Foto: Kallxo.com

Doku n'Prizren

Raif Shamli ka telashe të komunikojë në gjuhën e gjithë vizitorëve që vizitonin dyqanin e tij të suvenireve. Dyqani i tij “I Love Prizren” gjendet në oborr të Xhamisë së Sinan Pashës, e cila është në afërsi të Shatërvanit, një prej pjesëve më të frekuentuara të Prizrenit.

Çmimet e suvenireve të tij nuk i tregonte as me fjalë e as me gishtat e duarve, por duke përdorur kalkulatorin.

Sa herë që ndonjë prej turistëve të huaj, që nuk ishin të paktë në lokalin e tij, pyeste për çmimin, Shamli shtype çmimin në kalkulator dhe e kthente kah konsumatori.

“Siç po e shihni këto ditë kemi vizitorë nga e gjithë bota”, thotë Shamli. Numri i vizitorëve në lokalin e tij është dukshëm më i lartë gjatë ditëve kur në Prizren mbahet Festivali i Filmit “DokuFest”.

Festivali i 16-të i filmit dokumentar dhe të shkurtër në Prizren pritet të fillojë nesër dhe do të zgjasë deri më 12 gusht, në të cilin pritet të shfaqën mbi 250 filma.

Ata do të garojnë në 6 programe garuese. Do të jenë 102 filma që përfaqësojnë 50 shtete të ndryshme, të cilët do të garojnë në kategorinë e Ballkanit, atë të filmave kombëtarë dhe ndërkombëtare, si dhe në kategoritë e filmave të gjatë dhe të shkurtër.

Në këtë Festival tashmë ka programe për argëtim gjatë orëve të mbrëmjes, programe për argëtim për fëmijë e edhe aktivitete të tjera.

Shamli nuk di shumë për filmin, por thotë se ia sheh goxha hairin “DokuFestit”. Zejen e tregtarit ai e dëshmon sa herë që i bëhet pyetje për suveniret e tij.

Lokali i Raif Shamli. Foto: Kallxo.com

“Tek ne gjenden suvenire që rrallëkund mund t’i gjeni”, tha ai. “Suveniret për të cilat shprehin interesim turistët e huaj janë teshat kombëtare për fëmijë, qilimat, produktet e porcelanit si dhe instrumentet tradicionale shqiptare”, tha Raif Shamli.

Shumë nga suveniret e tij tregojnë edhe historinë e Prizrenit.

Hairin këtij festivali ia shohin edhe bizneset e tjera në këtë qytet. Përgatitjet për Festivalin më të njohur të filmit në Kosovë ka kohë që kanë filluar në çdo skaj të qytetit historik të Prizrenit.

Të gjitha restorantet, kafenetë e hotelet janë të përgatitur për të pritur fluksin e rritur të turistëve.

Kërkesën e shtuar të turistëve e konfirmon edhe Nexhat Palushi, pronar i hotel “Prizreni’.

“Këtë vit kemi rritje të kërkesave për rezervim në hotelin tonë. Rritja e kërkesave mund të argumentohet me faktin se që nga dhjetori i vitit të kaluar kemi kërkesa për rezervim të dhomave për kohën sa zgjat ‘DokuFesti’”, tha Palushi.

Ai po ashtu na tregoi se kanë krijuar një lloj tradite që në kohën e festivalit të organizojnë një mëngjes me ushqime tradicionale shqiptare.

Edhe Kujtim Sallauka, pronar i “Corner Bar” në Prizren thotë se tashmë ka filluar të vërehet një fluks i shtuar i turistëve.

“Jemi përgatitë për fillimin e ‘DokuFest’-it. Fluksi i njerëzve ka filluar të vërehet që nga dje. Ne mundohemi me i prit turistët sa më mirë dhe mund të themi ne lokalet jemi shërbëtorë të tyre”, tha Kujtim Sallauka.

Në një raport të Institutit GAP për “Ndikimin Ekonomik të ‘DokuFestit’” thuhet se përveç bizneseve lokale të Prizrenit nga ky festival përfitojnë edhe bizneset në nivel vendi, siç janë avio-kompanitë apo bankat.

Sipas këtij raporti, në edicionin e 14-të të DokuFest-it, pra atë të vitit 2015, të pranishëm ishin më shumë se 15,000 pjesëmarrës.

Që nga viti 2011 e deri më tash, numri i pjesëmarrësve është rritur për më shumë se  50%.

“Ndikimi i DokuFest 2015 në bruto produktin vendor, me prirje për importim prej 48%, kap vlerën vjetore prej 2.4 milionë euro. Nëse llogariten edhe shpenzimet për konsum, ndikimi vjetor vlerësohet të jetë mbi 4.7 milionë euro”, thuhet në raportin e Instituti GAP.

Ky Institut ka parashikuar se këtë vit do të ketë rreth 18 mijë vizitorë për Festivalin “DokuFest”.

Përveç përfitimit ekonomik, ndikimi kryesor i “DokuFest”-it është në jetën  kulturore të  Kosovës, pasi bëhet fjalë për një prej festivale më të njohura në rajon e botë për filmin e metrazhit të shkurtë.

Përgatitjet e fundit për fillimin e Festivalit DokuFest. Foto: Kallxo.com

Drejtori ekzekutiv i Festivalit, Eroll Bilibani thotë se këtë vit kemi një rritje në cilësinë e filmave.

“Këtë vit kualiteti i filmave është rritë shumë. Kemi pasë një proces tjetër të selektimit, si dhe një numër më të madh të paraselektuesve dhe njerëzve të cilët i kanë shikuar filmat dhe ia kanë rekomanduar komisionit vlerësues të ‘DokuFestit”, tha për KALLXO.com Bilibani.

Tha se rritje të cilësisë ka edhe në filmat që konkurrojnë në kategorinë kombëtare.

“Jemi shumë të lumtur që në kategorinë kombëtarë, ku do të garojnë rreth 13 filma, ka një rritje shumë të madhe të cilësisë”, shtoi Bilibani

Nëpër rrugët e Prizrenit tashmë vërehet një fluks i madh i turistëve. Kafenetë dhe qebaptoret janë të mbushura me turistë.

Raif Shamli, me një prizrençe, tregon se tash e tre vjet e ka hapur lokalin e tij të specializuar për shitjen e suvenireve. Përveç shitjes së suvenireve Shamli është mbikëqyrës i Xhamisë së Sinan Pashës, e cila po ashtu vizitohet nga shumë turistë.

“DokuFesti” është bërë një traditë e mirë këtu në Prizren, që si duket të gjithë po ia shohim hairin”, thotë Shamli.