Doktorët e shkencave të importuar nga Shqipëria e Maqedonia

Mbi 140 programe studimi iu pezulluan institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, më 2017.

Kjo për shkak të dallavereve me profesorë, që u importuan nga jashtë.

Këta të fundit ishin deklaruar si bartës të programeve nëpër institucionet kosovare, me orar të plotë. Por, ata, që kryesisht ishin doktorë shkencash, në të njëjtën kohë, mbanin mësime e ligjerata të rregullta, edhe në vendet e tyre të origjinës.

Janë rreth 100 raste të tilla që i identifikoi Agjencia e Akreditimeve të Kosovës, në vitin akademik 2016-2017.

Shkëlzen Gërxhaliu, zyrtar i lartë për vlerësim dhe monitorim në AKA tregoi për gjetjet e tyre në procesin e monitorimit.

“Kur e kemi bërë verifikimin e stafit akademik dhe kryesisht jemi bazuar në ata që vijnë nga jashtë Kosovës  dhe si e kemi parë që ka deklaratë të rrejshme i kemi përjashtu ata mësimdhënës sepse janë deklaruar rrejshëm  në sistemin tonë …”, tha Gërxhaliu

Profesorët e identifikuar ishin kryesisht nga Maqedonia dhe Shqipëria. Ata besohet që siguruan dokumente se në shtetet e tyre nuk kanë marrëdhënie të rregullt pune.

Aktet e këtilla të angazhimit të dyfishtë, me orar të plotë, në dy shtete të ndryshme, janë problematike, pasi veprimi i tillë konsiderohet si mashtrim që iu bë shtetit të Kosovës, por edhe Shqipërisë e Maqedonisë, për qëllime të përfitimit.

Njohësit e këtyre çështjeve, si puna e këshilltarit ligjor në KDI, Florent Spahiu, konsiderojnë se Agjencia per Akreditim është dashur të procedojë penalisht rastet e personave që e kanë mashtruar atë, për t’i hapur më pas rrugë prokurorisë së shtetit që të veprojë ndaj tyre, sipas ligjeve në fuqi.

Megjithatë kjo nuk ndodhi. Agjencia  nuk hapi rast me arsyetimin se pati shumë punë me verifikimin e stafit dhe luftimin e dukurisë së  mashtrimit, që u tha se ishte rritur në masë të madhe .

Por kush, kënd e mashtroi? Profesorët – institucionet, duke prezentuar dokumente fallso, apo të dyja palët u bënë bashkë, duke tentuar të mashtrojnë AKA-në?

Hulumtimi i BIRN-it, gjeti se ndodhën dy mashtrime. Për këtë, ka plot raste.

Rametulla Ferati dhe Hasim Deari, dy profesorët nga Universiteti i Tetovës, të kualifikuar në nivelin PhD, lidhën marrëdhënie pune me kolegjin Globus në Prishtinë.

Institucioni i lartëpërmendur i deklaroi ata si staf të rregullt dhe bartës të programeve, duke mos qenë në dijeni që të angazhuarit kishin kontratë edhe me UT-në, me marrëdhënie të rregullt pune.

Kushtrim Zebica,menaxher i zyrës për sigurimin e cilësisë në kolegjin ‘Globus’ thanë se si kolegj kanë qenë të lajthitur nga këta profesorë.

“Ne kemi krijuar marrëdhenie pune me R.Feratin dhe H .Dearin por ne s’kemi pasur një informatë që këta dy persona kanë qenë në marrëdhënie pune në UT  dhe në një tjetër institucion privat në KS dhe sipas ligjit dhe kërkesës nga AKA këta kanë nënshkru edhe deklaratën nën betim e me dokumentet që kanë sjellë neve na kanë bindur se kanë dokumente legjitime .Por në fakt ne kemi qenë të lajthitur sepse ata kanë pasur dokumente  të lëshuara nga shteti i Maqedonisë me të cilat kanë dëshmuar që s’kanë marëdhënie të rregullt në Maqedoni….”, tha Zebica.

Në një bisedë telefonike, profesori Rametulla Ferati nuk e konsideron si shkelje ligjore atë që ndodhi. Për më tepër, ai tha se nuk tentoi ta mashtrojë askënd.

“Kemi lajmëruar se jemi në UT por kontratat atje i kemi në kohë të caktuar sepse çdo pesë vite duhet të rizgjedhemi .Këtë dokument e kemi derguar atje ,dhe deklaruam që  jemi me  kohë të caktuar kjo është e gjitha ….”, tha ai.

Gjatë kësaj bisede, Ferati nuk deshi të përgjigjet në pyetjen se si arrinte të mbante orarin zyrtar prej tetë orëve, në dy institucione ku kishte marrëdhënie pune.

BIRN ka tentuar ta kontaktojë edhe kolegun e tij,Hasim Deari,në fakultetin ekonomik të Universitetit të Tetovës ku ky i fundit jep mësim. Por,me të marë vesh se televizioni ndodhet në këtë njësi akademike,ai nuk ka pranuar të flasë.

Nëpërmjet personave tjerë,ai ka dërguar fjalë se nuk ka çfarë të komentojë në lidhje me këtë cështje.

Kolegu i tij, Hasim Deari nuk ka dashur të flasë për temën  edhepse është kërkuar edhe fizikisht  nga Klani, në Tetovë, në fakultetin ku ai jep mësim.

Ngjashëm kishin vepruar edhe persona që kishin pozita të larta publike, institucionale e politike në Maqedoni. Njëri nga ta ishte Festim Halili, zëvendës/kryeministër i Maqedonisë i cili ishte listuar në emrat që kolegji “Dukagjini” i dërgonte në AKA për të marë akreditim, sikur edhe të Namik Durmishit e Valbon Ademit nga Universiteti i Tetovës, për të njëjtin qëllim.

Ademi përmes Facebookut ka thënë se do ta adresojë rastin në gjykata, meqë sipas tij, kolegji UBT, nën ombrellën e  të cilës është futur tashti Dukagjini, nuk respektoi kontratën që kishin.

Ndërkaq Halili ,Durmishi bashkë me profesorët tjerë të rregullt të UT-së si: Alit Ibrahimi, Bardhyl Dauti, Flamure Sadiku,Florim Ajdini,Gafur Xhabiri, Ismail Ferati nuk dhanë përgjigje në asnjë formë.

Por, disa u deklaruan, si puna e Merale Vehapit, e cila përmes emailit tha se nuk ka qenë asnjëherë e angazhuar në UBT. Ajo tha se një lajm të tillë e mori me keqardhje, ndërsa konfirmoi se, megjithatë, kishte një nismë për t’u bërë pjesë e kolegjit në fjalë, por që kjo, sipas saj, nuk u bë realitet kurrë derisa Enis Jakupi, tha, me telefon, se nuk ka gisht në mashtrim.

Madje, ai akuzoi UBT-në se ia keqpërdori emrin dhe thirjen akademike, pa dijeninë e tij.

“Unë vetem një semestër kam qenë në UBT i angazhuar part- time, kjo u bë si të them pa pëlqimin tim, ata më kanë marë si part time .UBT-së  i kam shkruar disa here e madje ata edhe pagesen nuk ma kanë bërë  deri në fund”

Edmond Hajrizi, rektor në kolegjin UBT i ka mohuar akuzat e profesorit.

“Me profesor Enisin jemi njoftë më herët ,kemi pasur nevojë dhe ai ka shprehur interesim dhe ka qenë interesi i tij që të vijë e të punojë në UBT .Kështu kemi nënshkruar kontratë me marrëdhënie të rregullt pune .Unë nuk besoj që në UBT ka kontratë ku shkruan part-time dhe me të ne të aplikojmë e të theksojmë se është me ne.Në anën tjetër kontrata nuk bëhet me presion as me manipulim të plotë sigurisht sepse me kontrata part- time nuk e  deklarojmë askënd staf të rregullt….”, tha ai.

Edhe AAB i deklaroi në Agjencinë e Akreditimit, si të rregullt, profesorët Afrim Osmanin, Ali Musliun e Alit Ibrahimin.

Në këtë kolegj, por edhe në UBT, u arsyetuan se stafi akademik që deshën të rekrutonin dhe emrat e të cilëve i prezantuan për akreditim, kishin dokumentacion sipas kritereve të agjencisë.

Shemsedin Vehapi, Prorektor për çështje akademike në kolegjin AAB foli lidhur me këtë rast.

“Këta emra kanë qenë në AAB me përjashtim të Afrim Osmanit kur Musliu dhe Osmanni në kohën kur kanë ardhë në AAB s’kanë pasë pengesa .Kushdo që s’ka sjellur dëshmi është përjashtuar  dhe si janë bërë gjetjet e agjencionit i kemi ndërprerë marrëdhëniet kontraktuale me ta…”, tha ai.

Edmond Hajrizi, Rektor në Kolegjin UBT tha se profesorët kanë sjellë vërtetime se nuk kanë marrëdhënie pune nga shtetet e tjera.

“Për neve me rëndësi ka qenë të sjellin dokumentacionin sipas kritereve të AKA-së gjë që e kanë bërë të gjithë madje ata kanë sjellë edhe vërtetimet nga shtete e tyre se nuk kanë marëdhënie te rregullt pune në shtetet prej nga vijnë ….”, tha Hajrizi.

AKA gjeti se në kësi mënyre, nga ana e kolegjit Univerzum, është regjistruar në këtë agjenci edhe emri i profesoreshës së UT-së, Lulzime Kamberi. As kjo, e as bartësi në fjalë i arsimit të lartë privat, nuk deshën të komentojnë, me gjithë përpjekjet dhe emailat e dërguar.

Edhe ‘Iliria’ ishte përfshirë në këtë dukuri, në lidhje me emrin e profesoreshës Albana Gjoni nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Kjo e fundit thotë se i dërgoi email Agjensicë së Akreditimeve për t’i treguar se në këtë proces  nuk është mashtruese.

Gjoni, në një prononcim me telefon fajësoi Kolegjin ‘Iliria’ pse e dërgoi emrin e saj në procesin e akreditimit të programeve studimore.

“Në vitin 2016 na është kërkuar një ftesë nga kolegji ‘Iliria’  për të aplikuar si profesor atje. Unë dhe 10 pedagogë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës kemi aplikuar  kemi dërguar dokumentet  dhe atje na u kërkua edhe një autorizim për njohjen e dokumenteve. Ne dhamë autorizim që nostrifikimin e dokumenteve ta bënte vetë kolegji Iliria”, tha Gjoni.

Në Iliria thanë se me Gjinin u lidh kontratë për marrëdhënie të rregullt pune në prill të vitit 2016. Sipas sekretarit Arbër Rreci, profesoresha do të duhej të niste punë në tetor, për vitin e ri akademik dhe ajo, siç u tha, vetë e nënshkroi kontratën.

Me këtë rast, Gjoni, siç pretendojnë në Iliria, e vuri firmën e saj edhe në deklaratën obligative për Agjencinë e Akreditimit, në lidhje me angazhimin Full-Time në Kolegjin ILIRIA. Por, sipas Rrecit, e njëjta nuk arriti të kompletojë dokumentet e nevojshme per t’u pranuar nga AKA, pasi dështoi të dorëzojë vërtetim se nuk është në marrëdhënie të rregullt pune në ndonjë institucion tjetër.

Për këtë, ajo, sipas Iliri-as, u refuzua për procesin mësimor. Profesorët tjerë u angazhuan, pasi bindën se nuk punojnë diku tjetër, me orar të plotë.

Arbër Reci, sekretar në Kolegjin Iliria thanë se nuk janë kompetent për investigim në këto raste.

“Ata sollën dokumentacionin nevojshëm e ne nuk jemi institucion investigues ……është punë e AKA e cila ka mekanizma për ti identifikuar këto raste”, tha ai.

Raste të tilla ka edhe në “Dardania”. Nga ky kolegj nuk pranuan të flasin, pavarësisht tentimeve të shumta.

Refuzues për t’u deklaruar në lidhje me këtë temë ishin edhe në kolegjin ‘Tempulli’. Në këtë institucion shfrytëzuan emrin e Ilir Mehmedit për të akredituar një program studimor.

Mehmedi që është drejtor teknik në Agjencinë e Aviacionit Civil të Maqedonisë e pranon se ishte pjesë e Tempullit.

“Unë mendoj se kam dhanë shumë për studentët, i kam dërguar në praktikë profesionale edhe në aeroportin e Prishtinës edhe në të Shkupit ,u kam nxjere leje që të vinë për shkak të autoritetit  dhe punës time këtu….”, tha ai.

Mehmedi  thotë se ndërpreu çdo bashkëpunim me institucionin privat kosovar sapo e kuptoi që Agjencia për Akreditim ndalon me ligj kontratat e dyfishta.

“Kam ardhë një periudhë kohore derisa nuk kishte ndalesa juridiko-formale nga ana e Republikës së Kosovës .Kur pati ndalesa atëherë në mënyrë paqësore u përshëndetëm me pronarët.Unë jam idealist ,unë jam nxënës i Prishtinës shkollën e mesme e kam kry në Prishtinë edhe shumica e shoqërisë të Mqedonisë,të familjes time por edhe më gjërë kanë përfitu shumë nga shkollimi në Prishtinë ,faktikisht e kemi thyer tabunë e analfabetizimit në Maqedoni.”, shtoi ai.

Profesorë doktorë të importuar nga jashtë, pati edhe në Fama. Por, rektori i këtij kolegji, Bedri Drini tha se nuk ishin në dijeni që profesorët po bënin kësi manipulimesh për përfitime personale, dhe se besuan në dokumentacionin që ata e kishin prezentuar

“Ne nuk jemi as shtet e as prokurori ,plus keto kritere  kuantitative te agjencise skanë kuptim ne ua japim deklaraten e agjencise profesoreve kur lidhim maredhenie pune me ta dhe ata I nenshkruajnë”, tha ai.

Drini dhe pothuajse të gjithë drejtuesit e kolegjeve që u përmendën deri tashti, deklaruan se faj për këto mashtrime kanë edhe drejtuesit e Këshillit Shtetëror të Cilësisë,së AKA-së  për të cilin u tha se ka standarde të dyfishta dhe kritere të panevojshme sic eshte puna e tre profesorëve me gradë Doktor Dhkence si bartës të një programi studimor.

“Na kanë dëmtuar me këto kritere nuk mbijetohet….”, tha ai.

Megjithatë në Agjencinë e Akreditimeve po thonë se po veprojnë vetëm sipas ligjit për akreditim ndërkohë që pohuan se kjo dukuri po vazhdon porse do të ndëshkohet kushdo që shkel rregullat e akreditimit.

Pas deklarimeve të stafit, që janë bërë për vitin akademik 2018-2019, Agjencia nxori, në janar, disa vendime lidhur me validimin vjetor të programeve ekzistuese.

Kështu, Këshilli i Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim  dha dritën e gjelbër për 104 programe, 53 të universiteteve publike dhe 51 të institucioneve private. 107 tjera u refuzuan, 28 te publiket, e 79 te privatet.

Gjatë validimit të 185 programeve ekzistuese, u është vazhduar akreditimi 124 të universiteteve publike dhe 61 të institucioneve private. Ndërkohë, është tërhequr hequr akreditimin për 74 programe, 40 të publikëve 35 të privatëve.

Për këtë çështje janë pyetur edhe autoritetet arsimore të Shqipërisë e Maqedoni si edhe institucione të arsimit të lartë në të dyja shtetet.

Nga Ministria e Arsimit të Maqedonisë nuk është kthyer asnjë përgjigje, ndërsa nga ajo e Shqipërisë po.

Kjo e fundit tha se “bazuar në ligjin e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, personeli akademik nuk mund të  jetë i punësuar me kohë të plotë në dy institucione të arsimit të lartë njëkohësisht, brenda dhe jashtë vendit. Por me miratimin e drejtuesit të fakultetit dhe rektorit, ai mund të angazhohet si personel akademik me kohë të pjesshme vetëm në një institucion tjetër të arsimit të lartë”.

Emrat e profesorëve dhe institucioneve që u përmendën në tekst janë marrë nga Agjencia e Akreditimit, me kërkesë për qasje në dokumente zyrtare.

Një vit më parë vetëm disa nga ta ishin bërë publik. Pjesa dërmuese jo.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.