kërkon anulimin e vendimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

KALLXO.com ka kontaktuar zyrtarë të Postës së Kosovës për të pyetur se a do të ketë ankesë ndaj vendimit të gjykatës mirëpo të njëjtit deklaruan se një vendim i gjykatës për këtë rast ende nuk është pranuar nga kjo ndërmarrje.

“Ne si postë nuk kemi pranuar asnjë vendim të tillë të gjykatës”, tha Qamile Haliti, Koordinatore e Zyrës së Kryeshefit të Postës së Kosovës.

Në anën tjetër, Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi tha për KALLXO.com se vendimi i këtij autoriteti do të hyjë në ekzekutim menjëherë në qoftëse nuk apelohet nga Posta e Kosovës.

“Me rastin e plotfuqishmërisë së vendimit të gjykatës, Autoriteti do ta ekzekutoj vendimin e tij, menjëherë”, tha Prestreshi.

Prestreshi ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës tregon se vendimi i Autoritetit Kontraktues ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm.

“Tani ju njoftoj se Vendimin të cilin e ka marr Autoriteti, sot Gjykata kompetente për mes Aktgjykimit të saj e ka shpallur të ligjshëm, dhe të drejtë”, tha Prestreshi.

Ai tha se protestat e punëtorëve të Postës ishin të manipuluara nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrje për të mbuluar shkeljet e tyre ligjore.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me kontestin në mes të Postës së Kosoës dhe Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Kallxo.com kishte shkruar në kohën kur Ministria e Punëve të Brendshme në shkurt të vitit 2017 kërkuan që filialet e Postës të largohen nga objekti i kësaj ministrie, në përputhje me vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

“Pas shqyrtimit dhe analizës së bërë të vendimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, MPB me datën 20.02.2017 ka marrë vendim për shkëputje të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të lidhur ndërmjet MPB-së dje Postës së Kosovës bazuar në vendimin të nxjerr nga Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, dhe nga kjo datë marrëveshja në fjalë nuk ka kurrfarë efekti juridik. Posta e Kosovës”, thuhet në vendimin e MPB-së.

Në anën tjetër nga Posta e Kosovës kishte ankesa lidhur me dëmin ekonomik që ky vendim i shkakton kësaj ndërmarrje publike.

Burimet e KALLXO.com thonë se Posta ka rreth 50 mijë euro të hyra mujore nga këto pika, e që ato vjetore janë mbi gjysmë milioni euro.