Dialogu me Serbinë Dirigjoi Punën e Kuvendit

Instituti Demokratik i Kosovës në raportin për punën gjashtëmujore të Kuvendit të publikuar të shtunën, legjislativin kosovar e vlerësoi me mangësi  të kulturës politike dhe parlamentare në kryerjen e obligimeve dhe mandatit kushtetues që ka.

Sipas KDI-së në periudhën janar-qershor të vitit 2013, çështja që dirigjoi punën e Kuvendit dhe ngriti tensionet brenda dhe jashtë këtij institucioni, ishte dialogu Kosovë-Serbi.

“Kjo temë ka derivuar debate të gjata dhe të ashpra, shmangie të shpeshta të Rregullores, fjalor joparlamentar, tensione deri në përdorim të dhunës fizike brenda dhe jashtë Kuvendit”, tha Driton Selmanaj, menaxher Programi në KDI, gjatë prezantimit të raportit.

Selmanaj ia zuri për të madhe Kuvendit se ka shndërruar në rutinë të keqe shmangjen nga Rregullorja e punës së këtij institucioni.

Kjo shmangje sipas tij ishte parë gjatë miratimit të ligjeve që ishin pjesë e Pakos së Ahtisarit dhe ishte menduar se aty edhe do të mbarojë, por kjo nuk doli e saktë.

Selmanaj tha se praktika e tillë vazhdoi edhe gjatë miratimuit të Ligjit të amnistisë, i cili i kaloi dy leximet brenda një dite.

“Fatkeqësisht e njëjta gjë [anashkalimi i rregullores] ndodhi edhe me 8 projektligjet që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave mes Kosovës dhe BE-së”, tha më tutje Selmanaj.

Në raportin e KDI-së nuk kaloi pa u vërejtur edhe mbajtja e shumë seancave përkujtimore për dëshmorët në Kuvend. Gjatë periudhës janar-qershor 2013 u mbajtën tetë seanca të tilla, ndërsa një dukuri të tillë KDI-ja e vlerësoi tendencë për përvetësimin e veprës së dëshmorëve dhe ngjarjeve historike.

Imazhin e Kuvendit si institucion të demokracisë, sipas KDI-së e zbehën edhe dështimet e komisioneve për reforma kushtetuese dhe zgjedhore.

KDI-ja vuri në dukje se praktika e mirë e raportimit të kryeministrit në Kuvend, pas çdo raundi bisedimesh me Serbinë, nuk u vazhdua pas ratifikimit të Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, më 27 qershor.

Deputetët opozitarë për gazetën Jeta në Kosovë punës së Kuvendit ia patën gjetur thuajse të njëjtat mangësi, kur folën më 29 korrik.

Deputeti Arben Gashi (LDK) tha se në disa raste nuk është respektuar Rregullorja e punës për nevoja të qeverisë, ndërsa Ardian Gjini nga AAK-ja deklaroi se kuvendi nuk po arrin ta kontrollojë dhe mbikëqyrë ekzekutivin.

Deputeti Visar Ymeri (VV) u shpreh para gjashtë ditësh se thuajse krejt angazhimi i Kuvendit gjatë gjashtë muajve të parë të 2013-ës është bërë rreth negociatave me Serbinë.

KDI-ja si deputetin më aktiv gjatë këtij gjashtëmuajshi e vlerësoi Visar Ymerin e Vetëvendosjes, ndërsa më pasivja u konsiderua deputetja Rada Trajkoviq.