Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Demarkacioni Ngec mes Nxitjes së Ndërkombëtarëve dhe Kërcënimeve të Opozitës

Derisa Kuvendi i ka shpeshtuar në masë të madhe seance plenare, opozita edhe më shumë po dyshon në siç po e quajnë ata, “kontrabandimi i demarkacionit” për votim.

Marrëveshja e nënshkruar me 26 Gusht të vitit të kaluar nga ish/ministri i Jashtëm i Kosovës, tash President, Hashim Thaçi, jo vetëm që po kundërshtohet nga deputetët opozitarë po edhe nga vetë ata të koalicionit.

Ndërkaq, presoni ndërkombëtar ka ardhur në rritje, duke qenë se diplomatë të BE-së dhe SHBA-ve kanë përsëritur thirrjet që demarkacioni me Malin e Zi të mbyllet sa më shpejt si çështje për të përmbushur kushtet e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Propozimi i Kosovës nga Parlamenti Evropian në maj, si vendi i radhës dhe i fundit në Ballkan që përfiton nga liberalizimi i vizave, kishte si një ndër kushtet kryesore edhe ratifikimin e marrëveshjes kufitare me Malin e Zi.

Por, presioni është rritur edhe brenda Kosovës, duke vënë qeverinë në udhëkryq për vendimet e saj të ardhshme mbi këtë marrëveshje të sponsorizuar nga miqtë perëndimorë të Kosovës.

Madje, deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi ka kërkuar prej Kryesisë së Kuvendit që të organizojë një konferencë ku do të debatohet në mes të komisionit shtetërorë dhe ekspertëve të lëmisë. E për një debat të tillë, kryesia ka vendosur që të mbahet me 3 gusht.

Marrëveshja për demarkacionin nuk mund të jetë në rend të ditës deri atëherë.

http://kallxo.com/debati-ne-kuvend-per-demarkacionin-3-gusht/

Praktikat e deritanishme të Kuvendit të Kosovës janë që nga gushti e deri në mes të shtatorit, deputetët veçse kanë shkuar në pushim, ashtu qysh edhe e thotë rregullorja e Kuvendit.

Megjithatë një nen tjetër i rregullores së Kuvendit thotë që kryesia e gëzon të drejtën që të thërrasë seancë të jashtëzakonshme kurdo që ajo e sheh të arsyeshme. Përveç kryesisë, këtë të drejtë e gëzojnë edhe Presidenti, Kryeministri dhe 40 nënshkrime të deputetëve.

Nuk mund të përjashtohet mundësia që seanca për demarkacionin të thirret në çdo kohë.

Në anën tjetër, vlen të kujtohet që Lëvizja Vetëvendosje iu kthye punës së Kuvendit pas një pauze të shkurtër, duke i “tradhtuar”, 2 partitë tjera opozitare, AAK dhe Nismën për bojkot të punës së Kuvendit.

Kthimi i VV në Kuvend pa përdorimin e mjetit që ishte bërë i zakonshëm në Kuvend për një kohë të gjatë, gazit lotsjellës, ishte një risi për opinionin publik.

Megjithatë ky vendim i VV-së nuk do të thotë se ata do të vazhdojnë të qëndrojnë “të qetë” edhe atëherë kur në rend të ditës do të jetë demarkacioni.

Shefi i grupit parlamentarë të VV-së, Glauk Konjufca, në një intervistë për KALLXO.com kishte thënë se Kuvendi do të përballet me veprime edhe më radikale nëse tentohet të sillet marrëveshja për votim.

http://kallxo.com/konjufca-marreveshjet-ne-kuvend-sjellin-radikalizim/

E cilat mund të jenë veprimet më radikale se sa gazi lotsjellës?

Vetëvendosje nuk tregon as edhe sot se cilat mund të jenë ato veprime. Frashër Krasniqi, zëdhënës i kësaj lëvizjeje, thotë se reagimi do të jetë edhe më i fuqishëm e intensiv duke shtuar se me kohë do të kuptohen edhe metodat.

Mirëpo VV edhe kësaj radhe rrezikon të mbetet vetëm për shkak se dy partitë tjera opozitare, AAK dhe NISMA janë deklaruar se janë të interesuar ti kundërshtojnë marrëveshjet veç me metoda demokratike, duke aluduar në mospërdorim të mëtutjeshëm të gazit lotsjellës apo mjeteve më radikale se sa vet gazi.

AAK dhe Nisma që i kanë harmonizuar qëndrimet duke lidhur edhe koalicion, ditë më parë thirrën një konferencë për medie ku kërkuan prej kolegëve nga pozita të mos e votojnë demarkacioni dhe të iu bashkëngjiten atyre në kundërshtim.

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, e kishte mohuar mundësinë e përdorimit të gazit lotsjellës.

“Gazi lotsjellës ka qenë jo i domosdoshëm, jo i preferueshëm, por tash është sensibilizu masa. Nuk do të përdorim gaz, por te gjitha veprimet e tjera për kundërshtim”, tha Lekaj.

http://kallxo.com/lekaj-ti-ulim-flamujt-partiake-per-demarkacionin/

Megjithatë, Krasniqi ka një përgjigje për ta.

“Nëse themi që kjo marrëveshje ia humbë Kosovës mbi 8,000 hektarë të territorit, nuk ka kuptim të mjaftohemi me një kundërshtim verbal të këtij projekti. Asnjë projekt i dëmshëm i kësaj qeverie nuk ndalet pa rezistencë të fuqishme dhe të vendosur, brenda dhe jashtë institucioneve”, tha ai për Gazetën JNK.

Në anën tjetër, Kryeministri Mustafa në mbledhjen e sotme të qeverisë doli me një propozim interesant për opozitën.

“Në qoftë se opozita kërkon, ne mund të bëjmë matje në territorin e Kosovës mbi bazën e vendimit të komisionit shtetëror lidhur me shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi që të kuptojnë qytetarët se a është humbur apo jo territori”, kishte deklaruar shefi i ekzekutivit.

http://kallxo.com/mustafa-ftese-opozites-ejani-ta-matim-territorin-e-kosoves/

Mirëpo zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi e ka vlerësuar këtë deklaratë si absurde

“Kryeministri Mustafa, në mungesë të fakteve, po flet gjëra absurde. Kushdo që merr vesh sadopak në këtë fushë, e ka të qartë që matja e territorit të Kosovës asnjëherë nuk ka qenë e saktë tërësisht dhe ka variuar. Nuk mund të jetë matja e territorit rrugë për zgjidhje të demarkacionit me një shtet. Ky është absurd i padëgjuar”, tha Krasniqi.

Ndërsa analisti Belul Beqaj tha për Gazetën JNK se koalicioni qeverisës aktualisht nuk i ka votat për ta kaluar këtë marrëveshje. Por diçka e tillë mund të ndryshojë

“Meqë për të ratifikuar demarkacionin nevojiten vetëm disa deputetë për të ndërruar mendjen nga ndonjëra parti, ndërsa përvoja e deritanishme ka dëshmuar se qëndrueshmëria dhe konsistenca e deputetëve nuk është ana fortë e tyre, mendoj se do të fitojë edhe këtë herë hipokrizia karshi moralit politik”, tha Beqaj.

Ai nuk dëshiron të flasë rreth deklaratave të VV-së në lidhje me atë se do ti radikalizojnë veprimet por thotë se ana më e mirë e tyre ka qenë artikulimi i argumenteve.

“Mund të them se ana më e fortë e Vetëvendosjes ka qenë artikulimi i qartë argumenteve e jo përdorimi i dhunës. Ndërsa, ana më dobët e pushtetit ka qenë përdorimi i pushteti si instrument dhune kundër argumenteve të supozuara pa u ballafaquar publikisht me to”, tha Beqaj për Gazetën JNK

Koalicioni qeveritar nuk po përballet me kundërshtimin opozitar veç në marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi. Ata kanë edhe një tjetër barrë para vete karshi opozitës.

Argumentet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe ende nuk janë shterur, por ndoshta do të rifillojnë pasi të ketë një rezultat për demarkacionin.