Dhjetë Vjet Për Katedralen

Edhe pse gurthemeli i Katedrales “Nëna Tereze” është vënë para tetë vjetësh, në këtë objekt janë kryer vetëm gjysma e punëve dhe janë shpenzuar gjysma e parave. Deri tash në katedrale janë investuar 3 milionë e gjysmë euro, ndërsa në tërësi ajo do të kushtojë 6 milionë. Ipeshkvia e Kosovës pret që punët të kryhen në vitin 2015, dhjetë vjet pas vënies së gurthemelit.

Tetë vjet më parë ishte vënë gurthemeli i Katedrales “Nëna Tereze” në qendër të Prishtinës, por edhe sot e asaj dite ajo mbetet e papërfunduar.

Deri tash janë kryer vetëm gjysma e punimeve, ndërsa në shtator brenda në Katedrale pritet të përfundojë edhe çereku i punëve.

Sipas, Ipeshkvisë së Kosovës deri tash në Katedrale janë shpenzuar 3 milionë e gjysmë euro, ndërsa ky objekt kulti kur të kompletohet pritet të ketë kushtuar rreth 6 milionë.

Edhe kjo vlerë mund të tejkalohet varësisht nga çmimet e kërkuara për kryerjen e punëve dhe blerjen e materialeve.

Ipeshkvia është ankuar se gjithmonë pret donacioneve, ndërsa fondet nuk mjaftojnë as për kryerjen e punimeve të kontraktuara.

Finalizimi i objektit në tërësi edhe pse nuk dihet saktësisht, pritet të bëhet tek në vitin 2015.

Don Rrok Gjonlleshaj, anëtar në Këshillin për Ndërtimin e Katedrales, tha se koha e përfundimit të katedrales nuk mund të dihet, pasi zhvillimi i punimeve varet direkt nga donacionet që jepen për ndërtimin e objektit.

“Punët nëpër katedrale, pothuajse nuk përfundojnë kurrë, sepse në to gjithmonë punohet”, i tha gazetës Don Gjonlleshaj.

Ai thotë se megjithëse nuk janë siguruar të gjitha të hollat, është i kënaqur me zhvillimin e punimeve që janë bërë deri tash.

Komuna nuk i përzihet Kishës Katolike

Komuna e Prishtinës nuk mban përgjegjësi për përcaktimin e afateve kohore të përfundimit të projekteve në kryeqytet, pasi një gjë e tillë nuk parashihet me ligj.

Asdren Osaj , zëdhënës i komunës së Prishtinës, tha se komuna nuk mund të ndërmarrë asgjë për zvarritjen e projekteve që nuk i menaxhon vetë.

“Derisa nuk e kemi të rregulluar me ligj, duhet ta durojmë këtë gjendje”, i tha Osaj gazetës.

Osaj shtoi se komuna e ka siguruar lejen për ndërtim dhe po ashtu edhe vendin se ku do të ndërtohet objekti, kurse afatet kohore mund t’i caktojë vetë Kisha Katolike.

Edhe Nikollë Dodaj nga kompania “Vëllezërit Dodaj” i tha gazetës se kompania kryen punët varësisht nga donacionet që vijnë.

“Ne nuk kemi ndonjë afat të caktuar, sepse punët kanë shkuar sipas mjeteve të grumbulluara. I tërë projekti do të varet nga mjetet e grumbulluara”, tha ai.

Gurthemeli për ndërtimin e katedrales u vu më 26 gusht të vitit 2005, kurse punimet për ndërtim filluan pas rreth dy vjetësh.

Ngecjen e punimeve për rreth dy vjet Ipeshkvia e Kosovës e arsyetoi me vdekjen e Imzot Mark Sopit, pasi emërimi i ipeshkvit të ri u bë pas një viti.

Gjonlleshaj tha se tash për tash është duke u punuar në enterierin e katedrales, ku hyn suvatimi, ngjyrosja, kupolat, ndarja e mureve, mozaiku, elektrika, kolonat, kapitelat, dyshemja, mermeri.

“Shpresojmë se më ndihmën e Zotit, këto punë do të përfundojnë gjer në shtator të këtij viti”, tha ai.

Don Gjonlleshaj tha se përfundimi i projektit varet nga shumë faktorë si “të hollat, firmat që duhet përgatitur dhe montuar kolonat dhe kapitelat, artistët skulptorë dhe piktorë, vitrazhet etj”

Sipas tij, edhe pse nuk do të përmbyllet në tërësi, objekti do të përfundojë (ndërtimet e brendshme) më 5 shtator, për nder të kujtimit të përvjetorit të vdekjes së Nënës Tereze.

Ai tha se donacionet kryesore janë marrë nga populli i Kosovës si dhe nga diaspora në për qendrat misionare të besimtarëve në ShBA, Zvicër, Gjermani, Itali, Kroaci.

Po ashtu donacione erdhën edhe nga organizatat kishtare në Eeropë që ndihmojnë kishat, si dhe nga miq privatë, tha Gjonlleshaj.

Kontrata mes Ipeshkvisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës për shfrytëzim të tokës dhe ndërtimtë katedrales, qe lidhur më 2 shkurt të vitit 2007, në vendin ku ndodhej Gjimnazi i Shkencave të Natyrës “Xhevdet Doda”.

Ipeshkvia e Kosovës mori përsipër që t’i  paguajë Komunës së Prishtinës rreth 70 për qind të shumës totale për ndërtimin e objektit të ri të Gjimnazit Xhevdet Doda” në një lokacion tjetër, kurse 30 përqindëshi do të paguhej nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Ndërtimi i shkollës kushtoi 1 milion e 250 mijë euro. Ipeshkvia thotë se dha 800 mijë euro ndërsa pjesën tjetër e pagoi MASHT-i.

Ipeshkvia e Kosovës më 19 maj 2003 nënshkroi marrëveshje me Shoqatën e Arkitektëve të Romës për projektin e ndërtimit të Katedrales “Nëna Tereze” dhe u vendos që ajo të projektohej në stilin neo-romanik.

Një fatkeqësi tjetër goditi planet e ndërtimit të katedrales në vitin 2005-2006, kur afër 200 mijë euro u zhdukën nga kontoja e Ipeshkvisë, të deponuara në ish-Bankën Kreditore të Prishtinës në filialen e saj në Prizren.

Për këto para të zhdukura Ipeshkvia e Kosovës, dorëzoi kallëzim penal në janar të vitit 2012.

Në prill të vitit 2012 polica e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, arrestoi tre persona, ish-zyrtarë të Bankës Kreditore të Prishtinës të selisë në Prizren.

Don Shan Zefi, anëtar në Këshillin për Ndërtim të Katedrales, tha se të tre ish-zyrtarët pranuan fajësinë dhe se vendimi për kthimin e parave qe marrë në fund të vitit 2012.

Edhe pse gjykata mori vendim që paratë e marra nga xhirollogaria t’i ktheheshin Ipeshkvisë, Don Shan Zefi i tha gazetës se ato para ende nuk janë kthyer.

ETIKETA

01 Prill 2013 - 00:08

Donjetë Hoxha 01/04/2013 - 00:08
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Dhjetë Vjet Për Katedralen

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend