Deputetët sytë kah prokuroria e gishtin kah Presidenti për deportimin e gylenistëve

Që nga 29 marsi i vitit të kaluar familjarët e gjashtë shtetasve turq dhe opinioni në Kosovë e më gjerë nuk kanë asnjë informacion se nga kush erdhi urdhri për deportimin e tyre nga autoritet kosovare drejt Turqisë.

Hasan Hysein Gunakan, Karhaman Demirez, Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Osman Karakaya si dhe Cihan Ozkan në mëngjesin e 29 marsit u arrestuan nga institucionet e Kosovës dhe u deportuan për të Turqi.

Ata janë të akuzuar për lidhje me Fetullah Gylen, njeriun të cilin Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grushtshtetit të dështuar në vitin 2016.

Për të hedhur pakëz ‘dritë’ Kuvendi i Kosovës në 28 qershor me propozimin e 40 deputetëve morri vendim për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Që nga themelimi i tij komisioni pati probleme të shumta si: mungesa e gatishmërisë së institucioneve për të dorëzuar materialet, mungesa e kuorumit brenda komisionit, mungesa e liderëve në ditën e intervistimit, si dhe në fund ‘rreziku’ që Komisioni hetimor të mbetet pa mandat dhe pa prezantuar raportin e punës.

Në shkurt të këtij viti, këtij komisioni i skadoi mandati pa e pasur mundësinë që të përfundojnë raportin dhe ti drejtohen kuvendit, mirëpo më 15 prill Kuvendi morri vendim që mandati i këtij komisioni të zgjatet edhe për një muaj.

Ndërsa sot ky komision ,me 7 vota për  ka miratuar raportin e punës së tij e cila do ti përcillet sekretarisë së Kuvendit pastaj do të caktohet seanca ku do të diskutohet ky raport.

Deputetët që kanë votuar për miratimin e këtij raporti janë: Xhelal Sveçla (LVV), Anton Quni(LDK), Driton Selmanaj (LDK), Muharrem Nitaj (AAK), Sami Kurteshi (LVV), Haxhi Shala(NISMA), Frashër Krasniqi (PSD) ndërsa ata që nuk e votuan ishin deputetët e PDK-së.

Opozita e konsideron të papërgjegjshme sjelljen e presidentit karshi komisionit

Në konferencën e sotme, pas miratimit të draft-raportit, kryesuesi i komisionit Xhelal Sveçla, tha që në bazë të punës së tyre kanë arritur të dalin në një konstatim që ‘urdhërdhënësi’ për deportimin e gjashtë shtetasve turq është pikërisht presidenti Hashim Thaçi.

“Pak a shumë duke e marrë parasysh edhe sjelljen e Presidentit edhe reagimet e njerëzve përreth tij, tashmë është bërë e qartë se urdhërdhënës për këtë çfarë ka ndodhur është vetë presidenti Hashim Thaçi i cili në mënyrë jashtëzakonisht të papërshtatshme arrogante parandaloi raportimin para komisionit”, tha ai.

Kjo deklaratë e Sveçlës u mbështet edhe nga nënkryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj i cili tha që presidenti vazhdimisht ka pasur tendenca të bllokoj punën e komisionit.

“Ne në muajin e ardhshëm i bëjmë në vit që nga konstituimi i këtij komisioni, normalisht një punë e vështirë përpjekje për obstruksione maksimale dhe çka është me e keqja sjellja e papërgjegjshme e presidentit të vendit në raport me institucionin e Kuvendit të Kosovës. Normalisht që ky raport tashmë është i mirë, substancial me të gjetura krejtësisht faktike, por do të ishte edhe më i plotë sikur ta kishim dëshminë e deritashme të presidentit të vendit, sepse ne e dimë dhe opinioni e dinë që prapa krejt kësaj punë qëndron ai.”, tha Selmanaj.

Presidenti ‘asnjëherë’ nuk u përgjigj për rolin e tij në operacionin e deportimit

Pas katër herësh mungesë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi më 26 prill ishte paraqitur para Komisionit Parlamentar Hetimor për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Pavarësisht se presidenti ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, në të shumtën e kohës ai u bënte pyetje deputetëve të këtij komisioni. Ndërsa këta të fundit i përgjigjeshin për të gjitha pyetjet dhe akuzat që ai i hedhtë në drejtim të tyre.

Debati eskaloi deri në atë formë sa që deputetët dhanë cilësime të ndryshme për njëri-tjetrin, dikush ‘mercenarë’, dikush ‘zvarranik’, e dikush ‘i poshtër’, ishin këto disa nga cilësimet që presidenti dhe deputetët ia adresuan njëri tjetrit.

Në këtë takim u diskutuan pothuajse të gjitha temat, përveç temës për të cilën edhe ishte thirrur presidenti.

Asnjëri nga deputetët përveç Frashër Krasniqit nuk e pati mundësinë ta pyes presidentin për ‘rolin’ e tij në deportimin e gjashtë shtetasve turq, mirëpo edhe pyetja e këtij të fundit hasi në ‘veshin e shurdhër’ të presidentit. Pasi që deputetët por edhe vet presidenti ishin më shumë të fokusuar në debate të tjera sesa në këtë për ‘gylenistët’.

Ndërsa i gjithë takimi u përmbyll pa rezultat sepse presidenti refuzoi të përgjigjet para komisionit pa pasur një opinion të zyrës ligjore të Kuvendit, për kredibilitetin e ekspertit amerikan Teinmu Ma të angazhuar nga vet komisioni.

Raportimi presidentit për çështjen e depërtimit të gjashtë shtetasve turq i’u la qytetarëve për gjykim.

Si eksperti amerikan, ashtu edhe komisioni konstatoi 31 shkelje ligjore

Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq në bazë të punës së deri tanishme ka arritur që ti evidentoj 31 shkelje ligjore në planin 17 ditorë të AKI-së në këtë operacion.

Dokumenti ekskluziv të cilin e ka siguruar KALLXO.com është lista e 31 shkeljeve, parregullsive dhe mospërputhjeve me Kushtetutën, ligjeve, akte nënligjore, procedura standarde dhe instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Shkelja më e rëndë e cila ka ndodhur në operacionin për deportimin e gjashtë shtetasve turq sipas ekspertit amerikan Tienmu Ma është se institucionet e Kosovës me vetëdije të plotë kanë deportuar gabimisht shtetasin Hasan Huseyin Gunakan në vend të Hasan Hysein Demir.

Hasan Huseyin Gunakan, i cili në kolegjin turk ‘Mehmet Akif’ ishte mësues i lëndës së Kimisë, më 29 mars 2018 u dëbua gabimisht në vend të Hasan Hysein Demirit.

Sipas tij, Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, si dhe zyrtari i AKI-së me vetëdije të plotë kanë deportuar gabimisht Hasan Hysein Gunakanin.

 

 

 

15 Maj 2019 - 17:24

Arta Sopi 15/05/2019 - 17:24
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend