Dajaku Vjen prej Xhenetit, Mantra e Familjes Kosovare

Unë nuk besoj në vlerat tradicionale të familjes shqiptare. Nuk kam besuar në to për një kohë të gjatë tashmë, sepse e di shumë mirë që “vlerat familjare” tona janë kod për bindje, dhunë dhe dominim. Ky është sekreti i hapur i shoqërisë sonë, i konfirmuar nga të dhëna të besueshme por të mohuara në publik. Narrativi i “vlerave familjare” është duke u zhvilluar që kur video që tregon rrahjen brutale të 16 vjecares nga Ratkoci u bë publik javën e kaluar. Filmimi jo i qartë tregon tre burra që qëndrojnë para një vajze, që është e shtrirë në tokë duke mos lëvizur. Një nga burrat, xhaxhai i saj, e shkelmon vazhdimisht. Ajo bërtet, por askush nuk e ndihmon. Kur xhaxhai i saj vendos që kaq është mjaftueshëm, ai dhe dy burrat tjerë, të afërm të saj, e tërheqin zvarrë deri në makinë. Kjo ndodh gjatë ditës përballë shkollës së saj. Kjo konsiderohet si “dashuri” në Kosovë.

Komuniteti në Ratkoc u mobilizua pasi që video u bë publike – për të mbrojtur Hidajet Bytyqin, xhaxhain që rrahu mbesën e tij 16 vjeçare. Vëllau i tij, Xhafer Bytyqi, shkroi një letër publike në Facebook se si mbesa e tij 16 vjeçare ishte e llastuar, mungonte në orë, dhe pinte alkool. Ai shpjegoi që ai e pa atë në një kafene përballë shkollës së saj në mes të ditës dhe i tha të shkonte në shtëpi. Ajo refuzoi, shpjegon Xhafer Bytyqi, kështu që Hidajeti e goditi atë në fytyrë. Ajo ra në tokë, dhe xhaxhai i saj filloi ta shkelmonte atë. “Edhepse në videoregjistrim rrafja duket mjaft mizore, këtë që e them unë e arsyeton fakti se [emri i redaktuar] nuk ka pësuar asnjë lëndim nga ato goditje dhe nuk ka asnjë shenjë të dukshme.” Ai gjithashtu sigurohet të thotë që Hidajet Bytyqi jeton në Gjermani dhe është kryefamiljari.

Kur u intervistua nga Klan Kosova, nëna e vajzës, Zafire Bytyqi, mbështeti rrahjen e vajzës së saj. “Une e kam dërgu atë [Hidajet Bytyqin],” thotë ajo. “I kom thon shko edhe merre, dhe qe e gjojsh ne lokal merre se boll jam nervozu, jam lodh, nuk muj ma teper,” shton ajo. Drejtori i shkollës së vajzës, Hasan Krasniqi, konfirmoi që atij i kishin treguar që rrahja po ndodhte para dyerve të shkollës dhe nuk bëri asgjë.

“Jemi njoftuar nga nxënësit kur erdhën duke bërtit se [emri i redaktuar] e rrahën. Ne kemi vrapu për të parë se cfarë ka ndodhë, por e pamë se ishte problem brenda familjes,” thotë Krasniqi. Komandanti i policisë Osman Ismajli tha që vajza “nuk ka asnjë lëndim,” dhe shtoi që ndërkohë që motivet për rrahjen ishin të paqarta, “dyshimet e para janë se vajza ka munguar në shkollë”.

Në seancën gjyqësore të mbajtur më 17 tetor, gjykatësi vendosi që dënimi adekuat për Hidajet Bytyqin do të ishte një urdhëresë ndalimi, që e ndalon atë ta rrahë mbesën e tij 16 vjeçare dhe pengon lëvizjen e saj të lirë – për një vit. Nuk do të ketë dënim me burg për Hidajet Bytyqin.

Ky vendim është i habitshëm, sepse urdhërndalesat janë tejet joefektive dhe të vështira për t’u zbatuar në shtëpitë e familjeve të ngushta në Kosovë. Por gjykata ka vendosur: vajza do të kthehet në shtëpi ku do të jetë e prekshme për viktimizim prapë – por këtë herë askush nuk do të mund ta inçizojë me telefon.

Nëse nuk është e mjaftueshme që fshati i Ratkocit po mbështet Hidajet Bytyqin, mediet kombëtare kanë bërë të njëjtën gjë. Shumë portale të famshme, si Zëri dhe Koha, kanë publikuar letren e Facebookut të Xhafer Bytyqit të plotë dhe pa kritika, pa burime tjera, dhe pa kontekst. Klan Kosova u sigurua që theksoi që vajza kishte bërë 41 mungesa në shkollë dhe e kishte lënë shkollën. Ata gjithashtu u siguruan që t’i japnin Hidajet Bytyqit kohë të mjaftueshme në televizion për të thënë që ai e do mbesën e tij më së shumti nga të gjithë fëmijët në familje dhe që ai e dinte që ajo çka po bënte ishte gabim (ky është besimi i maskilitetit shqiptar në veprim: turpërohu vetëm nëse të kapin në akt e sipër).

Interneti shqiptar është i mbushur me komente se si vajza është një “kurvë”, dhe që ishte e drejtë e familjes së saj ta “disiplinonin” atë. I vetmi rezultat pozitiv nga kjo ngjarje është vëmendja kombëtare që ka marrë pasi që u organizuan protesta nga grupi i famshëm në Facebook, Feminizmi Shqiptar, dhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës. Një marsh protestues u mbajt të shtunën ku mori pjesë edhe Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe një protestë tjetër u mbajt të hënën ku u mbulua nga medie kombëtare. Ish-presidentja Atifete Jahjaga, ambasadorja Vlora Çitaku, deputetja Blerta Deliu dhe kryetari i kuvendit, Kadri Veseli, e dënuan sulmin publikisht. Ky është një moment i rrallë i zemërimit të përbashkët nga këto figura politike, në një shtet ku 72 përqind e të rinjve mes moshave 18-25 vjeç thonë që janë abuzuar në shtëpi sipas një hulumtimi nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës.

Gjëja më e rëndësishme që duhet mbajtur mend për raste të tilla “momente kritike”: nuk janë përjashtime, por janë normë. Ne nuk jemi shoqëri që kujdesemi për fëmijët. Nëse do ishim, kjo statistikë – 72 përqind – do ta ngriste alarmin para një viti, kur u bë publike. Nëse ne do kujdeseshim për fëmijët, rrugët e këtij shteti nuk do të ishin të mbushura me fëmijë që detyrohen të shesin shami letre, karamele ose trupat e tyre. Nëse ne me të vërtetë do kujdeseshim për fëmijët, ne do të ishim zemëruar me shkallën e lartë të analfabetizmit funksional që e prodhon sistemi jonë i arsimit. Nëse ne do të kujdeseshim për fëmijët, numri i lartë i tyre që jetojnë në varfëri që nga përfundimi i luftës do të ishte qortuar si turp kombëtar. Të lutem, më fol më shumë për vlerat tona familjare.

 

Hana Marku është feministe aktiviste dhe anëtare e bordit të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës.