Demarkacioni- Një Ditë e Gjatë dhe Tre Vjet Diskutime

Pas dy ditësh seancë e cila me vazhdime zgjati gati 20 orë, Demarkacioni u ratifikua.

Tri vjet diskutim, një tërheqje nga rendi i ditës në kohën e Kryeministrit Isa Mustafa, tri shtyrje të votimit në kohën e Kryeministrit Ramush Haradinaj, katër herë lotsjellës në ditën e ratifikimit dhe dhjetëra arrestime të deputetëve për lotsjellës viteve të kaluara, molotov e thyerje xhamash në protestat kundër kësaj marrëveshje: është bilanci i çështjes e cila u mbyll ditën e pranverës.

Marrëveshja e cila rrëzoi Qeverinë Mustafa dhe solli Qeverinë Haradinaj, mori epilog. Por, opozitari që dikur e kundërshtonte këtë marrëveshje, për dy ditë radhazi ftoi deputetët ta votojnë atë. Ani pse tha se është momentum i ri dhe se tashmë ka ndryshime në projektligj, duke i shtuar marrëveshjen mes Presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi dhe raportin e Komisionit Bulliqi, në fund Kryeministri uroi ratifikimin e saj:  “Kuvendi i Kosovës me sukses ratifikoi Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Mirënjohës për të gjithë deputetët që votuan pro, si dhe për durimin dhe mirëkuptimin e popullit të Kosovës”.

Ishte pikërisht kjo kauzë që bllokoi jetën politike për pothuajse dy vjet, e njëjta e solli Haradinajn në pushtet. Tash kur partia e tij, bashkë me Nismën janë në qeveri, partia opozitare, Vetëvendosje, e cila dikur ishte aleate me dy të parat, vazhdoi me avazin e vjetër.

Por, edhe kjo jo e bashkuar, e ndarë në dysh- Vetëvendosje dhe Deputetët e Pavarur nuk vepruan njëzëri. E para kundërshtimin e pati me lotsjellës, e të dytët me votën kundër.

Seanca u ndërpre katër herë, e tek në tentimin e pestë mori epilog.

Herën e parë gazin e gjuajtën Xhelal Sfeqala e Fitore Pacolli, menjëherë sapo kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli e hedhi në votim marrëveshjen për demarkacionin. Edhe përpjekja e dytë e Kryeparlamentarit për ta miratuar demarkacionin ka dështuar për shkak të gazit lotsjellës të hedhur nga deputetët e VV-së. Edhe në tentativën e tretë, përsëri gaz. ‘Rafalet’ e lotsjellësit vazhduan edhe në herën e katërt, e cila doli të jetë edhe e fundit. E në njërin nga momentet e hedhjes së gazit, kryeparlamentari Veseli nuk u përmbajt, shau.

Për hedhje dhe posedim të lotsjellësit u arrestuan 7 deputetë të kësaj partie. Fillimisht u arrestuan Sali Zyba, Liburn Aliu, Xhelal Sveçla, Fitore Pacolli dhe Drita Millaku. Më pas u arrestua, Valon Ramadani, kjo pasi hedhjes së valës së katërt të gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit. Ndërsa deputetët e tjerë të VV janë nxjerrë nga salla me arsyetimin se forenzika do e ekzaminojë vendin. Nga 19 deputetë, 13 u përjashtuan e Vetëvendosja mbeti me vetëm 6 deputetë që u lejohej të hynin në sallë.

E kjo u bë pasi Kryesia e Kuvendit autorizoi Policinë Kosovës të futet në sallën e Kuvendit.

Por, para se të arrestoheshin, deputetët e kësaj partie edhe pse hidhnin lotsjellësin, shumica nga ta nuk dilnin nga salla plenare. Një kolege e tyre, u servoi byrek e jogurt secilit deputet të VV-së që nuk lëshonte sallën. Por në këtë kohë, ndodhi edhe diçka tjetër. Liburn Aliu u konfiskoi kolegëve të tij deputetë të pozitës kartelat e tyre përmes së cilave ata votojnë në mënyrë digjitale.

Administrata e Kuvendit të Kosovës ua ktheu kartelat e votimit deputetëve të pozitës, PDK-së, AAK-së dhe Nismës tek rreth orës 19:00, atëherë kur u votua kjo marrëveshje, e që në sallën plenare i vetmi deputet prezent i VV-së, ishte Glauk Konufca.

E derisa në sallën plenare gjuhej gaz, deputetët që dilnin nga seanca për shkak të lotsjellësit, deklaroheshin para gazetarëve në hollin e Kuvendit.

I pyetur nga gazetarët për veprimin që dikur e bënte edhe partia e tij sa ishin në opozitë, lotsjellësin, shefi i qeverisë, Ramush Haradinaj tha se e respekton dhe se nuk mund të ndërhyjë në formën e kundërshtimit që VV ka zgjedhur.

Njësoj u deklarua edhe Shefi i Grupit të Pavarur të Deputetëve, Dardan Sejdiu, kur u pyet për lotsjellësin e ish-partiakëve nga Vetëvendosje, tha se nuk i komenton.

Por, ndryshe nga ta, ambasadori amerikan, Greg Delawie ishte i ashpër dhe i dëshpëruar me veprimin e partisë së Albin Kurtit. Ai tha se dëshpërimi vjen nga fakti që një parti përdor dhunë për të kërkuar demokraci.

Ashpër reagoi edhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila tha se është e shokuar nga lotsjellësi në Kuvend.

Ngjashëm si ndërkombëtarët, folën edhe kolegët për deputetët e VV-së.

Deputeti i LDK-së Ismet Beqiri, tha se hedhja e gazit lotsjellësi është imazh i keq për Kosovën dhe se deputetët e tillë nuk u duhen qytetarëve të saj.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ishte e bindur që demarkacioni do të merrte fund më 21 mars, por tha se ajo çfarë po ndodhë ishte turpëruese dhe e papranueshme.

Edhe Ilir Deda i Alternativës ishte kundër veprimeve të VV-së. Ai tha se dhuna nuk mund ta ndalë lëvizjen e lirë te qytetarëve.

Në vazhdimin e seancës së ditës së mërkurë, e cila zgjati gati 10 orë, kishte ardhur edhe deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi dhe ai i Listës Serbe, Adem Hodza, e që kjo ishte tregues se koalicioni tashmë kishte 80 votat e nevojshme për ratifikim.

Pak para votimit të saj, u thyen xhama të Kuvendit. E Policia e Kosovës arrestoi tre persona si të dyshuar për sulmin me gurë në drejtim të objektit të Kuvendit të Kosovës, të cilët dolën të jenë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje kërkoi lirimin e shtatë deputetëve të saj të arrestuar nën dyshimin për hedhje të gazit lotsjellës, Prokuroria Themelore në Prishtinë këtoi caktimin e masës së paraburgimit për ta.

Dita paraprake pa lotsjellës

Një ditë para ratifikimit, u zhvillua pothuajse 10 orë debat për demarkacionin. Të martën kishte akuza e kundër-akuza, madje edhe ngapak gjumë, por nuk kishte lotsjellës. Seanca e cila nisi në orën 16:00 përfundoi në orën 1 pas mesnate.

Në ditën e parë të vazhdimit të seancës së jashtëzakonshme për demarkacionin, Ramush Haradinaj tha se ligji për demarkacionin e ruan shtetësinë e Kosovës.

“Kemi arritë ta ruajmë të drejtën për tokën tonë dhe fqinjësinë me Malin e Zi. Vota pro këtij ligji, sot më shumë se kurrë është votë për shtetin e Kosovës dhe për liri të lëvizjes”, tha ai në fjalën hyrëse, ku u bëri thirrje të gjithëve ta votojnë këtë marrëveshje.

Ramush Haradinaj | Foto: Atdhe Mulla

E shefi i GP LDK, Avdullah Hoti tha se i vjen mirë se sot [të martën] nuk po duket që do të ketë gaz lotsjellës.

Kuvendi i Kosovës sot nuk po bëhet gazi i botës”, tha Hoti një ditë para lotsjellësit.

Ai tha se LDK-ja nuk do të sulmojë me gaz lotsjellës, ashtu siç bëri opozita ndaj Kryeministrit Mustafa.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se më në fund qytetarët do të çlirohen nga trauma kolektive trivjeçare.

“Ne sot jemi mbledhur, besoj përmes ratifikimit të marrëveshjes dhe për të çliruar qytetarët nga kjo traumë kolektive”, tha Krasniqi.

Glauk Konjufca në emër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes i tha Kryeministrit Haradinaj se i kanë sjellë zërat e 205 mijë qytetarëve të cilët kanë bërë thirrje përmes peticionit të nënshkruar që të rrëzohet ky demarkacion i dëmshëm.

“Edhe vetë ke bërë përpjekje fizike për të futur këtu në Kuvend këto nënshkrime. E kemi një lutje për kryeministrin: Mos ua kthe shpinën këtyre qytetarëve”, tha Konjufca.

Deputetët e Vetëvendosjes i quan para karriges së kryeministrit Ramush Haradinaj dosjet e peticionit me mbi 200 mijë nënshkrime të qytetarëve kundër marrëveshjes për demarkacionin.

Ndërsa Visar Ymeri nga Grupi i Deputetëve të Pavarur tha se korrektimet nuk i kthejnë hektarët e humbur me marrëveshjen e vitit 2015 për demarkacionin.

“Natyrisht se ka korrektime kur qiten gurët në kufi. Por këto korrektime nuk marrin përmasa të hektarëve, këto korrektime nuk i kthejnë 8 mijë hektarë”, tha Ymeri.

Por, ndryshe nga Ymeri mendoi Isufi.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, bëri thirrje që të votohet projektligji i sjellë në Kuvend nga qeveria, sepse sipas tij, me këtë marrëveshje mund të korrigjohen gabimet e bëra nga Komisioni i qeverisë së kaluar.

Po këtë ditë, Donika Kadaj- Bujupi, u kthye sërish në mesin e grupit parlamentar të AAK-së.

Foto: Atdhe Mulla

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate tha se mjaft është debatuar për demarkacionin, duke kërkuar ratifikimin e tij.

“Mendoj që rreth kësaj çështjeje është debatuar mjaftueshëm, jo vetëm në Kuvend, po më të gjitha studiot televizive me ditë, javë, muaj e vite të tëra. Nëpër shtëpitë tona e në kafene nga qytetarët”, tha Sherifi.

Deputeti Albert Kinolli, i cili foli në emër të Grupit 6+, tha se si grup parlamentar para fillimit të kësaj seance kanë marrë një porosi nga qytetarët që i përfaqësojnë: “Shumë ma pak të flasim e ma shumë të veprojmë”.

Derisa shefat e grupeve parlamentare flisnin, kryeministri flinte.

Ramush Haradinaj i kotur në Kuvend – Foto: Atdhe Mulla

Debati i gjatë për demarkacionin, i cili zgjati deri pas mesnate, vazhdoi me një prezencë të vogël të deputetëve.

Të martën, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, bëri thirrje që deputetët të mos dalin nga salla e Kuvendit pa u votuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Por kjo nuk ndodhi. Kuvendi i Kosovës ka përfunduar debatin për demarkacionin. Termini për votimin e tij është caktuar për të mërkurën në orën 11:00 pas konsultimeve me grupet parlamentare dhe votimin formal të 69 deputetëve prej të cilëve 46 ishin pro.

Të nesërmen, pas 9 orëve seancë me lotsjellës, përfundimisht kjo marrëveshje u ratifikua me 80 vota pro.

Pasi ratifikimi ndodhi, ambasadori amerikan ishte më në fund i lumtur. Greg Delawie, e cilësoi si lajm të mrekullueshëm ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Pas ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin folën edhe  shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, komisioneri për Migracion, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopulos dhe komisioneri për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerimin, Johannes Hahn, në një deklaratë të përbashkët.

“Ratifikimi është gjithashtu përmbushja e njërit prej kritereve kryesore për liberalizimin e vizave të Kosovës. Siç tha kryetari Juncker gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, është një hap vendimtar drejt liberalizimit të vizave, nga i cili do të përfitojnë para së gjithash njerëzit”, theksohet në deklaratë.

Ratifikimin e demarkacionit e kanë mirëpritur edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Igor Soltes dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon, duke e quajtur ratifikimin si  ditë të madhe për qytetarët e Kosovës.

E kreu i Kuvendit, Kadri Veseli dha një premtim: qytetarët udhëtojnë brenda këtij viti pa viza!