Ramiz Kelmendi dhe Isa Mustafa. Foto: Facebook

Detajet pse u gjobit Ramiz Kelmendi nga AKP

Deputeti dhe biznesmeni i njohur, Ramiz Kelmendi javën e kaluar u gjobit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për 1.3 milion euro për shkak të mos-përmbushjes së një kontrate për blerjen e një aseti shoqëror.

Agjencia Kosovare e Privatizimit përmes postës elektronike ka sqaruar për Gazetën Jeta në Kosovë shkaqet e gjobitjes ndaj deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Sipas AKP-së, blerësi, në këtë rast deputeti Ramiz Kelmendi, nuk i ka përmbushur disa prej kushteve që ishin paraparë në kontratën e nënshkruar në mes të kompanisë së Kelmendit, “ELKOS” dhe AKP-së.

Një prej kushteve të kontratës, sipas AKP-së kishte qenë që blerësi ta ruaj aktivitetin e prodhimit të metaleve për së paku 3 vitet e ardhshme.

“Mos-mbajtja e aktivitetit në tërësi dhe në mënyrë të vazhdueshme për së paku 3 vjet nga blerësi dhe Ndërmarrja e Re e cila konstatohet edhe me raport të auditorit të pavarur”, thuhet në përgjigjet e AKP-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ramiz Kelmendi e kishte shitur kompaninë e tij që e kishte privatizuar tek një person tjetër. Mirëpo, në marrëveshjen kontraktuale ndërmjet AKP-së dhe Ramiz Kelmendit ishte paraparë që këtë punë ta kryej kompania ELKOS dhe jo ndonjë kompani tjetër.

Edhe kjo sipas AKP-së ka përbërë shkelje të marrëveshjes, pasi që kontrata fillimisht ishte nënshkruar në mes të ELKOS-it dhe AKP-së.

“Zhvillimi i aktivitetit në emër të Elkos dhe jo siç parashihet në kontratë që këtë aktivitet ta bëj në emër të Ndërmarrjes së Re Famipa”, është njëra nga shkeljet tjera, thuhet në përgjigjet e AKP-së për Gazetën JnK.

AKP shton që edhe pas vërejtjeve të shumta drejtuar blerësit (Ramiz Kelmendi), ndërmarrja e re nuk e ka përfillur marrëveshjen kontraktuale.

“Përkundër faktit që edhe përgjatë periudhës monitoruese 3-vjeçare, Ndërmarrja e Re nuk ka zhvilluar aktivitetin e saj që është paraparë sipas kushteve të kontratës, dhe rrjedhimisht njoftimeve, vërejtjeve dhe kërkesave të vazhdueshme me shkrim nga AKP për të ndryshuar gjendjen, gjegjësisht për të filluar me prodhimin e paraparë, blerësi ka dështuar që të “sigurojë dhe garantojë se Ndërmarrja e Re do t’i përmbush këto obligime” që parashihen me kontratë”, thuhet tutje në përgjigjen e AKP-së dhënë për Gazetën Jeta në Kosovë.

Mirëpo, Ramiz Kelmendit nuk i kishin bërë përshtypje vërejtjet e AKP-së dhe menjëherë pasi që kishte kaluar afati 3 vjeçar i zotimeve, Kelmendi pa e njoftuar fare AKP-në, kishte vendosur të bëjë dislokimin e pajisjeve dhe makinerisë dhe ka bërë rrënimin e objektit.

Njëra prej kushteve të marrëveshjes kishte qenë që blerësi nuk do t’i çmontoj apo dislokoj pajisjet e makineritë për së paku 3 vjet pas privatizimit.

“Është e obliguar që pajisjet dhe makineritë ekzistuese nuk do t’i çmontoj apo dislokoj, por do t’i lë në të njëjtin vend së paku për periudhën e përcaktuar tre (3) vjeçare”, thuhet në njërën prej pika tjera të kontratës sipas përgjigjeve të AKP-së dhënë për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Menjëherë pas përfundimit të periudhës tre vjeçare të marrëveshjes së zotimeve blerësi pa njoftuar fare AKP-në ka bërë dislokimin e pajisjeve dhe makinerisë si dhe ka rrënuar në tërësi objektet ku ka zhvilluar gjithmonë aktivitetin e vet NSH “FAMIPA” qysh nga viti 1948”, thuhet tutje në përgjigjet e AKP-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

AKP thotë se Kelmendi është dashur të marrë leje paraprake nga Bordi i Drejtorëve që të lirohet nga monitorimi dhe të lirohet nga shkeljet eventuale, të cilat bien ndesh me kushtet e caktuara në kontratë.

E dënimet e mundshme ishin paraparë edhe në klauzolën e kontratës.

AKP në përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se janë të obliguar që të paguajnë shumën prej 30% të shitjes në rast se shkelen detyrimet kontraktuese.

“Blerësi dhe Ndërmarrja e Re siguron dhe garanton se Ndërmarrja e Re është e obliguar ta paguaj shumën prej 30% të çmimit të shitjes së Ndërmarrjes së Re “Famipa” Sh.P.K. në rast se shkel detyrimet kontraktuese, me kamatë mujore në vlerë prej 2% të kësaj shume në rast se blerësi nuk paguan detyrimin në afat prej 30 ditësh nga dita e njoftimit për aplikimin e ndëshkimit”, thuhet tutje në përgjigjet e AKP-së për Gazetën JnK.

Në një intervistë dhënë ditë më parë për KALLXO.com në ditën që u dënua, Ramiz Kelmendi e kishte cilësuar këtë si dëmtim politik, madje pa precizuar se për kë e ka fjalën, deklaronte se janë njerëz të një partie politike që udhëheqin me AKP-në.

“Dihet që punëtorët AKP-së, të gjithë janë punëtorë të partive politike dhe dihet se cilës parti politike i takojnë”, kishte thënë Kelmendi për KALLXO.com.

Madje ai e kishte quajtur këtë si plaçkitje ndaj tij, nga ana e AKP-së.

Mirëpo, sipas AKP-së, Bordi i Drejtorëve është i emëruar nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa për punëtorët e tjerë që janë në kuadër të shërbyesve civil, thonë se i kanë kryer të gjitha procedurat e rekrutimit në bazë të ligjeve në fuqi.

Kjo ndërmarrje ishte privatizuar në shtator të 2011 me vlerë prej 3 milionë e 900 mijë euro, ndërsa afati i marrëveshjes ka përfunduar me 13 shtator 2014.

“Kjo ndërmarrje përfshinë fabrikën me sipërfaqe prej përafërsisht 29,401 m² (tokë me sipërfaqe prej përafërsisht 22.647 m² dhe objekte me sipërfaqe prej përafërsisht 6.754 m²) dhe shitore me sipërfaqe prej përafërsisht 23.05 m².  Blerësi i kësaj Ndërmarrje është “Elkos Group” Sh.P.K dhe DPZ “Te Bajrami”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

Javën e kaluar në mbrojtje Ramiz Kelmendit i kishte dalë edhe Oda Ekonomike e Kosovës, përmes drejtuesit të saj, Safet Gërxhaliu, i cili e kishte quajtur këtë dënim si politik.

“Kur një kompani e tillë goditet në këtë mënyrë të drejtpërdrejte për hir të revanshizmit qoftë politik, qoftë partiak është mjerimi më i madh që e dëmton Kosovën edhe në aspektin intern edhe në aspektin ekstern”, kishte deklaruar Gërxhaliu, në një konference për media ku të pranishëm kishin qenë edhe zyrtarët e kompanisë ELKOS.

Ndaj Ramiz Kelmendit rëndon edhe akuza për vjedhje të energjisë elektrike.

Kelmendi tani është deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa në të kaluarën kishte qenë pjesë edhe e dy partive tjera, AAK-së dhe PDK-së.