Dënohen Sulmet Kundër Varrezave Serbe

Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka dënuar aktet e vandalizmit, apo format e tjera të dhunës, që pasuan në disa vende në Kosovë, pas heqjes nga xhandarmëria serbe të lapidarit të ish-luftëtarëve shqiptarë në Preshevë.
 
“Protestat paqësore janë normale në çdo shoqëri moderne dhe demokratike, por përdhosja e qëllimshme e varrezave dhe objekteve fetare është absolutisht për të u dënuar. EULEX-i u bën thirrje qytetarëve të respektojnë ligjin dhe të tregojnë vetëpërmbajtje ndaj çdo akti të dhunshëm”, thuhet në një komunikatë shtypi të EULEX-it.

Policia dhe prokurorët e EULEX-it thonë se janë duke vëzhguar nga afër situatën dhe duke bashkërenduar veprimet me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. “EULEX-i është i gatshëm të ndërhyjë dhe të mbështesë institucionet vendore të sundimit të ligjit nëse është e nevojshme”.

Samuel Zbogar, shefi i Zyrës së BE-së dhe përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, ka dënuar po ashtu valën e fundit të akteve vandalizuese me cak varrezat serbe.

“Ngjarjet në Kosovë brenda 24 orëve të fundit tregojnë se disa njerëz e shohin të arsyeshme të shprehin frustrimin e tyre ndaj largimit të monumentit të UÇPBM-së në Preshevë, duke demoluar varrezat e serbëve në Kosovë”.

“Pa marrë parasysh arsyet për aktet e tilla, ato janë tërësisht të papranueshme. Prandaj unë i ndëshkoj këto akte fuqishëm dhe i ftoj të gjithë qytetarët të tregojnë përmbajtje dhe maturi. Nuk ka asgjë më qyqare sesa të sulmohen mbetjet e njerëzve të varrosur në mënyrë që të zgjidhen çështjet me të gjallët. Të vdekurit duhet të respektohen, të varrosen dhe të lejohen të prehen në paqe. Nuk duhet të ketë aspak tolerance për akte të tilla jonjerëzore”, ka thënë Zbogar.

Ai iu ka bërë thirrje autoriteteve që t’i ndalojnë sulmet e tilla me mjete parandaluese dhe ndëshkime. “Mbi të gjitha, i ftoj të gjithë njerëzit vullnet mire dhe të arsyeshëm të Kosovës të ndikojnë në debatin publik mbi këtë çështje, ashtu që të ndalen këto akte të gabuara dhe joetike, njëherë e përgjithmonë”.

OSBE-ja ka informacione se gurët e varrezave ortodokse janë dëmtuar gjatë natës në komunat Kllokot, Obiliq dhe Prizren. Për më tepër, kisha e vogël në varrezën ortodokse në Obiliq mori zjarr. Këto akte vijnë pas përdhosjes së raportuar dhe të dënuar të varrezës ortodokse në Fushë-Kosovë, një javë më parë.

Sulmet e fundit konsiderohen si hakmarrje nga njerëz të mllefosur për aktin e heqjes së lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, nga forcat e xhandarmërisë së Serbisë, të dielën në mëngjes. Kurse, për varrezat në Fushë-Kosovë, policia e Kosovës ka thënë se është arrestuar një person, i komunitetit ashkali, i cili ka pasur për qëllim të përfitojë materialisht nga gurët e mermerit.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger, e ka dënuar “ fuqishëm aktet e përdhosjes së varrezave ortodokse në Kosovë”. “Përdhosja e varrezave dhe monumenteve fetare është e papranueshme dhe shkel jo vetëm të drejtat e komunitetit fetar dhe etnik të cilit i përkasin, por edhe të shoqërisë në tërësi”, ka theksuar Schlumberger.
 
“Unë jam i tmerruar nga këto akte të neveritshme vandale dhe e përshëndes dënimin e bërë nga ana e institucioneve të Kosovës. I bashkohem thirrjes së institucioneve drejtuar të gjitha komuniteteve për qetësi dhe përmbajtje nga çfarëdo akti që do të mund të çonte në dhunë. Unë e mirëpres gatishmërinë e policisë së Kosovës për të rritur masat e sigurisë për rreth vendeve fetare ortodokse dhe u bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit që sa më shpejt t’i identifikojnë dhe sjellin para drejtësisë kryesit e këtyre veprave”, tha ambasadori Schlumberger.
 
Kurse Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë ka thënë se e ka parasysh rëndësinë e heqjes së monumentit shqiptar në Luginën e Preshevës gjatë fundjavës, por ka shprehur keqardhje që ky veprim ka shkaktuar një reagim të dhunshëm në Kosovë.

“Shtetet e Bashkuara dëshpërohen nga ky përdorim i dhunës dhe dënojnë përsëritjen e dhunës kundër monumenteve të Serbëve të Kosovës, kishave dhe komuniteteve, që kanë ndodhur gjatë natës. Jo vetëm që këto sulme dëmtojnë frymën e multikulturalizmit në Kosovë, por ato gjithashtu vene ne shënjestër komunitetet e Kosovës për vendimet e marra në Beograd”, thekson kjo ambasadë.
 
Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje popullit të Kosovës që të respektojnë vlerat e përbashkëta të paqes dhe të tregojë vetëpërmbajtje. “Apelojmë që protestat të jenë të qeta dhe të mbështesin plotësisht qeverinë e Kosovës në thirrjet e saj për qetësi”.

Më herët, gjatë ditës sulmet kundër varrezave serbe i kanë dënuar dhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës.
 
“Dëmtimi i varrezave është në kundërshtim me vlerat e shoqërisë në Kosovë dhe me traditën e tolerancës dhe të respektit ndërmjet njerëzve, religjioneve dhe kulturave të ndryshme”, thuhej në reagimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.
 
Pas raportimit për dëmtim të varrezave të komunitetit serb në Kllokot, presidentja Jahjaga e ka cilësuar këtë një vepër të papranueshme dhe të patolerueshme. Ajo iu ka bërë thirrje organeve të hetuesisë që të gjejnë dhe kapin autorët.

Kurse në deklaratën e Qeverisë së Kosovës, dënohet edhe njëherë veprimi i shëmtuar i heqjes me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës, ndërsa ftohen të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës që të jenë të matur në reagimet e tyre karshi veprimeve jocivilizuese të Qeverisë së Serbisë.
 
“Çdo veprim i dhunshëm i dëmtimit të varrezave të komunitetit serb është në kundërshtim të plotë me traditën dhe ligjet e Kosovës, me përkushtimin institucional të Kosovës për afirmimin e vlerave civilizuese evropiane dhe në kundërshtim të plotë me interesat legjitime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

Sulemt janë dënuar edhe nga partië politikë në Kosovë.  LDK-ja konsideron se ky veprim, mes tjerash, është në kundërshtim me traditën shqiptare.