Çarshia e Vjetër e Shkupit. Foto: BIRN

Dhuna në Maqedoni Nxit Mbështetjen e Shqiptarëve për Zaevin

Është një mesditë e ngrohtë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ideale për numrin e rritur të blerësve dhe grupeve të turistëve të huaj që kalojnë në rrugicat e tij të ngushta.

Dyqanxhinjtë dhe pronarët e restoranteve, shumë prej të cilëve shqiptarë etnikë, fërkojnë të lumtur duart nga shtimi i tregtisë, duke i shërbyer me gazmend klientëve të tyre.

Asgjë nga kjo skenë nuk i sjell ndërmend dikujt dhunën që ndodhi në Shkup më 27 prill, kur një turmë mbështetësish të ish-partisë qeverisëse VMRO DPMNE hyri në parlament duke sulmuar deputetët.

Objektivi e tyre ishin deputetët e shumicës së re, të udhëhequr nga Social Demokratët, LDSM dhe tre partitë kryesore shqiptare që sapo kishin zgjedhur një kryetar të ri, i pari shqiptar që mban atë post, Talat Xhaferin.

Për fat të mirë, dhuna nuk u përhap në rrugë, gjë që do të shkaktonte përplasje më të rënda dhe mund të bëhej e pakontrollueshme.

Partitë që përbëjnë shumicën e re u angazhuan fuqishëm që të mos lejonin mbështësit  e tyre të dilnin në rrugë për t’i dalë në mbrojtje deputetëve të rrethuar.

“Cilin [opsion politik] përkrahni ju?” pyeti gazetarin e BIRN Xhevadi, shitësi 55-vjeçar i fëstëkut, natën shofer taksie.

Pyetja e drejtpërdrejtë nuk ishte as armiqësore dhe as e pasjellshme. Buzëqeshja e tij e madhe lë të kuptohet se ishte kureshtar për personi me të cilin po dialogonte. Në Ballkan, zbulimi i bindjeve politike të dikujt është një mënyrë e mirë për të nisur një bisedë.

“Mos u shqetëso, nuk ke pse përgjigjesh. Nuk ka ndonjë rëndësi,” buzëqeshi ai, i lumtur që zuri gafil një gazetar.

“Ajo që ndodhi [në parlament] ishte e tmerrshme. Ishte një katastrofë,” shtoi Xhevadi, duke iu kthyer bisedës.

“Por ata [njerëzit që sulmuan parlamentin] nuk mund ta shkatërronin të gjithë vendin, sepse askush nuk donte të hynte në luftë me ta! Vetëm sa treguan fytyrat e tyre të vërteta. Tani le të merret policia me ta dhe ne të tjerëve të na lënë të qetë”.

Xhevadi tha se e kishte parashikuar dhunën që pasoi dy muaj protesta nga mbështetësit e VMRO DPMNE kundër formimit të qeverisë së re të udhëhequr nga opozita, protesta të mbushura me retorikë anti-shqiptare.

Pavarësisht shumicës së re në parlamenti, presidenti Gjorge Ivanov refuzoi t’i japë liderit të socialdemokratëve Zoran Zaevit mandatin e krijimit të qeverisë me arsyetimin se do të rrezikonte sovranitetin e Maqedonisë.

Përpara zgjedhjeve Zaev pranoi disa kërkesa të vendosura nga partitë etnike shqiptare, përfshirë kërkesën për përdorim më të madh zyrtar të gjuhës shqipe.

Xhevadi dhe të gjithë të tjerët që BIRN takoi në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, i shohin më shumë gjërat sipas interpretimit të LSDM.

Ata besojnë se VMRO DPMNE, që ka udhëhequr qeverinë e Maqedonisë që nga viti 2006, po refuzon të dorëzojë pushtetin kryesisht për shkak se liderët e saj kanë frikë nga gjyqet për korrupsion.

“Ata [VMRO DPMNE] janë thjesht kriminelë që duan të shmangin drejtësinë për atë që kanë bërë. Kjo është arsyeja pse askush nuk duhet të ofendohet kur akuzojnë shqiptarët dhe duhet të qëndrojmë të qetë; E dimë se është një gënjeshtër dhe se koha e tyre po mbaron”, përfundoi Xhevadi.

Afrimi, një student 23-vjeçar në Shkup, nga qyteti perëndimor i Gostivarit, po shijon një kafe me miqtë e tij në një nga tarracat e hapura aty pranë.

