Dogana e Kosovës me 20 ushtrues detyre

Në një raport prej 33 faqeve, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka vënë në pah problemet me të cilat ballafaqohet Dogana e Kosovës.

Gjetjet janë publikuar në raportin e ZKA-së për këtë institucion.

Duke nisur nga keq klasifikimi i buxhetit e deri te niveli i ulët i adresimit të rekomandimeve, ZKA ka publikuar gjetjet dhe rrezikun e tyre.

Në Doganën e Kosovës, ZKA ka gjetur se në 20 raste, tre në shërbimin civil dhe 17 të tjerë doganorë, pozitat menaxhuese kyçe si udhëheqës sektori, udhëheqës departamenti dhe pozita të zyrtarëve të ndryshëm, janë mbuluar me ushtrues detyre.

“Për tri rastet në shërbimin civil pas procesit të gradimit, emërimet e rregullta janë bërë në fillim të vitit 2018. Gjendja më UD ishte edhe vitin e kaluar. Sipas menaxhmentit të Doganës kjo situatë ka rrjedhur si rezultat i pritjes së ndryshimeve që do të bëhen me konsolidimin e dy Agjencioneve (DK dhe ATK)”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Disa pozita në Doganën e Kosovës nuk janë në nivel të njëjtë më Ministrinë e Financave si tërësi, përfshirë agjencionet e saj.

Sipas ZKA-së, pozitat zyrtar certifikues, zyrtar i prokurimit, zyrtar financiar si dhe zyrtar i pasurisë në DK, i kanë koeficientet më të ulët sesa janë për pozitat e njëjta në Ministrinë e Financave.

ZKA parasheh rrezikun i cili mund të jetë “mbulimi i pozitave kyçe menaxheriale me Ushtrues Detyre për kohë më të gjatë se kërkesat ligjore si dhe mos harmonizimi i koeficienteve/pagave, rrit rrezikun e mosarritjes se objektivave dhe përgjegjësia apo performanca e kërkuar në këto pozita të mos jetë në nivelin e duhur”.

Keqklasifikimi i buxhetit është një gjetje tjetër e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Sipas rregullores për menaxhimin e pasurive jofinanciare, pasuria kapitale nënkupton të gjitha pasuritë jofinanciare që kanë afat të përdorimit më të gjatë se një vit, vlerë financiare mbi 1 mijë euro, pronësia dhe kontrolli i takojnë organizatës.

“Pagesa për “Furnizim me pajisje dhe licenca për Sistemet Doganore“ në vlerë prej 66,581€ është kryer nga kategoria investime kapitale përkatësisht nga kodi ekonomik 31680, duke u trajtuar nga DK si pasuri e paprekshme. Mirëpo, pajisjet dhe licencat kanë afat përdorimi njëvjeçar duhet të buxhetohen dhe të paguhen nga kategoria mallra dhe shërbime”, thuhet në raportin e ZKA-së, për të cilën sipas kësaj të fundit, klasifikimi apo raportimi jo i drejtë i shpenzimeve ndikon në mbivlerësimin e investimeve kapitale dhe nënvlerësimin e mallrave dhe shërbimeve dhe shpie në një keqkuptim të informatave financiare në PFV-të e DK-së.

ZKA ka gjetur edhe mangësi në kalkulimin e bazës doganore dhe mosaplikim të çmimeve uniforme, me rastin e rivlerësimit të mallrave për qëllime tatimore.

“Për importin/DUD me numër 2020-1409, artikulli nr. 1 i cili përbehet prej pesë pozicioneve në sasi prej 107,300 copë/syza, me rastin e rivlerësimit të bazës doganore, për dy pozicione Dogana ka pranuar çmimin fatural ndërsa tri pozicione janë rivlerësuar. Më këtë rast, baza doganore është rritur nga 51,610€ në 61,159€. Në bazën doganore pas rivlerësimit nuk janë përfshirë shpenzimet e transportit për dy pozicione që është pranuar çmimi transaksionit. Më këtë rast baza doganore do të duhej të jetë në vlerë prej 62,815€. Si rrjedhojë ngarkesa tatimore për biznesin është më e ulët, dhe ka shmangieje në të hyra për 493€”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Një gjetje tjetër sa i takon kësaj çështjeje është identifikimi i një artikulli të njëjtë, i importuar më kushte të njëjta është vlerësuar me çmime të ndryshme, për qëllime të kalkulimit të detyrimeve doganore.

Mangësitë në kalkulimin e bazës doganore dhe mosaplikimi i çmimeve uniforme me rastin e rivlerësimit të bazës doganore për pasojë sipas ZKA-së,  mund të ketë trajtim jokorrekt dhe jo të barabartë të bizneseve si dhe shmangie në të hyra. Më tutje mund të ndikojë edhe në prishjen e ekuilibrave në rrjedhën e tregtisë.

ZKA ka gjetur parregullsi edhe në aplikimin e metodave të vlerësimit jo sipas kërkesave të kodit doganor.

“Ne kemi vërejtur tri raste kur metodat nuk janë përdorur në mënyrë kronologjike, sipas kërkesave të Kodit Doganor. Zyra doganore në Prizren, importimi i mallrave (hekur periodik, shufra çeliku); importuesi, origjina e mallit, kushtet e dërgesës dhe procedura doganore të njëjta. Më rastin e rivlerësimit të mallrave është përdor metoda dy dhe në 14 importe është përdorur metoda gjashtë e vlerësimit, rasti tjetër, Zyra doganore në Prizren, më rastin e importimit të mallrave (armatura në rrathë), importuesi, origjina  e mallit, kushtet e dërgesës dhe procedura doganore të njëjta, më rastin e vlerësimit të mallrave për 12 importe është përdor metoda tre e vlerësimit dhe për 20 importe është përdorur metoda gjashtë e vlerësimit dhe  Zyra doganore në Ferizaj, më rastin e importimit të mallrave (armaturë ne rrathë); importuesi, origjina e mallit, kushtet e dërgesës dhe procedura doganore të njëjta, me rastin e vlerësimit të mallrave për katër importe është përdor metoda tre e vlerësimit, në shtatë DUD/importe është përdorur metoda gjashtë e vlerësimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Rreziku i aplikimit të metodave të ndryshme të vlerësimit për mallrat identike apo të ngjashme, me kushtet të njëjta, rrit rrezikun në përcaktimin jo të drejtë të vlerës së mallrave me rastin e rivlerësimit.

Dogana e Kosovës kishte hartuar planin e shpërndarjes së stafit për Strukturën Organizative të Doganës së Kosovës është gjetja tjetër e Auditorit.

Sipas strukturës organizative aktuale Dogana e Kosovës kishte 509 oficerë doganorë dhe 74 shërbyes civilë, ndërsa sipas planit të shpërndarjes së stafit për plotësim të Strukturës Organizative 2017 ishin paraparë 558 oficerë doganorë dhe 84 shërbyes civilë.

“Mirëpo deri më tani kjo strukturë nuk është plotësuar, janë ende edhe 59 pozita të pa plotësuara. DK gjatë vitit 2017 ka ndërmarrë disa veprime për plotësimin e strukturës organizative, Drejtori i Përgjithshëm këtë çështje e ka ngritur edhe tek MF. Mirëpo, pasi Ministria e Financave ka në plan të bëjë ndryshime të legjislacionit doganor (Kodit Doganor dhe të Akcizave), si rrjedhoje, është sugjeruar që struktura organizative të jetë në përshtatje me legjislacionin e ri dhe planifikimeve të politikave të reja të Ministrisë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Rreziku është se në këtë rast mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e aktiviteteve operacionale dhe arritjen e objektivave të përcaktuara të Doganës.

Mospërdorimi i sistemit e-pasuria është e gjetura tjetër e ZKA-së.

“Përkundër rekomandimeve të dhëna në raportet e viteve paraprake, për të regjistruar pasurit nën 1,000€ në sistemin e-pasuria, edhe me tutje gjendja ishte e njëjte. Pasuritë jo kapitale dhe stoqet nuk janë menaxhuar përmes softuerit e-pasuria, mirëpo ato janë evidentuar dhe raportuar përmes një sistemi të brendshëm të tyre. Zyrtarët e Doganës kanë deklaruar se nga muaji Prill të vitit 2018 kanë filluar futjen në funksion dhe menaxhimin e pasurive jo financiarë nën 1,000 euro përmes sistemit e-pasuria”, ka shkruar ZKA në raportin e saj.

ZKA ka gjetur se janë ngritur padi në 156 raste ndaj Doganës së Kosovës.

“Nga të dhënat e Avokaturës Shtetërore janë 156 raste që janë ngritur padi ndaj Doganës. Ndërsa në PFV Dogana kishte prezantuar detyrim kontingjent në vlerë 11,770,000€. Ne po ashtu kemi vërejtur mungesë të koordinimit të duhur ndërmjet Doganës me Avokaturën Shtetërore rreth lëndëve/informatave mbi detyrimet kontingjente për prezantimin e tyre në PFV”, thuhet në raport.

Mungesa e një qasje adekuate për trajtimin e detyrimeve kontingjente rrit mundësinë e shndërrimit të tyre në obligime që do të shkaktonte keqësimin e pozitës financiare të organizatës.

Zbatimi i rekomandimeve nga viti paraprak dhe viti i mëhershëm është gjetja tjetër e ZKA-së, e cila si rrjedhojë e moszbatimit, organizata përballet ende me dobësi të njëjta.