Devollët dhe Drejtuesit e PTK-së Shpallen të Pafajshëm

Shpallja e aktgjykimit u bë në prani të një numri më të madh të publikut në krahasim me rastet e tjera kur mbahej gjykimi, publik i cili para fillimit rrinte në qetësi, por në fund shpërtheu në duartrokitje.

Vëllezërit Shkëlqim e Blerim Devolli pronarë të Kompanisë Devolli si dhe Ismet Bojku drejtori i kompanisë, u shpallën të pafajshëm për pikat që akuzoheshin.

Ata po akuzoheshin për veprat penale të mashtrimit, hyrjes në kontrata të dëmshme dhe falsifikim të dokumentit zyrtar në raste të veçanta.

Ish-kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha po ashtu u shpall i pafajshëm në mungesë të provave, për veprën penale hyrje në kontrata të dëmshme dhe shpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimeve.

I pafajshëm për të njëjtat akuza u shpall edhe drejtuesi i bordit të drejtorëve në PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.

Gjykata vendimin e saj e arsyetoi me fjalët “ka qenë një ndër vendimet më të lehta ku ne si trup gjykues e kemi arsyetuar, pasi që nuk ka pas prova që e dëshmonin fajësinë”.

Kryetari i trupit gjykues Viktor Hygo Pardal në arsyetim po ashtu tha se “aktakuza ishte e bazuar në një letër të Shatkut, e që aktakuza të provohet duhet të ketë diçka më shumë se aq”.

Ai shtoi se trupi gjykues ishte munduar ta sillte Shatkun për të dëshmuar, por që nuk arriti ta bëjë këtë.

Në një rast gjykatësi Pardal tha se “mosmarrëveshjet në mes Shatkut dhe Devollëve duhet të zgjidheshin nga një gjykatë civile, e jo të arrinin në gjykatë penale”.

Adrian Shatku, një biznesmen i ardhur nga Amerika, bashkë me drejtesit e Devolli Group ishte aksionar i kompanisë Dardafone LL C që u zgjodh të jetë operator virtual (MVNO) e PTK-së.

Shatku ishte përfshirë në fenomenin e mashtrimit SIM to Sim, duke blerë disa numra të Valës të cilët i ka përdorur për këtë qëllim. Me këtë mashtrim mendohet se PTK-së i është shkaktuar një humbje prej 20 milionë eurosh.

Mbrojtësit e Devollëve gjatë fjalës së tyre përfundimtare të mërkurën e të enjten thanë se klientët e tyre kanë blerë për një milion euro aksionet e Shatkut brenda Dardafone LL C, për ta ruajrur imazhin e kompanisë, pasi kuptuan se Shatku ishte i përfshirë në mashtrimin SIM to SIM.