Statuja e Ibrahim Rugovës në qendër të Prishtinës | Foto: Atdhe Mulla

Dashnia Përtej Varreve

Njëmbëdhjetë vjet pas vdekjes, ai që sot kujtohet si njeriu i letrave, njeriu që pinte shumë kafe e cigare, që ishte bërë ikona e rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës dhe që gjithmonë rrinte me shall, e kërkon vlerën dhe vendin në historinë e vendit të vet.

Ai që sot quhet njeri i paqes dhe ikonë e saj, burri që gjithë jetën e tij fliste për “Kosovën e pavarur e të hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë e në miqësi të përhershme më Shtetet e Bashkuara…”, e kërkon vlerën dhe vendin në historinë e vendit të vet.

Mjeshtri i fjalës, njeriu që kishte shumë miq dhe po kaq shumë armiq, e kërkon vendin e vet; njeriu që ishte bërë burrështetas në Republikën të cilën armiqtë por edhe shumë të tjerë ia quanin “fantome” të Kosovës, e kërkon vlerën në vendin e vet. Njeriu me shall që ka vite që prehet nën dhe, Ibrahim Rugova, edhe përtej varrit, është lodhur ndoshta, duke ia lëkundur eshtrat, sa herë që i vijnë përvjetorët.

Një tjetër ikonë e madhe e letrave, njeriun që s’e kuptuan e s’deshën ta kuptojnë kurrë, njeriu që e deshi poezinë, jetën, njeriun e Shkodrën, njeriu i letrave që herë u burgos e herë u mohua krejtësisht, e kërkon vlerën dhe vendin e vet, të mbyllur kaq gjatë, në letrat e bukura shqipe.

Frederik Rreshpja, që për të gjallë kaloi mes hekurave, rrugëve e varfërisë, mjeshtri i fjalës që kishte pak miq e mbase më shumë armiq, ai që s’kërkoi asgjë, mbase sot e kërkon vendin e tij.

Dy njerëz kaq të largët, dy profile krejt të ndryshëm, por dy njerëz me një gjuhë – atë të letrave e filozofinë e saj. Të dy kanë ikur mes pak ditëve në muajt e acartë të para 11 viteve (21 janar e 17 shkurt). Derisa Rugovën e kanë njohur të gjithë, Rreshpjen pakkush e njeh edhe sot. Por, ajo që ndodh gjithnjë është se eshtrat në varr u lëvizin të dyve sa herë u vijnë përvjetorët.

Jo më kot Rreshpja, që e njohu Rugovën nga letrat, do të thoshte diku në librin kushtuar atij se “Rugova qe filozof në praktikë”. Ata që e kanë njohur nga afër poetin shkodran e kujtojnë të ketë qenë ndryshe nga të tjerët – i butë dhe i prerë, i qetë në urtësinë e tij – bash ashtu siç Rreshpja e quante mikun e tij të letrave dhe ikonën e paqes. “Edhe pse Kosova qe nën shtypje ai kërkoi liri me mjete paqësore. Po, ai qe Rugova. Qe, si me thënë, Shenjt. Shenjt natyral. Shenjtët nuk zbresin prej qielli. Ato dalin midis njerëzve. Shihe edhe tash si President në Kosovën e lirë! Flet me zë të urtë, të butë. Rugova ka marrë shumë prej dritës së Bogdanit. E drita e Bogdanit qe me shumë rreze…”. Kështu shkruante letrari për letrarin sa ishte gjallë.

Të dy, njeriu i Kosovës dhe ai i Shkodrës, ishin njerëz të urtë.

Rugovën pacifist, të cilin në çdo përvjetor e kujtojnë me nderime edhe ata që për të gjallë e quajtën edhe tradhtar edhe antikombëtar, po edhe të gjithë ata që në arkiv kanë ndonjë foto me të. Rrjetet sociale e mediat ‘vluan’ në këtë 21 janar duke e kujtuar figurën e historisë më të re të Kosovës. Fjalë të cituara për të qenë pikërisht edhe fjalët e bashkëkohanikut e mikut të tij letrar, poetit shkodran.

Edhe Rreshpja i mohuar kaq gjatë ka nisur të kujtohet e të dashurohet më shumë në përvjetorët e tij, nga zyrtarë e të huaj që pak e njohën dhe të adhurohet gjithnjë nga dashuruesit e poezisë. Por, kaq nuk mjafton.

Figurat e veçanta në historinë e popujve janë vlerësuar ose janë përmbysur krejt vite pas vdekjes. Ka ndodhur shpesh që në vitet e para të jetës së tyre të amshueshme, ata të jenë ngritur në piedestal, për të rënë më vonë. Disa figura, megjithatë, e kanë vendin e vet të ndarë në historinë qoftë politike e qoftë letrare të vendit të vet. Herët a vonë do ulen aty ku takojnë.

Kundërshtarët e tyre të deridjeshëm politikë e letrarë dhe mohuesit e filozofisë së tyre letrare a politike, ndonëse sot nuk hezitojnë t’u përulen para varreve të tyre dhe të flasin për figurën dhe emrin e tyre, edhe ndonjë vit do të lodhen e më s’do t’ua lëkundin eshtrat në varre. Derisa të shenjtit e fjalës e të poezisë do ulen vetë në vendin që u takon. E vërteta nganjëherë mund të jetë e rrezikshme, sepse siç thotë një shkrimtar spanjoll, është si të marrësh gjak nga zemra, po e vërtetë mbetet.