Dënimet e Komandantëve

Komandantë të UÇK-së vazhduan përballjen me gjykatat në Kosovë edhe gjatë vitit 2016. Rastet më të mëdha, “Drenica 1” dhe “Drenica 2”, u vendosën edhe nga gjykata e shkallës së dytë. Ndërsa, raste të tjera nisën.

Njëri nga komandantët kryesor të UÇK-së, njëri nga figurat më të fuqishme të Partisë Demokratike të Kosovës, e po ashtu edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, vazhdoi të jetë frekuentues i shpeshtë i gjykatave e subjekt i aktakuzave të ndryshme edhe gjatë vitit 2016.

Lushtakut dhe të tjerëve të akuzuar në rastin “Drenica 1”, dhe të dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, iu vërtetuan dënimet nga Gjykata e Apelit. Megjithatë, pati ndryshime.

Përderisa aktgjykimi i shpallur më 27 maj të vitit 2015 Lushtakun e dënoi me 12 vjet burgim nën akuzën e vrasjes së një personi (identiteti i të cilit nuk u dit) në vitin 1998, Gjykata e Apelit kryetarin e Skenderajt e liroi nga akuza e vrasjes ndërsa e dënoi me 7 vjet burgim për akuzën e përgjegjësisë komanduese, akuzë kjo për të cilën ishte liruar nga Gjykata në Mitrovicë.

I dënuar nga Gjykata e Apelit përfundoi edhe ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi. Gjykata e Apelit ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së ia unifikoi dënimin duke e dënuar me 10 vjet burg për përfshirjen e tij në rastet “Drenica 1” dhe “Drenica 2”. Selimi nga Gjykata e shkallës së parë ishte dënuar me 6 vjet burg në procesin “Drenica 1”, dhe me 8 vjet në procesin “Drenica 2”.

I njohur në kohën e luftës me nofkën “Sulltani”, Sylejman Selimi u dënua nën akuzën se kishte keqtrajtuar civilët gjatë kohës së luftës në Kosovë.

http://kallxo.com/denohen-sami-lushtaku-e-sylejman-selimi/

http://kallxo.com/sylejman-selimit-edhe-tete-vjet-burg-ne-drenica-2/

http://kallxo.com/apeli-denon-sami-lushtakun-dhe-sylejman-selimin/

Në rastin “Drenica 2”, përpos Sylejman Selimit u dënuan edhe 8 persona të tjerë. Isni Thaqit nga Gjykata e Apelit iu zbrit dënimi nga  për 6 muaj nga 7 vjet sa ishte dënuar. Dënimi nga Apeli iu zbut edhe Zeqir Demakut nga 7 vjet në 6. Gjykata e Apelit gjithashtu me 7 vjet burg dënoi edhe Jahir Demakun, ndërsa ish-kryetarin e Drenasit, Nexhat Demakun dhe ish-deputetin Fadil Demaku, Gjykata e Apelit i dënoi me nga 3 vjet burgim.

Me nga tre vjet burg Gjykata e Apelit i dënoi edhe Agim, Driton, Bashkim e Selman Demajn.

Në total, në proceset gjyqësore “Drenica 1”, dhe “Drenica 2”, për 11 persona u shqiptuan 54 vjet e 6 muaj burg ndërsa dënimet u kundërshtuan nga familjarët, organizatat e dala nga lufta dhe disa parti politike në Kosovë.

Përveç përfshirjes në rastin “Drenica 1”, Sami Lushtaku u bë pjesë edhe e një aktakuze gjigante të ngritur nga një prokuror i EULEX-it.

http://kallxo.com/negociatat-e-ratelit-per-dorezimin-e-lushtakut/

Rukolli e Obligoi Dëshmitarin e Lushtakut për Deklaratë

Sami Lushtaku, i biri i tij Mërgimi dhe 22 persona të tjerë u akuzuan lidhur me arratisjen e tij dhe të Ismet Haxhës dhe Sahit Jasharit nga QKUK, në kohën sa ndodheshin në paraburgim.

Në aktakuzë u përfshinë edhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, gardianë të Shërbimit Korrektues të Kosovës  si dhe doktorë.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë përshkruan në detaje mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali për në një banesë.

http://kallxo.com/pergjimet-e-eulex-lushtaku-jam-ne-skenderaj/

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të shërbimit korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë akt të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

http://kallxo.com/aktakuza-mjeket-bene-raporte-false-per-lushtakun/

Lidhur me këtë aktakuzë ende nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore, ndërsa të përfshirët në të kanë mohuar pretendimet e Prokurorisë.

Proceseve gjyqësore të Lushtakut, përveç këtyre dy rasteve u shtohet edhe rasti i njohur si “KEK II”, ku të akuzuar janë zyrtarë të KEK, lidhur me përfshirjen e tyre në tenderin për sigurimin fizik të objekteve të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës.

Lidhur me këtë rast mbrojtja e të akuzuarve kishte pretenduar se aktakuza ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tyre të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe për këtë arsye i ishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, mirëpo kërkesa e tyre ishte refuzuar si e papranueshme.

http://kallxo.com/deshmia-7-oreshe-e-drejtorit-te-besa-security/

http://kallxo.com/deshmitari-nuk-bisedova-sami-lushtakun/

http://kallxo.com/tenderi-kek-ut-deshmon-zyrtari-prokurimit/

http://kallxo.com/gjykimi-per-tenderin-e-kek-ut/

http://kallxo.com/koci-lushtaku-viktime-e-paragjykimeve-dhe-armiqesive/

Për akuza për krime të luftës gjatë vitit 2016 u gjykua e u dënua edhe Xhemshit Krasniqi. Ish-eprori i UÇK-së u shpall fajtor për arrestimin, ndalimin e paligjshëm, cenimin e integritetit trupor, të shëndetit dhe torturimin disa dëshmitarëve dhe civilëve të panjohur në kampet e UÇK-së në Kukës e Cahan (Shqipëri), si dhe në Prizren më 1999.

Xhemshit Krasniqi u dënua me dënim të përgjithshëm prej 8 vjet burgim dhe me një gjobë prej 1,500 eurosh, ndërsa dënimin e tij e kundërshtoi ashpër avokati i tij, ndërsa në qytetin e Prizrenit u organizua edhe një protestë.

 

Përpos komandantëve të UÇK-së, dënime për krime të luftës pati edhe nga radhët e komunitetit serb në Kosovë. Politikani serb në veri të Kosovës, Oliver Ivanoviq në janar të vitit 2016 u dënua me 9 vjet burg, ndërsa fillimisht për shkak të një gabimi në përkthim iu ndërpre paraburgimi e që disa ditë më vonë iu caktua prapë masa më e rëndë e sigurisë.

Ivanoviq u dënua me 9 vjet burg për krime lufte të kryera në vitin 1999. Pasi shpalli aktgjykimin, gjyqtarja e EULEX-it Roxana Comsa tregoi përse Ivanoviqit iu shqiptua dënimi prej nëntë vjetësh burgim.

“Oliver Ivanoviqi është gjetur fajtor për krime lufte në jug të Mitrovicës, ndërsa sa i përket dy pikave tjera nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se i njëjti ka shtyrë, apo ka nxitur në vrasje dhe dëbime të shqiptarëve”, tha ajo.

Ivanoviq akuzohej për krime lufte të kryera në vitin 1999 dhe për nxitje në vrasje të rëndë dhe dhe tentativë vrasje të rëndë në vitin 2000.

Oliver Ivanoviq akuzohej se ka urdhëruar vrasjen e shqiptarëve etnikë në Mitrovicë më 14 prill 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, kur supozohet se ishte lider i një njësie paraushtarake policore.

Ivanoviq akuzohej gjithashtu, bashkë me Dragolub Delibashiqin, për nxitje të vrasjes së shqiptarëve etnikë gjatë trazirave që shpërthyen pas luftës më 3 shkurt 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Ivanoviq gjatë vitit 2016 u paraqit edhe në Gjykatën e Apelit duke pretenduar pafajësinë e tij, mirëpo Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me këtë rast.

http://kallxo.com/sot-vendimi-per-oliver-ivanoviqin/

http://kallxo.com/oliver-ivanoviqi-ne-gjykaten-e-apelit/

http://kallxo.com/deshmitari-ivanoviq-urdheronte-njerezit-e-tij-te-hidhnin-bomba/