Pishina e pandërtuar e Leposaviqit | Foto: Sanja Sovrlic

Maratonë Parregullsish për Pishinën Olimpike të Leposaviqit

Banorët në Leposaviq kanë pritur me durim për të notuar në pishinën olimpike të re të qytetit të tyre, që është duke u ndërtuar që nga viti i kaluar dhe fillimisht ishte projektuar të kushtonte 850,000 euro.

Por pavarësisht premtimeve nga kryetari i komunës që kjo do të përfundohej muaj më parë, krejt çka mund të shihet deri tani, me gati të gjitha paratë të shpenzuara, është një vrimë betoni në tokë.

Në vitin 2015, autoritetet e Leposaviqit njoftuan ndërtimin e pishinës olimpike dhe dy pishinave për fëmijë. Buxheti për pishinën kryesore ishte 850,000 euro.

Objekti tërheqës i sporteve ishte një nga projektet më të dashura për kryetarin e Leposaviqit, Dragan Jablanoviq.

Por misteri rrethoi dhënien e kontratës. Tenderët për konstruktimin u janë dhënë dy kompanive nga Skenderaj – “Lirigzoni” dhe “Projektuesi”, por dokumentet e tenderit nuk tregojnë se cili nga ata në fakt fitoi tenderin për të ndërtuar pishinën, sepse ata nuk listojnë punët e komisionuara.

Edhe Jablanoviqi tha që ai është i pasigurt se cila kompani fitoi tenderin, edhe pse fotografi në faqen e Facebookut të “Lirigzonit” tregojnë që po punojnë në zonën e ndërtimit të pishinës.

Tenderi u dha në shtator 2015 dhe projekti pati afatin kohor deri në dhjetor 2015.

Por vetëm punimet më bazike të ndërtimit u kryen deri në mars 2016. Sipas një raporti financiar të dorëzuar në atë kohë, 849,892 euro janë harxhuar.

Këtë vjeshtë, disa punime janë bërë, por mbetet e paqartë nëse pishina do të përfundohet. Tani ka katër anët të betonuara, por punimet e brendshme, duke përfshirë vënien e pllakave në pishinë, nuk janë bërë ende.

Kryetari arsyen e vonesës e lidhi me objektet e trajtimit të ujit të cilat sipas tij duhet të ndërtohen para se pishina të hapet për publikun.

“Ne duhet të ndërtojmë një fabrikë për përpunimin e ujit, sepse një cilësi specifike e ujit kërkohet, e jo ujë nga lumi Ibër. Dhe ne nuk kemi ujë të pijshëm për publikun, prandaj kjo duhet të bëhet në vitet që vijnë,” tha Jablanoviq për BIRN-in.

Fotografi ajrore e pishinës së pandërtuar të Leposaviqit (pjesa fundore e fotos, në të djathtë) | Foto: Sanja Sovrlic

Një tjetër arsye ishte vonesa fillestare e nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi me Ministrinë e Kulturës dhe Sportit, që është një kusht paraprak që fondet të dhurohen dhe punimet të fillojnë.

Jablanoviq pretendon që edhe 200,000 euro të tjera janë ndarë për projektin e pishinës në 2016-ën dhe që vendimi është miratuar unanimisht nga kuvendi komunal këtë vit.

Por, procesverbali zyrtar i mbledhjes së kuvendit tregon që asamblistët votuan nëntë me gjashtë për të mos miratuar fonde të tjera për projektin.

Kryetari i kuvendit, Zoran Todiq, pretendon që Kuvendi i Kosovës ka pranuar planin e fondeve të tjera, edhe pse asamblistët votuan kundër tyre.

“Buxheti i Komunës së Leposaviqit që shumica nga asamblistët nuk e mbështetën, u miratua nga Kuvendi i Kosovës, kështu që juridiksioni i qeverisë lokale u shkel,” i tha Todiq BIRN-it.

Kryetari Jablanoviq insistoi ndërkohë që në 2017-ën, një tjetër shumë prej 300,000 eurove do të nevojitet për pishinat, sepse, siç tha ai, projekti po ndërtohet në faza.

Arkitekti Nikola Milosavljeviq i tha BIRN-it se edhe pse ka një “çmim universal” për ndërtimin e një pishine olimpike, ajo do të kushtonte rreth 450,000 euro, duke u varur në faktorët specifikë lokalë dhe shkallën e projektit.

Por Jablanoviq kundërshtoi vlerësimin e arkitektit.

“Nuk e di ku i keni marrë këto informata, ju mund të thoni që kushton 1,000 euro. Nuk është puna ime, unë punoj sipas një projekti që është zhvilluar nga një prej firmave më të mira të zhvillimit të projekteve në Beograd, gati 10 vjet më parë,” tha ai.

Nenad Radosavljeviq, një asamblist nga Iniciativa Qytetare e Drejtësisë Kombëtare dhe një nga kundërshtarët e kryetarit, tha që pyetje duhet të bëhen se si fondet po shpenzohen dhe pse projekti nuk ka përfunduar.

“Si dhe në çfarë mënyre paratë e dhëna për pishinën janë shpenzuar, dhe se si këto kontrata janë zbatuar, janë pyetje që mund të marrin përgjigje vetëm nga personi përgjegjës për paratë dhe kjo i bie që është departamenti i financave brenda komunës, me fjalë të tjera kryetari, që ka bërë urdhrat për pagesë dhe që ka ndonjë marrëdhënie me kontraktorin,” tha Radosavljeviq për BIRN-in.

Kryetari i Asamblesë Komunale të Leposaviqit, Todiq, argumentoi që një komision duhet të themelohet për të hetuar projektin dhe për të vendosur nëse fondet janë keqpërdorur, apo jo.

“Sa u përket fondeve dhe projektit, mendoj që është më mirë në këtë pikë të themelojmë një komision të pavarur, profesional, me ekspertë nga fusha e ndërtimit,” i tha Todiq BIRN-it.

“Qartazi, ka dyshime që ka pasur ndonjë abuzim të fondeve dhe mbishpenzim në vendin ku kompleksi i pishinës komunale duhet të ndërtohet,” shtoi ai.

Pishina e pandërtuar e Leposaviqit | Foto: Sanja Sovrlic
Pishina e pandërtuar e Leposaviqit | Foto: Sanja Sovrlic

Gjithashtu u zbulua që pishina nuk ka leje ndërtimi, duke ngritur pyetje se si është lejuar që puna të nisë.

Kryetari vetë e pranon që komuna nuk ka lëshuar ndonjë leje, siç kërkohet nën ligjin e Kosovës.

“Një leje ndërtimi duhet të lëshohet nga institucionet e Kosovës. Ne nuk e kemi bërë atë ende, askush nuk e bën atë në veri [të Kosovës] dhe unë nuk do të jem i pari që e bën,” tha Jablanoviq gjatë një debati televiziv për çështje komunale të organizuar nga BIRN-i dhe Internews Kosova në prill 2016.

Kryetari gjithashtu është kritikuar këtë vit siç pretendohet sepse ka injoruar vendimet e kuvendit komunal. Në dhjetor, shumica e asamblistëve votuan të kërkojnë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për ta shkarkuar atë, por ende nuk është marrë ndonjë vendim nga ministria dhe ndërkohë, ministri është ndryshuar.

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Leposaviqit në 2015-ën bëri disa aludime për parregullsi financiare, duke përfshirë keqpërdorim të fondeve në disa projekte kapitale dhe mungesë të kontrollit të brendshëm të financave. Auditori i përgjithshëm rekomandoi monitorim rigoroz në mënyrë që të përmirësohen masat e kontrollit.

Dekani i Fakultetit të Sporteve të universitetit lokal, Veroljub Stankoviq, i tha BIRN-it që pishina është  një objekt i nevojshëm për studentët dhe banorët.

“Ne në universitet kemi një pjesë të mësimit praktik që duhet të mbahet në pishinë,” tha Stankoviq.

“Ndërtimi i pishinës do të thotë një zhvillim i një strategjie trajnimi për not për popullatën e përgjithshme,” shtoi ai.

Një banor lokal në Leposaviq, Pavle Kuliziq, tha që ai mendon se pishina olimpike dhe pishinat e fëmijëve do të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit publik, sidomos te njerëzit më të rinj, por shprehu skepticizëm se kur projekti do të përfundohet.

“Duke parë disa nga këto projekte, ato janë investime shumë të mëdha, projekte shumë të rëndësishme për komunën, për qytetarët, sidomos për fëmijët dhe rininë. Unë jam pesimist, nuk pres që këto do të përfundohen në kohën e caktuar në plane,” i tha Kuliziq BIRN-it.

Paratë për projektin e pishinës vijnë nga Ministria e Kulturës dhe Sportit, që është përgjegjëse për të paguar kontraktorin.

BIRN-i bëri përpjekje të shumta për të marrë ndonjë deklaratë nga ministri sa i përket ndërtimit të pishinës, por edhe pse është premtuar një përgjigje, asnjë përgjigje nuk ka ardhur.

Ndërkohë banorët e Leposaviqit që kalojnë afër vendit të ndërtimit mund të shikojnë vetëm basenin e betonit dhe të pyesin veten se kur më në fund mund të zhyten në ujërat e pishinës së re komunale.

Ky artikull është prodhuar si pjesë e Bursës për Raportim Cilësor, si pjesë e projektit Media for All, i zbatuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe i mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë.