Foto: Arkiv

Dialogu Serb për Kosovën: Konsensus i pamjaftueshëm, shumë skepticizëm

Kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq shpalli dialog kombëtar mbi Kosovën në korrik të vitit të kaluar, ai u zotua t’ia kursente brezit të ardhshëm serb barrën e zgjidhjes së marrëdhënieve me Kosovën.

Por 17 tryeza diskutimesh kanë shërbyer për t’i ekspozuar në thellësi mosmarrëveshjet përbrenda shoqërisë serbe.

Kritikët thonë se kjo nismë është një maskaradë e përdorur për të krijuar një turbullirë, ndërsa qeveria serbe përpiqet të arrijë në pajtim me vendimet e vështira që i duhet të ndërmarrë në lidhje me Kosovën nëse Beogradi do progres në rrugëtimin e tij drejt anëtarësimit në BE.

Mbulimi i pakët i diskutimeve formale e të përmbajtura nga media, thjesht ka rritur sensin e shkëputjes prej asaj çka thuhet në publik dhe çka vendoset prapa dyerve të mbyllura.

“Kemi nevojë për transmetime direkte dhe jo raportime të pjesshme në lajme”, tha aktivisti i mirënjohur i shoqërisë civile Borka Paviçeviq, themelues i Qendrës së Beogradit për Dezinfektim Kulturor. “Njerëzit duhet ta dinë: ka një hendek mes diskursit publik dhe privat mbi Kosovën”.

Ndërsa disa vëzhgues e kanë mirëpritur nismën, ata paralajmërojnë se ajo është e shtypur nga toni kundërshtar, i adoptuar nga qeveria serbe dhe media pro-qeverisë, ndaj homologëve Kosovarë dhe nga mungesa e tolerancës ndaj debatit kritik.

“Fatkeqësisht, kultura e dialogut nuk është pjesë e realitetit tonë”, tha Sasha Jankoviq, lider i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë. “Në fakt, jetojmë në një kohë ku dhuna politike është e dukshme”.

“Vuçiq fton opozitën për të dialoguar, ndërsa tabloidët pro-qeverisë përhapin gënjeshtra helmuese për shqiptarët që po kërkojnë të çrrënjosin serbët e Kosovës”.

Eklipsuar nga ngjarjet aktuale

BE i ka thënë Serbisë që i duhet të zgjidhë marrëdhëniet me Kosovën, në një marrëveshje të detyrueshme, para se t’i bashkohet bllokut, duke ofruar vitin 2025 si afat.

Por 19 vite pasi Kosova u çlirua nga lufta, dhe një dekadë pasi deklaroi pavarësinë me mbështetjen e fuqive madhore të Perëndimit, serbët ngelen të ndarë thellësisht sa i përket asaj se si të pajtohen me humbjen. Qeveritë pasardhëse serbe janë zotuar të mos e njohin kurrë Kosovën si sovrane.

Ngjarjet aktuale shërbejnë veç për t’i ashpërsuar opinionet në të gjitha palët.

Më 26 Mars, përfaqësuesi i Vuçiq për Kosovën, Marko Gjuriq, u arrestua dhe prangos nga policia e Kosovës për hyrjen ilegale në vend, duke nxitur Listën Serbe, partinë e serbëve të Kosovës të mbështetur nga Beogradi të tërhiqet nga koalicioni qeverisës i Kosovës.

Tri ditë më parë, Federata Europiane e Hendbollit përjashtoi Serbinë nga Kampionati Botëror i Femrave nën 20-vjeçare, pasi autoritetet serbe anuluan një ndeshje kualifikuese kundër Kosovës, e cila ish caktuar të luhej në periferitë e Beogradit, duke theksuar shqetësimin mbi sigurinë.

Ka shumë pak dakordësi mes serbëve në lidhje me atë se çfarë zgjidhje do bëhet apo duhet të bëhet për Kosovën.

Veç më pak se çereku i serbëve beson që Kosova do të jetë e pavarur, 20 përqind thonë që do jetë pjesë e Serbisë dhe 19 përqind besojnë se do ndahet mes Shqipërisë dhe Serbisë, sipas rezultatit të një sondazhi të bërë në shkurt, nga Qendra për Studime të Sigurisë në Beograd.

Kosova thotë që çdo gjë është vendosur tashmë, me më shumë se 100 shtete që e kanë njohur si sovrane. Por aleatja e Serbisë, Rusia, është pengesë me veton e saj në OKB.

Nga mbështetësit e partive progresive, 35 përqind janë në favor të një zgjidhjeje që do ta rriste stabilitetin, por dështojnë në njohje. Vetëm 9 përqind thonë që e mbështesin pavarësinë, ndërsa 8 përqind avokojnë për ndarje.

Mes mbështetësve të Partisë Socialiste, partneri më i ri në qeverinë e Vuçiq, dhe e djathta Dveri dhe Partia Demokratike e Serbisë, më shumë se gjysma e kundërshtojnë pavarësinë.

Në kundërshtim me perceptimin e përgjithshëm, shumë serbë nuk janë të fiksuar pas Kosovës në jetët e tyre të përditshme, ku puna, paraja dhe shëndeti konsiderohen shqetësime më të mëdha. Por mbetet një çështje elektrizuese, tha Srdjan Bogosavljeviq, drejtor i agjencisë për hulumtim të opinionit ‘Strategic Marketing’.

“Pra kur pyet dikë në rrugë, ‘Çka duhet bërë me Kosovën?’ shumica do thonë që është kryer dhe bërë bajate”, tha ai për BIRN. “Por sa herë që ndodh diçka me rëndësi që ka lidhje me Kosovën, thjesht raketohet mbi shkallën e prioriteteve”.

Të gjitha opinionet mirëpriten?

Mirëpo shumë serbë dyshojnë në atë se sa vlen opinioni i tyre:

“Çdo gjë është tashmë e caktuar”, tha Miroslav, një punëtor në marketin Bajloni në Beograd. “Tito ishte i vetmi që mund të mbante baraspeshën mes Lindjes dhe Perëndimit dhe asnjë tjetër”, tha ai, duke iu referuar udhëheqësit Jugosllav Josip Broz. “Vuçiq bën çfarë i thonë”.

Nenad Todoroviq, drejtor i një teatri, tha që elita politike ka vendosur tashmë që ta lëshojë Kosovën, por askush nuk mund ta shprehë me zë të lartë.

“Ky dialog është thjesht i stisur”, tha ai.

Madje edhe tek serbët e Kosovës, dialogu kombëtar nuk ka lënë fort përshtypje.

“Serbia s’ka qenë ndonjëherë më afër BE-së dhe, besoj që asnjëherë s’ka pasur liri shprehjeje dhe media ka qenë tejet në rrezik”, tha Aleksandër Dundjerin, nga qendra e pavarur kulturore Akuarius në qytezën e ndarë nga Mitrovica.

“Kështu që është shumë e vështirë të paramendohet ndonjë dialog i hapur shoqëror të ndodhë nën të tilla rrethana”.

Qeveria insiston që duhet dëgjuar zëri i çdokujt.

“Duhet të dëgjojmë ide ndryshe; duhet të ketë sa më shumë opinione që të jetë e mundur në media”, Milovan Drecun, anëtar i lartë Partisë Progresive të Vuçiq dhe kryetar i komitetit parlamentar për Kosovën, tha për televizionin N1.

Ai tha që ka një sërë opinionesh, nga thirrjet për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur e deri tek ndarja e saj mes Shqipërisë dhe Serbisë, siç e ka avokuar Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq, lider i socialistëve.

Tryezat e rrumbullakëta kanë mbledhur deri më tani akademikë, analistë politikë, ekonomistë, sipërmarrës, kryetarë komunash, diplomatë, ekspertë të sigurisë, përfaqësues të shoqërisë civile, shoqatat e sportit, shoqatat kulturore dhe zyrtarë të kujdesit shëndetësor.

Kisha nuk jep asnjë bazë

Aleksandra Joksimoviq, drejtoreshë e Qendrës për Politika të Jashtme, tha se mënyra se si dialogu u prezantua – si një rrugë për t’u ballafaquar me faktet dhe gjetur një zgjidhje të vërtetë – u prit mirë.

“Nëse dialogu është procesi që do na japë një zgjidhje për problemin e Kosovës, unë e shoh si një sukses madhor”, tha Joksimoviq për BIRN.

Por profesori Nebojsha Vladislavleviq i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd tha që diskutimi i vërtetë publik do ishte i vështirë përderisa udhëheqësit Progresivë mbajnë shtrënguar median.

“Ata thërrasin për dialog, teksa etiketojnë kritikët e qeverisë si gënjeshtarë, kriminelë dhe tradhtarë”, tha ai.

Çfarëdo vendimi që do marrë qeveria, tha ai për BIRN, do të jetë i bazuar në përllogaritje politike gjakftohtë dhe shkëmbimit të mundshëm mes famës së fituar nga jashtë për marrjen e hapave të vështirë për Kosovën dhe humbjes së mbështetjes në vend.

Kisha Ortodokse Serbe nuk jep fare shenja mbi atë çka e konsideron si djepin e besimit Ortodoks. ‘’Pozicioni i Kishës rreth Kosovës është i qartë,’’ tha Patriarku Irinej Gavriloviç për TV Hram më 4 Prill. ‘’Kush është ai shtetas që do braktiste pjesën më të madhe të atdheut për t’iu bashkuar ndonjëfarë aleance apo unioni? Kjo është marrëzi.’’

Një konflikt i ngrirë

Partitë opozitare kanë kundërshtuar tërësisht pjesëmarrjen në dialog.

Ata në të djathtë të spektrit politik e akuzojnë Vuçiqin që po përpiqet ta përgatisë shoqërinë për njohje të Kosovës si të pavarur; ata në të majtë thonë që ai thjesht po përpiqet ta ndajë përgjegjësinë e dështimit të politikave shtetërore në Kosovë.

“Nëse ky dialog do kishte ndonjë qëllim tjetër, elita intelektuale do merrte pjesë në vend të miqve të Partisë Progresive dhe opozita e rreme”, Boshko Obradoviq, lider i të djathtës ekstreme Partia Dveri, tha për BIRN.

Ish-Presidenti serb Boris Tadiq tha se thirrja për dialog duhej të ishte bërë përpara se qeveria paraardhëse progresive të nënshkruante marrëveshjen e Brukselit 2013, e cila krijonte mundësinë e integrimit të shumicës serbe në Veri të Kosovës në sistemin ligjor të Kosovës si dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

‘’Tani është thjesht për të implementuar atë mbi çfarë është rënë në ujdi, ose braktisje e gjithçkaje, e cila do të thoshte përfundimi i integrimit të Serbisë në Europë”, tha Tadiq për BIRN.

“Prej muajsh, Vuçiq po na fton në këtë dialog, pa thënë kurgjë për pozicionin e tij për këtë çështje”, tha ai.

Për disa, duket që zgjedhja më e mirë është mungesa e ndryshimit.

“Pjesa më e madhe e atyre që morën pjesë në procesin dialogues, deri tani mendojnë që ruajtja e status quo-së është mënyra më e mirë për të mbrojtur interesin kombëtar në Kosovë”, tha Vuçiq më 31 Mars, në tryezën e 17-të të rrumbullakët, kësaj radhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Duke nënvizuar kundërshtinë e tij ndaj “konfliktit të ngrirë”, ai paralajmëroi: “Nuk mendoj që koha është në favorin tonë mbi këtë çështje”.