Ilustrimi: Kallxo.com

Dëshmitë se politika dhe institucionet dominohen prej burrave

Pozitat kyçe në partitë politike të vendit vazhdojnë të drejtohen nga burrat ndërsa numri i grave të punësuara në institucionet publike të vendit është në disproporcion me numrin e burrave të punësuar.

Një hulumtim i BIRN-it zbardh se partitë politike të Kosovës nuk zbatojnë kuota gjinore në drejtimin e strukturave partiake.

Degët e LDK-së nuk udhëhiqen nga gratë ndërsa vetëm dy degë të PDK-ë drejtohen nga gratë. Kurse, në AAK të gjitha degët udhëhiqen nga burrat.

PDK është ndër partitë e vetme që ka gra që udhëheqin degë të partisë. Nga 38 degët e partisë dy udhëhiqen nga gratë.

Partia, sipas sekretarit Basri Musmurati, ka një nënkryetare grua dhe dy këshilltare gra. Por, partia është larg të arrijë përfaqësim 50 me 50 të grave në strukturat drejtuese. Nga 184 anëtarë në Këshillin Drejtues të partisë, 39 janë gra, në kryesi nga 50 anëtarët e kryesisë – 13 janë gra.

Në LDK, nga 38 degët e partisë asnjëra nuk drejtohet nga gratë ndërsa vetëm 4 gra janë anëtare në kryesinë prej 23 anëtarësh. Në forumin tjetër, Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së nga 117 anëtarët vetëm 24 janë gra.

Në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë ofruar shifra për numrin e degëve që drejtohen nga gratë.

Por, Nazlie Balaj, shefe e Komitetit të Gruas, thotë se Vetëvendosje u ka besuar grave pozitat e nënkryetares së dytë, koordinatores së komitetit për gra, sekretaren e përgjithshme dhe drejtuesen e Sekretariatit për media dhe komunikim.

Kurse, Aleanca e Ramush Haradinajt po ashtu vazhdon të qeveriset nga burrat.

Kryesia e partisë është e përbërë nga 48 burra dhe vetëm 12 gra ndërsa Këshilli drejtues ka 24 gra dhe 93 burra. Në shtrirjen e saj lokale në komuna, AAK nuk i ka besuar asnjë dege të qeveriset nga gratë.

Në Partinë Demokratike të Kosovës, sekretari Basri Musmurati thotë se nuk ka nevojë për kuota gjinore për shkak të kualitetit.

Ndërsa në LDK mendojnë se përfaqësimi i grave është i mjaftueshëm.

Teuta Musa, sekretare e Forumit të Gruas në LDK i tha BIRN-it se gratë në këtë parti kanë pozita konform meritave që i kanë. “Përzgjedhja e kandidateve në LDK bëhet në bazë të meritave të grave në sferën e politikës. Lidhja Demokratike e Kosovës në strukturën e saj ka Forumin e Gruas të LDK-së, një mekanizëm shumë i fuqishëm, që në struktura ka me mijëra gra në të gjitha degët e Kosovës. Përzgjedhja e grave për të garuar në fushatë elektorale bëhet nga gratë që janë aktive në këtë mekanizëm, duke u mundësuar që të garojnë me planprogramet e tyre për qytetarët”.

Ndërsa, Partia Socialdemokrate nuk ka kthyer përgjigje për strukturën e saj dhe përfshirjen e grave në këtë proces.

Institucionet e pabarabarta

Pabarazia e grave në shifra shihet edhe në punësimin e tyre në institucionet publike.

Hulumtimi zbardh se presidenca e vendit ka të punësuar 76 persona, prej të cilëve 54 janë burra dhe 22 gra.

Në agjencinë për barazi gjinore të dhënat tregojnë se gratë janë më pak të punësuara në nivelin qendror të administratës, ku punojnë 6 mijë burra më shumë. Aty nga 28 mijë e 557 të punësuarit vetëm 11 mijë e 14 gra janë të punësuara.

Shifrat janë të pabarabarta edhe në nivelin lokal ku nga 43 mijë e 571 të punësuarit vetëm 19 247 janë gra.

(Autorja është bursiste e grantit të financuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) )

04 Nëntor 2018 - 17:05

Vlora Ademi 04/11/2018 - 17:05
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend