Hashim Thaçi, president

Deputetët e PAN-it të ndarë rreth idesë së Hashim Thaçit për “korrigjim të kufijve”

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës treguan për KALLXO.com qëndrimet e tyre ndaj çështjes së korrigjimit të kufijve apo bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën dhe deklaratave kundërthënëse mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti tha për KALLXO.com se korrigjimi i kufijve dhe bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën është një çështje e ndjeshme.

“Unë mendoj që edhe z. Haradinaj edhe z. Thaçi kanë arsyet e veta në format e tyre edhe unë jam pjesë e koalicionit dhe nuk e kam tagrin me i kundërshtu variantet që po mendohen, por të bërit politikë racionale është më mirë për Kosovën”, tha Haliti.

Lëvizja e kufijve, sipas tij, nuk është në dorën e një individi.

“Asnjëri prej nesh nuk e ka në dorë as me bashku e as me nda. Çdo marrëveshje duhet të votohet në parlament dhe nëse parlamenti e voton është diçka krejt tjetër”, tha Haliti.

Deputeti i PDK-së thotë vetëm një politikë racionale do të mundësojë arritjen e një marrëveshje të pranueshme për të dy palët, Kosovën dhe Serbinë.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi thotë se debati për mundësin e lëvizjes së kufijve e dobëson pozicionin e Kosovës.

“Vazhdimi i këtij debati është i dëmshëm, çfarëdo teme për kufij është dobësim i pozicionit negociator të Kosovës qysh në fillim. Prandaj ky diskurs duhet të mbyllet sa më shpejt.”, tha Kadaj-Bujupi.

Kadaj-Bujupi thotë se aktualisht mund të flasim vetëm për korrigjim të kufirit me Malin e Zi.

“E vetmja herë kur duhet të flasim për korrigjim të kufijve është kufiri me Malin e Zi, i cili është ratifikuar në Kuvend me mundësi korrigjimi.”, shtoi ajo.

Kadaj-Bujupi ishte në mesin e deputetëve që e ka kundërshtuar marrëveshjen për demarkim me Malin e Zi, mirëpo që në fund e kishte votuar atë me ndryshimet e bëra.

Andin Hotit, deputet nga radhët e PDK-së thotë se deklaratat e presidentit Thaçi po keqinterpretohen.

Madje thotë se keqinterpretimi është i qëllimishëm.

“Korrigjim nuk do të thotë shkëmbim i territorit. Në qoftë se Serbia nuk e ka pranuar dhe s’e pranon Planin Ahtisari dhe në qoftë se ata haptazi ndjekin politikë ekspansioniste dhe agresive, atëherë si ka mundësi qe ne të mos flasim për bashkëkombësit tanë në Luginë të Preshevës. Një qasje ndryshe, në heshtje, do të ishte disfatiste dhe ne s’guxojmë t’i braktisim ata”, tha deputeti Hoti.

Keqinterpretime ai gjen edhe tek qëndrimet e Haradinajt.

“Gjithashtu mendoj që Kryeministri Haradinaj ka të drejtë kur thotë që nuk do të ketë shkëmbim të territorit, prandaj as kjo nuk do duhej të keqinterpretohet.”, përfundon Hoti.

Ndërsa, deputetin Blerim Kuçi nga radhët e AAK-së thotë se Thaçi nuk i qartë në deklarimet e fundit për kufijtë.

“Nuk po e kuptoj saktë z. Thaçi se çka po do”, tha Kuçi.

Ai thotë se nuk duhet të ketë lëvizje të kufijve.

“Edhe po hyn në një periudhë në diçka të cilën kemi shumë të panjohura, e kur kemi shumë të panjohura atëherë është edhe shumë e rrezikshme jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin. Nuk ka nevojë me hy në shkëmbim të territoreve as lëvizjeve më të vogla të kufijve.”, tha Kuçi për KALLXO.com.

Kur jemi tek deklaratat kundërshtuese mes kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Thaçi, ky deputet i jep të drejtë atyre të kryeministrit sepse sipas tij, korrigjimi i kufijve nuk është agjendë e jona.

“Haradinaj ka të drejtë plotësisht sepse mund të jetë edhe jashtë agjendës tonë që e kemi të njohur edhe është me njëfarë forme tregues se kjo ide nuk është e jona e as e miqve tanë ndërkombëtarë.”, theksoi ai.

Tema e korrigjimit të kufijve dhe ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë do të krijoj probleme jo vetëm në Kosovë por në gjithë Ballkanin. Madje, nëse flitet që Lugina e Preshevës të kaloj në territorin e Kosovës, kjo sipas analistëve nënkupton që edhe veriu kalon në Serbi.

https://kallxo.com/haradinaj-nga-vlora-hapja-e-temes-se-kufijve-e-papranueshme/

 

https://kallxo.com/sali-berisha-termi-korrigjim-kufijsh-eshte-produkt-i-kuzhines-se-beogradit/

https://kallxo.com/thaci-insiston-per-korrigjim-te-kufijve-te-kosoves/

https://kallxo.com/veseli-ndarja-eshte-ide-e-serbise/