DOKUMENT- Ankesa e Gjykatësit që Mund ta Përmbysë 'Trepçën'

Një gjyqtar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme ka konstatuar se Ligji për Trepçën është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës në dy pika thelbësore. Gjyqtari i EULEX-it Werner K.Kannenberg ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të rishikojë edhe njëherë kushtetutshmërinë e Ligjit për Trepçën.

“Pasi që është e drejtë ekskluzive prerogative e Gjykatës Kushtetuese që zyrtarisht të anulojë legjislacionin e miratuar nga Kuvendi, gjykata në pajtim me nenin 113 paragrafi 8 i Kushtetutës, paraqet çështjen e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 05 / L -120 për Trepçën përmes kërkese drejtuar Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në kërkesën e Gjyqtarit drejtuar Gjykatës Kushtetuese të. cilën KALLXO.com e ka siguruar të plotë.

Ai e ka elaboruar në mënyrë të detajuar përmbajtjen e Ligjit për Trepçën, i cili ka hyrë në fuqi në fund të muajit tetor. Elaborimin e ka bërë gjatë shqyrtimit të një lënde që ka qenë në pritje në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Lënda në fjalë ka të bëjë më një padi nga e drejta e punës për dëmet e shkaktuara si pasojë e lëndimit në punë. Paditësi ka qenë punëtor në minierën “Kishnicë dhe Artanë” që ka qenë pjesë e NSH-së Trepça në likuidim.

“Në vlerësimin paraprak të gjykatës, padia me gjasë do të rezultojë të jetë të paktën pjesërisht e suksesshme”, thuhet në kërkesën e Dhomës së Posaçme.

Gjykatësi thotë se qëllimi ekonomik i Ligjit për Trepçën është nxjerrjen e aseteve nga Ndërmarrja Shoqërore pa ndonjë barrë të obligimeve.

“Nëse realizohet ndarja e aseteve që shkojnë te shoqëria aksionare dhe që obligimet t’i mbesin NSH-së Trepça, kjo do të ketë edhe implikime të rënda ligjore”, thuhet në konstatimet e Gjykatësit. “Ligji nuk përmban asnjë dispozitë për trashëgiminë ligjore lidhur me cilindo obligim që iu ishte ngarkuar NSH-së deri më tani. Prandaj, përmes këtij leximi të ligjit, obligimet mbesin të paprekura, që do të thotë se ato ende i mbesin të ngarkuara vetëm NSH-së. Prandaj, asnjë obligim nuk është transferuar nga NSH Trepça tek shoqëritë e sapokrijuar aksionare.”

http://kallxo.com/dhoma-e-vecante-e-supremes-ligji-trepces-antikushtetues/

Ashtu siç është shkruar ligji për Trepçën, Gjykatësi thotë se “është e qartë se transferimi pronës i kryer sipas ligjit ndikon rëndë në vlerën e çfarëdo padie ndaj NSH-së”, duke konstatuar se kërkesëpaditë e pasiguruara siç është një e tillë e paditësit ulën në vlerën zero.

Thotë se Qeveria e Kosovës e ka realizuar një shpronësim pa kompensim.

“Kjo ka efektin e eksproprijimit, pasi që në tërësi e konsumon vlerën e obligimeve të pasiguruara si kjo e paditësit dhe pa kompensim. Përkatësisht shteti i Kosovës dhe aksionarët tjerë të shoqërisë së sapo themeluar aksionare, të cilat i kanë fituar asetet, as nuk e rrit kapitalin në NSH-në Trepça në vlerën e aseteve të fituara, e as ata nuk garantojnë pagesën e borxheve të NSH-së Trepça në vlerën e aseteve të marra nga NSH-ja”, thuhet tutje në kërkesë.

Tutje Gjyqtari konstaton se ndarja e aseteve nga obligimet është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Për shkak të ndikimit mbi të gjithë kreditorët, në kuptim të asaj se i ndan asetet nga obligimet, ligji duket të jetë jokushtetues, shkelë garancitë kushtetuese për mbrojtjen e pronës kundër eksproprijimit pa kompensim (neni 46 i Kushtetutës). Bazuar në këtë gjykata e vlerëson ligjin të jetë jokushtetues”, thuhet në kërkesën e Gjyqtarit të EULEX-it.

Ai konstaton se edhe bartja e aksioneve tek punëtorët është veprim që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, sepse një eksproprijim, sipas nenit 46 paragrafi 3 fjalia 2 e Kushtetutës është vetëm një opsion për “arritjen e një qëllimi publik apo promovimin e interesit publik”.

“Nga kjo rrjedh se eksproprijimet në dobi të interesave private janë jokushtetuese. Pasi që 20% e aseteve të marra nga NSH Trepça është kthyer në pronë private, kjo duhet të justifikohet përmes qëllimeve ose interesave të vlefshme publike. Në mungesë të justifikimit të tillë gjykata konsideron se edhe mbi këtë bazë Ligji është jokushtetues”, thuhet në ankesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Gjykatësi e ka analizuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Trepçën, i cili është marrë si rrjedhojë e kërkesës së deputetëve të Listës Serbe të Kuvendit të Kosovës. Thotë se rasti i ngritur nga ai ende nuk është shqyrtuar nga Kushtetuesja.

“Pyetja që është jashtëzakonisht e rëndësishme për rastin në fjalë as nuk është nxjerrë në pah nga parashtruesit e kërkesës (Lista Serbe v.j) në rastin RK986/16 e as që është shqyrtuar ende nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në kërkesën e Dhomës së Posaçme.

Lista Serbe kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e Ligjit për Trepçën, duke u thirrur pronarëve të pronës që aktualisht është e inkorporuar në Ndërmarrjen Shoqërore “Trepça”, nën administrimin e AKP-së, do t’u bartet prona në pronësi të Qeverisë së Kosovës me shndërrimin e njësive te caktuara biznesore në Shoqëri Aksionare. Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur si të papranueshme kërkesën e Listës Serbe, pasi ata nuk kanë specifikuar pronarë të prekur nga Ligji i Trepçës dhe as nuk kanë shpjeguar të drejtat e këtyre pronarëve në pronën e Trepçës.

“Gjykata gjen se, në mungesë të ndonjë pronari të identifikuar të drejtat e të cilit janë prekur me Ligjin për Trepçën, nuk është e mundur të konsiderohet nëse ndonjë pronë është shpronësuar me Ligjin për Trepçën. Rrjedhimisht, nuk është e mundur që Gjykata të shqyrtojë nëse e drejta për kompensim adekuat është respektuar dhe deri në çfarë mase është marrë parasysh interesi publik, sepse, ne fakt, nuk mund të flitet për shpronësim”, citohet vendimi i Kushtetueses nga Gjykatësi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Gjykatësi konstaton se Gjykata Kushtetuese duhet të shqyrtojë cenimin e pronës së paditësit për lëndën në fjalë, i cili është kreditor i Ndërmarrjes Shoqërore Trepça nën Administrimin e AKP-së.

“Ky vendim mbi papranueshmërinë i Gjykatës Kushtetuese nuk e parasheh të njëjtën çështje që është thelb i kërkesës në fjalë. Këtu nuk ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të pronarëve të Trepçës të cilët ka nevojë që të identifikohen. Këtu kemi të bëjmë me cenimin e pronës së paditësit për lëndën në fjalë, i cili është kreditor i NSH-së Trepça nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, thuhet në kërkesën e Gjykatësit Kannenberg.

Thotë se pozita e paditësit mbrohet me Kushtetutë.

“Pozita e të qenit pronar i padisë, është e mbrojtur me Nenin 46 të Kushtetutës. Një mbrojtje e tillë nuk shtrihet vetëm në pozitën e të qenit në pozitë formale të pronësisë (që është e paprekur), por në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mbrojtja e zotërimit të pronës shtrihet edhe në mbrojtje kundër konsumit të plotë të vlerës së tërësishme të pronës”, thuhet në shpjegimin e Gjyqtarit të Dhomës së Posaçme.

Ky është dokumenti i plotë i siguruar nga KALLXO.com:

Microsoft Word - Referral to the Constitutional Court 2016 11 01

Microsoft Word - Referral to the Constitutional Court 2016 11 01

Microsoft Word - Referral to the Constitutional Court 2016 11 01

Microsoft Word - Referral to the Constitutional Court 2016 11 01

Microsoft Word - Referral to the Constitutional Court 2016 11 01

Microsoft Word - Referral to the Constitutional Court 2016 11 01

Microsoft Word - Referral to the Constitutional Court 2016 11 01

Microsoft Word - Referral to the Constitutional Court 2016 11 01

Microsoft Word - Referral to the Constitutional Court 2016 11 01