Ai thotë se u shqetësua nga imazhet e tmerrshme të deputetit etnik shqiptar, Zijadin Sela, pjesë e shumicës së re, që u tërhoq pa ndjenja dhe u mbulua me gjak nga ngjarjet në parlament.

Sela u plagos më rëndë nga sulmuesit, së bashku me nëntë deputetë të tjerë, përfshirë liderin e LSDM, Zaev.

Sela tashmë po merr veten, ka lajmëruar partia e tij, PDSH, Lëvizja për Reformat.

“Disa të rinj si unë donin të shkonin në parlament atë natë për të mbrojtur deputetët tanë. Por dikush, ndoshta nga partitë politike, i bëri thirrje njerëzve dhe ndaluam,” tha Afrim.

“Ishte e rëndë për t’u parë,” shtoi ai. “Do të isha nisur edhe nëse do të më kishin thirrur. Por nuk dua probleme. Gjërat mund të dilnin nga kontrolli dhe ata [VMRO DPMNE] do ta kishin përdorur situatën vetëm që të na portretizonin neve [shqiptarët] si të dhunshëm dhe të fillonin një luftë”.

Zgjedhja e një kryetari të parlamentit, pas një bllokimi një-mujor të punëve në parlamanet nga VMRO DPMNE, i ngjalli Afrimit shpresën se një qeveri e re do të zgjidhet së shpejti. Ai nuk e fsheh simpatinë për Zaevin, i cili ka gjasa të drejtojë qeverinë e re.

“Ka për të qenë shumë herë më i mirë se Gruevski. Ai nuk është anti-shqiptar dhe kërkon paqe dhe prosperitet, si dhe një jetë më të mirë për të gjithë ne… I uroj fat,” tha Afrimi.

Ejupi, një këpucar 47-vjeçar, ndër të fundit në Çarshinë e Vjetër e filloi bisedën duke bërë thirrje për paqe.

“Askush nuk do luftë. Duhet të jemi të arsyeshëm. Do të ishte e keqe për të gjithë, turqit, shqiptarët, maqedonasit, për të gjithë… Nëse Çarshia e Vjetër mund të jetë shtëpi për të gjithë përse të mos jetë edhe vendi ynë strehë e të gjithëve?” thotë ai.

I pyetur për qeverinë e re të shpallur, ai mbështet fort LSDM.

“Zaevi është hero,” thotë ai. “Qëndroi atje [në parlament] duke u përballur vetë, pa u fshehur pas disa banditësh si ai tjetri [Gruevski]. Ai ka mbështetjen time.”

Në zgjedhjet e përgjithshme të 11 dhjetorit, LSDM e Zaevit, një parti tradicionale maqedonase, për herë të parë në historinë e Maqedonisë fitoi mbështetje të konsiderueshme në komunitetin shqiptar.

Qasja qytetare e partisë dhe vendimi për të përfshirë shqiptarët në radhët e saj të para tërhoqën 40,000 deri në 60,000 mijë vota të shqiptarëve, kanë llogaritur vëzhguesit.

Ata thonë se një pjesë e mbështetjes shqiptare për Zaevin rrjedh nga pakënaqësia e nacionalizmit etnikisht të Gruevskit.

Sondazhi i fundit i publikuar në shkurt, pas zgjedhjeve, nga Telma TV dhe MCMS, një OJQ, realizuar nga agjencia M Prospect, sugjeroi që ky trend i marrjes së mbështetjes shqiptare u rrit për herë të parë në historinë maqedonase, duke vënë LDSM si më të preferuarën e shqiptarëve krahasuar me partitë tradicionale shqiptare.

Në sondazh, 20 për qind e të anketuarve shqiptarë mbështetën LSDM, ndërsa 15 për qind thanë se janë me Besën. Nga pjesa tjetër, 14 për qind zgjodhën Bashkimin Demokratik për Integrim, BDI, 10 për qind përkrahën Partinë Demokratike të Shqiptarëve, PDSH, ndërsa 6 për qind përkrahën Aleancën për Shqiptarët, një koalicion i udhëhequr nga DPA – Lëvizja për Reformat e Selës.

“Dua të shoh në krye të vendit politikanë të mirë të cilët kujdesen për popullin. Nuk më intereson nëse janë shqiptarë apo maqedonas”, përfundoi shitësi i fëstëkut, Xhevadi.