Pamje nga seanca e sotme e gjykimit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt – Foto: KALLXO.com

Dëshmitarët Rrëfejnë si e Gjetën Trupin e Pajetë të Donjetës

Në gjykimin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, për të cilën vepër akuzohet kushëriri i të ndjerës, Naseri, sot kanë dëshmuar dëshmitarë të tjerë.

Në mesin e atyre që në Gjykatën e Pejës dhanë dëshminë ishin edhe Mergim e Milaim Sutaj, të cilët rrëfyen se si e gjetën trupin e pajetë të 24-vjeçares nga Strellci i Ulët në bjeshkët e fshatit Strellc të Deçanit.

Mergimi tha se me djalin e axhës, Milaimin, kishin hyrë një rruge të ngushtë me kuajt e tyre dhe rreth 1 kilometër sipër vendit të gjuajtur “Kroni i Lajthisë”, kali i tij ishte ndalur dhe kishte filluar të hingëllinte.

“Në një vend e kemi lënë rrugën e bjeshkës dhe kemi hyrë andej kah shkohet me kuaj. Kur kemi ecur dikur nja 20-30 metra kali është ndalë edhe ka fillu me pallë. Unë dola me këqyr mos ka najsen, edhe kam ecur edhe pak e kam parë diçka në anën e poshtme. Më është dukur si kukull. Jam afruar 2-3 metra edhe e kam parë që është një person”, tha dëshmitari Mergim Sutaj

Ai tregoi se më pas e kishte njoftuar Milaimin se bëhet fjalë për një person të vdekur.

Në pamundësi të kontaktojnë me policinë, Mergimi tha se kishte telefonuar një fqinj të tij duke i kërkuar ta lajmëronte policinë.

“Menjëherë me kanë thirrë pastaj policia në telefon edhe i kam pritur deri sa kanë ardhur në vendin e ngjarjes”, tha ai.

I pyetur nga prokurorja e rastit, Valbona Disha-Haxhosaj, se me veturë e tipit xhip për sa mund të shkohet në atë bjeshkë nga qendra e fshatit Strellc, dëshmitari tha së nuk merr kohë më shumë se 10 minuta.

Kurse, djali i axhës së tij, Milaimi, para trupit gjykues tha se kishte qenë mëngjes kur kishin rastisur në trupin e pajetë të Donjeta Pajazitajt.

“Ka qenë ora 9-10 kur jemi kanë me kuaj në mal. Gjatë rrugës është ndalë kali i djalit t’mixhës edhe ia ka nisë me shpurdhë në tokë. Pastaj djali i mixhës ka këqyrë çka ka”, tha dëshmitari Milaim Sutaj.

Dëshmia e vëllait të të akuzuarit

Në gjykimin e Naser Pajazitajt sot ka dëshmuar edhe vëllai tjetër i të akuzuarit. Tafil Pajazitaj tregoi se ku kishte qenë ditën kur ishte zhdukur Donjeta Pajazitaj.

“Atë ditë në mëngjes kam qenë në ngushëllime tek familja e bashkëfshatarit deri rreth orës 13:20 ose 13:30 diku. Pastaj kam shkuar në shtëpi ngase e kisha lënë me bashkëshorten time dhe të Naserit për të shkuar në shtëpinë e të ndjerit. Mua me interesoi pse bashkëshortja ime nuk ka ardhur në kryeshnosh dhe për atë shkova në shtëpi. Me thanë se s’kemi mujtë me ardhë sepse Dushes (gruas se Naserit) i ka vdekur një i afërm” ,tha ai.

Pasi ishte nisur për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit, Tafil Pajazitaj tha së tek vendi i quajtur Drumi kishte parë vëllain e tij, Naserin dhe disa kushërinj tjerë të fshatit.

“Tek Drumi unë i pava Nystretin, Naserin, Kadrinë (vëllëzër), Azemin, Sami Rabushajn, Kushtrimi (djali), dhe më doket ka qenë edhe Jetmiri. 99,9% me doket e kam parë edhe Qamilin, po s’jam shumë i sigurt. Ju kam thënë djem pse po rrini këtu e nuk po niseni për varrim se nuk keni me mujtë me mbërri me kohë në varrim”, tha Tafili.

Ai tha së nuk mund ta dijëe saktësisht se me kënd kishte marrë rrugën drejt varrezave, por tha se nuk i kujtohet ta ketë parë ndonjërin nga vëllezërit e tij në varrim.

Kurse për zhdukjen e Donjetës tha së kishte dëgjuar në të pamën e bashkëfshatarit të tij.

Gjatë kohës sa Donjeta Pajazitaj ishte e zhdukur, Tafil Pajazitaj tha se dikush e kishte telefonuar me numër privat në telefonin e tij dhe i kishte thënë se vrasësi i Donjetës është në fshatin tuaj.

“Po, më ka thirrë në telefon pa numër, një zë i mashkullit dhe me ka thënë se vrasësi i Donjetës është në fshatin tuaj i moshës 25-29 vjeçare”, tha ai.

Gjatë dëshmisë së Tafil Pajazitajt, prokurorja Disha-Haxhosaj e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e tij të dhënë në Prokurori se ka dëgjuar se janë parë disa persona që e kanë marrë me një veturë Donjetën.

Dëshmitari tha se vet ai nuk e kishte parë, por kohën kur ishte Donjeta e zhdukur kishte shumë thashetheme.

“Unë pa nuk e kam, apo me dëgju kam dëgjuar sepse çka s’u folke ato ditë”, tha ai.

Ndërsa për gjetjen e trupit të pajetë të Donjetës, Tafili tha së kishte dëgjuar pas disa jave.

“Nuk me kujtohet se nga kush kam dëgjuar për gjetjen e trupit të pajetë të Donjetës. Atë natë kam shkuar në mbrëmje, aty ka qenë tmerr e kiamet”, tha dëshmitari.

Vëllai i të akuzuarit ka rrëfyer para gjykatës edhe momentin gjatë qëndrimit të tij në të pame tek familja e Donjetës kur e kishte kuptuar se vëllai i tij, Naseri, është arrestuar nga Policia.

“Në të tretën ditë të pamës, në mëngjes duke pritur e përcjell palë, u takova me Xhafer Pajazitin. Me tha: me të vetë diçka? Thash: çka more burrë udhëro? Xhaferi tha: a hiç nuk pe din a? Thash: fol more burrë se tybe nuk pe di çka! Më tha: Naserin e kanë burgosur. I thash: në qet dakik pe di. Kam nejtë në të pame atë ditë deri në 11:30 edhe kam shku. Nuk kam vërejtur që s’kam qenë i mirëpritur nga familjarët e Donjetës”, tha ai.

Dje, ndërkaq, në këtë gjykim dëshmoi vëllai tjetër i të akuzuarit, Nystreti.

http://kallxo.com/vellai-te-akuzuarit-deshmoi-ne-gjykimin-per-vrasjen-e-donjetes/

Dëshmia e nipit të të akuzuarit 

Kushtrim Pajazitaj ka dëshmuar sot në gjykimin e axhës së tij Naserit.

Nipi i të akuzuarit ka treguar se ditën kur ishte zhdukur Donjeta Pajazitaj i kujtohet se atë ditë ishte edhe varrimi i një bashkëfshatari të tyre.

Ai tha se ditën e 9 nëntorit rreth orës 11:30 bashkë me disa bashkëfshatarë ishin duke qëndruar tek vendi i njohur si Drumi. Bashkë me ta tha se ishte edhe axha i tij, Naser Pajazitaj.

“Kemi qenë unë, Jetmiri, Naseri, Azemi edhe Kastrioti. Më vonë ka ardhur edhe Sami Rabushaj”, tha ai.

I pyetur nga prokurorja e rastit nëse gjatë kohës sa ishin duke qëndruar te “Drumi” a kishte parë axhën e tij, Naserin, duke biseduar në telefon dhe a kishe lëvizur ai me veturë gjatë asaj kohe, Kushtim Pajazitaj tha se ka vërejtur të ketë biseduar në telefon dhe të ketë shkuar diku për disa minuta me veturë, ku ishte kthyer sërish tek vendi i njëjtë.

Kushtrimi tregoi se derisa po qëndronin te Drumi, andejpari kishte kaluar Donjeta Pajazitaj.

“Derisa po rrinim tek Drumi ka kaluar Donjejta. Nuk e di saktë sa ka qenë ora, vetëm e di se ka kaluar vetëm dhe na ka përshëndetur. Ajo ka vazhduar përpjetë ka rruga e lagjes Jusaj dhe nuk e kam vërejtur ndonjë person qe ka shkuar pas saj pasi ka kaluar ajo”, tha Kushtrim Pajazitaj.

Më pas ai deklaroi ta ketë parë axhën e tij, Naserin, duke u nisur në këmbë drejt varrezave të fshatit ka rruga e Kamajve.

Dëshmitari theksoi se pasi kishin mbërritur afër një udhëkryqi mes varrezave dhe shtëpisë së bashkëfshatarit që kishte vdekur e ka parë Naserin duke pritur bashkë me shumë persona tjerë para ceremonisë së varrimit.

Kushtrim Pajazitaj tha se atë ditë pasdite kishte shkuar në shtëpinë e axhës së tij, Naserit.

“Pas varrimit kam shkuar në shtëpinë time njëherë. Dy orë pas varrimit kam shkuar tek Naseri në shtëpi edhe e kam parë duke punuar diçka. Aty kam qëndruar derisa sa është terruar”, tha dëshmitari.

Mirëpo me këtë deklarim nuk u pajtua axha i dëshmitarit, i akuzuari Naser Pajazitaj, i cili tha se ka vërejtje në këtë pjesë të deklaratës së nipit të tij, pasi që tha se ai kishte ardhur në shtëpinë e tij një ditë më vonë, e jo ditën e varrimit të bashkëfshatarit të tyre.

Seanca ku do të dëgjohen dëshmitarë të tjerë është caktuar të mbahet nesër.

Dy ditë me herët, KALLXO.com raportoi për dëshminë e nënës së Donjeta Pajazitajt dhe deklarimit e dëshmitarëve të tjerë.

Nëna e Donjeta Pajazitajt Dëshmon për Vrasjen e Vajzës së Saj

Kurse dje u dëgjua dëshmia e Nystretit, vëllai tjetër i të akuzuarit Naser Pajazitaj.

Në qershor të këtij viti, gjatë seancës së shqyrtimit fillestar, KALLXO.com kishte kapur pamje kur i akuzuari Naser Pajazitaj derisa po dilte nga salla e gjykimit ishte grushtuar nga vëllai i Donjeta Pajazitajt.

http://kallxo.com/vellai-donjeta-pajazitajt-grushton-te-akuzuarin-pas-seances/

Po ashtu, KALLXO.com raportoi edhe kur Naser Pajazitaj gjatë gjykimit ishte shprehur i pafajshëm për vrasjen e kushërirës, Donjetës.

KALLXO.com kishte raportuar disa herë rreth këtij rasti që kishte tronditur mbarë opinionin publik në Kosovë.

Donjeta Pajazitaj disa javë ishte shpallur e zhdukur derisa u gjet e vrarë në bjeshkët e Strellcit të Deçanit.

Për vrasjen e Donjetës dhe zbardhjen e këtij rasti disa herë u organizuan protesta dhe marshe paqësore.

Përjashtimi i vëllait të viktimës nga salla e gjykimit

Për shkak se iu tërhoq disa herë vërejtja nga kryetari i trupit gjykues që mos të flasë gjatë seancës, vëllai i viktimës Donjeta Pajazitajt, Shkelqimi, është përjashtuar nga salla e gjykimit.

Nëna e tij, Lumnije Pajazitaj për shkak se ka probleme me dëgjim dhe problemeve shëndetësore të bashkëshortit të saj,Halilit, kërkoi nga trupi gjykues,që djali i saj Shkelqimi të jetë si palë në procedurë.

Kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, tha së ky propozim duhet t’i dorëzohet me shkrim prokurores e më pas gjykata të marrë vendim.

Pasi, pala e dëmtuar, Lumnije Pajazitaj, vazhdimisht kishte probleme me dëgjim, trupi gjykues vendosi ta kthejë sërish në sallën e gjykimit, Shkelqim Pajazitajn, duke ia tërhequr vërejtjen që mos të flasë pa lejen e kryetarit të trupit gjykues.