Dështimi ‘spektakolar’ i vizave

Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn gjatë vizitës në Kosovë të hënën kërkoi durim nga kosovarët për heqjen e regjimit të vizave.

Zyrtari i lartë BE-së ndër të tjera deklaroi se qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbeten peng i datave për liberalizim të vizave dhe shtoi se ky proces mund të përfundojë në vitin 2020.

Këto deklarata të Hahn kanë nxitur reagimin e qytetarëve, politikëbërësve dhe analistëve në vend, të cilët  janë shprehur të zhgënjyer nga qasja e BE-së ndaj Kosovës për zvarritjen e procesit të vizave, me ç’rast kanë fajësuar edhe diplomacinë kosovare.

Të rinjtë e quajnë padrejtësi shtyrjen e lëvizjes së lirë

Të rinjtë në Kosovë thonë se janë të zhgënjyer me faktin se liberalizimi i vizave nuk do të arrihet as këtë vit apo më 2019.

Ferdian Shala, student në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, thotë për KALLXO.com se mosheqja e vizave është duke i penalizuar studentët si në aspektin studimor ashtu edhe në atë jetësor.

“Realisht jam shumë i zhgënjyer pasi që kemi shpresuar se të paktën këtë vit do të merret vendimi për liberalizim të vizave. Më së shumti neve studentëve është duke na penalizuar nga e drejta jonë e lëvizjes së lirë sepse nëpërmjet kësaj do të mund të shkëmbenim përvoja të ndryshme me vendet të ndryshme të Bashkimit Europian, si në aspektin studimor, ashtu edhe në atë jetësor”, tha ai.

Në anën tjetër, edhe Kaltrina Jashari, studente e vitit të tretë në universitetin publik, e ka cilësuar si të padrejtë vonesën e liberalizimit të vizave.

“Mos liberalizimi i vizave është një e padrejtë që po iu bëhet të gjithë qytetarëve të Kosovës tash e sa kohë. Si qytetare e këtij vendi jam e shqetësuar për këtë lajm, sepse na pamundëson lëvizjen e lirë dhe si pasojë e kësaj na pamundëson që të njohim një bote tjetër, e cila ndodhet larg nesh”, tha ajo për KALLXO.com.

Ajo shton se regjimi i vizave e kufizon si studente, sepse i pamundëson të njohë kulturat e vendeve të tjera dhe të shkojë lirshëm e të studiojë në shtete të ndryshme.

Opozita fajëson pushtetin për vizat

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka thënë për KALLXO.com se Kosovës po i mbyllen dyert pasi udhëhiqet prej njerëzve të izoluar.

“Kryeministri i sotëm dhe zëvendësi i tij Limaj dikur pengonin me dhunë e intriga përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave. Atëherë e fajësonin Bashkimin Europian, i cili deklaronte se po rrezikohet liberalizimi i vizave deri pas zgjedhjeve të vitit 2019 në Bashkimin Europian. Sot, kur ai paralajmërim është bërë fakt, përdoruesit e dhunës dhe intrigave, tash bashkë me partnerët e tyre qeverisës, sërish po fajësojnë Bashkimin Europian”, tha Hoti.

Sipas Hotit, qeveritarët dështimin në liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Interpol, po e shesin si dështim të Europës.

“Këta po mundohen ta shpërthejnë izolimin e tyre, duke e izoluar Kosovën. Por, Kosova dhe qytetarët e saj do ta shpërthejnë izolimin duke i izoluar këta udhëheqës të papërgjegjshëm”, përfundoi Hoti.

Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinajt, kryeparlamentarit Kadri Veselit dhe ministres së Integrimit Europian, Dhurata Hoxhës.

“Për herë të parë një zyrtar i lartë i BE-së përmendi datë për liberalizimin e vizave në Kosovë. Komisioneri për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, foli e tha: viti 2020! Datat e mëhershme për liberalizim në vitin 2018, i kishin premtuar veçse Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Dhurata Hoxha. Të tre këta duhet të japin dorëheqje”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Ndërsa, deputetja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Shqipe Pantina ka thënë për KALLXO.com se Bashkimi Europian është fajtori kryesor që nuk janë hequr vizat për Kosovën.

“Nëse shohim prej prizmit afatshkurtër, pse vendimi nuk u mor tani, pjesën më të madhe të fajit e kanë institucionet e BE-së, pikërisht Këshilli i ministrave, i cili përkundër faktit që janë plotësuar të gjitha kriteret teknike të cilat kanë qenë të përcaktuara me udhërrëfyesin për liberalizim të vizave, le që nuk mori vendim, por nuk e shqyrtoi fare këtë çështje”, theksoi ajo.

Megjithatë, sipas Pantinës një pjesë të fajit e kanë edhe institucionet e Kosovës.

“Qeveria, por edhe gjyqësori në vazhdimësi kanë dështuar të përmbushin kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian. Nga këto kritere, më kryesoi është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe ky nuk do të duhej të shihej vetëm si kriter për liberalizimin e vizave, por është kushti kryesor për një shoqëri të mirëfilltë”, tha Pantina, duke shtuar se përgjegjësinë më të madhe për këtë dështim e bartë Ministria e Integrimit, gjegjësisht ministrja Dhurata Hoxha.

Shkaktarët e mosliberalizimit të vizave

Njohësi i çështjeve politike në vend, Belul Beqaj vlerëson se Bashkimi Europian dhe Kosova po ballafaqohen me probleme serioze brenda vetes.

“Shkaku i mosliberalizimit burimin e ka në BE, por edhe në Kosovë. BE është kapluar nga proceset e brendshme nacionaliste, populliste dhe euroskeptike. Ndërsa, Kosova nuk  është funksionalizuar dhe rrumbullakësuar plotësisht si shtet”, tha Beqaj për KALLXO.com.

Sipas tij, nuk mjaftojnë vetëm shpenzimet për lobim të suksesshëm.

“Brenda nuk dimë se cila shtyllë e pushtetit është më disfunksionale, në një situatë të brishtë të brendshme ku çdo ditë mund të bie Qeveria nuk mund të na besohet, aq më parë kur ne nuk po i besojmë njëri-tjetrit! Procesi nuk ka dështuar, por qëllimi i procesit ka ndryshuar ngase po ndryshojnë politikat e vendeve që kanë  caktuar kriteret e këtij procesi!”, thotë ai.

Beqaj theksoi se qytetarët e Kosovës janë ushqyer me shpresa të rrejshme për vizat.

Ndërsa, analisti politik Artan Muhaxhiri thotë për KALLXO.com se faji për shtyrjen e liberalizimit të vizave duhet t’i faturohet Brukselit dhe Prishtinës.

“Spektri politik kosovar nuk ka qenë i zellshëm në realizimin me kohë të obligimeve institucionale, ndërsa Bashkimi Europian është treguar jo korrekt ndaj qytetarëve kosovarë me zvarritjen e procesit dhe mungesën e konkretësisë në veprime. Vazhdimi i izolimit absurd të qytetarëve të Kosovës është indikacion i dështimit të të gjithë akterëve të përfshirë”, tha ai.

Sipas Muhaxhirit, diplomacia kosovare ka dështuar në mënyrë spektakolare.

“Nuk ka ekzistuar as më e vogla strategji për ndikim kualitativ pozitiv në ecurinë e procesit. Përkundrazi, janë bërë veprime të improvizuara, me shpenzime të mëdha të parave dhe kundërefekte politike”, vlerëson analisti.

Muhaxhiri thekson se BE-ja përbëhet nga institucione komplekse të cilat udhëhiqen edhe nga interesat e veçanta të faktorëve të ndryshëm.

“Për këtë arsye, çdo vendim i madh – përfshirë edhe liberalizimin e vizave për kosovarët – duhet të kalojë nëpër harmonizime delikate shumështresore. Qytetarët e Kosovës janë zhgënjyer edhe në institucionet e Kosovës, edhe në ato të BE-së. Lëvizja e lirë e kosovarëve është duke u viktimizuar për shkak të neglizhencave të shumanshme”, përfundoi ai.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas takimit me komisionerin e BE-së Johannes Hahn, e pranoi se nga ana e Bashkimit Europian ka skepticizëm lidhur me heqjen e vizave për kosovarët.

Ndërkaq edhe ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha e ka kritikuar BE-në për këtë çështje.

“Rreth 5 muaj më parë, Komisioni Evropian konfirmoi përmbushjen e kritereve nga Kosova madje as nuk dha shpjegime të arsyeshme pse BE nuk është në gjendje të mbajë premtimin e saj dhe të respektojë rregullat dhe procedurat e veta”, ka shkruar ministrja Hoxha në Facebook të martën.

04 Dhjetor 2018 - 18:33

Arta Sopi, Emirjeta Vllahiu 04/12/2018 - 18:33
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend